Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KOPSHTI I FQINJËVE

Rando Devole, në “Tema”, dt. 24 korrik 2007

Kur u zgjodh presidenti aktual i Italisë, Giorgio Napolitano, pak më shumë se një vit më parë, togfjalëshi që u përdor më shumë gjatë procesit të zgjedhjes ishte “metoda Ciampi”. Në atë kohë ky togfjalësh nënkuptohej vetvetiu, sepse presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi ishte ende në detyrë, si rrjedhojë zgjedhja e fundit dhe metoda e ndjekur ishte akoma e freskët. Jo vetëm se koha bën të vetën, por edhe sepse ndokujt nga publiku shqiptar mund t’i ketë shpëtuar, duhet kujtuar se Ciampi u propozua si president i Republikës Italiane nga mazhoranca e asaj kohe. Opozita e atëhershme, e kryesuar nga Berluskoni, pas një sërë diskutimesh të brendshme e pranoi kandidaturën dhe vendosi ta votonte në Parlament.

Kështu Ciampi u zgjodh President në maj të 1999-s, që në raundin e parë të votimeve, pra me dy të tretat e Asamblesë së kërkuar nga Kushtetuta italiane. Madje Ciampi e tejkaloi ndjeshëm kuorumin e kërkuar nga karta themeltare e Shtetit. Për shtatë vjet me radhë, Ciampi i dha vendit një nga presidencat më të shquara, ndërsa mënyra e zgjedhjes së tij i dha politikës neologjizmin “metoda Ciampi”. Me fjalë të tjera, kjo metodë nënkupton zgjedhjen e presidentit në mënyrë konsensuale, të hapur, luajale, dhe votimin e tij si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita.

Ciampi hyri kështu në historinë italiane si presidenti i tretë (pas Cossiga dhe De Nicola) që zgjidhej që me votimin e parë. Ndryshe nga pararendësit, Ciampi nuk ka qenë militant i ndonjë partie të veçantë, megjithëse nuk mund të flitej kurrsesi për largësi apo paanësi totale nga politika. Vetë postet që ka mbuluar gjatë jetës së pasur profesionale, si Kryeministër apo edhe Ministër i thesarit dhe i buxhetit në qeverinë Prodi, rrëfejnë se më shumë se apolitik, Ciampi ka qenë i ekuilibruar e jashtë partive, përveçse arkitekti i Evropës moderne dhe i përshëndoshjes ekonomike të vendit të tij.

Kur mandatit të tij shtatëvjeçar i erdhi fundi, opozita kërkoi një mandat bis, pikërisht se vlerësonte veprimtarinë e tij si President. Sondazhet konfirmonin të njëjtën gjë për parapëlqimet e qytetarëve, kurse internetianët flisnin me simpati për një “Ciampi reloaded”. Mirëpo Ciampi, pasi falënderoi fisnikërisht për besimin e përgjithshëm, nuk pranoi të rikandidohej duke u zotuar se do ta bënte me po aq përkushtim detyrën e ardhshme të senatorit për jetë. Në këtë mënyrë Ciampi nuk prishi as traditën – tashmë të konsoliduar të demokracisë italiane – për mospërsëritjen e mandatit shtatëvjeçar të presidentit, për të mos krijuar një farë “monarkie republikane” potencialisht çekuilibruese.

Për t’iu kthyer Presidentit aktual, Giorgio Napolitano-s, duhet thënë se kandidatura e tij u hodh po nga mazhoranca. Mirëpo kësaj radhe opozita, e kryesuar sërish nga Berluskoni, nuk e pranoi këtë kandidaturë, duke mëtuar zbatimin e “metodës Ciampi”. Porse, siç e tha edhe një personalitet i politikës, “metoda Ciampi” kishte nevojë për një personalitet me jetën e Ciampi-t. Kandidati i atëhershëm, Giorgio Napolitano, vinte nga e majta, me një karrierë të pasur si aktivist i saj, pra i anshëm nga pikëpamja historike. Kjo ishte edhe arsyeja që një pjesë e opozitës nuk pranoi ta votonte. Natyrisht nuk është vendi për analiza të hollësishme për klimën politike, kontekstin paszgjedhor, e të tjera elemente kësisoj. Si pasojë, Giorgio Napolitano u zgjodh President pas votimit të katërt, që kërkonte shumicë absolute, me votat e qendër së majtë, por edhe me disa vota të qendrës së djathtë.

Që Presidenti italian Giorgio Napolitano kishte shtatëlartësinë morale dhe institucionale njëlloj si të paraardhësit të vet nuk kishte pikë dyshimi. Personaliteti i tij politik ishte i padiskutueshëm, edhe pse ishte shprehur në radhët e një partie të caktuar. Para një viti opozita italiane bëri kritika të ashpra kundër metodës së ndjekur për zgjedhjen e presidentit, ndërsa nuk i munguan fjalët vlerësimtare dhe lavdëruese, krejtësisht të merituara, në adresë të Napolitanos si përfaqësues i denjë i politikës.

Si në zgjedhjen e Ciampi-t ashtu edhe në atë të Napolitano-s mazhoranca ishte e vetëmjaftueshme përsa i përket numrave. Por pjesëmarrja e opozitës ishte gjithsesi e rëndësishme dhe kuptimplote. Në fakt, edhe në zgjedhjet e fundit, opozita ishte në sallë, nuk e braktisi parlamentin, pavarësisht se votoi përgjithësisht me skedë të bardhë. Pati nga ata që nuk e kuptuan mosvotimin e kandidatit kryesor nga opozita. Sepse “metoda Ciampi” nënkuptonte edhe votimin e përbashkët (bipartizan). Fakti është se deri më sot nuk ka pasur asnjë ankesë nga opozita për menaxhimin e presidencës së republikës. Përkundrazi, Presidenti i sotëm italian është pikë referimi për të gjithë, ndërkohë që flitet për një drejtim të ekuilibruar e të përsosur në detyrat e tij kushtetuese.

Natyrisht, krahasimet e përkryera nuk ekzistojnë, por disa ballafaqime të realitetit shqiptar me atë evropian duhen bërë, të paktën për të pikasur ndryshimet thelbësore. Gjithsesi, ka disa mekanizma që mbeten universale. P.sh. në çastin kur presidenti votohet edhe nga opozita, ai detyrimisht “bëhet” edhe i saj, “përvetësohet” edhe nga ajo, pavarësisht se nga radhët e kujt partie vjen. Në bankat e parlamentit vota merr forcën e geneve, që së bashku i japin jetë dhe formë institucionit të ri. Ky i fundit nuk mund të jetë indiferent ndaj trashëgimisë së vet gjenetike, që do ta kushtëzojë pozitivisht edhe në të ardhmen. Votimi i përbashkët i ndryshon thelbin institucionit të Presidentit, sepse i jep atij ndryshmëri (diversitet), e mëson atë që në djep me mendimin ndryshe, e lidh ngushtësisht me Parlamentin dhe, së fundi, i jep forcën shpirtërore që të lundrojë i qetë nëpër dallgët e politikës duke pasur si busull kushtetutën dhe ligjin.

Përkundrazi, bojkoti e shtyn atë në krahët e shumicës zgjedhëse, e cila, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, i kujton atij se ngjitja në atë post ka një autorësi të vetme. Në qoftë se bojkoti është shprehja më e ashpër e refuzimit në demokraci, i shtrirë në kohë, ai bëhet edhe më përçudnues, sepse prish baraspeshat e sistemit, që në Shqipëri, për vetë brishtësinë e saj, mund të ketë finale nga më dramatiket. Nga ana tjetër, vota opozitare ia heq nga duart mazhorancës monopolin zgjedhor ndaj kandidatit për president, duke korrektuar në mënyrë të natyrshme ndonjë strabizëm eventual politik të lindur. Madje votimi i përbashkët e ndihmon presidentin e ardhshëm që të futet më lehtë në rolin institucional që i jep kushtetuta, duke i dhënë forcë e legjitimitet rolit të tij super-partes.

Shembulli i fqinjëve tanë tregon se rëndësia që forcat politike i japin institucionit të presidencës së republikës, nuk i përket sferës formale, por esenciale të demokracisë. Respekti dhe përnderimi me të cilët trajtohet Presidenti i Republikës lidhen me maturinë e partive, të cilat janë të parat që duhet të komunikojnë me të për funksionimin sa më të mirë të lojës politike. Njohja e tij, qoftë edhe kur vjen me vonesë, do të thotë pranim i rregullave të lojës, besim në sistemin demokratik, pjekuri e klasës politike. Paragjykimi i Presidentit të zgjedhur, e ca më keq delegjitimiteti i tij me çdo kusht, trondit themelet vetë të demokracisë, sepse goditet një nga shtyllat mbajtëse të strukturës demokratike, brenda së cilës, mirë a keq, gjendemi të gjithë. Kultura e institucioneve kërkon që besimi ndaj tyre të jetë reverencial, gati në kufijtë e kultit. Sepse besimi ua rrit vlerën dhe njëkohësisht i karikon institucionet që të funksionojnë rregullisht si të tilla.

Të gjitha polemikat e tanishme, që dalin edhe nga parametrat e diskutimit të ndezur për të përfunduar shpeshherë në dhunën verbale të ringut, vetëm sa e vonojnë normalizimin e raporteve institucionale. Tani procesi i zgjedhjes së presidentit – i cilësuar nga të gjithë si proces legjitim – ka përfunduar. Duhet thënë “më në fund”. Çdo akuzë, hamendje apo thashethem, i përket së kaluarës. E meqenëse Shqipëria ka më shumë nevojë për të ardhme se sa për të shkuar, do të ishte mirë që forcat politike t’i përveshnin mëngët për ta rindërtuar indin socioekonomik të vendit, të shqyer rishtas nga një krizë e pajustifikueshme, që për fat të mirë nuk shkau në zgjedhje të parakohshme. Presidenti i ri i vendit, më shumë se për urime rituale, entuziazëm instiktiv, apo akuza denigruese, do të kishte nevojë për bashkëpunim ndërtimtar nga të gjitha palët. Përndryshe, vetmia që ai post mbart në mënyrë implicite është tepër e rëndë, edhe për shpatullat e një politikani të moderuar e të vlerësuar si Bamir Topi.

 

2 Komente

  1. Ne si shqiptarë zakonisht në kopshtin e fqinjit prefrojmë të shikojmë gjëmbat dhe jo trëndafilat. Megjithatë shëmbulli italian është më i përshtatshmi për të bërë një krahasim me realitetin tonë. Duhet nënvizuar fakti që në Itali është traditë e konsoliduar që “Quirinale”, pallati presidencial të ketë një sjellje bipartizan në adn-në e institucionit që përfaqëson. Pothuajse asnjë, me ndonjë përjashtim të vogël të Skalfaro-s dhe Kosigës, nuk ka kërkuar ta personalizoj më shumë nga sa ka qenë e nevojshme,

  2. Në gjithë botën presidentët e zgjedhur kanë një të ‘shkuar’ në ‘sigurim’ ose kanë dorë të fortë në banka ose ekonomi….

    …..S’bëhen petullat me ujë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin