Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Politikë / Sociologji

EKONOMIA SIPAS ULIKSIT E JAZONIT

Në Shqipëri ekonomia e tregut u vendos në mënyrë mekanike, në kuptimin që i mungonte objektivisht tradita kulturore, çka duhet t’i shërbente si platformë dhe amortizator njëkohësisht. Nga pikëpamja e shpejtësisë kohore, kapitalizmi erdhi brutalisht në vendin tonë, pavarësisht se pjesa dërmuese e shoqërisë ishte dakord me sistemin e ri ekonomik. Mënyra e lindjes përbën një nga arsyet përse sot kapitalizmi shqiptar shfaqet me petkat e primitivitetit të xhunglës.

Kultura e viteve të fundit ka favorizuar individualizmin ekstrem, përballë të cilit edhe Far West-it amerikan do t’i dridheshin gjunjët. “Fitimi me çdo mjet” mbetet kryeparrulla e ekonomisë shqiptare. Ndaj edhe bëhet gjithnjë e më e vështirë të flitet efektivisht për sektorin publik, etikën, përgjegjësinë sociale të imprenditorisë, solidaritetin, e kështu më radhë. Individualizmi aksiologjik është ulur këmbë kryq në kulturën ekonomike, saqë është e vështirë të prekësh argumente me ndjeshmëri sociale pa u akuzuar për nostalgjizëm ose shitje tek armiku i radhës.

Në rastin më të lumtur, kapitalizmi shqiptar konceptohet si një hapësirë ku ndërveprojnë interesa individuale. Objektivi është fitimi maksimal me mjete minimale. Në praktikë, përkundrazi, mbizotërojnë konceptime parahistorike si “homo homini lupus”, gjë që nuk përmendet hapur në raportet ndërkombëtare , sepse mund të shkaktojë dyshime në efektshmërinë e formulave neoliberiste. E gjithsesi, sipas një takëmi mendësish, raportet ekonomike merren vetëm me transaksione vlerash monetare, pra nuk mund të flasin për fakte antropologjike ose antropofagjike në rastin shqiptar (d.m.th. kanibalët studiohen nga shkenca të tjera).

Rreziku është që ekonomia e tregut të përjetësohet në kulturën e brezave të ardhshëm si një sistem pa rregulla ku fiton vetëm i forti. Mirëpo, fitimi është gjithnjë i ligjshëm dhe i lejueshëm, në atë masë që respekton të drejtën e të tjerëve. Sepse kapitalisti mund të fitojë edhe duke shitur ujë mineral të rremë, ose duke shfrytëzuar punën e të miturve, por këtu shkelen ligjet, kur ekzistojnë; kurse në rastin kur sipërmarrësi u jep punëtorëve rroga jashtëzakonisht të ulëta, pa u kujdesur sa duhet për kushtet e punës, shkelen këmbë të drejtat elementare të njeriut. Vallë objektivi duhet arritur pavarësisht nga mjetet që përdoren? Efikasiteti ekonomik mbi të gjitha? Logjika dhe rendimenti në radhë të parë? Natyrisht që jo. Edhe në Shqipëri e dinë që nuk duhet të pasurohesh me privatizimet, as me monopolet. E megjithatë, bëhet sot e kësaj dite.

Uliksi dhe Jazoni janë dy heronj të mitologjisë greke që janë treguar mjaft rezultativ në arritjen e rezultateve. I pari, pasi pushton Trojën me dinakërinë e tij të njohur, endet nëpër detra për dhjetë vjet, por në Itakë kthehet shëndoshë e mirë. I dyti, pas shumë peripecish, merr atë që ishte e pakapshme për këdo tjetër: vellon e artë. Nga pikëpamja ekonomike, si Uliksi ashtu edhe Jazoni, janë tejet të suksesshëm, sepse i realizojnë plotësisht objektivat e dhëna. Historitë e dy heronjve legjendarë shkojnë e ndërpriten tek ishulli i Sirenave. Të dy i shpëtojnë këngës magjepsëse të Sirenave, por me mënyra të ndryshme. Uliksi ua mbyll veshët shokëve me dyllë, i urdhëron ta lidhin tek direku i anijes, dhe u lutet të mos dëgjojnë lutjet e tij të mundshme. Jazoni përdor lirarin Orfeu, prania e të cilit fillimisht nuk ishte kuptuar drejt nga argonautët e tjerë. Me tingujt hyjnorë të lirës së vet, ai neutralizon efektin e këngës së sirenave. Anijet e tyre vazhdojnë udhëtimin pa përfunduar në shkëmbinjtë e nënujshëm.

Ka autorë që mendojnë se logjika e Uliksit është e llojit instrumental, që respekton formulën mjet-qëllim. Kurse Jazoni, nëpërmjet Orfeut, në të njëjtën formulë fut si logjikën ashtu edhe arsyen. Heroi i Itakës është i vetmi që shuan kureshtjen e madhe për të dëgjuar sirenat; shokët e vet gjithsesi mbeten në padije. Nga ana tjetër vetë dylli dhe lidhja me litar e Uliksit përmban një farë imponimi në zgjedhjen e tij; pa përmendur vuajtjet derisa anija u largua nga brigjet e mbushura plot kocka njerëzish. I dashuri i Medeas, përkundrazi, nuk përdor asnjë lloj imponimi, as ndaj vetes, as ndaj të tjerëve. Në fakt, shokët e Jazonit do të dalin më të ditur nga përvoja që kaluan, pa dëmtuar kërkënd.

Natyrisht, shembulli mitologjik duhet marrë me kufizimet e veta. Fakti është se njeriu është “kafshë shoqërore”. Madje, individualizmi i tij mund të shprehet vetëm në raport me të tjerët. Sekreti është që interesi i gjithsecilit të mos konceptohet kundër interesave të të tjerëve, por së bashku me to. Si të thuash, “drejtësia ekonomike” mund të materializohet vetëm në vendin e marrëdhënieve të ndërsjella. Jo jashtë tyre.

Dikush mund të thotë se dylli i Uliksit në ekonominë shqiptare shndërrohet sot në vaj, në atë që përdori ungji i Hamletit kundër të atit. Mors tua vita mea. Deri diku është e kuptueshme, përderisa deri pak vite më parë dyllosja e veshëve shfaqej në trajtë zhurmuesish kundër ekonomisë kapitaliste in toto. Krejt e pakuptueshme është që në ekonominë aktuale shqiptare barazia të trupëzohet jo në rregulla, por në mungesën e tyre. Si të thuash, jemi të gjithë njëlloj përballë mungesës së dritave dhe të ujit.

1 Koment

  1. Ekonomia sipas Kandidit…

    Work keeps at bay three great evils: boredom, vice, and need.” Let us work without theorizing… ‘tis the only way to make life endurable.”
    – Voltaire, Candide, Chapter 30

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin