SHKALLET BOSH

 

Ju bëjnë edhe ju përshtypje fotot e ndeshjeve të futbollit të superligës shqiptare ku duken shkallët e stadiumeve gjithnjë të zbrazëta? Jo gjysmë të mbushura, ose me pak spektatorë, por bosh fare, xhan-xhin, aq sa futbollistët të ankohen se po i bezdis zhurma e trafikut nga përjashta.

Kur jetoja në Tiranë, deri në fund të viteve 1980, shkoja rregullisht në stadium dhe i kujtoj ato të diela më shumë për atmosferën dhe njerëzit që takoja, sesa për lojën e bukur. Në takime të forta për jetë a vdekje, njëzetshja mbushej ‘tumllas’ edhe kur binte shi me gjyma, në pikë të dimrit, me njerëzit që kullonin ujë sikur qanin, ose të mbuluar me plastmas serrash e gjithfarë mushamash ushtarake.

Ritual i bukur, madje edhe vetëm kur përmbytej bulevardi nga tifozët, para dhe pas ndeshjes; ndonjëherë edhe me ndonjë stol të vogël prej druri me vete, ose ndenjëse të bërë vetë nën sqetull, për t’i mbrojtur të ndenjurat e sidomos pantallonat terital nga betoni i ashpër i shkallëve.

Po tani? Çfarë ndodh me futbollin shqiptar si dëfrim publik? Aq më tepër kur njerëzit atje më duken gjithnjë e më të interesuar për futbollin në përgjithësi, por vetëm televiziv – duke mos lënë kampionat anembanë Europës pa ndjekur?

Pasi lexon për kinematë dhe teatrot që nuk mbushen më, të dhemb kur i sheh edhe stadiumet të zbrazëta. Pse nuk mblidhen më bashkë shqiptarët si dikur? Ndryshe nga veprimtari të tjera të orkestruara nga lart, futbolli i së dielës ishte moment spontan, pothuajse apolitik; ku antagonizmi në fushë dhe jashtë saj nuk kishte fare të bënte me luftën e klasave.

Dhe nëse publiku nuk shkon më në stadiume, atëherë ç’kuptim ka futbolli i organizuar? Shitblerjet e lojëtarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndërrimet e trajnerëve, deklaratat e presidentëve të klubeve?

Zhdukja e tifozit anonim të së dielës është si zhdukja e bletës punëtore – paralajmërim i kobshëm për çka mund të vijë më pas. Nuk është futbolli në vetvete që më shqetëson, por zbrazëtia e atyre shkallëve, ose humbja e dëshirës së njerëzve për të qenë së bashku anonimisht, përtej lidhjeve familiare, interesave private dhe teatrit të dukjeve në restorantet dhe klubet përkatëse.

Duke kërkuar të mësoj diçka më tepër për këtë, ndesha në një shkrim të Neptun Bajkos, ku ndër të tjera lexoj:

Futbolli, me sa po shihet, është me të vërtetë në një situatë të sëmurë, i dënuar të vazhdojë kështu. Madje, fati i tij qenka i paracaktuar këtu te ne. Të gjithë jemi përgjegjës për këtë situatë, të nivelit të kampionateve në futbollin shqiptar, por më mirë se kushdo, e di FSHF‑ja. Ajo e di mirë se ky lloj sistemi nuk funksionon më, por ironikisht, kurdo e kushdo mund të të thotë pa një ndjenjë kryelartësie se “të gjithë jemi gatuar kështu. Nga asgjëja mund të krijohet vetëm asgjë”. Ose, e thënë më thjeshtë, paaftësia, deri tani e atyre që drejtojnë futbollin në Shqipëri, e krijimit të vlerave të reja, që kërkon koha dhe futbolli përparimtar. […] Aspekti i parë, që pasqyron një situatë të tillë, janë tifozët, futbolldashësit dhe publiku. Në fokusin e futbollit, tifozët dhe publiku futbolldashës janë pjesa integrale më e rëndësishme, që plotëson atë që quhet komponenti i spektaklit futbollistik. Themi me bindje se është faktori më përcaktues. Nuk ka sens një stadium me publik, por me pjesëmarrje memece, ashtu si nuk mund të imagjinohet një ndeshje futbolli pa publik. Edhe pse te ne mungojnë fare statistikat e numrit të publikut në ndeshje, po shikohet që numri i tyre ka pësuar rënie që në fillimet e edicionit. Largimi masiv i tifozëve e sportdashësit në “Qemal Stafa”, në takimin Partizani‑Apolonia, apo zhgënjimi i publikut në Elbasan, Kavajë, Vlorë, Peqin etj., është një tregues i qartë, që futbolli duhet të shqetësojë të gjithë ne, por së pari FSHF‑në, si organizatorja e vetme e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Ky është një presion i heshtur, një pakënaqësi e zhgënjim i radhës i publikut futbolldashës shqiptar, ndaj nivelit të çdo ekipi. Presioni i publikut tregon më së miri se ai e ka kuptuar dhe ndien se ky futboll nuk i përket më atij. Për atë, futbolli i ka humbur vlerat më të mira: të qenit një lojë, ku të spikasë lufta e ndershme sportive, shpirti i garës, dëshira për të nderuar ngjyrat e fanellës së klubit, imazhi pozitiv për brezin e ri, që të edukohet me vlerat më të mira.

Për Bajkon, publiku qenka larguar nga stadiumet sepse e kupton tashmë që futbolli nuk i përket më publikut; që futbollit i ka humbur ndershmëria sportive dhe vlerat edukuese.

Në stadiumet, shkruan Bajko, shihke më shumë reklama se tifozë.

Ta quajmë atëherë futbollin shqiptar  viktimë tjetër të zbatimit shqiptarçe të ekonomisë së tregut? Viktimë e logjikës së basteve, fitimeve të paligjshme, larjes së parave të krimit, shitblerjes së ndeshjeve, dhunës në fushë dhe mes tifozëve, egove të fryra të pronarëve të klubeve dhe presidentëve, sundimit të jetës publike nga televizioni?

Mua më duket se realiteti nxin edhe më – meqë nuk është vetëm futbolli që ka zënë shtratin, por edhe publiku. Futboll e publik, gjithnjë në komunikim mes tyre, ia kanë kaluar njëri-tjetrit mikrobet fatale dhe tani ndajnë të njëjtën dhomë spitali, madje azili. Edhe publiku e ka humbur pafajësinë e dikurshme, ose aftësinë për t’u mahnitur pas topit që endej këmbë pas këmbe, në bar të gjelbër të fushës; ose aftësinë për ta bindur veten, qoftë edhe për dy orë vetëm, se stadiumi ishte qendra e botës, me dritën dhe errësirën, dramën dhe komedinë, shëmtinë dhe bukurinë, të mirën dhe të keqen, sublimen dhe të neveritshmen. Edhe publiku ka rënë tashmë viktimë e logjikës së bixhozit, fitimit, hipnotizimit televiziv, shitblerjes së vlerave, dhunës spontane dhe ankthit për paranë.

 

6 Komente

  1. Mund ta kisha quajtur Vajtimi i vejushë Jetës (së gëzuar) atë që e quajta Çunat e metropolit e që mbyllet:
    O ketyre cunave te metropolit
    s’ju shijon me aroma e golit;
    te vjen keq qe ti shikosh-
    shkallet e stadiumit bosh.

    Piktura e Bajkos është një copëz e grisur nga tabloja e përgjithshme. Një copëz tjetër e shton Xha Xhai, një copëz e kam dhënë në vjershë, e një copëz po e jap këtu. Për mua njeriu i tranzicionit është kthyer nga njeri aktiv (bërë dhe dhunshëm dikur), në një njeri pasiv, nga një njeri që kërkonte dashurinë e jetës, në një njeri që jetën e merr me ndërmjetës: biseduesin, TV-në, etj.
    Dhe ja si i jepet atij nëpërmjet TV-së:
    E diela Shqiptare e Ardit Gjebresë, fton shikuesit kështu: Tani do të lidhemi me Dritan Shakohoxhën për të mësuar rezultatet e ndeshjeve. E pas ca difektesh, ata lidhen, por të dashur tifozë, me veshët pipëz e sytë e ngulur për të parë se ç’bëhej me Tiranën e Skënderbeun, shokohem kur ata japin e flasin (për) ndeshjet e kampionatit italian të futbollit e idhujt e tyre po italianë. Ç’ironi! Në të Dielën Shqiptare.
    Déjà Vu e Mustafa Nanos. I ftuar Igli Tare që sapo ka marrë vendim të mos luajë më. Ai quan po një italian, idhullin të vetin, Mozartin e futbollit. Publiku në studion e Nanos, ngjan me ata mumje fakirët që mumja faraon merr me vete, ata as flasin, as qeshin, as duartrokasin, as i zgjatin duart të prekin lavdinë e Tares, ata Nanoja më mirë ti zëvendësojë me dekor kukullash dylli.
    Brezat e futbollistëve, tifozëve, dikur, kishin idhuj Panon e më parë Boriçin, paralel me lojtarët e huaj, tani ne dashurojmë çdo gjë të huaj, ku s’bëjnë përjashtim futbollistët.
    Modeli që jepet në TV, ai Italian, vuan vetë nga boshatisja e shkallëve, e ka gjithë simptomat që jep Bajkoja. Si kultura dhe gripi mund të vijë nga përtej detit. Ky model është krejt I ndryshëm nga ai anglez, në duam spektatorë, duhet ta ofrojmë para atij të fqinjëve. I ndryshëm në lojtarë, vriten për ndeshjen, ndaj vrasin për ndeshjen; i ndryshëm në tifozë, ndjekin ekipin kur është në fund të renditjes për ti dhënë zemër.
    …për tu vazhduar

  2. Mes pjesëve, ca gjuajtje për nxemje:
    Futbolli është i çunave, vajzat as e luajnë as e ndjekin.
    Futbolli është i metropolit, aty janë titujt, stadiumet, derbit, federata, gazetat, Ministri.
    Shkallëve ju mungojnë vajzat, shkallëve ju mungojnë rrethet.
    Magneti metropolitan shtyn vajzat dhe tërheq futbollistët e rretheve.
    Elektromagneti metropolitan e merr fuqinë nga shteti dhe bashkia më e madhe e vendit, të afta të mbajnë tre ekipe.
    Futbollit luhet edhe për atletizëm. Futbolli i moshave nuk ka synim përgatitjen e ekipeve por nxjerrjen e talenteve. Kur këta dalin, fluturojnë, ne gëzohemi me gëzimin e tyre.
    Futbolli akoma mbahet për fanelle nga bashkitë. Goditjen e lirë nuk lihet ta gjuajë privati, sepse ka nr.13.
    Futbolli është i përkëtheluri (jo perkedheluri). Shkrimtarëve e artistëve u moren te vetmen ndërtesë në përdorim. Futbolli ka stadiume dhe anekse. Kanë frikë ti lëshojnë se mos biznesmenët ndërtojnë qiellgërvishtëse.
    Statistikisht, pavarsisht mungesës së shifrave, nga 3 milion shqiptarë, hiq 50% femra, hiqi mbetjes 50% të emigruar, hiq dhe kësaj 50% nën moshën 38 vjet, del se është shumë e vështirë të bësh aq ekipe për një kampionat, me lojtarë që të bëjnë tifozët tu ngjiten shkallëve.
    Një top nga tribuna,
    Xha Xhai, shqiptarët e këtushëm kanë një ekip futbolli që luan me amatorët, Illyria (?), e ke parë ndonjëherë? Unë jo….

  3. Vjet, kur ndodhesha në Shqipëri, boshatisja ndjehej kudo. Në Bibliotekën Kombëtare, boshatisja nuhatej që nga kthesa ku rrugën t’a ndërpriste një lypës, një shitës luledielli dhe një kioskë që të ofronte “Rrno për me tregue”, “Idioti”, “Historia e Artit” sipas Gombritch, libra nga Kadareja, nga Mimoza Ahmeti dhe revista e gazeta të formateve dhe përmbajtjeve të ndryshme. Këtu po që kishte njerëz, dhe jo në bibliotekë, ku një roje trashaluq me një shqipe shumë qymyr nga përmbajtja të thoshte se nuk lejohen personat pa leje kalimi. Dhe kjo leje kalimi si mund të bëhej nëse nuk lejohesha të hyje brënda? Përgjigjja-drejtoju kujt t’dush mer çun, k’tu nuk osht bordel! Doja t’a pyesja të nderuarin drejtor Aurel Plasarin që me aq talent prezantoi Kadarenë në BNF në Paris me rastin e 70-të vjetorit , por s’dija si t’a formuloja pyetjen time për boshatisjen e largimin e individëve nga ajo qendër që duhet të jetë shumë e kërkuar. Shpresoj se 2008-ta dhe, në vazhdim, 2009-ta të kthejnë disa njerëz të regjistruar më shumë.
    Pra, duke u përmbajtur tek një Bibliotekë, dhe gjithë afshin që mund të krijohet kur nuk arrin të depërtosh për të riparë sirtarët e drunjtë që në vitet 90-të na jepnin mundësinë të kërkonim librin apo katalogun, të lexonim më shumë se teksti i Liceut apo gjimnazit , mund të kuptohet humbja; se për mua këto shkallë bosh, këto shkolla private që shumëzohen si kërpurdhat apo kërmijtë pas shiut, salla e muze të braktisura, mungesa në qëndra studimi të rehatshme, janë vetëm humbje për shumë arsye që një shtet nuk arrin t’a kuptojë.
    Ndoshta puna e një sociologu mund t’a shkoqiti më thjesht problemin e boshatisjes në inteligjencian shqiptare, por mendoj se me modelin që ka përqafuar diktatura e imazhit, vetëm sa e zbeh interesin për komunikim direkt. Sot jetojmë në një botë pa kufij, të gjithë po kthehemi dhe ribashkohemi. Të gjithë jemi ulur dhe po lexojmë diçka të shkruar ashtu shpejtë, pa shumë pretendime për gjuhën, pa shumë pretendime për efektet, pa shumë respekt për lexuesin sepse ai, sot, nuk ekziston. Bashkëbiseduesi i dikurshëm e ka lënë vendin bosh, dhe ne jemi vetëm, të mbyllur, në pritje!

  4. Eh me kujtohet kur isha i vogel e me conte babi ne stadium, ndonjehere edhe ne trasferte; gazetat ‘Sporti shqiptar’ ishin bere koleksion ne shtepine time.
    Pas 1991 gjithcka ndryshoi, per keq, kuptohet. Futbolli i terheq shqiptaret sa me ska, po korrupsioni i hapur e presidentet mafioze qe blejne e shesin ndeshje e ka prishur kete ‘loder’. Vete tifozet vene baste mbi ndeshje te kampionateve europiane e detyrimisht i ndjekin ne televizor e keshtu skane as kohe te vene ne stadium.

    Cilesia e lojes nuk eshte ndonje faktor me rendesi , meqe kush eshte tifoz i skuadres se qytetit (apo rrethit) nuk gjykon si sportdashes . Po te mos ishte keshtu serite B, ne cdo vend europian do i kishin stadiumet bosh, cka nuk eshte e vertete.

    Pastaj ka nje sere problemesh infrastrukturore qe e veshtiresojne me tej afrimin e publikut me fushen e gjelbert.
    Vete Juvja vuan nga keto probleme dhe po i zgjidh me ndertimin e nje stadiumi modern, 40 mije vendesh per te cilin jane parashikuar 110 milione euro , leke te vete shoqerise. Ne Shqiperi kush do i zgjidhe, shteti apo presidentet mafioze qe rrine 3-4 vjet,pastrojne leket, bejne fame e ikin ?!

  5. Jane dy pale.
    E para thote se gjella e gatuar eshte bajate, pasi e ka provuar. Kjo pale, vete guzhiniere, fajin ja hedh guzhinierit, mishit, ujit, orizit, …. Kjo pale e brendeshme gjithcka e sheh ne tenxhere e pjate: kishte shume kripe, ku eshte orizi, etj. Jo vetem ne futboll, kujtoni hapjen e debatit mbi gjendjen e shtypit, vete shtypi cuditej me vete shtypin, vete ali vete kadi, sic thuhej motit. Zgjidhjet keshtu jane te paplota, disa kundershtojne njera-tjetren.
    Pala e dyte, thote se publiku i semure nuk shijon dot gje. Guzhiniere apo jo, kjo pale pa pare c’zjen, e pa provuar ndonje luge, ka nuhatjen te dalloje gjellen bajate, mungesen e erzave, qe krijojne ate avullin qe ndjekin ne dehje personazhet e filmave vizatimore.
    Ndryshimi themelor mes paleve eshte te parit vetem nga brenda e gjetjen e zgjidhjeve po brenda – per te paren, dhe te parit e gjetjen e zgjidhjeve pa ate kushtezimin – per te dytes. Zgjidhja sipas pales se dyte gjithmone e ka brenda ate sipas te pares, nese e keqja gjendet atje.
    Ne vetem humbim kohe, kur sherimin e futbollit e shohim vetem ne futboll (Federata dhe Duka), njelloj sic humbim kohe kur gazetaret duan ta ndreqin vete shtypin, politikanet vete politiken. Mendoni dot nje kirurg ti beje operacion vetes?
    Tani, leshoni pak fantazine mbi Qemal Stafa. Shkallet lene bosh prej Skenderbegsave i kane mbushur studentet e feve. Jepet penallti. Gjuan filani dhe … 50 prifterinj ne nje grup ne forme kryqi bejne kryqin tre here. Gol! Golashenuesi merr topin i fut nje shkelm drejt qiellit dhe 50 prifetrinj te tjere e ndjekin, e ndjekin, e ndjekin drejt qiellit, duke mbyllur pellembet e duke pare Zotin mes reve. Ndeshja del barazim. Kur golashenuesi tjeter kapercen reklamat, heq bluzen e mburret para shikuesve, 50 hoxhet e ardhshem falen sikur te ishte xhami.
    Keto, qe nuk mund te ndodhin, te pakten zbulojne se ne nuk mund te behemi bashke si publik sepse gjerat qe na ndajne jane me te medha se ato qe na bashkojne. (si mund ti kalojme?)
    Diku ketu kam thene se ne nuk marrim pjese ne gje po te mos jemi vete protagoniste. Ne udhetim me makine, nje sy i kujdesshem mund te shohe aneekend Shqiperise minifusha futbolli, a kalcetoje, a as dreqi se di si quhen (se po te dinte do ta theshte). Nuk cuditem qe nje pjese e atyre qe luajne neper to te mos shkoje ne stadiume.

    Futbolli eshte nje lavatrice per larjen e parave te pista – thote Kreshniku qe perforcohet me te Hyllinit – presidentet mafioze … pastrojne leke.
    Me sistemet financiare, fiskale, e te pagesave qe ka Shqiperia kjo gje eshte e pamundur, sepse nuk eshte e nevojshme. P.sh. nje prokuror ka 700,000 dollare a euro ne banke. Po nje x-fabrike me y-puntore sa zero mund te shtoje pa u lodhur? Sa te kete. Parate mund te pastrohen pa i rene gjoksit e u bere objekt vezhgimi. Por dhe qe te thuash i pastron me nje ekip nuk e thua dot. Per ekipet harxhohen miliona, e nuk merren te tilla.
    Nese zoterinjte nuk duan t’u fryjne thashethemeve, mund ta reduktonin shprehjen se ne futboll hidhen, apo prishen, apo shpenzohen parate e pista. Po ku nuk degjojme te behet keshtu, ne media, politike, apo dhe jashte Shqiperie.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: