Vetëdija si vetëpastrim

I përkas atij grupi njerëzish që u bindën për maskarallëkun e regjimit pa bërë burg e internim, pa pasur të afërm të pushkatuar e të Ballit. Siç ndodh në raste të tilla, pakënaqësia më filloi për arsye triviale – libra, muzikë e rroba – mirëpo pata boll kohë të arsyetoj dhe të arrij në përfundime më të thella, ndërsa piqesha.

Nuk duhej të ishe gjeni në atë kohë, për të parë padrejtësinë sociale. Hipokrizinë e komunistëve dhe të lakenjve të tyre. Dhunën e verbër. Mungesën e të drejtave dhe lirive. Çështja ishte nëse kishe stomak për t’i gëlltitur këto gjëra. Megjithë atmosferën shtypëse, prapë mbetej një hapësirë për zgjedhje individuale. Jo të gjithë vraponin të aplikonin për teserën e Partisë. Jo të gjithë diskutonin me zjarr në mbledhjet e solidarizimit.

Jo të gjithë denonconin, raportonin, spiunonin kolegët, miqtë, të afërmit, familjarët.

Vetë kthjellimi etik përballë shëmtisë së diktaturës kërkonte një përkushtim dhe forcë morale; vendosmërinë për të qëndruar larg kompromiseve. Shumë ishin në gjendje ta bënin, por jo të gjithë. Nuk flas për ata që ishin të detyruar ta bënin qelive.

Neveria ime ndaj totalitarizmit ishte e natyrës morale, jo politike. Në rrethin tim kisha shokë e miq më të kthjellët se unë; por kisha edhe të tjerë që ende shpresonin. Shpresonin se e keqja e atij regjimi kish të bënte me keqkuptimin, manipulimin, imperfeksionin e njerëzve “poshtë”.

Megjithatë, mënyra si e zgjidhnim ne raportin me terrorin ishte distancimi. Përpjekja për t’u ndryrë në një botë të vetëmjaftueshme, larg rreziqeve të rrokullisjes. Kjo ishte një orvatje iluzore, por jo pa rezultate: ekuivalente e një droge të butë, por të besuar.

Në atë botë tonën artificiale nuk kishte vend as për komunizmin, as për terrorin. Regjimin, si të thuash, e kishim përjashtuar nga vetja.

Brezi im është rritur nën totalitarizëm, dhe unë e kam të vështirë ta kuptoj ç’do të thotë të rritesh në një shoqëri të lirë, e të zhvillohesh pa pasur përballë pengesën e përbindshme të shtetit. Ne lexonim atëherë Freud-in, Sartre-in, Oscar Wilde-n. Një libër me parathëniet e Bernard Show-t e kalonim dorë më dorë, si të ishte ndonjë album i Rolling Stones. Nëse brezat e kanë një mision, yni ishte të ruanim veten, si qenie njerëzore, përballë kafshërisë komuniste. Përsëri një mision etik.

Ndonjëherë mendoja se regjimi nuk merrej me mua dhe me shokët e mi sepse ishim tepër të parëndësishëm, tepër të vegjël, tepër jodomethënës. Si të kënaqur, si të pakënaqur, nuk luanim dot asnjë lloj roli në histori. [2004]

1 Koment

  1. Kjo teme me ka munduar shpesh. Kam diskutuar edhe me miq e shoke klase gjetke, nese ishte e mundur te jetosh ne ate “klime” dhe sidoqofte te mbetesh i/e paster e pa kompromentuar vlerat e tua.

    Vendosa te komentoj jo vetem sepse me sa duket na perkojne pershtypjet jo vetem nga kronologjia po edhe nga permbajtja: edhe une mesova sa kallp ishte sistemi ne te cilen jetonim jo nepermjet vuajtjes personale apo familjare te mirefillte sesa nepermjet mungeses se gjerave qe ne pamje jane xhinglamingla (:-)) si per shembull pamundesia per te pasur stilin tim te te veshurit apo pamundesia per te degjuar muziken e kohes (haptazi) apo lexuar librat bashkekohore, te gjitha simptoma te nje malaise me te madhe: mungeses se opcioneve, intolerances per individualitetin, shterpesise se burimeve prej nga te mesoje dicka me shume sesa c’permbante “menuja” shkollore e thate. E po aty, edhe pamundesia per te ndjekur prirje personale qe bien ndesh me ate qe pritet prej teje ose jeta (kur je me fat) ka ne plan per ty per shkak te rrethanave kryesisht ta palidhura me vete individin.

    Ruajtja e vetes nga dhuna dhe tharja shpirterore qe kercenonte jeta shqiptare asokohe varej deri diku edhe nga mosha e secilit prej nesh. Ne rrethanat e moshes dhe atyre familjare te miat (ushqimi i perditshem, streha mbi koke, dhe rrjeti shoqeror e familjar ishin te qendrueshem dhe pozitive), ishte relativisht e lehte. Ndonjehere mendoj me clirim sa me fat isha qe nuk linda 20 vjet para se te kisha lindur. Kam shpesh frike se do me ishte dashur te zgjidhja shume udhekryqe deri ne vitin 1990 dhe nuk di si do me ishte dashur te zgjidhja?

    A ndjehesh moralisht i/e qete ne keto rrethana per c’sheh rreth vetes dhe krahason ate me c’ke mundesi te besh? Per mua mosha ka qene celesi i fatit. Regjimi ishte dicka per te cilen nuk mendoja pervecse kur isha e detyruar te thosha dicka kallpe. Une e pershkruaj si jete paralele — ne universin tim politika nuk kishte as vend, as vlere. Ne rastet e vetme kur duhej perdorur, ishte si pilula e hidhur qe pime per te na hequr dhimbjen e kokes, pa menduar te shijojme apo t’i kushtojme kohe. Per fat te keq, perseritja e formulave si papagall ka kufizimet e veta. Ndersa mesova te isha bilbil per te kaluar radhen, kur ne njerin nga provimet kryesore ne fakultet pedagogu per gallate ose per te me zene ngushte me pyeti te tregoja epersite e ligjit tone (pak rendesi ka cili ligj) ndaj atij revizionist, ngeca. Pervec humorit, dua te them qe edhe te jetuarit ne paralel kerkonte perpjekje pak. Edhe sot e kesaj dite nuk do dija t’i pergjigjesha asaj pyetjeje sepse te thoshe qe ligji yne ishte superior ndaj ndonje ligji ishte nje nga absurditetet me te trasha qe mund te jene shkruar ndonjehere.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: