Shoqja Mexhite H., kryetare e Kooperativës së Tipit të Lartë të Kësuljes, u habit kur e morën në telefon nga Kryesia e Këshillit të Shtetit, për t’i thënë se rojes së stallave të kooperativës Fuat B. i ishte akorduar titulli i lartë i Heroit të Punës Socialiste.
Vetëm një javë më parë Fuatin e kishin dënuar me vdekje dhe pushkatuar, pasi gjyqi e kishte gjetur fajtor për djegien e stallave të kooperativës, e cila kishte shkaktuar ngordhjen e 45 lopëve dhe 3 demave të importit; përveç dëmeve të tjera materiale të pallogaritshme.
Stallat e Kooperativës së Tipit të Lartë të Kësuljes ishin zgjedhur për të eksperimentuar me mbarështimin e gjedhit të racës Hereford. Këto lopë Kryeministri i kishte marrë fort për zemër, qëkur kishte parë filmin amerikan western The Rare Breed, i cili e kish ngazëllyer aq shumë, sa ua kishte rekomanduar për studim të detyruar punonjësve të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Lopët dhe veçanërisht demat Hereford ishin blerë me shpenzime të mëdha në Britaninë e Madhe, falë një kredie të posaçme të livruar nga Republika Popullore e Kinës.
Natën kur ra zjarri në stalla, Fuat B. kishte pirë me me pojakun e fshatit, një farë Demir V.; më pas të dy i kishte zënë gjumi në zyrën e zooteknikut të kooperativës. Për këtë arsye, gjykata e rrethit, nën drejtimin e gjykatësit Rrapi R., kishte arritur në përfundimin se, sikur të ndodhej Fuati në krye të detyrës, humbja në jetët e lopëve dhe të demave, dhe dëmtimi i pasurisë së kooperativës do të ishin shmangur, për çka edhe kishte shqiptuar dënimin me vdekje, të zbatuar më pas pa vonesë.
Përkundrazi, Kryetari i Këshillit të Shtetit e kish takuar rojen Fuat B. gjatë ceremonisë së shkurtër të spermimit të demave Hereford, kur doktori veteriner Hun Zhiao i Universitetit Blegtoral të Pekinit, kishte demonstruar mënyrën e vjeljes manuale të spermës nga ekzemplarët meshkuj të kësaj race. Kryetari i Këshillit të Shtetit kishte zbuluar, me këtë rast, se ai dhe Fuati qenkëshin të lidhur me një krushqi të largët, por solide.
Projekti i mbarështimit të lopëve Hereford, të cilat do të ndihmonin për ushqimin e popullsisë me mish të freskët, kishte qenë veçanërisht i dashur për Kryeministrin; aq sa të mbante në tryezën e vet të punës një fotografi me ngjyra të një demi të njohur race. Kur kishte marrë vesh për zjarrin në stallat, ai ishte tërbuar nga zemërimi dhe për pak sa nuk kishte shkarkuar në vend ministren e Gjësë së Gjallë, Filloreta U., e cila shpëtoi nga ndëshkimi i ashpër vetëm ngaqë gjendej në maternitet për të lindur fëmijën e tretë.
Përkundrazi, Kryetari i Këshillit të Shtetit, kur ishte lajmëruar për zjarrin, kish pyetur edhe për krushkun e vet Fuat B., dhe i kishin thënë se ky kishte luftuar si asllan për të mposhtur flakët, madje kish arritur të shpëtonte një numër të madh lopësh dhe demash, pa pyetur se po rrezikonte kokën. Për këtë arsye, menjëherë ishte vënë në lëvizje procedura për t’i dhënë këtij punonjësi titullin e Heroit të Punës Socialiste dhe për ta propaganduar anembanë vendit, si shembull vetëmohimi dhe përkushtimi.
Fuat B. qëlloi me fat, sepse Kryeministri kish kërkuar ta vriste me dorën e vet; në fund fitoi gjakftohtësia dhe urtësia proletare, dhe këtij sabotatori dhe elementi subversiv iu dha mundësia që t’i nënshtrohej gjyqit të lirë dhe të paanshëm, i cili e deklaroi armik të popullit dhe e ndëshkoi sipas ligjit.
Nga ana tjetër, blatimi i titullit të Heroit ishte vonuar pak, për shkak të procedurave të nevojshme që duheshin ndjekur dhe faktit tjetër që, në kohë vere, një pjesë e anëtarëve të Këshillit të Shtetit gjendeshin me pushime në zonën bregdetare të vendit.
Për të shmangur konfliktin e mundshëm institucional, Kryetari i Këshillit të Shtetit dhe Kryeministri ranë më vonë dakord që titulli i lartë i Heroit të Punës Socialiste t’i jepej kryetares së Kooperativës së Tipit të Lartë të Kësuljes, shoqes Mexhite H., e cila kishte mbajtur qëndrim të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj krize.
Kushedi sa e lodhin kete te shkretin gjeraz ëndrrat, se i sheh te gjitha me kohen e Kesuljes! Pa kur zgjohet eshte me keq akoma, se e sheh veten ne zemer te Evropit dhe mallkon endrrat e kush ia shtiu nder mend zotit qe te na i jape ato te dreqosura, qe na shpien atje ku na dhemb me shume.
Pastaj, si i kenduar qe eshte, i shkruan te gjitha dhe na i jep edhe neve t’i lexojme. Vetem duhet te shtoje qe keto jane te mira per te sheruar ata qe jane semure nga… endrrat e kane nevoje per autoterapi.
Dopodihermes – sapo përkufizove letërsinë.
Faleminderit Xha Xha, vesi eshte i keq. Por jo çdo e keqe vjen per keq.