Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Nostalgji

RISHËRIMI

Pas një kritike të ashpër në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, thuhej se skulptorit Thoma T. po i vinte rrotull një ndëshkim më kobzi, sidomos ngaqë përmendorja kushtuar të rënëve të Mulletit, vepër e tij, ishte akuzuar si kubiste dhe çmontuar brenda natës, për t’u asgjësuar.

Ishte koha kur Diktatori po kërkonte ethshëm prova për teorinë e tij se Shqipërisë e keqja supreme i kanosej në trajta të artit modernist, urlatorëve, leshrave të gjata të vagabondëve, pornografisë së hipive dhe vajzave të veshura bukur. Këtij zemërimi nuk do t’i shpëtonte dot as edhe një ikonë si Thoma T., i njohur anembanë vendit për bustin që ia kish bërë Diktatorit e që tani hijeshonte hollin ceremonial të Presidencës; sepse kur ishte fjala për të ruajtur integritetin e regjimit, individi nuk kishte asnjë shans përballë arsyes totalitare.

Pastaj u hap befas fjala se Thoma T. vuakësh nga një formë e rrallë kanceri, që po ia gërryente jetën së brendshmi, pa ia kursyer asnjë organ; mjekët i kishin gjetur metastaza në shpretkë, në mushkëritë, në tiroiden. Kur kalonte në rrugën e Kavajës i veshur me një pallto të gjatë, të zezë të varur në gungat e dala të shpatullave, njerëzit e shihnin me keqardhje dhe i pëshpërisnin pas shpine; meqë e të gjithë e kuptonin se kancerin ia kishte mbjellë në trup ankthi ngashëryes për dënimin që e priste.

Fjala shkoi edhe lart, në mbledhjen e Këshillit të Shtetit; Diktatorit sakaq iu mbushën sytë me lot, goditi tryezën me grusht duke thënë se Shqipëria nuk ia lejonte dot vetes t’i humbnin talente të atij kalibri, pastaj i telefonoi menjëherë ministrit të Shëndetësisë për ta porositur që të mos kursehej asgjë, asnjë shpenzim, asnjë sakrificë; madje skulptori Thoma T. të dërgohej edhe për mjekim jashtë shtetit, nëse gjykohej e nevojshme.

Thoma T. u shtrua për dy muaj në Klinikën Onkologjike të Bukureshtit; për çudinë e madhe të mjekëve rumunë, mjekimi eksperimental pati sukses të plotë; i çliruar nga kanceri, trupi i artistit nisi ta rindërtojë veten, duke e rigdhendur së brendshmi. Ende konvaleshent, Thoma T. i dërgoi një letër falënderimi Diktatorit, ku i fliste edhe për disa vepra që po gatitej të krijonte në të ardhmen, teksa përfitonte nga rasti për të bërë edhe një herë autokritikë të thellë për gabimet ideologjike që i kishin shpëtuar në të kaluarën, më shumë nga padija sesa nga keqdashja.

Të pranishmit në aeroportin e Rinasit panë të dilte, nga avioni i linjës ajrore Interflug, një Thoma T. të ripërtërirë, të freskët dhe energjik; që nuk i zbriste shkallët, por fluturonte në to, teksa shalli kuqezi i valëvitej në puhizën e freskët. E arrestuan që pa kaluar ende në doganë; ndërsa disa sapunë tualeti, stilolapsa BIC, peta çamçakizi dhe kapëse flokësh kauçuku që kish blerë si dhurata modeste për të afërmit u sekuestruan me proces-verbal të rregullt, dhe iu kaluan për administrim Shtëpisë së Fëmijëve.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin