FATI I SHARONIT

Në tregimin e Edgar Poe-s me titull “Faktet e çështjes së z. Valdemar”, rrëfimtari mjek orvatet të hipnotizojë zotin Ernest Valdemar in articulo mortis, teksa ky i fundit është duke vdekur nga tuberkulozi. Ky eksperiment pak si tepër i guximshëm jep një rezultat të papritur – meqë z. Valdemar ndërron jetë gjatë kohës që ishte ende nën hipnozë, por vazhdon të komunikojë me mjekun që prej botës së përtejme për muaj me radhë, duke iu lutur ta lëshojë të lirë e ta lërë të vdesë në paqe.

Tregimi dëshmon se Poe-ja ishte tashmë i vetëdijshëm për rreziqet që i bashkëlidheshin duelit të shkencës me vdekjen; por vështirë që ai autor ta kish parashikuar vërtet se kultura e pezullimit të vdekjes do të shndërrohej, një shekull e gjysmë më pas, në shenjë dalluese të qëndrimit tonë ndaj jetës, zakoneve, institucioneve, ekonomisë dhe vetë marrëdhënieve ndërkombëtare. I nxitur kryesisht nga interesa të fitimit monetar, njeriu modern ka patur më shumë sukses në përpjekjet e veta për të ndalur vdekjen, sesa për të rikthyer jetën.

Shembull emblematik i kësaj dukurie të pamirëpritur është fati i ish kryeministrit izraelit Ariel Sharon, i cili në dhjetor të vitit 2005 pati një iskemi të lehtë cerebrale, të quajtur edhe embolizëm paradoksal, të shkaktuar një vrimë e vogël midis dy veshëve të zemrës; nga e cila e mori veten, por vetëm për t’u goditur nga një hemorragji e rëndë cerebrale, në janar të vitit 2006; pas së cilës u vendos në ventilator, teksa gjymtyrët e poshtme iu paralizuan krejt. Mjekët që e trajtonin, zbuluan ndërkohë se pacienti i tyre vuante nga angiopatia amiloide cerebrale, e cila nuk i ishte diagnostikuar më parë. Një muaj më pas, mjekët ia shkurtuan shtetarit izraelit një copë prej 50 cm nga zorra e trashë, e cila i ishte nekrotizuar për shkak të një trombi; si dhe u detyruan të kryejnë një ndërhyrje tjetër kirurgjikale, për t’i drenuar lëngje të grumbulluara në stomak. Në korrik të vitit 2006 mjekët konstatuan edhe se veshkat e pacientit nuk po funksiononin si duhej, prandaj e rishtruan në repartin e terapisë intensive, për t’i filluar hemofiltrimin. Sikur kjo të mos mjaftonte, pas vetëm një muaji, Sharonit iu diagnostikua pneumoni në të dy mushkëritë, ndërsa në vjeshtë të vitit 2006 një infeksion kardiak. Ndërkohë, mjekët e palodhur arritën në përfundimin se aftësitë kognitive të ish kryeministrit izraelit ishin shkatërruar tashmë prej hemorragjisë cerebrale masive, dhe se gjendja e pacientit mund të cilësohej si vegjetative persistente (informacion i nxjerrë nga Wikipedia).

Fati i tmerrshëm i këtij të fuqishmi, të cilit nuk iu kursye asnjë shërbim i mundshëm shëndetësor nga specialistët më të shquar të planetit tingëllon madje edhe më ngjethës se ai i z. Valdemar të Poe-s, meqë ky i dyti së paku arriti t’ia shprehë mjekut të vet dëshirën për t’u lënë i lirë të fluturojë drejt errësirës supreme.

Mund të diskutohet gjatë nëse qëllimi i mjekësisë është të rikthejë shëndetin, ose të parandalojë e të vonojë vdekjen – edhe pse nuk ka dyshim se këto qëllime janë shpesh divergjente dhe është vështirë të pajtohen mes tyre. Megjithatë, duket se shëndetësia moderne, e orientuar drejt modeleve të sipërmarrjes, fitimit ekonomik dhe industrisë, ka arritur suksese të mëdha në kronicizimin e patologjive të ndryshme që dikur çonin shpejt në varr. Shembulli i mësipërm, edhe pse i skajshëm, me fatin e Ariel Sharonit, flet se nuk jemi larg ditës kur edhe vdekja vetë do të kronicizohet – duke u shndërruar jo vetëm në një tjetër burim fitimesh masive për korporatat shëndetësore, por edhe në një surrogato të mjerueshme të ëndrrës njerëzore për pavdekësinë, siç e pa aq bukur Jonathan Swift-i, tek “Udhëtimet e Guliverit”, kur heroi i tij udhëton në vendin e quajtur Luggnagg, për t’u takuar me struldbrugët, të dënuar ta vuajnë përjetësinë në gjendje rrëgjimi pleqërie të parrëfyer. Se çfarë është Sharoni sot, e bashkë me të edhe dhjetëra mijëra të tjerë, që e përjetojnë pavdekësinë e tyre teknologjike në trajtë kome vegjetative, në mos mishërimi modern i atyre struldbrugëve të Luggnagg-ut?

Njëlloj mund të diskutohet gjatë edhe nëse pasioni terapeutik buron nga dashuria që kemi për jetën, apo nga frika prej vdekjes. Vetë mjekësia e ka të vështirë t’u gjejë përgjigje dilemave të tilla, ndonjëherë tepër etike; por kjo nuk e ka penguar modelin reanimacionist të gjejë shtrirje dhe mirëkuptim në fusha të tjera të jetës sociale, jashtë dyerve të klinikave. Kondicioni post-modern s’është veçse një dëshirë e dëshpëruar për t’i mohuar skajet e të kundërtave logjike, në emër të pezullimit, stazës ose një mohimi të mohimit që duket sikur ia ndal historisë rrotullimin. Në ekonomi korporata të tëra, madje edhe industri, nuk lejohen të falimentojnë, por mbahen gjallë me injeksione financimesh publike – siç ndodhi tani së voni me krizën e huave në SHBA; në krejt Perëndimin papunësia luftohet nëpërmjet sistemit të ndihmave sociale, të cilat ndonjëherë vetëm sa e kronicizojnë mjerimin, duke krijuar njëkohësisht një shtresë të varur fund e krye nga mekanizmat administrative të terapisë sociale intensive; luftrat ballore shpesh shmangen nëpërmjet instaurimit të gjendjes së jashtëzakonshme ose embargove tregtare.

Tanimë duket se është kristalizuar bindja që edhe krizat ndërkombëtare mund të zgjidhen nëpërmjet një terapie të tillë intensive, ose duke i mbajtur të sëmurët gjallë artificialisht, nëpërmjet intubimeve, ventilatorëve, makinave të hemodializës, ushqimit intravenoz; madje edhe atëherë kur vetë ato kriza ndërkombëtare janë përftuar si pasojë e vendimeve të pamenduara mirë, ngutjeve të papërligjshme, ose thjesht ëndrrave në diell. Shpesh dëgjojmë të thuhet se Shqipëria është shtet i dështuar – të cilit nuk i funksionon infrastruktura (rrugët, hekurudhat, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik tokësor, ujësjellësi, kanalizimet e ujërave të zeza); institucionet (shkollat e të gjitha niveleve, sistemi i drejtësisë, rendi publik, sistemi i pronësisë); ekonomia (prodhimi i të mirave materiale); shërbimet (shërbimi shëndetësor, sigurimet shoqërore). Nëse ky shtet ia ka dalë të mbetet në këmbë akoma, madje të ftohet të marrë pjesë edhe në aleanca ushtarake si NATO-ja, kjo mund të shpjegohet vetëm ngaqë shteti, në format e veta të tanishme, mbahet gjallë artificialisht nga mjekët përkatës ose institucionet europiane dhe administratat e vendeve fqinje, të cilave nuk u intereson një zgjidhje drastike e problemit. Përndryshe, siç e kam thënë edhe gjetiu, republika shqiptare do të ishte varrosur prej kohësh, për t’u zëvendësuar nga një regjim diktatorial i djathtë i moderuar, pas gjase i natyrës nacionaliste-populiste.

E teproj vallë po të them se shteti shqiptar është katandisur në Ariel Sharonin e Europës, me organet dhe sistemet që i dalin jashtë përdorimit njëri pas tjetrit, dhe me ndihmat e financimet nga jashtë që shkojnë të gjitha për të mbuluar shpenzimet e kësaj terapie intensive? Dhe kjo në kushtet kur shqiptarët vetë po tregohen më sipërmarrës aktivë se kurrë ndonjëherë, duke gjeneruar një aktivitet ekonomik të pashembullt brenda e jashtë vendit, dhe kur koniunkturat ndërkombëtare janë më të favorshme se kurrë për Shqipërinë dhe shqiptarët? Pikërisht sot lexoja në shtyp se plazhit të Durrësit nuk do t’i sigurohen dot më shumë se dy orë ujë, gjatë sezonit turistik të verës; pikërisht atij plazhi të cilin do të dynden për ta shijuar viktimat e reklamave të fundit të paguara në CNN. Natyrisht, këtij lajmi i ishte dhënë një cep çfarëdo në një faqe gazete çfarëdo; teksa titujt e mëdhenj vijojnë t’u kushtohen marrëveshjes midis Salës dhe Edit, tragjedisë shekspiriane të partive të vogla, romanit fatal të Ben Blushit, mega-Dushkut dhe Ingrid Gjonit që puthet në buzë me Sinan Hoxhën.

Edhe pse është studiuar mirë nga ana fiziologjike, koma mbetet një mister për mjekët dhe të gjithë të tjerët; sepse askush nuk e di çfarë ndodh në mendjen e të sëmurit që vegjeton me javë e muaj e vite në shtrat, i shkëputur krejt nga bota rrethuese por jo nga vetvetja. A mendon vallë i sëmuri në komë? A i dëgjon zërat e atyre që ka përreth? A sheh vallë ndonjëherë ëndrra? A shqetësohet nga uturima e makinerive dhe aparaturave që nuk e lejojnë të vdesë? A dëshiron të kthehet mes të gjallëve, apo e ka kapërcyer tash përfundimisht pragun drejt së përtejmes e nuk don të shohë pas? Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjet dot kush. Megjithatë, kur lexon titujt e gazetave të Tiranës, e kur shfleton suplementet e tyre të ofruara gratis në PDF, një ide sado pak e vagullt për përgjigjen nis të të sendërgjohet në mendje…

2 Komente

  1. Do te dish se c’nis te SENDERGJOHET ne jeten e vdekur prej kohesh, timen?
    Fjala me germa kapitale me siper eshte ne kalvarin e shume te tjerave qe ve re edhe pse i izoluar per shume gjera me teper se Sharoni, ose sic do dhe ti xha xha te paralelizosh ate, me Shtetin e sotem Shqipetar.
    MEDITATE, Shtetin e kemi te ri (me jete te gjate, uroj!), dhe “i riu si veriu”. Do thoja; i shkojne per shtat rremujzat, por, kur eshte ne dore te te rritureve te pergjegjeshem s’eshte per t’u merakosur. Do ta bejne si veten shtetet me pervoje edhe ate te tonin. Dhe metoda e qytetrimit te sotem eshte duke i dhene nje rrol dominant individualitetit dhe prirjeve te shtetit ne fjale. Lind pyetja; Cili eshte individualiteti dhe prirjet e shtetit Shqipetar?

  2. Ky është vërtet krahasimi më brilant që mund të bëhej.
    Pa sistemin e ushqimit, frmëmarrjes, jashtëqitjes (rrugët, hekurudhat, rrjeti elektrik, rrjeti telefonik tokësor, ujësjellësi, kanalizimet e ujërave të zeza) … është e vështirë (aq më tepër me një kokë si e Sali Berishës) që të mundet të rizgjohet.

    “Koka bën, koka pëson”- thuhej dikuuuuur… por sot jetojmë në “erën” e internetit dhe nuk merremi më me thënie.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin