SAHATI I MOSBESIMIT

E kush e harron sahatin e vjetër të elektrikut? I zi, me fushë të bardhë, ku mezi dalloheshin numrat e vegjël që shënonin konsumin e energjisë dhe mekanizmi me vijë të kuqe që rrotullohej ngadalë, por i vendosur. Më poshtë, përveç vulës së pluhurosur të plumbit, nxirrte kokën siguresa, ose objekti më i prekur në errësirën shqiptare.

Brezave të rinj është e vështirë t’ua shpjegosh, por disa rituale të Shqipërisë totalitare nuk duhen lënë në harresë. Siguresa e dritave ishte një nga këto. Kur dritat iknin, veprimi i parë, zakonisht me nismë kolektive, ishte verifikimi nëse dritat ishin fikur në gjithë mëhallën apo vetëm në shtëpi. Në rastin e parë, fillimisht pritej pakëz, se dritat mund të vinin prapë. Pastaj, kur koha zgjatej ca si tepër, fillonte kërkimi i ethshëm i kutisë së shkrepëses dhe i qiriut flijimtar. Në rastin e dytë, d.m.th. kur pallati kishte drita, deduktohej se problemi ishte brenda. Atëherë fillonte nxitimthi, rregullisht me përplasje të zhurmshme, kërkimi i shkrepëses dhe i qiriut. Ky i fundit, për duart eksperte, jo gjithnjë ishte i nevojshëm.

E domosdoshme ishte fija e bakrit, që duhet të ishte e hollë, fare e hollë, si qimja e flokut. Murphy në atë kohë nuk njihej, por ligjet e tij funksiononin për mrekulli. Shkrepësja ndizej pas disa dështimeve radhazi. Kurse flaka e qiriut shuhej pa u ndezur mirë. Fijet e bakrit ose nuk gjendeshin menjëherë ose mezi shkëputeshin nga tufa e telit të veshur. Zënka që rridhte mbaronte në çastin kur dikush e gjente telin jetik. Në flakëzën e shkrepëses ose të qiriut fillonte procesi i rregullimit të siguresës. Nuk ishte punë e vështirë, as e ndërlikuar, por konsiderohej si tepër delikate nga ata që e bënin zakonisht. Ndonjëherë, “zanatçinjtë e siguresës” teorizonin për trashësinë e telit, mënyrën e vendosjes dhe cilësinë e bakrit. Kjo i shpëtonte nga akuza për mbajtje të kastës së rregulluesve të siguresave, që në hierarkinë familjare të asaj kohe nuk kishte kuptim se bëhej nga i zoti i shtëpisë, ose nga ndonjë mik elektricist që gjendej aty “rastësisht“. Këtij, zakonisht, teoria i duhej për të fshehur gabimet e lidhjeve që kishte katranosur dy minuta më parë.

E vështirë apo elementare, vënia e siguresave ishte diçka serioze. Kjo ishte vërtetuar katërcipërisht nga disa trima që në vend të bakrit vinin hekur dhe në vend të fijes vendosnin tel të trashë. Këta vizitoheshin të paktën një herë në jetën e tyre nga zjarrfikësit, të cilët më shumë konstatonin se sa fiknin. Më të kujdesshmit e ndërronin disa herë fijen, që digjej sa herë fisheku i siguresës vidhosej deri në fund. Zhurma karakteristike e vidhosjes nuk mund të shpjegohet me fjalë, sepse interferonte si metali ashtu edhe qeramika e lëmuar e siguresës. Detaj i paharrueshëm, për ata që e kanë jetuar.

Në atë kohë vjedhja e energjisë ekzistonte në atë masë që mund të tolerohej. Pak nga frika, pak nga mosekspertiza e pak nga mosleverdia, njerëzit nuk e vidhnin masivisht korrentin. Të paktën në qytet, se kishte fshatra që sahatin e energjisë as që e njihnin. Teknikat më fantazioze të vjedhjes, që do ta hutonin edhe Arsen Lupenin dora vetë, u shfaqën andej nga fundi i regjimit totalitar dhe fillimi i regjimit tjetër. Lidhja me leverdinë ekonomike, ose më saktë me rritjen e kërkesës për energji dhe njëkohësisht të çmimit të saj, bëri që thithjet nga rrjeti elektrik kombëtar të bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Vjedhja u bë “e detyrueshme” jo vetëm pas zhdukjes së fushës së druve, por edhe pasi faturat e dritave po zinin një zë të rëndësishëm në bilancin familjar. Natyrisht, kategoria e atyre që në vend të rezistencës normale për ngrohje fusnin telin e sustës së krevatit nuk u prek aspak, sepse ata kishin tërë jetën që energjinë e merrnin falas, ndonjëherë direkt nga kabina elektrike.

Manipulimi i sahatit elektrik u bë gjithnjë e më popullor gjatë viteve nëntëdhjetë. Përdorej copa e filmit që futej nga lart për të bllokuar lëvizjen e kontatorit, ose forca magnetike (me copa magneti) për ta hutuar në përllogaritjet e veta. Kishte edhe mënyra më të holla ose më të trasha, më pak fizike e më shumë mekanike, të shpikura përkatësisht nga elektricistë të ngeshëm ose suvatues amatorë. Pra marrëdhëniet me sahatin erdhën duke u sofistikuar. Përkundrazi, siguresa mbeti në thelb po ajo, sepse çdo ndryshim i saj mund të rrezikonte jetën. Pavarësisht se teli i bakrit sikur u shëndosh ca, kryesisht për faj të kaloriferëve dhe sobave me korrent që mbushën shtëpitë tona gjatë viteve të para të konsumizmit.

Siguresa, ose siç e quante dikush fisheku i siguresës, kishte përftuar në vite një fuqi rituale. Mësimi i ndërrimit të fijes përkonte rregullisht me kalimin e adoleshencës, çka dëshmonte pjekjen e personit dhe hyrjen e tij në kategorinë e të rriturve. Fëmijët e kishin rreptësisht të ndaluar t’i afroheshin sahatit. Kurse simbologjia falike e fishekut të siguresës, evokohej kryesisht nga forma (me trupin e vrazhdë prej qeramike dhe kokën e lëmuar prej porcelani), errësira e shumëkuptimtë, procesi i shkrehjes, i ngrehjes, dhe së fundi nga vetë nevoja për t’u manipuluar apo rreziku që paraqiste mbingarkesa. Ndërlikimet që shkaktonte ngjashmëria fonetike e fjalëve “siguresë” e “sigurims” kishin karakter spekulativ. Një farë qarku i shkurtër semantik me pasoja të paparashikuara. Në fakt pak mendjeve u binte ndër mend.

Sidoqoftë, sahati i elektrikut filloi të dilte nga hapësira private në kapërcyell të shekujve. U vendos që sahatet të instaloheshin në hyrje të pallateve; gjithsesi në hapësira të mbyllura me çelës. Ky i fundit gjendej në duart e nëpunësit të KESH-it, i cili vinte, ose më mirë duhet të vinte, rregullisht për të lexuar konsumin e energjisë.

Kalimi i sahateve nga brenda shtëpisë jashtë saj nuk duhet parë si proces i thjeshtë. Ky kalim përshenjonte në radhë të parë rikonfigurimin e marrëdhënieve shtet-individ në Shqipërinë postotalitare. Në qoftë se deri dje shteti ishte brenda shtëpive, qoftë nëpërmjet kontrollit qoftë nëpërmjet besimit tek nënshtetasi (jo shtetasi) i vet, sot shteti kërkon të dalë nga privatësia shtëpiake. Veçse kjo zbythje u imponua nga vjedhjet masive në rrjet, në mënyrë që ndërmarrja shtetërore elektrike t’i kontrollonte më mirë sahatet. Përveçse nuk buronte nga ndonjë kërkesë demokratike nga poshtë, tërheqja e shtetit nuk mund të përshëndetej pozitivisht edhe për faktin se sahatet u “getizuan” në bodrumin e shkallës, “të burgosura”me kyç nga një shtet që nuk ka kurrfarë besimi tek qytetarët e vet. Këta të fundit nuk është se kanë ngjallur ndjenja të përkundërta, por nga ana e tyre kanë lehtësimet e kushteve të rënda ekonomike. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë raport të drejtë midis cilësisë së shërbimit dhe çmimit të tij. Edhe po të duash ta paguash energjinë nuk ka në rrjet.

Vjedhja e energjisë vazhdon të bëhet rregullisht, çka tregon se pranvera e shtetit ligjor nuk vjen vetëm me një sahat elektrik. Në xhunglën e fijeve, telave, shtyllave, kabinave, kabllove, sahatet nuk kanë asnjë kuptim. Kurse shteti që futet në shtëpi për kontroll, nuk ka ndonjë ndryshim thelbësor, përveçse në metodë, nga shteti që del jashtë për kontroll. Gjithashtu, në efektet shkatërruese sociale kontrolli totalitar shkon e barazohet me anominë kaotike. Ndërkohë, në situatën e përgjithshme të energjisë elektrike nuk ka ndonjë përmirësim të ndjeshëm. Kurse siguresat, duke filluar nga ndërtimet e reja, kanë pësuar transformime teknologjikisht epokale. Kur ka mbingarkesë, siguresat bien sot automatikisht, pa qenë i nevojshëm vetëmohimi i fijes së bakrit; edhe pse përballë mungesës së energjisë, si sahatet moderne ashtu edhe ato të kohës së qepës sillen njëlloj.

Mos vallë ndryshimet epokale në Shqipërinë demokratike shkaktuan vetëm një viktimë? Siguresën e vjetër prej qeramike e porcelani? Apo edhe kjo duhet parë në planin simbolik?

2 Komente

  1. Te pershendes jo vetem per trajtimin e nje teme kaq domethenese,por per nje gjuhe brilante ne te gjithe shkrimet qe,pothuaj,i lexoj.Duke te shkruar ne prag festash,te uroj qe viti i ri te te sjelle gjithe te mirat.
    Perparim Hysi,26 dhejtor 2007

  2. Nuk mund te mos rija pa vene buzen-gaz kur lexova shkrimin e Pishakut kur mendon se nje camarroku te asaj kohe, qe te ishte vertet “i zoti” detyrimisht i duhej te mesonte shume me mire se prinderit qe te vendoste fije te re bakri ne fishekun e sigureses. Dhe qe te tregoheshe qe dije dicka me shume, per te ritur sigurine e kontaktit fishek-baze, fusje brenda edhe nje 20 qindarkesh. Eh. Kohera te vjetra.

    Matesi elektrik ne keta 17 vjetet e fundit ka patur nje odise te vertete. Fillimisht ishin te gjithe jashte (pallatet); neper gropa ne mur ose ne kuti druri . Shtepite private i kishin te gjitha brenda se nuk kishte rruge tjeter. Kur filloj abuzimi, aty nga viti 1992-1993 akoma NISH Elektirk/Ujsjellesi i futi me shpejtesi brenda ne partamente. Nderhyrja dhe abuzimi u rrit eksponencialisht me rritjen e konsumatoreve ne familje. Me vone, KESH filloj instalimin e nje gjenerate te re matesash me masa mbrojtese dhe sigurie qe mendohej se do te parandalonin abuzimin. Edhe kjo mase rezultoj pa sukses sepse abuzimi vazhdoj. Me vone aty nga viti 1998 filloj instalimi i tyre ne kuti metalike kolektive ne katin e pare. Kjo ishte nje mase shume efektive qe rriti shume arketimet por qe KESH nuk kishte/ka mundesi financiare per ta vazhduar sepse eshte investim shume i madh. Pati shume pak raste dhunimi te tyre. Sot ky projekt me sa di une ka mbetur ne vend per mungese fondesh.

    Me siper Pishaku shkruan:

    “Përveçse nuk buronte nga ndonjë kërkesë demokratike nga poshtë, tërheqja e shtetit nuk mund të përshëndetej pozitivisht edhe për faktin se sahatet u “getizuan” në bodrumin e shkallës, “të burgosura”me kyç nga një shtet që nuk ka kurrfarë besimi tek qytetarët e vet”.

    Mendoj se parimisht shteti nuk e bazon veprimtarine e tij ne ndonje mardhenie besueshmerie me shtetasit por ka ligjet qe rregullojne keto mardhenie. Edhe ne rastin e abuzimeve dhe nderhyrjeve ne rrjetin elektrik shteti dhe kompania ne rast konstatimi gjobit abonentin. Ne rast pa aftesie paguese te gjobes i sekuestrohet plengu ne shtepi dhe pasi shlyhet gjoba i jepet atij restua. Nese nuk ka pleng plaset brenda ne qeli nja dy-tre jave sa ta mare vesh lagjja. Kuptohet me gjyq te pershpejtuar se jemi ne demokraci. Sa per rregjimin e kaluar nuk mund te gjendet shembull me i mire se ai i Prof. Luan Voshtines. Diskretitim total. E hoqen si pedagog nga katedra e termoteknikes, e mori Zeri i Popullit dhe ne mos qofsha i gabuar sherbeu edhe kohe ne burg. Per kete te fundit nuk jam krejt i sigurte.

    Gezuar festat e fundvitit.

    MB

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin