Gjatë një bisede se ku mund të fshihej një njeri, dikush përmendi gufat, të cilat askush në Shqipëri, madje as forcat e ndjekjes, nuk pretendonte dot se i kishin shkelur; edhe pse kush strehohej në shpellë do të dekonspirohej lehtë, nga ata që do t’i shpinin ushqim, sidomos në dimër.
Megjithatë, fantazisë nuk i shpëtonte dot vizioni i një shpelle karstike, me kubé të larta, stalagtite dhe stalagmite; të pajisura mirë me konserva të UNRRA-s, shishe me lëng limoni dhe ujë të rrjedhshëm, e ku një çetë burrash të stërvitur rrinin në pritje të urdhrit për t’u hedhur në veprim; me veshin të ngjitur pas radiove angleze me valë të shkurtra, të parruar, lëkurëzbehtë si të degdisurit me punë të detyruar në zgafellat ose punëtorët e kripës.
Një bisedues përmendi çatitë ose papafingot e vilave të vjetra që nga jashtë mund të dukeshin të braktisura; ose të atyre shtëpive të tjera që askush nuk e merrte mundimin t’i shembte, për shkak të shëmtimit që do të krijohej ose infeksioneve që mund të përhapeshin prej lakuriqëve të natës. Diskutuam një copë herë për jetën në një mjedis të tillë, ku drita nuk hynte veçse nga të çarat, ose gabimet në zhguall; folëm për dorëshkrimet e gjata e të rishkruara, vetanalizat, novelën e shahut, vitaminat e nevojshme kundër skorbutit, rutinën seksuale detyrimisht të varfër ose, përkundrazi, përfytyrimisht të pasur.
Edhe kështjellat historike mund t’i shërbenin fshehjes, sidomos ato më pak të vizituarat nga turistët dhe çiftet e të dashuruarve; askush, madje as monumentologët, nuk i zotëronte planet e plota të labirinteve të nëndheshme, të kthinave të kërrusura e të shkallareve prej kërmilli; vend i mirë për t’iu hequr botës prej sysh mund të ishin edhe sallat e dikurshme hijerënda të armëve tashmë të përdorura prej barinjve si strehë të përkohshme për bagëtitë, ose nga ushtarët në liridalje, për të shkruar mesazhe të ndyra mbi muret qiklopike dhe gjinjtë e rreshkur të Rozafave.
Nëse është ashtu, shtuan të tjerë, çfarë mund të thuhet për strehimet kundrajrore të lagjeve, ose bunkerët e vjetër të italianëve; bodrumet e shtëpive të kamotshme plot sende të mykura e flokë të prera plakash, që i kanë mbijetuar shkatërrimit dhe rindërtimit; kthinat e shërbimit të përshtatura në urinore poshtë urave ose tunelet e devijimit të lumenjve gjatë ndërtimit të hidrocentraleve; minierat e lashta ilire të argjendit në Mirditë; ish-manastiret ortodokse në zonat e minoritetit grek; karkasat e vagonëve hekurudhorë të braktisur e të autobuzëve të dekomisionuar; anijet që nuk ishin mbytur dot plotësisht, për shkak të fundujit të cekët?
Një shok tjetër, mjek nga profesioni, sugjeroi spitalin psikiatrik, ku dikush mund të pranohej lehtas si i sëmurë me emër të rremë, ose edhe duke u hequr se nuk mbante mend asgjë; herët a vonë do ta syrgjynosnin në repartin e kronikëve, për të cilët nuk kujtohej më askush, përveç nëpunësve të zyrës funerale, sipas rastit. Thuhej se një malësor i kërkuar për vrasje ishte strehuar ashtu; madje kishte pranuar t’i nënshtrohej mjekimit me komë insulinike dhe elektroshok, dhe kishte përfunduar invalid i pashpresë, ironikisht duke e merituar maskën që kishte zgjedhur.
U tha se edhe Diktatori mund të fshihte dikë në vilën e vet; meqë askush nuk do të guxonte të kërkonte atje. Shtëpia e udhëheqësit të shtetit gëzonte po aq eksterritorialitet sa edhe trualli i një ambasade; pa përmendur bibliotekën e pasur, enotekën dhe gatimet e zgjedhura. Pyetjes se pse mund t’i duhej Diktatorit të fshihte dikë, iu dhanë disa përgjigje – me natyrë politike, ose sentimentale. Madje pati edhe ndonjë që hodhi mendimin se rruga më e mirë për një vdekëtar që t’i fshihej vështrimit zhbirues të popullit ishte që të bëhej Diktator; meqë vetëm Diktatori e kishte prerogativën për të vendosur se çfarë ishte e fshehtë dhe çfarë jo.
Disa përmendën pastaj mundësinë për t’u fshehur prapa një maske ose shembëlltyre fjalësh dhe veprash të rreme, siç bënin, në të vërtetë, shumica prej nesh; por ashtu, me pak këmbëngulje, do të dilnim të gjithë të fshehur prej njëri-tjetrit, siç i fshihen organet e brendshme, shpretka dhe pankreasi, syrit kureshtar të Tjetrit.
Një lloj i veçantë fshehjeje, thanë të tjerë bisedues, ishte harresa; madje harresa funksiononte më mirë se teknikat e tjera, të cilat gjithnjë mund të dështonin, përballë vigjilencës së shtuar. U sollën shembuj kapanonesh industriale të zbrazura, tunelesh të ushtrisë pjesërisht të përmbytura, sisteme ujërash të zeza pak të përdorura. Megjithatë, e vetmja mënyrë për dikë që të harrohej përfundimisht, ishte dalja graduale nga skena; zbehja më tepër se zhdukja e menjëhershme.
Përfytyroni, u tha, një njeri që del nga shtëpia e vet një herë në muaj, mundësisht në një ditë me shi rreth orës 10:00 ose 11:15 para dite, dhe ecën në trotuar duke u qëndruar gjithnjë afër mureve, ose duke e ndalur çapin poshtë pemëve që pikojnë. Përfytyroni, u tha, këtë njeri që viziton, herë pas here, banjot publike menjëherë pasi këto pastrohen ose bibliotekën e lagjes të porsalyer me gëlqere ose mjediset e një ndërtese të lënë përgjysmë, për shkak të një gabimi fatal të arkitektit, ose një dyqan të periferisë që pranon rroba të përdorura përkundrejt një pagese modeste. Këtij njeriu në fillim do t’i harrohej emri, pastaj fytyra dhe në fund fare qëllimi.
Gjithsesi, të gjithë ranë në fund dakord se mënyra më e mirë për t’u fshehur, ose më e suksesshmja, ishte ajo që ende nuk dihej nga publiku, ose që mbetej edhe vetë e fshehtë; sepse të gjithë ata që e kishin përdorur, ia kishin dalë vërtet t’i fshiheshin kuriozitetit dhe syrit të tjetrit, duke ruajtur jo vetëm sekretin e tyre, por edhe të ruajtjes vetë.
Shume interesant ky postim. Eshte nje lloj shkrimi qe, megjithese fjale per fjale, e rresht per rresht mund te ngjaje i thjeshte e i paqellimte, ne teresi krijon nje efekt te jashtezakonshem ne nje nivel jo vetem intelektual. Te ben me shume te ndjesh se sa te mendosh.
Nuk di a ka qene ky qellimi, por ky eshte efekti. Per mua te pakten.
Faleminderit.
Perdet ne fjale jane me te pafajshmet.
Ka te tjera qe zhdukin kombe te tera. Shqiperia u be e padukeshme pas nje flamuri utopiko kriminal dhe duke qene gjeografikisht ne zemer te Evropes u be me e panjohur per boten se Mato Groso e xhungles braziliane.