Disa ditë më parë, me rastin e 95-vjetorit të krijimit të armatës së parë shqiptare, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u zhvillua një paradë ushtarake. Në ceremoni morën pjesë të gjitha figurat institucionale të vendit. Mediat i kushtuan vëmendje të posaçme evenimentit dhe ndonjë rast lanë hapësirë për komente të gjata për ushtrinë dhe problemet e saj.
Porsa u fikën projektorët dhe perdet e skenës u mbyllën, kryesisht në tryezat e internetit, filluan diskutime për paradën dhe rolin e ushtrisë shqiptare. Mendimet, debatet, kritikat, ndonjëherë thumbat, që pasuan paradën dëshmojnë një farë interesimi të publikut shqiptar që nuk mund të likuidohet me dy klishe të thata për integrimin. Nga ana tjetër, pak është thënë deri më sot për mënyrën se si e sheh opinioni publik shqiptar ushtrinë e vendit të vet.
Po ta skremojmë ligjëratën nga teprimet retorike, del qartë se marrëdhëniet e shoqërisë shqiptare me forcat e armatosura kanë qenë historikisht të luhatshme: herë të stuhishme, herë indiferente. Shoqëria dhe ushtria në Shqipëri kanë kaluar përnjimend periudha afërsie deri në shkrirje, por edhe ndarjeje deri në ftohtësi. Konstantja e vetme? Retorika e zakonshme. Dikur për mbrojtjen e vendit nga armiku u jashtëm, sot për operacionet paqeruajtëse në botë apo në raste emergjencash kombëtare.
Le të themi që në fillim se kandari midis politikës dhe ushtrisë ka rënduar gjithnjë në favor të së parës. Në historinë shqiptare forcat e armatosura nuk kanë pasur ndonjë peshë të posaçme. Vetë posti i Ministrit të Mbrojtjes ka qenë nga më të rrezikshmit: ka ngrënë koka dhe karriera politike pafund. Thuhet se një pjesë e konsiderueshme ushtarakësh ka pësuar ndëshkime të llojeve të ndryshme; nga pushkatimet deri tek largimet nga puna.
Zakonisht, në raste krizash, kur autoriteti i politikës bie poshtë, roli i forcave të armatosura rritet në mënyrë automatike. Në vende me kulturë të dobët demokratike, ushtria ndërhyn me grusht shteti, sepse mbetet e vetmja strukturë që i shpëton tërmeteve sociale. Rasti i Shqipërisë gjatë krizës së ’97-s ishte i çuditshëm, pa precedentë, sepse bashkë me politikën u shpërbë edhe ushtria, e cila implodoi për arsye që duhet hulumtuar gjetiu. Qëndrimi i forcave të armatosura në atë kohë vërtetoi deprorësinë e saj ndaj politikës, çka konsiderohet pozitive në një kuadër normal institucionalo- kulturor. Mirëpo gjatë viteve të para postotalitare, ushtria shqiptare u rrethua jo vetëm me konfuzion total për objektivat, por edhe nga indiferenca e politikës dhe e opinionin publik. Grushti vendimtar i erdhi nga rrëmujat e ’97-s, kur depozitat e armëve u plaçkitën si të ishin magazina drithi.
Le t’i hedhim një sy bunkerit. Deri në vitet tetëdhjetë u kthye në obsesion për politikën, me mbjelljen e tyre anembanë vendit: në fusha, male, brigje. Shoqëria natyrisht nuk mund të ishte indiferente, sepse quhej “ushtria e popullit ushtar”. Pastaj, breza të tërë u rritën nëpër bunkerë, në mos gjatë zborit për qitje, apo flirteve të shpejta me shoqet e klasës, shumë nga ne e kanë përdorur për nevoja fiziologjike. Rënia e diktaturës e vërviti bunkerin pashmangshmërisht në harresë. Nuk i duhej ushtrisë, nuk na duhej në zbor, nuk i duhej ekonomisë; madje doli i papërdorueshëm edhe për përqasje seksuale, meqë ndërkohë rehatia e shtëpisë u bë më e arritshme dhe gjithsesi lindën motelet e para të mëkatit.
Sot forcat e armatosura nuk është se gëzojnë ndonjë prestigj të madh në opinionin publik. Artikulli me titull “Forcat e Armatosura, përse na duhen”, botuar tek Panorama (5 dhjetor 2007) nga Elmas Leci, Rektor i Universitetit Ushtarak “Skënderbej”, vetëm sa na jep provën e pakontestueshme se edhe vetë ushtarakët e ndjejnë të nevojshme t’u shpjegojnë qytetarëve arsyet e ekzistencës së tyre. Njëkohësisht, është e lehtë të kuptohet se shpjegimi i këtyre arsyeve nuk mund të bëhet sot me historinë e lavdishme të Mehmet Pashë Dërrallës, as me referime aseptike ndaj Kushtetutës.
Edhe pse arma ka qenë pjesë përbërëse e kulturës dhe imagjinarit shqiptar, edhe pse rajoni ka kaluar konflikte të vazhdueshme, marrëdhëniet shoqëri/ushtri mbeten të kompleksuara. Shumë pyetje e dyshime fërfëllojnë ende në ajër. Pyetje që kanë të bëjnë me rolin real të ushtrisë në mbrojtjen e vendit, efikasitetin e saj të djeshëm por edhe të sotshëm, profesionalizmin e deklaruar, kontributin efektiv në arenën ndërkombëtare, e kështu me radhë. Mënyrat e shprehjes së mosbesimit janë të shumëllojshme; mund të dallohen në apatinë e njerëzve ndaj problemeve të ushtrisë, në përpjekjet për ta evituar shërbimin ushtarak, në batutat për paradën e disa ditëve më parë, në zemëratën për trafikun e shkaktuar…
Kuadri ndërkombëtar që mund të përvijohet nesër ka gjasa ta përthellojë krizën e besimit. Hyrja në Nato, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pavarësia e Kosovës, integrimi i Ballkanit perëndimor, i heqin retorikës kombëtariste kartat më të fuqishme në krijimin e figurës së armikut. Nga fqinjët që kemi, cili është armiku ynë sot? Po nesër? Ndaj kujt duhet të mbrohemi? Kur kishim tamam ose relativisht nevojë për ushtri, nuk e patëm. Për fat, gjatë luftës së Kosovës, na ndihmuan forcat ushtarake të Nato-s, ku shpresojmë dhe urojmë të bëjmë pjesë sa më shpejt. Por në qoftë se anëtarësimi do t’i nevojitet vetëm borderosë së oficerëve, buxhetit të paradave, apo propagandës politike, kush do t’i ndalojë njerëzit të rrëfejnë neobarceleta për “komplekse rripash” apo të flasin për zgjedhjen e Kosta Rikës? Pa përmendur alternativën tjetër, ndoshta më të keqen: indiferencën totale.
Pishak, kur thua ‘gjetiu’ per ku e ke fjalen?
Mos eshte ushtria shqiptare si kravata, ploteson veshjen formale, pa ndonje funksion domosdoshmerisht utilitar?
Natyrisht që indiferenca totale është dhe reagimi më i pritshëm.
Me duket se po ngaterron ushtrine me Shqiperine, e dashur LG
Komplimenti Pishak!
Një artikull ky, ku ndoshta më shumë se çdo analizë tjetër, tregon shpërbërjen dhe shuarjen e vlerave në/me të cilat kemi besuar dhe jemi rritur.
Simbioza e shqiptarit me armën nuk ka qënë “kravatë” kaubojsash por ka qënë një simbiozë e diktuar nga rëndësia me të cilën Ai shikonte Familjen, Nderin, Pronën dhe lidhjet e Besës me burrat e tjerë.
Dhe tek shuarja dhe nënvleftësimi sistematik që i është bërë këtyre vlerave në këto vite që duhet kërkuar ai gjetiu që përmëndej më sipër, sepse nuk ka as “armiq të jashtëm” dhe as strategji të agjenturave dhe kundëragjenturave të huaja…. kur është puna për të shkatërruar, jemi shumë të zotët t’ja dalim vetë mbanë (në fakt e filluam rikonstruktimin e demokracisë duke filluar me shkatërrim).
Tek http://xhaxhai.wordpress.com/obobo/etika-ne-perandorine-zero/
është trajtuar mjaft mirë ky problem.
Në vendet e vogla ushtria ashtu përfundon, në kravatë ose në stoli protokollare; kur nuk përdoret për t’i garantuar (ose rrëmbyer) pushtetin klasës në pushtet. Shqiptarët kanë traditë të vjetër në përdorimin e armës si mjet në transaksionet sociale, por kjo s’ka të bëjë shumë me organizimin e sotëm të ushtrisë, as me rolin e saj brenda dhe jashtë vendit, e as, më në fund, me raportet e saj me shoqërinë shqiptare. Këmbëngulja për t’u futur në NATO i kërkon qeverisë shqiptare të bëjë çmos për t’i modernizuar e sidomos lustruar forcat e armatosura, por funksioni i këtyre forcave mbetet i paqartë. Mua do të më pëlqente sikur shërbimi i detyruar ushtarak në Shqipëri të shndërrohej gradualisht në shërbim civil, dhe të rekrutuarit të përdoreshin për të ndihmuar në situata krize ose për të ndihmuar në ndërtimin e veprave civile; sepse nuk më duket se ka kuptim që arteriet kryesore automobilistike të vendit, ose edhe urat e veprat e tjera inxhinierike të infrastrukturës të lihen të shkatërrohen nga mungesa e mirëmbajtjes, në një kohë që lulja e rinisë kullon trutë duke studiuar taktikat ofensive e difensive të NATO-s, ose teknikat e mbrojtjes ndaj sulmit bakteriologjik me antraks.
Një artikull i Ben Andonit që ia plotëson për bukuri kuadrin historik temës së këtushme, duke provuar edhe nga një anë tjetër absurditetin e investimeve të mëdha ushtarake për vende si Shqipëria: shkojnë të gjitha dëm.
Sa për ushtrinë e viteve të totalitarizmit, e vetmja e mirë e qëndrueshme që i erdhi shoqërisë shqiptare prej saj ishte mundësia që u dha me qindra mijëra të rinjve, sidomos nga fshati, që të njihnin vendin e të shëtisnin e të shkelnin krahina e zona që përndryshe nuk do t’i kishin shkelur kurrë; por edhe të binin në kontakt me shqiptarë të tjerë, nga gjeografi e dialekte të tjera, e të gjenin me ta të përbashkëtën prapa dallimeve krahinore e lokale. Ushtria është një nga ato institucione që ia dha njëfarë uniteti shoqëror Shqipërisë përtej simboleve politike dhe kombëtare (si flamurit etj.), sepse njohja e drejtpërdrejtë me realitete ndryshe u jepte njerëzve frymëmarrje, i bënte të vetëdijshëm se atdheu nuk u mbaronte te qafa e malit apo në fund të luginës ku u shtrihej fshati. Njerëzit lidhnin miqësi e vëllazëri ndërshqiptare, nga Vermoshi në Konispol; ndonjëherë edhe gjenin nuse e martoheshin; p.sh. një ushtar tropojan gjente nuse në Sarandë, ndërsa një dropullit e gjente në Kurbnesh. Fëmijët e këtyre çifteve të përziera e ndienin veten shqiptarë para se ta ndienin si të kësaj apo të asaj krahine, çka merrte rëndësi të veçantë për shoqëri me tradita të forta tribaliste, si shqiptarja. Sado paradoksale të tingëllojë kjo sot, bashkëjetesa e detyruar me “të tjerë” në kazerma i bënte të rinjtë ushtarë më tolerantë, sepse mësoheshin ta pranonin “Tjetrin” ashtu siç ishte; dhe mësoheshin ashtu që në të ri, para se t’u kalcifikohej truri me krenari krahinore ose fisnore. Të “bëje” ushtrinë ishte njëlloj si të kryeje edhe një shkollë të qytetarisë.