Gazeta “Shqip” shkruan se, sipas një televizioni bullgar, në Shqipëri sot paska më shumë se 100,000 minoritarë bullgarë, të cilët jetojnë, prej “më se 1000 vjetësh” në zona të tilla si Prespa, Shishtaveci dhe Golloborda dhe flasin edhe sot e kësaj dite “bullgarishten e vjetër”, të cilën edhe e shkruajnë me shkronja latine. Me këtë rast sillet edhe deklarata e një Haxhi Pirushi, kryetar i “shoqatës së Gollobordës për Shqipërinë”, i cili thotë se “bullgarët që jetojnë në Shqipëri janë më patriotë se ata që jetojnë në Bullgari”.
Që prej 1990-ës e këtej është marrë vesh se Shqipëria është një truall i banuar nga grekë, vllehë, romë, jevgj, maqedonas, turq, arabë, arapë, bullgarë, malazezë dhe tek-tuk ndonjë hebre dhe armen i rastit. Enigma më e madhe e albanologjisë është të shpjegojë se përse kjo turli e habitshme shumëkombëshe flet ende gjuhën shqipe dhe e ka konsideruar veten, historikisht, si pjesë të popullit shqiptar. Për fat të keq, albanologjia post-moderne është duke i shpenzuar ato pak energji që i kanë mbetur duke kërkuar rrënjët e shqiptarëve në Greqinë e Lashtë, në Trojë, në Etruri, në Kashmir, në ishujt e Egjeut, në Egjiptin e Faraonëve, e në famijet mbretërore të Evropës Mesjetare.
Kjo do të thotë edhe se mizëritë e shqiptarëve që po i firojnë Shqipërisë sot, nuk humbasin pa lënë gjurmë; sepse rishfaqen në historinë e lashtë të njerëzimit, që me Adamin dhe Evën.
Ka komunitet bullgar në Shqipëri? Natyrisht ka. Nëse pranojmë komunitete shqiptare të shpërndara anë e mbanë, që nga Italia e Jugut në Dalmaci, që nga Bullgaria në Ukrainë, që nga Turqia në Egjipt, atëherë nuk ka pse të habitemi, as të shqetësohemi që edhe në trojet tona të gjenden ngulime popullsish të tjera, të cilave askush nuk ua dikton dot identitetin etnik. Me këta njerëz shqiptarët etnikë kanë jetuar në paqe e në harmoni, kanë bërë krushqi e tregti, kanë shkëmbyer gra e sëpata, e kanë ndarë të njëjtat fatkeqësi e të njëjtat gëzime.
Çështja është: pse po ndodhin pikërisht tani këto rivlerësime identitetesh etnike? Unë besoj se zbythja e shqiptarisë i detyrohet mjerimit total të shtetit shqiptar “demokratik”, të cilit nuk i ka mbetur më kurrfarë dinjiteti e autoriteti në sy të qytetarëve të vet. Rilindësit e patën thënë e përsëritur se Shqipëria e tyre ishte më shumë projekt e dëshirë, sesa realitet për t’u mbrojtur; e as mund të identifikohej vetvetiu me shqiptarinë. Klasa që ka sot në duar pushtetin politik dhe ekonomik nuk ka kohë për filozofi të tilla, as e ndien nevojën që të kultivojë një klasë priftërinjsh kombëtarë që t’i përpunojnë. Ndërkohë, nderi i qytetarisë shqiptare është më i nëpërkëmbur se kurrë.
“Things are falling apart, the center cannot hold,” shkruante Yeats. Në mungesë të autoritetit shtetëror dhe të shtetit ligjor, Shqipëria shpërbëhet dhe shqiptarët gjithnjë e më tepër binden për kotësinë e të identifikuarit me një shtet i cili kërkon haptazi t’i grabitë e t’u rrjepë lëkurën, duke mos u dhënë asgjë si shpërblim. Kësisoj, qytetaria vjen e ia lë vendin tribalizmit, dhe shqiptarët gjithnjë e më dendur bien të flenë si shqiptarë e gdhihen grekë, turq, myslimanë, katolikë, ortodoksë, vllehë, shule, rom… Si mund t’i bësh me faj? Si mund t’i bëj unë me faj, që kam pasaportën amerikane në xhep?
Bo..bizantinizmi mbetet gjalle
Vërej që pasaporta ime shqiptare (alias letra higjenike me foton time përmbi) ka sot për sot vlerën e tregut të një frigoriferi në polin e veriut. Që nga, jam dakort rresht më rresht me autorin e shkrimit, për të cilin ndjej një zili jo indiferente në lidhje me pasaportën e tij amerikane.
Përshëndetje!
Nëse ky kushtrim i bullgarëve do të quhej aleancë bizantine, kjo do të ishte një tjetër përçartje shqiptare. Dihen mirë diferencat e mëdha brendasllave, të cilat nuk do ta favorizonin aspak çështjen bullgare sot, por sidoqoftë këtu nuk mund të spekullohet dhe të futet bizantini më i madh, Greqia. Sepse Bullgaria nuk është aletat i Greqisë. Përkundrazi. Kisha bullgare e humbi autoqefalinë kishtare në shekullin e 17-të nga turqit, të cilët këta iu imponuan bullgarëve administratorët e ashtuquajtur fanarjotë, duke e vënë patrikanën bullgare direkt nën juridiksionin e patrikanës greke. Edhe kur kisha bullgare mundi të mëvetësohej, me shumë luftë, patrikana greke nuk e njihte si patrikanë, por e quante patrikanën bullgare “eksarkat”, deri në fund të viteve 1940! Këtu nuk pa asnjë gisht bizantin/ortodoks, pra.
Përse do të mohonin shqiptarët shqiptarësinë e tyre (pavarësisht nga origjina shqiptare a jo e atillë e shtetasve në fjalë) nëse Shqipëria ishte vend/shtet për së mbari?
Për parantezë mund të them se nga 200 familje të fshatit tim jugperëndimor që janë ngulur tashmë përhershëm në Greqi në shumicë si homogjenë, vetëm një a dy familje do ta mohonin kombësinë shqiptare nëse nuk ekzisonte problemi kryesor i njeriut si specie; mbijetesa. E kush është përgjegjës për këtë, diktatura? Jo, or jo: shteti shqiptar. Madje dhe në vitin 1914, kur ministri i mbrojtjes i qeverisë së “Vorio Epirit” u zgjodh nga një fshat shqiptar, nuk u përzgjodh si grek, por duke shfrytëzuar konfliktet ndërfetare midis fshatrave myslimane të Rrëzomës kundër atyre ortodokse të Bregut, të cilat këto të fundit u dogjën dy herë ato vite nga myslimanët shqiptarë, në vitin 12 dhe 14.
Nën varfërinë e sotme nuk mundemi ne t’iu mohojmë të qenit komuniteteve etnike në Shqipëri, sepse pasojat do të jenë kundër çështjes shqiptare. Nuk mund të tregojmë ne se jemi kulturë tolerante me Tjetrit kur iu vëmë epitete bashkëqytetarëve tanë (bizantin, etj) për të zhbërë të vërtetat që na tejkalojnë.
Edhe këtë herë Xha Xhai na ndriçoi përmes së thjeshtës, tek ajo që dimë, që pranojmë, por që nuk e themi dot, qoftë se e marrim si të mirëqenë, qoftë se jemi mëkuar në një kulturë shpërqendruese, qendërikëse. Në të kundërt, sa herë që bëhet fjalë për tema kaq të kthjellëta, aktivistët shqiptarë në internet e lënë shkaktarin kryesor për të shpikur shkaktarë dytësorë.
Rrënjët e problemeve qëndrojnë vërtet tek pamundësia e shtetit shqiptar për t’u dhënë shqiptarëve një farë statusi dinjitoz qytetarie. Kjo ndoshta shërben si pleh për tokën e spekulimeve ku instrumentalizohen lloj lloj çështjesh. Nuk mund të mos vë re se ka një koincidencë të habitshme midis hyrjes së Bullgarisë në BE dhe kërkesës së komunitetit bullgar në Shqipëri për identitet. Çelësi shpjegues mund të ishte pasaporta bullgare, që lejon kalimin e portave të blinduara të Bashkimit Evropian.
Por edhe gazeta si “Shqip” nuk po më duken të pastra në trajtimin e çështjes në fjalë. Nuk them se nuk përbën lajm, por jo aq sa për të qenë në faqe të parë, e për më tepër në trajtën e një çakmaku kombëtarist/sensacional. Nuk duhet harruar se problemi nuk është shtruar ende në tryezat shtetërore, fakt që flet për një farë serioziteti nga ana e bullgarëve, me të cilët nuk kemi pasur ndonjëherë, për arsye gjeografike, debate për minoritete apo për kufij vizatuar gabim nëpër tekste shkollore.
Me këtë përqasje, që nuk është se s’ta mbush mendjen, kush e ka radhën, Pishak? Rumania? Jo vetëm që Rumania nuk ka pretendime gjeografike ndaj nesh, por ndërsa Bullgaria dëgjohet si emër asnjanjës, Rumania është parë si vend përkrahës në çështjet tona kombëtare.
Le të kujtojmë se në vitin 1991 Rumania zgjodhi një eksark rumun për ortodoksët e Shqipërisë, pavarësisht se shoqatat greke shkuan gjer në Vlorë, në disa fshatra ku pritej eksarku rumun, dhe bënë që vllehtë ta zënë me gurë dhespotin rumun. Të paktën kështu u tha në lajmet kishtare greke atëbotë. Sot veç, shtetasit shqiptarë do ta mendojnë mirë para se ta hedhin gurin ndaj një shteti me pasaportë evropiane.
Se shqiptari nuk di të hedhë gurin e të fshehë dorën, tha.