Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

TENDA E REALPOLITIKËS

A mund ta krahasojmë Shqipërinë me Libinë? Absolutisht jo. Përveç historive dhe kulturave të pangjashme, kanë sisteme politike thelbësisht të ndryshme. Megjithatë, në lëmin e politikave të emigracionit, në raport me vendet perëndimore, ndonjë përqasje ballafaquese edhe mund të bëhet.

Vizita e Gedafit në Romë (10-12 qershor 2009) nuk do të mbahet mend vetëm për folklorizmin e tepruar, as për kaosin e kryeqytetit italian, por kryesisht për pyetjet që ngjalli lidhur me raportin midis realpolitikës dhe parimeve demokratike.

Opinioni publik italian u habit së tepërmi me qëndrimin e Gedafit nga një anë dhe me pritjen që i ishte rezervuar nga qeveria nga ana tjetër. Shumëkush i pa ekstravagancat e tij si të durueshme falë realpolitikës, sipas së cilës përballë tekave të atij që ka naftë e gaz duhet buzëqeshur dhe jo rrudhur buzët. Edhe më parimorët e humbën zërin kur iu kujtua se anijet me imigrantë nga Libia u shterën së ardhuri pikërisht falë Gedafit. Protestat ose u shteruan në pragmatizmin e opinionit publik, ose u përthithën nga ndonjë protestë institucionale e detyruar.

Shqiptarët që e kanë të freskët kujtesën totalitare nuk mund të bien në grackën politike e mediatike, sa t’i konsiderojnë qëndrimet e Gedafit si thjesht “ekstravagante”. Uniforma spektakolare prej koloneli, fotografia e heroit anti-italian në gjoks, tenda e ngritur në vilën Pamfili, batutat e pazakonta për gratë, interpretimet “origjinale” të demokracisë, vonesat e pajustifikuara, veshjet pompoze, etj. mund të likuidohen si folklorizëm në opinionin perëndimor, por ne e dimë se marrësit e këtyre kumteve janë përtej detit, atje nga u nis koloneli libian, për të cilët të gjitha “ekstravagancat” e tij perceptohen ose interpretohen si akte heroike.

Gedafit iu bënë të gjitha nderet në Itali: kryeministri italian e priti tek shkallët e avionit, i vajti madje deri në tendën të ngritur posaçërisht për të, e pritën në Senat (edhe pse jo në sallën kryesore), e bujtën në universitetin “La Sapienza”, i rezervuan konferencë të veçantë me gratë dhe shoqatat e tyre, e brohoritën në sallat e industrialistëve, u quajt nga shumica e mediave lider libian, etj. Opinionit publik italian, në një farë mënyre, iu dërgua ky mesazh: duhet t’i themi derrit dajë, na ka zënë rrota bishtin, t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Kryeministri italian, një ditë pas nisjes së kolonelit libian, i shpjegoi platesë së industrialistëve se e kishte trajtuar siç trajtohet një “klient paksa i veçantë”. Edhe kryetari i dhomës së deputetëve, Xhanfranko Fini, që anuloi nismën e parashikuar në Parlament për shkak të vonesës prej dy orësh së Gedafit, u duk pothuajse i detyruar t’i jepte pak dinjitet asaj pjese të opinionit që, për arsye parimore ose thjesht bonsensi, nuk i gëlltiti dot lehtë temenatë me të cilat u prit i ashtuquajturi lider, tashmë krejtësisht i rehabilituar. Me dy fjalë: triumf i realpolitikës.

Marrëdhëniet midis Italisë dhe Libisë duhen hulumtuar gjetiu. Po kështu arsyet gjeostrategjike e kësaj vizite dhe interesat ekonomike midis dy vendeve dhe grupeve të veçanta. Ajo çka më intereson është krahasimi me Shqipërinë. Gedafi e shiti mjaft shtrenjtë bllokimin e anijeve me emigrantë, ai u tregua mjeshtër sepse e luajti kartën e emigracionit në momentin e përkryer, kur politika italiane e kërkonte me ngulm këtë gjë, pikërisht gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet evropiane.

Parë në këndvështrimin e realpolitikës, kam përshtypjen se politika shqiptare nuk ka ditur kurrë t’i luajë mirë gurët që ka pasur në dorë. Edhe marrëveshjen e ripranimit të emigrantëve, sikurse bllokimin e gomoneve, nuk e ka kundërpeshuar sa duhet. Gjithnjë kam përshtypjen se shqiptarët janë vërtet mjeshtër të realpolitikës, por e aplikojnë më shumë ndër vedi se sa kundrejt të tjerëve. Më saktë, realpolitika shqiptare shfaqet në arenën ndërkombëtare në funksion të luftës së brendshme politike, ndonëse do të kishte qenë më logjike të shfaqej e bashkuar si shprehje e interesave të vendit.

Megjithatë, personalisht, edhe pse e kuptoj mekanizmin e realpoltikës, them se rruga më e shkurtër kalon andej nga parimet, anipse duket si e gjatë dhe e lodhshme.

7 Komente

  1. Me thene te drejten me shume se pragmatizem politik , mu duk se Italia pranoi qe Gedafi (me fal per shprehjen ) te tallte leshte.
    Pike se pari, fotografia e heroit anti-italian ne gjoks, eshte e palejueshme per traditen politike, pasi eshte provokim i hapur.

    Se dyti, sulmi ndaj Amerikes e cila eshte aleate historike e Italise, qysh prej L1B, eshte pritur si clirimtare ne L2B , eshte protokollisht i papranueshem, i vetem mjafton per ti thene Gedafit, falemnderit per viziten, hajt udha mbare.
    Po italianet dallohen per tradhti ndaj aleateve, i njohin te gjithe si te tille.

    Se treti, snobimi i Finit, nr 2 i shtetit, lenia 2 ore pa lajmerim, me le pa fjale. Arrogance e paster, halucinante ne raste te tilla.

    Se katerti, ajo qe i ve kapakun te gjithave, Berluskoni qe shkon ne tende pas snobimit te Finit prej Gedafit, dmth pas i hengre nje shpulle te shijshme shkon edhe i kerkon falje.

    Berluskoni beri sahanlepiresin e Gedafin, kjo vjen edhe per shkak te shpirtit komercalist qe udheheq Berluskonin.
    Ky njeri qe tallet me Obamen shkon edhe i lepihet Gedafit.

    Nga ana e tij, Gedafi mund ti mburret popullit te tij se gjunjezoi Italine, pasi eshte vertet gjunjezim. Mungese e plote dinjiteti, perdhunim i hapur i figures se italianit(figure qe ne fakt nderkombetarisht ka qene perhere pertoke).
    Ne fund te fundit si tha edhe Skenderbeu qemotit ; popull qe thur vargje me cironka.

    Me shume se realpolitik, do perdorja realekonomik.
    Edhe pse nuk i njoh perfitimet ekonomike, prostitucioni paguhet perhere shtrenjte.

    Nga ana tjeter ne publik, kam vene re se si plas shume kujt per kete prostituim.
    Pishak, ti flet per parime, po ketu ka pegerje.

    Nuk e mohoj dot se do me pelqente te isha libik per nje dite.

  2. “A mund ta krahasojmë Shqipërinë me Libinë? Absolutisht jo. Përveç historive dhe kulturave të pangjashme, kanë sisteme politike thelbësisht të ndryshme.”

    Shqiperi dhe Libia jane te dyja vende mesdhetare
    kane qene te dyja nen Perandorine Romake, pastaj nen ate Osmane
    me pas nen ate Italiane
    kane pervoja shumevjecare me ideokratura monopartiake

    si edhe (dulcis in fundo)te dyja vendet kane (ose kane pasur) shumica banoresh qe i perkasin teorikisht fese islame (pra njerez me mbiemra Abazi e Aliu)

    Sigurisht Shqiperia dhe Libia ngjajne aq sa ngjan nje gjilpere ne kashte me nje cigare te hedhur naten nga kati i trete, me background Kashten e Kumtrit. Por puna eshte se te thuash se Shqiperia nuk ka ABSOLUTISHT asgje te perbashket HISTORIKISHT dhe KULTURALISHT me Libine, implikon nje harxhim te pakthyeshem te konceptit te absolutes . Nese Libia e Shqiperia nuk kane absolutisht asgje te perbashket historikisht e kulturalisht, cfare cilesori do te perdorim per te treguar mosngjashmerite midis Shqiperise e Madagaskarit apo Burmes? (edhe kjo mund te jete arrogance e padijes sime, se metaforat mund te funksionalizohen edhe ne keto perqasje, ne dukje te veshtira per mua)

    “fotografia e heroit anti-italian në gjoks”

    Kolonel Ghedafi eshte i njohur si ekscentrik prej disa dekadash dhe nder te tjera ka mbi vete edhe akuza per perdhunime qe ka ushtruar ne llogari te gazetareve naive qe kane dashur ta intervistoje “koke per koke” Omar Sharifin me uniforme te Xhamaharias Socialiste Libiane. Patjeter qe eshte provokim i mikpritesit ekspozimi ne gjoksin e kolonelit i fotografise se varjes nga italianet te Omer Muhtarit, luftetarit anti-kolonialist (se anti-italian nenkupton me teper ndonje pasion te posacem kunder Italise, nderkaq ky thjeshte po luftonte pushtuesin, qe qelloi te ishte italian). Ghedafi ketu eshte komplet ne territor adoleshencial, merret vesh, ama sa per provokime, italianet nuk mbesin me pas. Mund te vertetohet lehte se qe nga vitet ’90, te pakten 2 nga vizitat e kryeministrave shqiptare ne Itali jane caktuar pikerisht me date 7 prill.

  3. Krahasimi midis Shqipërisë dhe Libisë më interesonte kryesisht në planin politik aktual. Në këtë kuptim, pra duke e parë të tanishmen si rezultante e një tradite dhe historie të veçantë, dy vendet më duken në përgjithësi të pakrahasueshme. Përndryshe, e di fare mirë që çdo vend mund të krahasohet me një tjetër, madje duke gjetur mjaft gjëra të përbashkëta, duke filluar nga përdorimi i bukës së misrit apo i gatimit të qengjit në hell. Por nuk ishte ky qëllimi.
    Krahasimin me Shqipërinë, në të vërtetë, e bëra mjaft të qartë në lëmin e emigracionit dhe të realpolitikës. Pikërisht në këtë pikë desha të hap një diskutim të përqendruar më shumë tek realpolitika shqiptare, se sa tek marrëdhëniet italo-libiane, të cilat (edhe pse të rëndësishme) i interesojnë relativisht këtij blogu, maksimumi në trajtën e kapsollës së debatit.

    1. Patjeter qe keni te drejte, jo vetem ne shjegimin ketu, por edhe ne artikullin mesiper. I vetmi problem me lindi me fjalen “absolutisht”, e cila vertet do perdorur me karar e qe gjithsesi, äbsolutisht nuk i hiqte gje nga serioziteti shtjellimit tuaj.

  4. “Italia eshte nje vend mik”.Keto ishin nder fjalet e fundit te Gheddaf-it ne Itali.Te sjellin pak nder mend ndarjen e madhe cilesuese qe ne leshkove na detyronin te mendonim dikur;ne vende “miq’ dhe vende ‘armiq”.Ne ceremonine e mbylljes se vizites se ti,brenda nje fjalie te vetem Gheddaf falenderon BBrlskn dhe habiton per mungesen e Finit me anullimin e ardhjes se tij.
    Emri i tij,me rikujton gjelat e detit dhe shprehjen kur ishim femije “Gjeli im ben gëdëf,i joti nuk bën”.Me pak fjale *gëdëf kuptonte dy elemente te kombinuar;fryrjen e gjelit dhe zhurmen qe shkaktohej kur krahet e tij preknin token ne pikun e fryrjes.
    A kemi te perbashketa me Libine?.
    Duke perjashtuar kotesine e argumentit reth myslymanike(Myslymanet shqiptar po te jetonin ne Libi dhe vendet Islamike do ishin konsideruar si te krishteret me fanatike),kemi te perbashken kete punen e “gëdëf-it”.

  5. Askush nuk di te thote me saktesi se cfare marreveshjesh u arriten e cfare leshimesh a shtrengimesh i bene palet njera tjetres, as per Libine as per Shqiperine. Ne shohim vetem spektaklin dhe, me kohe, edhe rezultatet konkrete te vizitave.

    Qe Italia toleron eksentrizmat e Gadafit, nuk provon qe Gadafi shiti shtrenjte bllokimin e emigranteve. Ka te ngjare qe nuk ka aq shume respekt per Libine dhe udheheqesin e saj sa ti kerkoje sjellje te te njejtit standard qe u kerkohet te barabarteve. A ia vlen t’u biesh mbrapa incidenteve diplomatike qe krijon Gadafi a ndonje tjeter si ai? S’ma merr mendja.

    Libia, Shqiperia e vende te tjera nuk kane staturen ekonomike e politike te Italise (pavarsisht karagjozlleqeve te Berluskonit) prandaj dhe nuk eshte aq i lehte karshilleku dhe pazari me te. Ndofta edhe ky show behet per te kompensuar ne publik ate qe nuk merret dot ne tavolinen e bisedimeve.

  6. Ghaddaf-i dhe BBrlshkoni jane dy idiote klasike politike te te njetit krah drejtimor,pamvaresisht se njeri mban nje embleme te vjeter dhe tjetri dicka me te re.
    Mareveshjet kishin te benin me shume ne lemin ekonomik,ose ne rrjepjen e nafta-gazit te Libise prej pasanikut BB ne radhe te pare dhe pak pike per te shkretin popull te Italise se Jugut qe rron me keq se Libianet.
    […] [Orakull, lutem përktheji në shqip citatet që sjell në blog, ose mos e merr fare mundimin. Falemnderit, Xh2]
    Sa shume ngjashmeri me te shkuaren tone por edhe sa ngjajme ne te tashmen ekonomike.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin