Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

ÇMIME NË EURO

Kadareja fiton një tjetër çmim letrar ndërkombëtar – el Premio Príncipe de Asturias de las Letras, provë e suksesit të tij artistik në vendet spanjisht-folëse.

Meqë jam rritur me veprën e tij, e cila madje më ka edukuar ndjeshmëritë estetike dhe intelektuale, gëzohem sinqerisht për këtë arritje, të cilën e përjetoj disi edhe si timen, ose shpagim të brezit tim.

Mediat e Tiranës, po të kenë leje nga padronët e fushatës zgjedhore, nuk do t’i kursejnë edhe këtë herë lëvdatat për heroin e tyre, ose Kadarenë celebrity, me të cilin unë nuk dua të kem të bëj asfare.

Përkundrazi, më bëhet fshehurazi qejfi që shkrimtari ende kujtohet dhe nderohet në botë për ç’ka shkruar atëherë, kur letërsia dhe diktatura kacafyteshin me njëra-tjetrën, sipas shprehjes së tij që po e parafrazoj këtu lirshëm.

Pavarësisht nga raportet vetjake të Kadaresë me diktaturën, komunizmin dhe Enver Hoxhën, si koleg shkrimtar dhe si personazh të romaneve që ka shkruar, vepra e Kadaresë për mua dhe për shumë të tjerë si unë ka shërbyer si dritare e shpresës, ose si fije bari pas së cilës ne, të mbyturit, ishim kapur.

Megjithatë, këtu nuk po dua të diskutoj për këtë temë të konsumuar deri në shkëf; por vetëm për një detaj të çmimit që gazeta spanjolle nuk kish harruar ta përmendte – shpërblimin prej 50.000 eurosh që i jepet shkrimtarit tonë, së bashku me mirënjohjen simbolike të publikut.

Cy Twombly - Pa titull

Cy Twombly - Pa titull

Ç’mund të bëhet me një shumë të tillë parash? Shumë gjëra, ose shumë pak; varet nga perspektiva. Askush nuk do të kishte të drejtë ta akuzonte Kadarenë, sikur ky të shkonte e t’i luante këto mijëra euro në Monte Carlo, ose të blente një pikturë të Cy Twombly-t për ta varur në banjë.

Megjithatë, njeriut i pëlqen të ëndërrojë; dhë në ëndërr shkrimtari ynë i përdor këto pará për të themeluar një fondacion të vetin në Shqipëri, për të ndihmuar kulturën shqiptare, letërsinë, autorët e rinj dhe të vjetër, traditën dhe kurajon eksperimentale.

Kush më mirë se Kadareja do të dilte në krye të një lëvizjeje për ta nxjerrë kulturën shqiptare nga bataku kaotik dhe anonim ku e ka futur ekonomia e tregut? Kush më mirë do të garantonte cilësi artistike, por edhe vëmendje ndaj shijeve të publikut e, çka është edhe më e rëndësishme, respekt për lexuesin deri në bashkëfajësi totale?

Një shtëpi botuese, një librari që të jetë institucion, jo dyqan e magazinë mallrash me qarkullim të ngadalshëm; një revistë kritike letrare që të shfrytëzojë emrin dhe prestigjin e shkrimtarit, për t’ia siguruar letërsisë shqipe të sotme përzgjedhshmërinë që i mungon; ose një lëvizje që t’ia kthente leximtarisë shqipe shëndetin dhe shkrimtarisë shpresën se jo çdo gjë që shkruhet është thjesht zhgarravinë.

Pesëdhjetëmijë euro nuk mjaftojnë për ta nxjerrë gomarin nga balta; por ndoshta do të mjaftonin për të na ndihmuar të dallonim se ku është gomari, ku është balta dhe – ndoshta – ku është i zoti. Emri i Kadaresë do të tërhiqte në këtë iniciativë emra të tjerë; që ndoshta do të futeshin në garë për t’u rreshtuar krahas me shkrimtarin, e për të ofruar paratë e tyre në bamirësi.

Urimi im më i mirë, për shkrimtarin, do të ishte që dikush t’ia shtinte në vesh këtë mundësi; njëlloj sikurse letërsia fatlume ka vetinë magjike të transformohet, ndonjëherë, në llogari të majme bankare, ashtu edhe llogaritë e majme bankare kanë vetinë magjike të transformohen, ndonjëherë, në letërsi fatlume, ushqim shpirtëror për një publik që ende është në kërkim të vetvetes.

32 Komente

  1. Xhelozi, demagogji, propagande, populizem?
    Nuk di cilen nga keto te zgjedh per te kuptuar shijen qe me la ky shkrim.

    Me pelqejne shpesh ato qe ju shkruani edhe pse nuk jam dakort disa here, me idet dhe stilin e gjate (mendoj se ne internet eshte me efikas shkrimi sintetik), por kete radhe besoj se mund te ishit kursyer.

    Ju mund te thoni: Pse e lexon?

    Kritika ime donte te ishte konstruktive.

    Tung

    1. Reli, në fakt idenë se Kadareja me emrin dhe prestigjin e vet mund të shërbejë si defibrilator i kulturës shqiptare e kam pasur prej kohësh; dhe një mënyrë konkrete për ta realizuar këtë, është nëpërmjet një fondacioni privat, që të ketë shtëpinë e vet botuese, revistën e vet, librarinë e vet; ndoshta edhe të japë çmimet e veta.

      Sot ndodhën dy gjëra që më shtynë të shkruaja; nga të cilat e para ishte vetë lajmi për çmimin. Qëlloi edhe që të ndodhesha në Albert Einstein Hospital; duke pritur taksinë përpara hyrjes kryesore, më shkuan sytë te një pllakë në mur, ku me shumë thjeshtësi përmendeshin emrat e disa burrave dhe grave që e kishin bërë të mundur atë spital.

      Vërtet që shumë prej nesh jemi mësuar që edhe të mirën edhe të keqen ta presim nga qeveria (sulltani); ndërsa të tjerët na duhen vetëm për t’iu mburrur, ose për të na admiruar. Por ndoshta është koha që iniciativa private, ndër ne, të mos përdoret më vetëm për t’u pasuruar; por edhe për të afirmuar të mirën, të drejtën dhe diturinë; ose për të kundërshtuar të keqen dhe padijen.

      Natyrisht, nuk po i kërkoj Kadaresë të shoqërojë një plakë kur kjo përpiqet të kapërcejë rrugën me trafik, në Tiranë ose në Paris; se atë e bëj edhe unë. Por një njeri i madh, me emër anembanë botës, me vullnet të mirë dhe pará në duar, mund të bëjë shumë më tepër.

  2. @ Resp. 1

    Ky shkrim nuk eshte as demagogji, as populizem, as propagande. Mos ta kishe permendur xhelozine me mire.

    Ne fakt ky shkrim nuk eshte i gjate. Per Kadarene eshte folur shume me gjate ketu por ti e paske per here te pare. Nuk ke lexuar fjalet e mira qe thuhen per te ketu.

    Kesaj radhe eshte thene nje e pa thene deri me tani. A ka vend per te lartesuar me tej emrin Kadareja? Po thote Xha Xhai. Po them edhe une. Une them “po” sepse ai kohet e fundit po ben me shume para’. Dhe emri lartesohet me para’.

    Fjala vjen ne nje nate, tre jave me pare, atij ju dha ne mungese cmimi per letersine nga akademia Kult ne TOB se bashku me nje milion e gjysem leke te vjetra. Une me gezim po prisja per te pare shkrimtarin e madh kur te ngjitej ne skene per te mare cmimin.

    Ai nuk doli sepse kishte shkuar per te mare nje cmim tjeter ne Palermo nga universiteti i qytetit i cili i dha nje “honoris causa”. Rastisi qe keto dy aktivitete te binin ne nje dite apo ishin caktuar me qellim per te nenvleftesuar te paren? S’besoj. Rastesi them une.

    Sigurisht qe “honoris causa” eshte shoqeruar, ndoshta jo me 50,000 euro por sidoqofte, me dicka simbolike. Une do te kisha deshire qe me nje pjese te atyre parave Kadareja te beje stema qe ti veme neper xhupa e xhaketa si dikur udheheqjen e revolucionit.

    Thuaj qe nuk e meriton?

  3. Nuk do te ishte e keqe si ide.
    Kadareja duhet ta shikoje kete oferte edhe pse shuma eshte qesharake(po ta krahasojme me tunelin e Kalimashit).
    Me beri pershtypje nje fraze e jotja xha xha.

    Do te doja te dija kohen kur kjo leximtari ka pasur shendet?

  4. Reagimi i Relit eshte tipik shqiptar: shqetesohet kur dikush flet per te mirat e vullnetarizmit. Xhaxhai e kishte thene qarte qe askush nuk do te cante koke nese I.K. i harxhonte te gjitha parate ne Monte Karlo. Cfare vihet ne pah ketu, eshte nevoja per nje fryme te re ne shoqerine shqiptare ku ka shume te pasur tashme, por fare pak mecenate. U dha shembulli i spitaleve, por po kete gje mund ta shohesh ne universitete, ne shkolla, ne salla teatri, ne muze, etj. Nje nga revistat e vetme qe i eshte dedikuar studimeve te Ballkanit ne ShBA, eshte e financuar nga nje shume prej $50,000 qe nje profesor dhe studiues i Ballkanit e la (endowment) per kete qellim. Nuk mund te themi qe profesoret jane te pasur, por ja qe edhe atyre u shkon nder mend te bejne dicka te dobishme per pasionin e tyre. Para ca vjetesh lexova titullin e nje libri te Zyhdi Dervishit dhe me erdhi mire qe edhe ne Shqiperi po fillonte nje diskurs rreth vullnetarizmit… Nuk kam pare apo degjuar diskutime te atilla ne shtyp apo neper blogje. I lumte Xhaxhait qe e mori mundin te shkruaj per kete. Gjeta ne Google nje reference te librit te Dervishit: http://www.gazetametropol.com/tekst.php?idt=5817

  5. I dashur Xhaxha!
    Letersine dhe artet ne shqiperi me shume se Kadareja mund ti shpetoje vetem shpirti i sakrifices pra ‘art per hir te artit’ dhe jo art per hir te fondacionit. Duke lexuar nje ese te mikut tim Rudian Zekthi te titulluar ‘Mbi dobine dhe disponimin’ u ndergjegjesova me shume per faktin se askush nuk e hedh parane kot. Para nja dy muajsh ne Universitetin e Torinos u mbajt nje leksion i hapur me pjesemarrjen e profesoreshes se nderuar nga Napoli Donatella Izzo i cila trajtoi temen e Artit ne shoqerine Borgjeze. Duke perdorur si bosht teorik Henri Xhejmsin dhe Eduard Saidin ajo konkludoi se atr te vertete mund te bejne artistet e kamur ose bohemet qe te dy keta syresh te pavarur prej pushtetit. Te tjeret , edhe pse me mjaft talen dhe shije estetike , do te perfundojne ne vegla per ruajtjen dhe promovimin e pushtetit alla Bourgue pasi jeta prej bohemi i qendron si enderr e keqe mbi koke. Kadareja famen dhe parate e fituara ne pjesen derrmuese i ka prej bishtkrehjes dhe une mendoj se ai e di mjaft mire se si funksionojne Fondacionet . Me gjithe respektin kam frike se fjala juaj do te bjere ne vesh te shurdher.

  6. Ismail Kadareja nuk eshte dhe aq i pa pagezuar me fondacionet. Thuhej, si ne Shqiperi edhe ne diasporen shqiptare ne Zvicer, qe ishte bashkethemelues i « Albanian International Scholarship Foundation », me qender ne Gjeneve.
    Ne pak kerkime qe bera ne Google, gjeta se gazeta e Gjeneves e vitit 2000 perserit te njejten gje:“…l’intarissable diabétologue mettait à contribution son vaste réseau de connaissances pour lancer à Genève l’Albanian International Scholarship Foundation1, qui a pour vocation d’offrir des bourses aux meilleurs étudiants universitaires originaires d’Albanie, de Macédoine et du Kosovo.Avec succès. Dans ses rangs, le conseil de fondation compte par exemple l’écrivain albanais Ismail Kadaré, ou encore Jacques Attali, ancien conseiller spécial de François Mitterand et premier président de la BERD2. “
    Kushedi edhe ne c’keshill tjeter te fondacioneve nga me te shumellojshmesh duhen ta kene terhequr Kadarene. Pra nuk eshte se njeri s’ia ka shpene ne vesh idene se ai me famen qe ka do te ndihmonte shume kulturen shqiptare, por me duket e pabesueshme qe ai vete te kete interes per te luajtur nje rol te tille, vecse duke bere ate qe di me mire te beje: te shkruaje.

  7. Lutem zgjidhni pseudonime të përshtatshme dhe jepni një adresë e-maili funksionale, kur vendosni të komentoni në blog. Pseudonime të tilla si “anonim” nuk kanë kuptim; sepse nuk identifikojnë asgjë, por vetëm ngatërrojnë; quajeni veten, po të doni, Taras Bulba, ose Shtatëpëllëmbëmjekra Trepëllëmbëtrupi, ose edhe Principe de Asturias, mjaft që të dalloheni prej të tjerëve. Po ashtu, adresa postare të tilla si anonim@anonim.com janë tallje me blogun dhe komentet që u bashkëlidhen do të përfundojnë automatikisht në kosh të fëlliqësirave. Nuk ju detyron kush të shkruani këtu, as e bëni për të mbajtur fëmijët me bukë (shpresoj), prandaj ju lutem, tregoni pak më tepër seriozitet.

  8. Mund të pyetet, dhe gjithnjë është pyetur, nëse njerëzit shumë të pasur kanë detyrime morale ndaj komuniteteve të tyre.
    Unë mendoj se kanë, por kjo mbetet e diskutueshme, së paku në teori.
    Bamirësia dhe vullnetarizmi lidhen me hipokrizinë dhe interesat okulte, sikurse lidhen edhe me fisnikërinë shpirtërore dhe një vizion etik që i kapërcen preokupimet për të mbijetuar.
    Njëri vështrim nuk e përjashton tjetrin.
    Ta zëmë se unë jam shkrimtar i madh, dhe ti je një producent filmi që vjen e më kërkon të drejtat për ta shndërruar romanin tim në skenar; dhe biem dakord që të më paguash për këtë 30 000 euro. A nuk do të ishte mirë që një pjesë e këtyre eurove të përdoreshin, bie fjala, për të financuar një festival të filmit të shkurtër, ose restaurimin e një kinemaje ose teatri me vlera kulturore-historike?

  9. 1.

    Kur The Man Booker International u nismëtua, në rrethet letrare (që unë i lexoj për së jashtmi) u diskutua dhe mbi vlerën monetare. E vogël apo e madhe, u sollën shembuj e u bënë krahasime, e mendimi i përgjithshëm i mbeti linjës se pavarsisht nga shuma çmimi në vetvete është katalizatori i rritjes së tirazhit, numrit të botimeve, duke shumfishuar kësisoj vlerën e dhënë. Në kohën e atij çmimi, Kadareja ishte në treg me The Successor-in, e ndërsa mendoja që Barnes&Nobles do ta vinte librin në vitrinë, sapo te hyrja, që shkrimtari ynë e vetë libraria të përfitonin, vura re dhe u habita kur pashë se këtë vend e kishte zënë libri “Reading Lolita in Teheran” i shkrimtares Azar Hafisi, një nga tre antarët e jurisë që i dhanë çmimin Kadresë.
    Kanë kaluar 4 vite dhe Kadareja ka për lexuesin po atë libër; Darka e gabuar do ketë mbetur diku në proçesin e gabuar të përkthimit të përkthimit. Kështu, sërish ai do të fitojë famë, por jo para.
    Ç’të tjera përveç letërsisë i shtyjnë juritë për të dhënë çmimet? Çfarë e shtyn antaren e ndershme të jurisë të thotë se kur emri i Kadaresë shkrimtar, poet dhe eseist u hodh në tavolinë kishte lexuar vetëm një libër prej tij dhe atë një çerek shekulli para? Çfarë e shtyn Fundación Príncipe de Asturias ti japë të njëjtin çmim: Popullit të Porto Rikos (1991), Arthur Millerit (2002) dhe Ismail Kadaresë (2009)? Mos MBI-ja ju dha pikërisht autorit të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur për përkrahjen në çlirimin e Irakut? Mos H.R.H. Princi i Asturias sheh tek shkrimtari një monarkik? Si i janë gjetur rrënjët angazhimit të shkrimtarit shqiptar në traditën e madhe letrare të botës Helene? Mos është më i madh çmimi që Kadare po paguan se çmimet që po merr? Nuk dihet, për më tepër gjithë sa më sipër janë spekullime. Por ajo që dihet e ka rëndësi është se në ceremoninë e madhe të Ovideos në vjeshtë zoti Ismail Kadare është i ftuar me cilësinë e avokatit të një çeshtjeje që ai e ka për zemër dhe e cila në gjykimin spanjoll nuk meriton të fitohet. Urimi im i vetëm është që avokatia e tij të duartrokitet; kjo do të ishte arritje më e madhe se shkrimi i një romani të ri.

    2.

    Ç’është mirë ti bëjë Kadareja paratë e çmimeve? Sigurisht që është mirë të themelojë fondacion, por akoma dhe më mirë është që ky fondacion të merret kryesisht me veprën e Kadaresë e jo të të tjerëve. Vepra e shtrirë në kohë, gjuhë, botime, ribotime, kërkon mirëmbajtje; vepra e Kadaresë nuk ka as paraqitjen minimale në www apo internet siç i themi; ai vazhdon të marrë çmime edhe si poet por ç’vargje i kanë lexuar anglishtfolësit dhe spanjishtfolësit? Pastaj, shqiptarët të harrojnë shpejt apo të kujtojnë kur ju duhesh. Faqja e Fundación Príncipe de Asturias, jep se ai ka vetëm një gradë honorare nga një universitet i Maqedonisë!?
    Duhet dalluar dëshira nga detyra dhe detyrimi. Është detyrë e Kadaresë, të afërmeve, miqve, shokëve, lexuesve të tij ta bëjnë këtë. Tek Kadareja nuk lexohet dëshira më e vogël për të përkrahur shkrimtarët mbas tij. Ai “promovon” vetëm letërsinë e shkrimtarëve të dënuar nga diktatura, për fat të keq – të gjithë të vdekur, dhe kjo si detyrim moral, mbështetur mbi aksiomë. Ai kur gjendet në panaire libri ndërkombëtar me kolegë të rinj, dërguar nga Prishtina e Tirana, lëshon mesazhe të vagullta. Kur pyetet për poezinë flet për skarco të mëdha, ndryshe shmanget. Dhe kur të mungon dëshira si me 50.000 euro më shumë si me 50.000 më pak është njëlloj. As e bëj fajtor për këtë dhe as dua që thirrja e mirë që po i futet nga njëri vesh ti dalë nga tjetri.

  10. Shqetësimi i drejtë i Xha Xhait, mendoj, niset nga një konstatim i thjeshtë. P.sh. ndërtuesit në Shqipëri, ose ata që u kërkojnë apartamente apo kate si haraç, e kanë mundësinë ta ndihmojnë kulturën shqiptare, sikurse të gjithë të pasurit e rinj në vendin tonë. Mirëpo, këta rrondokopë injorantë nuk e kanë idenë fare se ç’rëndësi ka kultura, arti dhe letërsia për shoqërinë shqiptare. Ndaj edhe këtë ia kërkojmë më lehtë Kadaresë, të cilit nuk i mungon kultura për të vlerësuar kulturën dhe për fat të mirë nuk i mungojnë burimet financiare. Këto të fundit, mund të gjenden fare mirë duke “vënë në dispozicion fytyrën”. Kadareja, po të dojë, mund të bëjë shumë gjëra në ndihmë të kulturës dhe artit shqiptar.

  11. Kadare per c’letersi edhe esse shkruan behet subjekt serioz studimi, jo per te dyten me shume se te paren, ndersa per cdo gje jashte ketij territori krijon deficite, si p.sh. ai nderhyn pa sukses ne jeten politike e sociale, si pasoj e veshtrimit te kufizuar, duke patur impakt jetegjat dicka regresive, se sa inkurajim i natyres se sugjeruar nga veshtrimi i ketij shkrimi “Cmime ne euro”

    Kadare e ka pothuajse te pa mundur te qendroj perkrah vetes shkrimtar, pa u gjendur nen hijen e vet. Prandaj edhe do thoja se, si person i adoptuar me ndricimin ne hije, ai ka tjetersuar edhe veten per driten e vepres se tij letrare, jo me shance te tilla si mund te sugjeroj dikush per eurot e tij; ta nxierrin ne drite edhe veten e tij ne vendin e kulturen e gjuhes te kujtedo qe e shkruan apo e flet me nivel te larte ate. Perpjekja e tij do te jete rreaksionare per dicka lidhur me ceshtjen ne fjale, qofte edhe abstrakte, sesa praktike produktive.

  12. Eshte si te ai libri i Khalil Gibran “Profeti” kur pupulli e pyet
    Mjeshter na flit per te Dhene/Marr
    ai pergjigjigjet(qe per mua eshte profetike)Njerizit shprehen gjithmone qe dua ti jap/ndihmoj vetem atij qe e meriton,por nuk shprehen keshtu pemet qe ne marrim frytet ose bagetite nag te cilat marrim qumeshtin ,ato na japin secilit pa asnje dallim
    Kush meriton diten nag zoti meriton edhe ndihmen time
    Ai qe mban myket ai qe jep rilind,siqoqofte ajo qe ke do jepet ne mos nga ty nga dikush tjeter , keshtuqe psae te mos jesh ti ai qe ka marriten e te dhenmes

  13. ku me shumë thjeshtësi përmendeshin emrat e disa burrave dhe grave që e kishin bërë të mundur atë spital.

    Xha xha tek nje teater ku une punoj,jane disa emra te 100 ortakeve qe vedosen te ndertojne kete teater gati 200 vjet perpara,edhe akoma njerezit kur shikojne perkujtimoren ndejnje nje ndejnje admirime per keta nejrez qe vedosen te kontribuojne per nje veper te dobishme
    Edhe sa e sa here degjoj turistet qe flasin me admirim per kete veper, kur e lexojne

  14. Edhe mua do me pelqente sikur Kadare te krijonte ndonje fondacion me ato leket e cmimit ose me leket e librave te shitur.

    Por jam i memdimit qe gjeja me e mundshme qe ka per te bere Kadare, eshte kthimi i shtepise se tij (gjirokaster) ne muze.
    Po kjo ne momentin kur ai te mendoje qe mbase u plak e duhet ti leje vendit te tij dhe nje vend kulti pervec veprave te shkruara e pasi te jete lodhur duke pritur ministrine e kultures pa rezultat.

    Se nese me te vertete do kishe deshiren ose idene per nje fondacion, atehere do e kishte bere shume kohe me pare e nuk do priste kete cmimin e fundit.

  15. Kur tufani e shthuri fene,
    Kur tirani e krrusi atdhene,
    Mbi nje breg te Dragobise
    Priret Flamur’ i lirise.

    A ka mundesi Kadareja te behet ‘Bajram Curri’ i kultures shqiptare ?
    A do Kadareja te behet i tille?
    A do i njihej ?

    Fondacioni ‘Kadare’ do perfaqesonte risi te plote keshtu qe do kerkonte mund e djerse nga ana e Kadarese, biles ceshtjet e shumta qe do ngriheshin ne nivelin organizativ do kerkonin edhe sakrifikimin e shkrimtarit apo ‘vdekjen’ e shkrimtarit.

    Mund te thuhet qe ashtu si Bajrami (i lindur me 1862) ne 1925 i perkiste epokes se luftes dhe anarkise politike, keshtu qe vetem me vdekjen mund ti jepte mesazhin ketij populli, edhe Kadareja ( i lindur me 1936) me vdekjen e tij si shkrimtar e kthimin ne organizator e kritik, mund ti jape mesazhin e fundit ketij populli.

    Ashtu si Bajrami ishte i fundmi i rilindesve te medhenj me profil ushtarako – politik,
    Kadareja mund te quhet i fundmi i shkrimtareve te medhenj nacional-romantike.

    Zogu ne 1925 e futi Shqiperine ne binaret e realitetit e te rregullit, racionales per kohen, udheheqes i nje procesi te ngjashem me restaurimin borbonik ne Francen e 1815.

    Te njejten gje ne Shqiperine e sotme kulturore, duhet ta beje dikush, pasi fondacionet kulturore me karakter kombetar, ne nje vend qe si njeh ato pasi eshte kujdesur perhere shteti, perfaqesojne veprimin me racional e realist.

    Pyetjes se pare, do i pergjigjesha PO; biles Kadareja mund te beje me vetvrasjen si shkrimtar, Bajram Currin e kultures e me kthimin ne organizator, rregullues e kritik Zogun e kultures.

    Jane dy pyetjet e tjera qe me mundojne a mbase s’dua tu gjej nje pergjigje.

    1. Sigurisht qe je i ri e nuk ke faj qe nuk e njeh mire Kadarene.

      Kadarene nuk e vrasin dot telashet adminsitrative se e ka lekuren e trashe. Burri i botes ka qene hem deputet, hem hem nen-kryetar i Frontit e hem nen-kryetar i Lidhjes se Shkrimtareve, ne kohera qe shumekush ketu ka qene shume i vogel ose i palindur.

      Gjithe duke evituar mendimin tim per Kadarene si shkrimtar dhe si titullar i larte i Republikes Popullore Socialiste, do te desha te theksoj vetem nje fakt.

      Pikerisht duke ditur qe Kadareja ka qene nen-kryetar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve Shqiptare, me duket se evidentohet qarte fakti se Kadareja ka jo pak eksperience ne lemin e promovimit te kultures shqiptare ne pergjithesi dhe asaj artistike letrare ne vecanti.

      Pra, pyetja nuk shtrohet a di apo jo Kadareja. Gjithe sikurse nuk shtrohet a humb apo jo Kadareja.

      Pyetja pra mbetet, pse nuk e ben kete Kadareja?

  16. Kadare, ndoshta nuk do të “bëj pis” duart me Shqipërinë, akoma jo në nivele të larta qytetarie. Besoj se nuk bëhet fjalë për të ardhura apo mundësi ekonomike në këtë mes, sepse si tha dhe Xha xhai, ai atë lloj disponibiliteti e ka, dhe duke vënë në marketing emrin dhe fytyrën e tij mund të mbledhi pa shumë mundime akoma më shumë fonde.

    Por krijimi I një fondacioni në Shqipëri, qoftë ky dhe kulturor, në mënyrë të pashmangshme do të shpjeri në një përballje me klasën politiko oligarike që sundon Shqipërinë aktualisht. Kjo do të thotë përballje dhe diskutime, që Kadare me sa kam vënë re i shmang gjithnjë.

    Të mos qënit i angazhuar në vetën e parë në jetën kulturore/politke të Shqipërisë, i jep Kadaresë mundësinë e të folurit si pater patria që nga jashtë, gjë që nëse futet në vorbullën e brendshme nuk jam i bindur se sa do arrijë ta luajë sërish këtë rol.

  17. Edhe une i bashkohem mendimit te Ismail Ademit (lart) se mbase nuk i intereson vete Ismail Kadarese te hapi kete fondacion per te ndihmuar kulturen shqiptare.

    Ismail Kadare ka ditur gjate gjithe kesaj kohe te beje nje marketing dhe selfmarketing te niveleve te larta.

    E keshtu qe nuk besoj se hapja e ketij fondacioni ne Shqiperi do te rriste akoma me shume emrin e tij ose per tu shprehur me mire do ti kushtonte shume energji te kacafytej me eliten drejtuese qe mendon vetem per tendera, si te fitoj ndonje lek e si te dali ne televizor per te ngritur sa me shume zerin gjate fushates elektorale.

    Biles nje pjese e mire e elites kulturore eshte kthyer ne politikane e biznesmene.
    Keshtu qe xha xhai foli per te nxjerre gomarin nga balta ose te pakten ta dinim ku ishte.
    Une mendoj qe gomari as qe nuk do te dali me nga balta sepse nuk eshte me gomar po eshte kthyer ne derr.

    Jam i mendimit qe Ismail Kadare po investon per te ngelur ne histori si shkrimtar boteror e jo si shkrimtar shqiptar.

  18. Ideja e fondacionit eshte e pranueshme, madje edhe pa e lidhur me vete cmimin ne cash te Kadarese. Jam i sigurte se po qe se Kadareja do te bente nje thirrje per te financuar nje fondacion me emrin e tij, mjaft milionere do te ndiheshin te nderuar te kontribuonin. Do te mblidheshin menjehere me miliona, madje shume miliona. Po a mjaftojne kaq miliona? A mjafton kaq pak per te bere dicka qe nuk ka egzistuar ndonjehere?

    Se arti dhe letersia nuk duken te jene si mitet kombetariste, vjen nje dite dhe brezat e ardhshem do te duan ti prekin, ti admirojne dhe lexojne ato.

    Di ndonjeri te me flase per ndonje projekt te mrekullueshem artistik a letrar, per ndonje drame a opera e ku ta di une, qe nuk u realizua per mungese fondesh?

    Se kam pershtypjen se shume vete mendojne se Ismaili u be Kadare sepse per te financoi regjimi shkuar, se ka edhe plot yje te tjere, per te cilat nuk po gjenden para per t’u pastruar pluhurin qe dynjaja tu shohe shkelqimin marramendes.

    A nuk eshte rasti te punojme me njeri tjetrin deri sa te perballojme shokun e idese se mallkuar se ai eshte nje rastesi e pashpjegueshme?

    Ka edhe nje ide tjeter qe thote se per te ardhur nga Barleti te Kadareja u deshen peseqindvjet afersisht, pra mjafton te presim edhe peseqind vjet te tjera dhe nje shqiptar do te jete perseri ne prozhektoret e skenave boterore. Pra, thjesht nuk ka nevoje per fondacion.

    Po, ketu po flasim per idene e fondacionit dhe natyrisht qe do te kthehemi prape aty. Kete radhe per te pare nese ai mund te luaje ndonje rol per ta shkurtuar disi kete distance te frikeshme kohore…

    Por nuk ju duket se po i kerkojme pak si shume nje fondacioni, qofte ky edhe me emrin Kadare?

  19. Tendenca e nje asimilimi/pershtaturi ne rrethana te krijuara soc-shoqerore, sic e ka aplikuar Kadare me sukses gjate gjithe veprimtarise se tij, nuk ka ndalur gravitetin e tij per kthjellim dhe sukses te individuales, te pa tjetersueshmes.

    Prandaj, grumbull, mora nga tre komentues c’ka mendoj se kan te rendesishme ne postimet e tyre, duke lene dy fjale nen sejcilin fragment.

    Me poshte shkruan Ismail Ademi:

    “Por krijimi I një fondacioni në Shqipëri, qoftë ky dhe kulturor, në mënyrë të pashmangshme do të shpjeri në një përballje me klasën politiko oligarike që sundon Shqipërinë aktualisht. Kjo do të thotë përballje dhe diskutime, që Kadare me sa kam vënë re i shmang gjithnjë.”

    Kadare u be ai qe eshte ne te njejtat kushte edhe para oligarkise aktuale ne Shqiperi, pra di ai se si operohet, pamvaresisht se le dyshime pozicionimi qe ben ai, pasi mbi te gjitha krijimtaria e tij ushqehet me ate qe ai shmang.

    Shenimi tjeter me poshte eshte i Gjergj Shpataraku:

    “Jam i mendimit qe Ismail Kadare po investon per te ngelur ne histori si shkrimtar boteror e jo si shkrimtar shqiptar.”

    Nuk e ndalon te qenurit shkrimtar botror dike te qenurit shkrimtar shqiptar, dhe Kadare, nuk ka bere ndryshe; nga brenda ka dal jashte. E vetmja gje qe duket te kerkohet eshte te vij brenda, se do gjej veten per te dal jashte, jo vetem ai, por ai aq ka mundesi, dhe aq ben; ate duhet te pranojme, s’eshte pak dhe aq.

    Shkruan Lyss:

    “Por nuk ju duket se po i kerkojme pak si shume nje fondacioni, qofte ky edhe me emrin Kadare?”

    Kerkohet aq sa kerkohet, dhe jepet aq sa jepet.

  20. Lyss:

    Di ndonjeri te me flase per ndonje projekt te mrekullueshem artistik a letrar, per ndonje drame a opera e ku ta di une, qe nuk u realizua per mungese fondesh?

    Sikur ka nje kontradikte ketu? Nese nje projekt i tille nuk eshte realizuar per mungese fondesh, si mund ta dime ne sa i mrekullueshem ka qene?

    Ka patjeter Mozarte qe u bien gernetave ne dasma por keta, me perkufizim, ekzistojne vetem si hipoteza.

    Fondacioni krijon kushtet qe Mozarti te mos perfundoje ne gernete ose dajre (ose ia ul probabilitetin kesaj katastrofe). Po te mungoje, gjithnje do te mbeten pikepyetjet.

  21. Duhet te kuptojme rendesin e nje fondacioni.Ka shume talente ne fushen e letersise qe nuk mund te plotesojne arsimimin e tyre deri ne nivelin me te larte per arsye financiare.Ata humbasin ne grisine e turmes duke u bere kovace ose mekanike.Fondacioni eshte nje mjete gjetjeje,testimi per ta evidentuar si talent nj talent dhe investimi qe ai te arrije e edukimin e domosdoshem shkollor.
    Nese per Ismailin,parate i dhame ne ndermjet shtetit Shqiptar, per stdudjuar ne nje nga Unviversitet me te mira te botes,Ismaili duhet ti kthej kete “borxh” moralisht dhe financiarisht kultures dhe popullit shqiptar.Ai edukim dhe emri i atij Universiteti,pervec faktoreve te tjere,ka ndikuar fuqishem ne “fatin” e tij te vleresimit,si nga brenda Ismailit,ashtu dhe nga jashte tij.

  22. Dhe harrova pa shtuar.Nuk e di sa ndikon gjithe kjo nga qenia “Gjirokastrit”.
    SP.S.htesa ishte jashte seriziotit.Sa per pak humor.

  23. Di unë, o Lyss, një projekt të mrekullueshëm artistik e letrar, që nuk realizohet për mungesë fondesh – përkthimin e librave të Kadaresë nga shqipja drejt e në anglisht.
    E që të thuash (ndërsa e mendon) se ky projekt nuk realizohet për mungesë përkthyesish, më parë duhet të vesh një fond në dispozicion, të provosh disa me dy tre kapituj, apo krejt librin me një garë të hapur ku më i miri merr shpërblimin; në mos u kënaqsh nga përkthimet, atëhere ke të drejtë të thuash se s’ka përkthyes, e të qetësohesh, se ndryshe do mendoje se ç’dreq përkthyesish janë këta që presin shpërblim për të përkthyer librat e Kadaresë.

  24. Duke mar shkas nga komenti i artit ku dilte ne pah qe Kadarese nuk i mungon as aftesia e as mundesia per te ndihmuar kulturen shqiptare per te dale nga ky batak ku eshte futur.
    E duke lene menjane endrrat e deshirat se si do ishte me mire sikur Kadare te kishte bere keta apo ate.

    E le te mendojme qe Kadare tashme ka harruar qe eshte edukuar me bursat e shteti shqiptar( sic thote orakulli).

    Une desha ti gjej nje pergjigje te thjeshte pyetjes se perse nuk po e ben ose nuk e ka bere kur asgje nuk i mungon.
    Pra nje analize Kadarese si figure, imazh, person, produkt.

    Une isha i mendimit qe nuk po e ben sepse
    nuk deshiron te harxhoje energji per dicka qe nuk e ndihmon ne rrugen drejt lavdise boterore.

    Nuk deshiron te humbi kohe me keta elitare dhe qeveritare qe nuk mendojne tjeter vec tenderave. e qe kane shnderruar ne tenderista pa ndjenja te gjithe pjesen tjeter te popullsise. Keshtu qe zor se mund te gjesh filiza te rinj ne kete ambient kaq te shterpe.

    Nuk deshiron ate vizibilitet te kufizuar qe mund te kete nje fondacion ne Shqiperi kur mund te beje pjese ne nje institucion me prestigjoz ne nivele nderkombetare.

    Nuk deshiron te investoje ne nje treg te vogel si vendi yne kur fare mire e dime qe librat nuk eshte se blihen si buka e qe kush ka ndermend te bleje librin e Kaderese ka per ta blere edhe pa marketing.

    Si mendoni?

  25. Gjergj!
    Asnje veprim ne kete drejtim nuk ka keqesira nga pas.Le te leme per nje moment kohen e ngrire,shetin dhe korrupsionin brenda saj.Te keqiat e momenti aktual shqiptar.Pse mos te japim individualsisht reze dielli ne kete kohe te ngrire dhe te erresire.Cfare kuptim ka pasuria,mburja,emri i madh nese pas teje do te kujtohesh vetem si nje shkrimatar i madh.Por kush pervec atyre qe ndjejne fuqishem ne cdo qelize te vetvetes dhimbjen e mungeses se kultures se nje kombi,te cilet jane shkrimtaret,duhet te jene nismesit e ksaj?Kush kupton me shume se ata?Ai qe kupton dhe ndjen me shume duhet ta sakrifikoje nje pjese te dhimbjes se humbjes te nje pjese materiale,qe ai me shume e kupton nga te gjithe qe ajo gjtihmone eshte e perkohshme ne lidhje me individin qe e ka fituar.

  26. Me e mira e Kadarese eshte ne librat e tij.
    Ndersa si njeri,politikan,desident,human,bamires,largpames,nuk mendoj se jane te fortat e tij…..madje askush nuk mund t’ja pretendoje t’i kete……apo ti kerkoje llogari pse nuk i ka keto cilesi….Kjo e krijimit te fondacioneve eshte ende e papjekur …Do nje kulture e nivel soc ekonomik shume me te larte se ç’gjendet sot Shqiperia e se ç’jane sot ata qe mund ti krijojne…

  27. Ideja qe nje kolos i artit Shqiptar, si Kadareja, te behet iniciator i ringjalljes se artit ne vendin tone, eshte nje ide qe e perqafoj pa rezerva. Megjithate une kam nje pyetje te thjeshte: A do te merrte mundimin ndonjehere Xha xhai te shkruante kete shkrim te tij te shkurter (qe do te ishte po aq i vlefshem edhe pa marrjen e cmimit spanjoll te Kadarese) sikur te mos permendej cmimi me vlere 50,000 euro?!

    1. Albi, e kam hedhur këtë ide, në formë gjysmë shakaje, në një shkrim të para 2-3 vjetëve.

  28. ”””Sigurisht qe je i ri e nuk ke faj qe nuk e njeh mire Kadarene.

    Kadarene nuk e vrasin dot telashet adminsitrative se e ka lekuren e trashe.””’

    Moshataret e Kadarese lozin spathi nen hijen e pemeve, ndersa ti jorinori pretendon qe 73 vjecari yne, te mundohet edhe me libra edhe me administrim.

    Po hodhi parate, domosdo do ti rrije mbi koke punes, po energjite nuk ja lejojne, tani mund te beje o njeren o tjetren, mbase me mire per te do ishte te merrej me kujtimet e te shetiste ne vende te ndryshme te botes.

    Fondacioni si risi, ashtu si te gjithe risite, mund te shfaqe problematika nga me te ndryshmet, ndryshe do jete nese fondacionin do e bejne te tjeret e Kadareja te merret vetem me lemin kulturor.

    Ne traditen shqiptare, njeriut rreth 70 vjec i hiqet cdo fuqi ekzekutive, i lejohet vetem fuqia legjislative dhe drejtesia.
    Ekzekutivi do energji dhe nerva te forta, po tu shteren le te kesh qene hem sulltan e hem pasha, ste pyet me kush.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin