Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

NJË ART PËR TMERRIN

Në një ese të shkruajtur në vitin 1949, filozofi Theodor Adorno u pat shprehur se “Të shkruash një poemë pas Auschwitz-it është diçka barbare”. Atyre viteve bota po zbulonte, pak nga pak e dëshmi pas dëshmie, tmerrin e persekutimit të hebrenjve evropianë nga Nazizmi dhe eliminimin e tyre masiv në kampet hitleriane të shfarosjes. Ndonëse edhe sot e kësaj dite komentatorët nuk janë marrë vesh për ç’ka dashur të thotë pikërisht Adorno me atë aforizëm, shumëkush mendon se kuptimi ka të bëjë disi me pamundësinë për të krijuar dhe shijuar art optimist, pas katastrofës njerëzore të Luftës II Botërore.

Nuk dua të diskutoj këtu për Adornon; por vetëm të kujtoj se fjalët e tij më shkojnë ndër mend sa herë dëgjoj, ose përjetoj, ose lexoj për vyshkjen e mrrudhjen e përmasës artistike të jetës në Shqipërinë post-totalitare. Edhe pse shkrimtarët dhe artistët kanë qenë ndër më të shtypurit e të ndrydhurit e intelektualëve dhe ndër promotorët e liberalizmit në jetën sociale dhe politike, vitet 1990 treguan se çlirimi nga vargonjtë e frikës dhe të persekutimit nuk i shërbeu krijimtarisë; dhe se arti shqiptar me të shpejtë mori rrugët e komercializmit, provincializmit, dhe soditjes së kërthizës. Edhe më i rëndë akoma është konstatimi se ky art i gjymtuar tashmë po e humb edhe publikun e vet, meqë njerëzit çmësohen të përjetojnë eksperiencat e artit dhe tërhiqen drejt veprimtarish e zbavitjesh të tjera.

Pse heshtën kështu krijuesit shqiptarë? Më i shquari prej tyre, Ismail Kadareja, pas 1990s është marrë kryesisht me publicistikë dhe eseistikë, ndërsa proza artistike që ka botuar rishtas nuk ka krahasim me kryeveprat e mëparshme që ia përpinin njerëzit prej librarive, e madje ia vidhnin që në shtypshkronjë (por vallë kemi të drejtë morale t’i kërkojmë Kadaresë më tepër?). Të tjerë autorë nuk sinkronizohen dot më me publikun ose frymën e kohës; dhe zëri nuk u dëgjohet më edhe pse vijojnë të krijojnë e të botojnë; por në heshtje, thuase ndjekin një zakon pothuajse të tepërt e të harruar. Kanë humbur kompozitorët e njohur, piktorët dhe skulptorët e veprave të tilla që të trupëzonin shpirtin e epokës; pjesët teatrale aq shkëlqyese e të mirëpritura sa të shfaqeshin përnatë me vite të tëra; filmat artistikë që të mbushnin sallat e ku njerëzit të gjenin e të lexonin e të kuptonin vetveten, të djeshmen e të sotmen. Publikut shqiptar po i ofrohen rregullisht produkte kulturore të skaduara, të cekëta, shpesh të neveritshme; fryte të një kulture të niveluar nga poshtë dhe shpesh të plehëruar me pornografi të rëndomtë.

Të përsëritim edhe ne, me Adorno-n, se pas pesë dekadash dhune totalitare të shkruash një poemë në Shqipëri është diçka barbare? Të supozojmë se totalitarizmi e ka lodhur kaq shumë shqiptarin, sa ky nuk është më sot në gjendje të komunikojë nëpërmjet artit, as ta ndiejë nevojën për komunikim të tillë përtej argalisjes së përditshme në mass mediat? Apo vallë të sugjerojmë, dinakërisht, se dhuna policore e zbatuar mbi gjenerata krijuesish potencialë, përzgjodhi vit pas viti një tip të tillë artisti që mund të shprehej vetëm në mënyrë alegorike, e që kur e pa pastaj veten të lirë nga vargonjtë e humbi edhe dhuntinë ose shtysën ose pasionin ose delirin për art? Nëse është kështu, atëherë as tek të rinjtë nuk ka pse të mbahen sytë, sepse këtyre totalitarizmin nuk do t’ua rrëfejë dot kush; edhe pse të rinjtë kanë mundimet e tyre për të rrëfyer dhe eksperienca të tjera për të rikrijuar dhe përjetësuar.

Mirëpo kaq nuk mjafton. Tmerri shqiptar nën komunizëm është i atij lloji unik, që në duar të tjera do të ish transformuar në dramacitet artistik të papërsëritshëm; meqë kalvari i të munduarve të djeshëm nën diktaturë ende pret për Hugo-të, Tolstojt, Dostojevskët dhe Dickens-ët shqiptarë – për t’u mjaftuar vetëm me shkrimtarët. Ka nevojë për ta jo që të mos harrohet, e jo që viktimat e djeshme të marrin shpagim për padrejtësitë; por sepse vetëm nëpërmjet artit historia mund të mishërohet në vetëdijen e kombit dhe ta ndriçojë atë vetëdije. Pa përpunim dhe rikrijim figurativ, metaforik dhe narrativ të eksperiencës shqiptare nën totalitarizëm, vuajtjet e viktimave, të të pushkatuarve, të varurve, të mbyturve në qeli, të zhdukurve pa lënë gjurmë, të të vrarëve në kufi, të syrgjynosurve burgjeve dhe internimeve e të ndarëve për së gjalli nga gratë e fëmijët e tyre, rrezikohen të shkojnë dëm e viktimat e djeshme të flijohen për së dyti në harresë. Apo është e tepërt të shpresohet që arti i mirëfilltë t’ia japë Shqipërisë atë që politika dhe shoqëria civile nuk arritën dot, e pikërisht t’i shërojë mendjet dhe zemrat tona nga makthi, nëpërmjet katarsisit?

16 Komente

  1. Per te ardhur keq, ndoshta arsyeja kryesore eshte se ne ate kohe s’kishte c’te beje tjeter. Te shtynte izolimi per te krijuar dicka te bukur, dicka qe te jepte clirim nga burgu i jetes. Tani, artistet mund te ndjekin emisione per politiken, te shijojne ushqim te mire, te bejne pushime ku dhe kur te duan. Mjaftohen me dicka qe ju jep mundesi per te jetuar dhe aq.

  2. Une mendoj qe atdheu dhe bashkatdhetaret ne pergjithesi po kalojne nje shkretetire morale dhe artistet bejne pjese ne kete pejsazh. Nuk jam pesimiste prej natyre dhe shikoj jo pak blogje poetesh te rinj qe mundohen jo pa rezultat te krijojne.

  3. Tetena, nuk kam dyshim për vlerat e krijimtarisë së artistëve të rinj, por vetëm për shkretëtirën që ua pret veprat në atdhe. Shumë artistë e kanë mendjen vetëm për t’ia dhënë veprën publikut jashtë; dhe një pjesë vërtet e bëjnë se duan para, por një pjesë tjetër e bëjnë sepse në Shqipëri përpjekjet e tyre priten me indiferencë të madhe dhe mungojnë mjediset ku të konsumohet vepra. Kolektiviza ka një blog shumë instruktiv për këto punë, edhe pse të përqendruar në artet vizuale. Ka edhe një gjë tjetër që e përmendja në shkrimin tim: totalitarizmin duhet ta rrëfejnë artistikisht ata që e kanë përjetuar (dhe me këtë nuk kam parasysh librat e kujtimeve, por artin, ose rindërtimin metaforik, në kuptim të gjerë, të eksperiencës). Nëse kjo nuk ndodh, artistët e rinj mbeten pa rrëfenja, ose i zëvendësojnë me rrëfenja të tjera, të kulturave të tjera më aktive e pjellore.

  4. Ndoshta Kadareja ne monizem kishte nje pamje teper te qarte te realitetit ose nje orientim nga i cili cohej.
    Ne kemi 17 anarki, kur kane humbur orientimin pothuajse te gjithe.
    Ndoshta ai realitet qe ai qe e beri ate aq te madh e shume here e ka thene vet qe shume here nen diktature ca artist kane nxjerr vepra te medha.

    Pas 90, refuzimi i tij per te mare pergjegjesi qeverisje, largimi ne Parisin personal, ndoshta solli dhe fundin e tij, ose largimin e tij nga ai ambient ne te cilin ai jetonte e terheqiet e tij e ben te krijonte.

    Pas 90 nje rehati Pariziane kuptohet ndoshta u ndje mire ne fillim se shpetoi nga ato kokcarjet e shqiperise, po ndoshta qene dhe ato qe e bene ate te krijonte.

    Siduket ne 90 kadareja doli ne pesion.

  5. Eshte koha ti japim dhe pak kredit atij shteti te para 90 ndoshta per qellimet e tij politike, po fakt eshte qe hapi kudo ne cdo cep teatre , pallate kulture etj.

    E di qe te shume kjo qendron e rende, sic qendronte e rende dhe te une pas 90, po nje nga arsyet qe ne kemi cuar veten ne papergjegjshmeri pas 90tes, eshte qe i kemi hedhur benzine zjarit , e nuk kemi arsyetuar qete e ti kthenim gjerat nga nje funksionim i keq komunist, ne nje organizim te mire e rigoroz kapitalist e nen regullat e tij.

    E keqia i shkoi per shtat dhe klases politike rastesore te pjelle nga ndryshimi i papritur e i papergatitur i sistemeve, qe e gjitha ishte ishkomuniste, e u vente per shtat te mohonte cdo gje ne menyre te qe fshihnin veten e tyre si komuniste te para 90 gje qe i sillte probleme pas 90tes.
    Cedo se me te njejten menyra e zakone si ne komunizem.

    Fol me konkretisht, shqiperia sot ngjan me teper me Shqiperine e para shtetetore, sic kane qene ne shume vende, ku mbizoteronin kreret lokal, e qofshin kont, feudal , bejler a bajraktar. Ne kohen e Esat Pashes kur per te nuk kishte interesa kombetare po kishte vetem cifligu i tij personal e politik. E sot ke cifligjet e Sales etj me radhe e ke rotull Cilietn e nje grup cingiesh qe argetojne turmat qe rendin nga mitingu i Sales te mitingu i kofsheve te Cilietes.

  6. Krijuesit shqiptare jane pasardhesit e “sklleverve” qe ngrinin lavde per Udheheqesin. Secili prind i la si trashegim femijes se vet nje maske qe qesh por pa jete, te ngjashme me ato 3 milion fytyra qe duartrokisnin zellshem parrulla gjumeprishese.

    Pse mendon ti i dashur Xha Xha qe shqiperia paska potencial qe te bej art te mirefillte i cili do te mbante gjalle ndopak jete, apo do te sherbente sadopak si far? Per cilet artist e ke fjalen?

    Artistet/ Rrebelet e vertete ishin rrebele asokohe dhe vazhdojne te jene rrebele edhe tani. Ata te cilet ishin te burgosur me trup por por te lire me shpirt jane pak, te mjaftojne gishtat e nje dore per ti numeruar. Z. Trebeshina ka permendur dikur kur i eshte atribuar merita e disidentit dhe te burgosurit politik: “i burgsur nuk kam qene une, une kam shkruajtur cfare kam dashur. Te burgosur kane qene ata te cilet kane shkruajtur cfare kane dashur te tjeret, ata jane te burgosurit.” Te tjeret te cilet jane te burgosur ne shpirt, nuk e kane problem te marrin fryme kur i thone babai, te hane buke kur i lejojne, te mendojne kur nuk kane frike, dhe te bejne “art” te cuditshem, art qe nuk mund te kuptohet, nuk mund te kete kuptim ne ate qe pretendon. Mendo “Arti i realizmit socialist”. Cuditshem mund te rri fjale tjeter pas fjales “Realizem”.

    Artiste te cilet marrin fryme kur u thone nuk mund te quhen artiste. Ata te cilet nuk diten te marrin pergjegjesi mbi vete kur duhej, mos te qahen tani per audiencen shqptare e cila nuk ka nivel apo eshte per te vene duart ne koke. Ed Ypi & CO le mos te bej subjekt te ironise se tij asnje shfaqje Tushemishtase, ndaj te ciles eshte pergjegjes edhe pse ne menyre te terthorte.

    Publikut shqiptar po i ofrohet art abstrakt per nje fakt te vetem, sepse ata te cilet bejne art tani fshehin pa-aftesine e tyre pas abstraksionizmit, te cilin, e servirin si avangardizem, nivel, largpamesi, zhvillim etj.

    Z. Kadare eshte nje “ish” i cili nuk mund te jete me, eshte nje “ish imazh fari” i vizatuar ne leter i cili nuk ndricoi kurre, nje cope buke e thate e shoqeruar me aromen e darkave te pallatit mbreteror i cili i’u ofrua te uriturve.

    Tmerri shqiptar nen komunizem eshte unik dhe i paperseritshem sepse eshte tmerri i njerezve te cilet nuk aspirojne. Eshte shembulli i njerezve te cilet durojne ne pambarim, eshte tmerri i njerezve te cilet i kendojne kacakeve dhe u ngrene lavde shtypesve. Katarsisi pritej te ndodhte prej gjenerates se re, por ajo eshte shume “besnike” ndaj gjurmeve te eterve.

    Tani me thuaj pak ku i sheh ti artistet prej te cileve pret te mbajne gjalle kujtimin e asaj qe iku?

    Mua me vjen keq per sakrificen e artisteve te cilet vdiqen realisht dhe atyre qe vdiqen per se gjalli. Por ndoshta duhet zgjedhur edhe per ke te vdesesh.

  7. Duam nuk duam ne,Shqipëria s’ka për të pasur ndonjëherë Dickens,Hugo apo Tolstojë dhe Dostojevska,nuk është mbrujtur ndonjëherë një elitë e tillë.Para një shekulli e gjysëm,elita shqiptare e letrave merrej me përgatitjen e abetareve që do të shpërndaheshin fshehtas shqiptarëve që nuk ishin të lirë të lexonin në gjuhën e nënës,kjo elitë humbi,u harrua për nderin e kombit dhe të gjuhës që unë po shkruaj,ndërkohë që Hugoi apo Dostojevski bënin mrekullira me penën e tyre.Pas virusit otoman dhe grek,erdhi virusi i përbërë nga serbë dhe shqiptarë.Komunizmi angazhoi një makinë vrastare për të gjithë elitën që kishte studjuar në perëndim dhe që kishte pak ide reaksionare,rebele,ide perëndimore.Shumica e kësaj elite,kompozitore,piktorë,shkrimtarë,u dënuan dhe disa edhe u pushkatuan.Por edhe pse fizikisht nuk kishin vdekur,kjo elitë vdiq shpirtërisht.Cfarë i ngelet një shkrimtari në qoftë se i heq të drejtën e shkrimit,ose një regjizori të bëjë një film apo të ngrejë një trupe teatrore,asgjë,ai është i humbur,i vdekur.
    Por,mund të flasim edhe për virusin rus apo kinez që shoqëruan kulturën shqiptare për vite të tëra,duke i hequr çdo lloj shanci për tu përballuar me kulturën përtej detit adriatik.U desh hapja e ngadaltë e Shqipërisë që disa intelektualë,shumica të privilegjuar dje dhe të përkëdhelur nga fati sot,të hidhnin hapat e para për të zbuluar se çfarë po ndodhte në kontinentin tonë,që aq shumë e kishim nëmur dhe larguar nga sytë dhe shpirti i shqiptarëve.Virusi i globalizimit,një virus që ka kapur gjithë planetin,ka përfshirë pothuajse gjithë elitën që po përgatitet(j) për t’i dhënë Shqipërisë shkrimtarë të denjë për tu krahasuar me të “huajt”,artistë vizualë për të ekspozuar nëpër galeritë lluksoze të Europës së pasur,dhe muzikantë apo kineastë që të bëjnë të mundur një nivel artistik duke përdorur një estetikë të thjeshtë dhe jo të kopjuar si disa këngë që dëgjohen nëpër radiot shqiptare.
    Nuk do të flas për Kadarenë,të huajt na e duan shumë,është i lexuar,i rrespektuar,dhe nganjëherë duhet pranuar e keqja më e vogël për të mos mbetur thatë.Biles sot mora një email nga një miku im francez që më pyeste për këtë shkrimtar pasi kishte lexuar Prill i thyer.Cfarë t’i thoja?Që edhe unë e pëlqej,është një shkrimtar që ka shpëtuar nga infektimi dhe ka patur fat me largimin nga Shqipëria.

  8. te me falni nqs jam shume direkt, apo nqs mund te jem keqkuptuar diku ne lexim. ne fund te fundit ky nuk eshte vecse opinioni im; ne qofte se kritikojme mangesite ne krijim, duhen kritikuar edhe mangesite ne kritike.

    fatkeqesisht, shoh nje lloj pesimizmi te tepruar te nxitur nga xhaxhai. nderkohe qe jam absolutisht dakord qe kritika duhet bere dhe ajo qe eshte duhet thene ashtu si eshte, qe kjo kritike te jete konstruktive, nuk duhen pare vetem anet negative, por edhe ato pozitive, ku do qe jane. me gjuhen e popullit, t’i thuash derrit derr e dajes daje. me duket absolutisht e pamundur qe krijimtaria e artit shqiptar te jete kaq e nxire sa po e marr prej xhaxhait, dhe duke u fokusuar tek letersia, krejt e pavlere te flitet per mangesite e kadarese pas komunizmit nderkohe qe mund te flitej per nje periudhe mjaft te arrire prolifike te kongolit, i cili po rrefen bindshem pikerisht kete periudhe qe eshte vene ne shenjester. natyrisht kongoli mund te kete te metat e veta, por nuk e kam llafin vetem tek nje kritike e mirefillte e kongolit (dhe absolutisht nuk po ia kerkoj xhaxhait kete), por tek metoda kritikuese qe ve re here pas here tek xhaxhai, kritika e te cilit eshte ajo qe lexoj se fundmi.

    ne nje shenim mbi ed ypin, ne blogun metalepsies te d., ai thote se e vetmja kritike e ypit eshte ne formen “te mjeret ne”, nje qurravitje per te ardhur keq. te njejtin reagim “te mjeret ne” mund te ngjalle edhe xhaxhai, por jo me ne lidhje me gjendjen e fshatit shqiptar, por ne lidhje me gjendjen e artit shqiptar. gjendja institucionale e artit pamor, me gjithe perpjekjet indipendente te disa kuratoreve, eshte me te vertete per te ardhur keq. kerkimi i nje audience te huaj nga artistet shqiptare dhe mbi te gjitha mosperpjekja e tyre per te gjetur komunikim tek auditori shqiptar, eshte per te ardhur edhe me keq. por nuk duhet harruar qe tregu eshte gjithnje e me global, suksesi i disa prej artisteve tane duhet vleresuar si sukses ne kete treg, (pune te tre musketiereve kam ndermend, natyrisht).

    per filmin eshte me te vertete gjynah te flasesh, ndaj dhe po i bie shkurt dhe po e mbaj kritiken ndaj filmit vetem brenda mangesive teknike. nderkohe qe mungesa e teknikes ne video art mund te maskohet pak me ane te nje diskursi modernist e me teper me ane te nje diskursi postmodernist, standartet teknike hollivudiane, franceze, italiane, britanike, etj, e demaskojne filmin shqiptar per corapin qe eshte, ku nje here ne 15 vjet mund te shpetoje anagnosti.

    po ashtu, duhet permendur qe libri fatmiresisht nuk has ne aq shume veshtiresi institicionale sa artet pamore. burokracia e botimit sa do e bezdisshme, eshte nje burokraci qe tregon se institucioni i librit te pakten eshte aty. perseri kongoli me vjen ne mendje. edhe pse ndoshta ende i panjohur sa duhet nder shqiptare, -te cileve iu eshte ngulur ne mendje keq kadareja e nuk po iu shkulet- kongoli as nuk po hesht dhe as “virusit” nuk po i ben bisht. perkundrazi, po ushqehet me te, vetem mbani vesh se c’rrefen. per te sjelle nje shembull te thjeshte, ate qe von tufa, apo de tufa (cfaredo tiltulli t’i kete dhene vetes, prusian, apo freng) perpiqet t’a zhgrrapi me arrogance tek “dueli”, kongoli e arrin me perulesi tek “lekura e qenit” me ane te nje zhbirimi psikologjik te arrire. nese nuk njihet kongoli nga kritika, do doja qe kjo te vije si rrjedhoje e nje injorance gjenuine me mire, se sa si rrjedhoje e nje injorimi te qellimshem per hir te nje kritike sa me agresive ndaj gjendjes se letersise shqiptare. rreziku i nje kritike te tille, ku injorohen krejt aspektet pozitive, eshte se mund te jete shkaterruese dhe konfuze ne vend qe te jete rregulluese dhe sqaruese.

    nderkohe qe krijimi eshte mire te mos kete fre, kritika duhet te kete me teper kujdes. fakti qe ne shqip sot ka me teper kritike se krijimtari eshte me te vertete domethenes per gjendjen fatkeqe te te dyjave, por kjo nuk do te thote se kane heshtur krijuesit shqiptare, apo se kritika nuk i bie kurre ne koke problemit.

  9. …ndërsa mua me duket se shqetësimi i Xha Xhait është kuptimshëm intelektual, nuk duket si ndonjë qarje sesa është një lloj thirrjeje e përmbajtur, ftesë dinjitoze edhe pse mesazhi nuk mund të fshehë – jo paarsye – ca habi.
    Krahasimi sado i largët dhe për efekt shembulli të thjeshtë, me Ypin, nuk më duket me vend. Shkrimet e Ypit janë aksidentalë, të vetkënaqur, shfrytëzues, naivë dhe arrogantë, ndërsa këtu mua më duket se me mjaft intiutë i bëhet thirrje ndërgjegjes duke e treguar jo rrallë edhe vendin edhe kordinatat, në raste më të rralla, por absolutisht se mungojnë, për një lexues të vëmendshëm hidhet dhe fjala për zgjidhje, për mënyra, për mjete…dikujt i duhet vetëm ta marrë seriozisht. Unë nuk besoj se është detyra e intelktualit tu vërë shpatullën njerëzve e ti çojë atje ku ata mund të bëhen më së fundi funksionalë, apo t’u krijojë kushtet, apo ti përkëdhelë duke i përgëzuar se mos humbasin besimin tek vetja, detyra e tij në fjalët Said-it, është të qëndrojë majë një pirgu dhe të shohë aty ku të tjerët nuk munden e të tregojë rrugën…Në këtë kontekst fakti që i zoti i shtepisë thotë, Hugo-njtë, Tolsotoi-njtë, Dikens-ët, dhe jo Xhojs-at, Kafk-at, Proust-ët, Becket-ët, mua më duket mjaft domethënës dhe bie pakushte dakort…por kështu them unë dhe unë keqkuptoj jo rrallë!

  10. D., nuk më ke keqkuptuar. Përkundrazi! Ndoshta duhej të kisha shtuar edhe Solzhenjicinin në listë, sepse ai më vjen në mendje kur duam të kujtojmë krimet e pashembullta të Stalinit (jo studimet historike e dokumentare të një, bie fjala, Roy Medvedev ose Robert Conquest). Arti e bën historinë reale për të tjerët. Viti 93 i Hugo-it më ka bërë edhe mua bashkëkohës të revolucionit francez. Përkundrazi, Kafka më ka veshur të njëjtat pizhame me të vetat, në të njëjtën çmendinë.

  11. Pas 50vjet ndrydhjesh, ato penat e persekutuara do të kishin hedhur dy rrjeshta në letër…… ku janë?
    Ndoshta makina e propogandës komuniste e përmbante në llogarinë e saj investimin në art dhe kulturë, dhe për art e kulturë studjohej jo vetm materializmi dialektik dhe historia e ppsh, por edhe teknika dhe anët e tjera të artit, dhe s’mund të thuhet se nuk ishin po ato baza të teknikës që studioheshin dhe në vëndet e tjera të botës….
    Edhe diçka tjetër: gjysmat e atyre autorëve që përmëndte D, unë i kam patur në bibliotekën time, gjë që më bën të them, se edhe në Bibliotekën Kombëtare, s’kanë qënë vetëm vëllimet e enverit ose ‘shënime për kinën’, por edhe penat e arta të letërsisë botërore.
    “per assurdo” kur thonë italianët: Po sikur ajo periudhë vuajtjesh dhe sakrificash NGA TË GJITHË të qe vërtet burim frymëzimi për artistët e asaj periudhe ?
    Përderisa krijimtaria mungon sot, sipas konstatimit të Xha Xhait, do të thotë se mungojnë dhe elementët që ta shtyjnë krijimtarinë që të thotë diçka për të qënë e denjë për të hyrë në historinë e Artit shqiptar.

    Natyrisht që me hyrjen e internetit dhe fuqizimin e mediave, propoganda e shtetit sot s’ka më nevojë për artin dhe artistët, dhe vështirë që ata të kenë ndonjë ‘shtysë’ ekonomike për tu impenjuar seriozisht në fushën e tyre, ndërkohë dhe era e filantropëve dhe mecenatëve duket se ka perënduar….. çan dhe mund të çajë vetëm ndonjë që vërtet ka ndonjë gjë për të thënë…… dhe të tjerët është më mirë që as mos të hapin gojë e të qahen se s’mundën, se edhe ato pena që kanë dhuntinë e përdorimit të fjalës (dhe këtu, pas shkrimeve të fundit që kam lexuar, jam komplet dakord me D), duke kërkuar medoemos që të tregohen protagonistë të ‘luftës së madhe’ bijen në banalitete.

  12. d. ne te njejtin kontekst, edhe une nuk thashe tufa apo visar zhiti, por kongoli.

  13. Me sa duket është momenti të bëj edhe unë një saktësim: nuk jam në gjendje të them nëse krijimtaria ndër shqiptarët mungon apo jo; por kam përshtypjen se cfarë i mungon publikut atje është qarkullimi normal i produktit ose i mesazhit artistik. Ti mund të shkruash një roman të mrekullueshëm, por ai roman nuk i ka mundësitë të arrijë publikun përkatës, as publiku po e ndjen shumë nevojën për kësi romanesh. Gazeta Shqiptare e përplas në faqe të parë që një vajzë e njohur kryesisht për hiret e saj femërore ka vendosur të rrijë “single” deri në 5 shtator (po kujt i plasi); por nuk e kam parë të hapi me romanin e fundit të Kongolit, ose me një vepër arti që meriton vizibilitet, qoftë edhe sipas gazetës. Kanë thënë, për Mesjetën, se gjithë komunikimi kulturor zhvillohej brenda dikursit religjioz; sot ndoshta duhet të themi të njëjtën gjë për mass mediat, të paktën në Shqipëri. Kjo dukuri e bën protagonizmin e politikës veçanërisht të shëmtuar. Një shoqëri që nuk ka artistët, shkrimtarët, piktorët, kompozitorët e vet, është shoqëri e brutalizuar; e gatshme për t’u egërsuar e për të kultivuar tiparet më të shëmtuara të njeriut-majmun. I njëjti diskurs vlen edhe për fenë; sepse feja qenka kaq e rëndësishme për funksionimin normal të shoqërisë, sa në mjedise fetarësh edhe ateistët funksionojnë më mirë. Fakti që diskursi religjioz i shqipes nuk është lëvruar prej dekadash ia ka tharë trungun gjuhës, duke e privuar nga një përmasë e domosdoshme. Ne shohim nga Evropa dhe themi se Evropa po bëhet përditë e më agnostike, por agnosticizmi i Evropës shtjellohet duke iu referuar pranisë kapilare të fesë atje, në çdo aspekt të jetës publike; ndërsa për ne shqiptarët kjo nuk ka vlerë. Me fjalë të tjera, shqetësimi im ka të bëjë me përmasën shpirtërore të shoqërisë shqiptare, jo me faktin nëse botohet dot apo jo Fatos Kongoli. Nga ana tjetër, edhe në vitet e tmerrshme 1980, unë e kisha mundësinë të shkoja herë pas here të dëgjoja Beethoven-in, Schubert-in ose Chopin-in në koncert; biletat ishin të lira, vende në sallë kishte, dritat nuk iknin gjatë shfaqjes. Rregullisht mallëngjehesha nga muzika, ndoshta sepse më kujtonte sa pak liri kishim përndryshe. Por të paktën mund të them se, edhe në ato kohë kur Ramiz Alia u tregonte anëtarëve të plenumit armën bastun me të cilin Mehmet Shehu kish dashur të vriste “Komandantin”, Chopin-i ose Hugo-i ose Stendhal-i nuk më linin në duar të majmunit brenda meje. Feja dhe arti – kjo është një temë që meriton të diskutohet veçmas (lexoni, bie fjala, një artikull të fundit nga Camille Paglia për këtë çështje), por besoj duhet mbajtur parasysh edhe në diskutimin e tanishëm.

  14. dakord. zevendesoni kritike me analize dhe me thoni kur ka qene hera e fundit qe analistet e kudondodhur shqiptar kane marre ne dore nje liber, qofte te kongolit, qofte nje perkthim te felliqur te solzhenitsyin, dhe te jene marre seriozisht me te? cfaredo qofshin politikat e mediave te shkruara ne fund ato do i dorezoheshin nje presioni te tille nga analistet. koncertet, baletet, operat e shekullit te kaluar behen ne shqiperi, rralle e per mall, s’diskutohet, teatri po ashtu, me gjithe egon e aktoreve, edhe ai zhvillohet, po a kane shkuar analistet tane neper keto evenimente per t’u marre me to seriozisht, apo per te bere nje pushim te shkurter mes tiradave kunder filan ministri, kunder filan projekti, apo kunder filan kolegu? shqetesimin tuaj do e kuptoja shume me mire keshtu. pse pra u shurdhuan keshtu analistet tane?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin