DHURATA ME XIXA

Në vijim të dhuratës për vitin e ri, që Presidenti shqiptar i bëri azilit të pleqve në Kamzë, pati dy lloje reagimesh. I pari ishte debati nëse gjeneratori i ishte dhuruar azilit (si ndërtesë dhe institucion), apo pleqve (si banues të azilit). Diskutimet e zjarrta prekën edhe rrafshe filozofike për përkohshmërinë e jetës, përjetësinë e shpirtit dhe raportin e njeriut modern me objektet e teknologjisë së lartë.

Drejtori i azilit u shpreh se gjeneratori do i përkasë institucionit që ai drejton, brez pas brezi, sepse dhurata bujare do t’u shërbejë pleqve të sotëm, por edhe të nesërm. “Njerëzit ikin si vitet – tha ai – por pasuria publike mbetet”. Ky argumentim nuk arriti të bindë Komitetin përfaqësues të pleqve në azil (KPPA) dhe as Shoqatën për të drejtat e pleqve në azilet profesioniste (SHDPAP). Zëdhënësit e tyre thanë njëzëri se gjeneratori u takon pleqve. Sipas tyre, deri në një provë të kundërt, janë mjetet që u shërbejnë njerëzve dhe jo e kundërta. Pastaj, dhurata e famshme deshi të kënaqte pleqtë që po ngrysin jetën në azil, dhe jo drejtorinë e azilit, që sikur të mos mjaftonte drejtohet nga një djalë i porsadiplomuar qimepadirsur.

Askush nuk vuri në dyshim përshtatshmërinë e dhuratës, meqë dihet nga të gjithë se dhurata më e mirë është ajo e nevojshmja. Ndryshe do të kishte qenë, ta zëmë, sikur Presidenti t’i kishte dhuruar azilit një orë të madhe, që të shihej deri nga pleqtë me syze të trasha, të shoqëruar nga një kalendar elektronik të prodhuar posaçërisht nga firma “Citizenship”. Si ora ashtu edhe kalendari, mund të keqinterpretoheshin si të shijakeqe, ngaqë mund t’u kujtojë pleqve kohën që ikën pamëshirë. Por këtë do ta bënin dashakeqësit ose paragjykuesit e zakonshëm, ata që mendojnë se shteti i ka ngritur duart lart prej kohësh, njerëz që, për fat të keq, në baret e blogjet e Shqipërisë nuk mungojnë asnjëherë.

Nga ana tjetër, nuk pati asnjeri që të mbështeste tre marrëzi kritike ose kritika të marra që nuk guxuan të dilnin as në faqet e gazetave. Në mënyrë të përmbledhur, ja cilat ishin kritikat:

  1. Presidenti duhet të ishte veshur si babagjysh i vitit të ri në çastin e dorëzimit të dhuratës;
  2. Dhurata duhet të ishte mbështjellë tërësisht me letër dhurate të kuqe dhe shqiponjën dykrenare të stampuar kudo;
  3. Kënga “Shumë urime për ty, shumë urime për ty…” që filloi gabimisht në sallë, dhe qirinjtë e shumtë me pak tortë sipër, që u sollën po aq gabimisht, ishin krejtësisht pa vend.

Reagimi i dytë ndaj dhuratës presidenciale ishte më praktik. Pothuajse si në garë tenderi, të gjithë Ministrat e qeverisë filluan t’i dërgonin azilit dhurata nga më të ndryshmet, gjithnjë duke respektuar afatet festive. Ja dhuratat sipas dikastereve qeveritare:

  • Ministria e Rendit – shtatë pistoleta TT për vetëmbrojtje dhe një kundërgaz në rast vjedhjesh me mjete kimike.
  • Ministria e Ushtrisë – dy topa 75 mm prodhim sovjetik e tre mortaja 60 mm prodhim kinez në rast sulmi nga ana e armiqve të vendit.
  • Ministria e Financave – katër aparate supermoderne kontrolluese kundër kartëmonedhave të falsifikuara dhe gjashtë makina llogaritëse me funksione këmbimi monetar.
  • Ministria e Ekonomisë – një manual për investimet në bursë dhe librin “Si u bëra miliarder” i miliarderit Mili Arderi për bibliotekën e azilit.
  • Ministria e Energjetikës – dy bidona me naftë vendi.
  • Ministria e Jashtme – një fotografi të Bushit bërë gjatë vizitës në Shqipëri.
  • Ministria e Arsimit – diploma universitare për të gjithë pa përjashtim, plus katër diploma doktorature.
  • Ministria e Shëndetësisë – një kit për vetëmjekim me mbishkrimin : “Dhuratë e Kryqit të Kuq për Ministrinë e Shëndetësisë shqiptare”.
  • Ministria e Rinisë e Sporteve – një shpjegim kushtetues për arsyen e ekzistencës së saj dhe jo të Ministrisë së Pleqve e Palestrave rehabilituese.
  • Ministria e Transportit – një karrocë për ulokë dhe udhëzimet se si mund të hiqen barrierat arkitektonike nëpër trotuare e shkalla pa iu drejtuar ndërmarrjeve të autorizuara.
  • Ministria e Punës – libreza të reja pune për të gjithë të moshuarit.
  • Ministria e Mjedisit – dy kazanë plehrash, rezistentë edhe ndaj zjarrit, të prodhuar me një material të posaçëm dalë nga lidhja Pvc/amiant.

Në qoftë se jeni në dijeni të dhuratave të tjera, lutemi na njoftoni. Gjithsesi, ne mbetemi të mendimit se rëndësi ka ideja jo dhurata, brendia jo xixat, dëshira jo sendi, xhesti jo çmimi, vlera shpirtërore jo vlera materiale. Pra e rëndësishme është domethënia e dhuratës jo etiketa e çmimit. Meqë ra fjala, sa bën një gjenerator tek shumica?

2 Komente

  1. Duhet ta kishe spjegu me mire llojin e gjeneratorit. Me siguri ka qene trefazore.

    U mendova po te ekzistonte edhe ministria e seksit, a do kishe cka t’u dhuronte pleqve te azilit!

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: