ARTI I TË GËNJYERIT

[shkrimin e mëposhtëm e ka dërguar në blog Ba Bái]

Origjina e gënjeshtrës – ashtu si ajo e rrotës, busullës apo barutit – zhduket thellë në muzgun e lashtësisë; përmendim këtu fraza, autorësia e të cilave nuk dihet dhe që janë trashëguar nga njëri brez në tjetrin, si: “E dashur, nuk është ashtu siç duket!” apo “Këto kanë qenë tokat e gjyshit tim!”

Nuk mund të lemë këtu pa cekur paradoksin e Epimenidit: “Unë jam nga Kreta dhe gjithë kretasit janë gënjeshtarë”; Pont Pilatin, me të famshmen: “Ç’është e vërteta?” apo shën Augustinin që në vitin 395 e.s. gënjeshtrave dhe klasifikimit të tyre u-kushtoi një libër të veçantë, “De Mendacio”.

Në botën perëndimore, 1 prilli është dita kushtuar gënjeshtrës, rrengjeve ndaj shokëve, të njohurve apo edhe armiqve personalë. Megjithatë, njerëzit gënjejnë edhe në ditët në vazhdim…

Gënjeshtra (e quajtur ndryshe edhe praevaricatio, ψευδής) është një lloj shtrembërimi në formën e pohimit të pavërtetë, sidomos kur bëhet me qëllim për të mashtruar të tjerët; shpeshherë me qëllimin e mëtejshëm për të ruajtur një sekret, reputacionin, për të mos lënduar ndjenjat e dikujt apo për t’i shpëtuar ndëshkimit.

Të gënjesh do të thotë të pohosh diçka të cilën e di se është ‘e rreme’, apo që nuk ka kaluar si e vërtetë në mënyrë të arsyeshme, me qëllimin që të merret si e tillë nga vetja apo të tjerët. Gënjeshtar quhet ai që gënjen ose që ka gënjyer më parë; rrenacak quhet ai që tenton nga natyra të gënjejë vazhdimisht.

Gënjeshtra karakterizohet nga: a. faza fillestare, ose e paraqitjes; b. kulmi, dhe c. mbyllja, që zakonisht bëhet duke përdorur fraza të gatshme, si: “Më beso!” apo “Të kam gënjyer ndonjëherë?” Natyrisht vijnë edhe nënndarjet e saj, siç janë: a. gënjeshtrat e thjeshta; b. parashikimet e motit; dhe c. premtimet elektorale.

Në vetvete, gënjeshtra nuk bie në rangun e informacionit; ajo është nënprodukt i përpunimit të këtij të fundit, ku fantazia e pastër luan rolin e katalizatorit. Nga pikëpamja e evolucionit, gënjeshtra është një akt i pavetëdijshëm vetëmbrojtjeje i pasuar zakonisht nga brerjet e ndërgjegjes: një zë i brendshëm që na thotë të mos e bëjmë një veprim, mbasi e kemi bërë atë!

Thuhet se e vërteta në vetvete është absolute. Diçka është ose e vërtetë ose jo e vërtetë. Ajo nuk është kurrë e thjeshtë, madje as e pastër; për fat të keq, shpeshherë i ngjan situatës së ngatërruar politike maqedonase. Nëse e vërteta karakterizohet nga ekonomia e fjalës, gënjeshtra zakonisht përdor një procedurë disi më të rafinuar për humbjen e gjurmëve, në mënyrë që të mos zbulohet në të ardhmen e afërt.

Megjithatë, të dish të vërtetën dhe ta pranosh atë, janë dy gjëra krejt të ndryshme. Ndryshe nga ç’besohet, armiku më i madh i gënjeshtrës nuk është “e vërteta”: janë pikërisht shfajësimet ato që na prishin punë; shfajësimet i paraprijnë damkosjes si gënjeshtar dhe një karriere politike.

PinokuEdhe gënjeshtra ka heronjtë e vet. Përmendim këtu rastin e përshkruar më së miri nga Carlo Collodi, në romanin “Le avventure di Pinocchio – storia di un burattino”. Italianët, një popull thellësisht katolik, nuk ia kanë falur kurrë karabinierëve arrestimin e Pinokut (hunda e të cilit rritej sa herë që ai gënjente); kjo tregon se sa e rrënjosur thellë është kultura e gënjeshtrës në vendin fqinjë, sa është bërë pjesë integrale e jetës së përditshme!

Edhe një popull i tërë, për shembull, mund ta gënjejë veten; përmendim këtu: Evropa e shkon kohën duke vënë re shqiptarët e duke thirrur: “Ç’komb i çuditshëm! Pasardhës të ilirëve, mburojë e Europës ndaj hordhive osmane, etj.”

Ja, për ilustrim, ne gënjejmë veten se me hyrjen në NATO do të rritet edhe mirëqenia jonë, pa pasur parasysh se mirëqenia rritet – dhe s’ka nevojë të kesh mbaruar Fakultetin Ekonomik për ta kuptuar këtë – kur ka më shumë pará dhe këto të fundit rriten në përpjesëtim të drejtë me punën që kryejmë.

Madje, ka raste kur edhe vetë Shteti e ligjëron gënjeshtrën: përmendim këtu, të drejtën e mbajtjes së një pseudonimi…

Po le të mbetemi në vend: nëpër spitale, kultura e të gënjyerit është mjaft e pranishme. Përmendim rastet kur gënjehen pacientët, pasi doktori mendon se është më mirë që sëmundjen e vërtetë t’ua tregojë të afërmve, duke mos e vënë veten në pozita të sikletshme.

Nuk mund të le pa përmendur këtu parullën e tipit: “Mjeku duhet t’i japë kënaqësi të sëmurit të tij, ta bëjë atë të ndihet rehat dhe i gëzuar, ta sjellë atë në ngazëllim!” që ndonjë shakaxhi e ka varur në muret e katit të dytë të urgjencës, në spitalin Nënë Tereza. Qeveria na gënjen përsa i përket rritjes sonë ekonomike prej 9 – 10% (veçanërisht për shifrën mbas presjes dhjetore)…

Po e mbyll këtë shkrim me një parabolë budiste. Thuhet se kur Gautama Buddha arriti përndritjen (iluminacionin), njerëzit që i ishin mbledhur përreth, e pyetën: “Kush je ti? Zoti?” – Ai tha: “Jo.” – “Mos je shenjtor?” “Jo.” – “Po atëherë çfarë je?” Dhe Buddha tha, “Unë jam Ai që është zgjuar.” Një pjesë të mirë të kohës, Buddha-s ia hante kërkimi i së vërtetës. Shpeshherë ai e krahasonte atë me një trap prej degësh, të cilën e ndërtoi një njeri për të kaluar në anën tjetër të lumit. Trapi – d.m.th. e vërteta – pasi kalohet lumi, nuk duhet mbajtur më në kurriz sepse na pengon gjatë rrugës; ai duhet lënë në breg që ta përdorin të tjerët.

Me sa duket, prej gjithë të mençurve të lashtësisë, Buddha ishte i pari që e kuptoi natyrën e vërtetë të së vërtetës.

3 Komente

  1. “Trapi – d.m.th. e vërteta – pasi kalohet lumi, nuk duhet mbajtur më në kurriz sepse na pengon gjatë rrugës; ai duhet lënë në breg që ta përdorin të tjerët.

    Me sa duket, prej gjithë të mençurve të lashtësisë, Buddha ishte i pari që e kuptoi natyrën e së vërtetës.”

    Pas zgjimit… me trapin; i vertet – C’ben Buda pa trap ne kurriz, genjen, i lire, apo verteton natyren e genjeshtres, si doktor pacient, prap i vertet.
    Atehere, te thuhet dicka per pas trapit te lumit eshte “trap” qe perdor e verteta, apo genjeshtra, por kete radhe del qe trap te jet vet trupi te cilin ngarkon “Ndricimi” (iluminimi) i Budes.

  2. Dhe te mendosh se sisteme te tera ideologjie dhe qeverisjeje jane bazuar mbi genjeshtren, si feja apo sistemet totalitare (sidomos ato te Lindjes)!
    Do te ishte vertet interesante sikur te mund te llogaritej numri i atyre qe hane, apo historikisht kane ngrene, buke vetem me zanatin e persosjes dhe sterhollimit te genjeshtrave. Besoj se rezultati duhet te jete “mind-boggling” dhe perndryshe shume domethenes per human condition ne pergjithesi, e sidomos per ate ne vendet e zhvilluara te perendimit ne veçanti.

  3. Bryan Sykes,e fillon librin e vet “Shtatë bijat e Evës” me “Where do I come from?”.
    “Sa shpesh për këtë cështje ju keni pyetur vetveten?Ne mund t’njohim t’afërmit tanë,gjyshërit tanë e gjyshet tona,por jo më larg se kaq,për shumë nga ne gjurmët fillojnë të humbasin në mjegull.”
    Gënjeshtra filloi t’zëri terren në mjegullen e paverifkueshme.E verteta e shkuar, e sotme dhe e ardhme ndërron vëndet me geshenjeshtren e sotme per te shkuaren pambarisht n’t’ardhmet.E vërteta ngelet gjithmone ajo që s’mund t’vertetohet kur akrepat e orëvengjarje njerëzore ndërrojne stacionet evolutive.E verteta ngelet gjithmonë ajo që nuk pelqehet.E verteta ngelet ajo që shpesh n’kohen e sotme ka kuptimin “budall”,”naiv”,”i trashe”,”joelastik”,”jo i bisedueshem”,”i lehte”,”kundër rrymes”,”jo praktik”,”me këtë mendje do ngelet gjithmonë i varfër”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin