Demokratura

A ka njeri që të më sqarojë se çfarë ka tamam të majtë në veprimtarinë e ekzekutivit socialist sot në Shqipëri? Kjo nuk është pyetje retorike, as teorike. Në të vërtetë, qeveria Nano është paraqitur botërisht si qeveri e majtë dhe gëzon mbështetjen e së majtës evropiane.

Me sa di unë, tradicionalisht një qeveri e majtë do të përpiqej:Të zbuste hendekun midis shtresave të pasura dhe shtresave të varfra në vend, duke shtuar e artikuluar shërbimet që u ofron e garanton shteti subjekteve të veta.

  1. Të ndërhynte në ekonomi duke ndihmuar e forcuar sektorin publik, por edhe bizneset private.
  2. Të kujdesej për shëndoshjen dhe balancimin e buxhetit të shtetit, duke vjelur taksa nga të gjithë subjektet, por sidomos nga subjektet me të ardhura më të larta.
  3. Të hartonte dhe të zbatonte programe në ndihmë të të varfërve, të paprivilegjuarve, të rinjve, të papunëve, bizneseve të reja e të vogla, pensionistëve, veteranëve, pleqve, handikapëve, të sëmurëve, etj.
  4. Të ndërhynte në jetën sociale për të ndihmuar funksionimin e shoqërisë civile.
  5. Të kufizonte veprimin e “ligjit të xhunglës” në ekonomi dhe në treg.
  6. Të subvenciononte industri dhe biznese të tjera, në mënyrë të tillë që të luftohej papunësia.
  7. Të financonte përshëndoshjen dhe ripërtëritjen e zonave rurale dhe urbane të degraduara.
  8. Të konsolidonte sferën publike në ekonomi dhe në jetën sociale – mass media, arsim, shëndetësi, kulturë jokomerciale, asistencë sociale, etj..

Çështja është se, duke mos qenë e majtë një qeveri e majtë, atëherë as opozita nuk mund të jetë seriozisht e djathtë, veç në vendostë të dalë me një program ultrakonservator ose fashist.

Me fjalë të tjera, në qoftë se qeveria Nano anon nga politika të djathta pavarësisht nga arsyet që sjell për t’i përligjur, atëherë opozitës nuk i mbetet veçse ta kritikojë për korrupsion ose paaftësi, jo në programe.

Kjo lë të kuptohet edhe sikur paska vetëm një mënyrë si mund të qeveriset vendi; dhe se diferencat midis forcave politike qenkan të natyrës etike – ca të ndershëm, ca hajdutë; sa thonë të vërtetën, ca gënjejnë – ose thjesht personale.

Kam përshtypjen se shumë lojtarë në fushën politike dhe ideologjike po e ushqejnë këtë mendim: se ka vetëm një mënyrë si mund të qeveriset vendi, e vetëm një rrugë ku duhet të ecë Shqipëria. Atëherë mos duhet t’i themi lamtumirë pluralizmit? T’i hapim dyert diktaturës së ndritur të “arsyes” e të “bonsensit”?

Në çdo vend pak a shumë normal, lufta politike nuk është luftë personale midis politikanëve, por pasqyron kundërvëniet dhe ballafaqimet e ndryshme në shoqëri, ekonomi e kulturë.

Unë ende nuk e kam të qartë se interesat e cilës klasë a shtresë a grup përfaqëson, mbron e çon përpara qeveria e Nanos, përkatësisht opozita. Të thuash se mbron “interesat kombëtare” është demagogji e kulluar.

Ndoshta edhe opozita do të bënte mirë të përqendrohej sado pak në këto përcaktime, në vend që ta kalonte kohën duke bubullitur kundër Edi Ramës nëpër metingje, ose duke ia lëpirë fundbarkun eurokratit të radhës. [2003]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin