Marksi mes shqiptarësh

 

Pavarësisht nga ç’shkruajnë kalemxhinjtë dhe rrjepacakët e radhës, diskutimi për Marksin filozof nuk mund të shndërrohet në diskutim për viktimat e totalitarizmit komunist. Ekstrapolime të tilla nuk kanë asnjë vlerë, përveçse t’u shuajnë epshet ikonoklastëve.

E kam të qartë edhe se totalitarizmi komunist i shekullit XX u mbështet në një formë të marksizmit, e cila gjithsesi nuk ishte e vetmja. Mirëpo Marksi i totalitarizmit komunist në Shqipëri, ose Marksi që u ka mbetur në mendje shumë shqiptarëve gjysmë të ditur sot, ka dalë i tëri nga tekstet e materializmit historik që përkthente nga rusishtja Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste.

E kam fjalën që Marksi i pëlqyer e i përkthyer nga sovjetikët e pastaj nga të gjitha vendet totalitare nuk koincidon shumë me Marksin gjeni, që ka kondicionuar mendimin filozofik dhe sociologjik të shekullit XX. Dhaskalët e marksizmit gjithnjë janë kujdesur të na japin për konsum atë pjesë të Marksit që shpresonin se do të përligjte rrugaçëritë e tyre dhe etjen e tyre për pushtet.

Fantazitë e Marksit për dhunën si mami të historisë, revolucionin proletar dhe diktaturën e proletariatit zënë vend të vogël në trashëgiminë filozofike të tij, dhe ç’është më e rëndësishmja, nuk është se rrjedhin logjikisht nga kritika që i bën Marksi shoqërisë kapitaliste.

Gjysma e dytë e shekullit XIX ishte kohë veprimtarish dhe teorish radikale, në një kohë që analizat e Marksit për shfrytëzimin e paskrupullt të një klase nga një tjetër i përgjigjeshin për bukuri realitetit.

E vërteta është që Marksin nuk e lexuan vetëm Lenini & Co., por edhe të tjerë, madje edhe kapitalistët vetë, të cilët me kohë u bënë gjithashtu të vetëdijshëm për rreziqet objektive që u kanoseshin, si pronarë të mjeteve të prodhimit dhe morën masat përkatëse.

Përndryshe dominimi i Marksit në filozofinë perëndimore të shek. XX nuk mund të krahasohet me të asnjë filozofi tjetër. Për këtë arsye, edhe kur e duam edhe kur nuk e duam, nuk ia mohojmë dot gjenialitetin, edhe pse për t’u bindur për këtë ndoshta duhen njohur, sado pak, filozofia dhe sociologjia moderne.

Ka megjithatë njëfarë ironie te fakti që Marksi filozof po gjykohet me kritere të njëjta me tiparet që ai vetë i konsideronte si specifike për filozofinë e tij: d.m.th. me rezultatet praktike të lëvizjeve politike që u frymëzuan nga marksizmi.

Për ta çuar ironinë deri në fund, po shtoj edhe unë se ky lloj gjykimi i Marksit është tepër marksist, dhe si i tillë i destinuar të dështojë.

Mirëpo është dritëshkurtësi, në mos thjesht padije, t’ia mohosh Marksit rëndësinë si filozof. Së bashku me Freud-in, Marksi mbahet si një nga baballarët e mendimit filozofik, sociologjik, ekonomiko-politik dhe politologjik perëndimor të shekullit të shkuar.

I gjithë diskursi intelektual perëndimor, gjatë këtij shekulli as mund të imagjinohet pa Marksin, madje edhe kur i është kundërvënë marksizmit me forcë. Mjaft të përmend shkolla të tilla filozofike themelore si Shkollën e Frankfurtit ose strukturalizmin frëng, për të kuptuar se çfarë roli luajti ai filozof në përcaktimin e temave dhe metodave kyç të logosit modern; pa përmendur kontributin e tij në ekonominë politike.

Vërtet, sistemi marksist i adoptuar në Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera të Lindjes evropiane dështoi; sikurse dështuan edhe lëvizjet marksiste në vendet e Botës së Tretë. Nuk jam i sigurt nëse socializmi si sistem ka dështuar në Kinë apo jo; por të paktën ekonomikisht jo, edhe pse nuk ka dyshim që komunistët e ardhur në pushtet në përgjithësi janë prirur drejt formave totalitare të pushtetit dhe kanë përfunduar në kasapë të popujve të tyre. Po a ia faturojmë dot Marksit primitivizmin e rrugaçëve komunistë anembanë botës?

Nga ana tjetër, të mos harrohet se marksizmin e patën për bazë e frymëzim edhe lëvizjet social-demokrate në Evropë, të paktën që prej fundit të shek. XIX e deri më sot; dhe askush nuk mund ta mohojë rolin e së majtës social-demokrate evropiane në shndërrimin e Evropës Perëndimore në një model të një shoqërie të lirë, humane dhe të balancuar. Edhe sot e kësaj dite, dhe falë trysnisë paqësore të social-demokracive dhe të sindikatave të majta, Evropa Perëndimore mbetet shumë më e avancuar se SHBA në sferën e shërbimeve publike.

Marksi duket të ketë luajtur një rol të dyfishtë gjatë shekullit të shkuar: shkatërrimtar, në versionin e përshtatur nga Lenini për Rusinë e banditëve urbanë dhe të aparatçikëve; ndriçimtar, për Evropën perëndimore – në mendim dhe në jetën sociale. Nuk ka asnjë arsye të mendohet se Lenini, Stalini dhe Enver Hoxha ishin më “marksistë” sesa Willy Brandt ose François Mitterand ose Olof Palme ose Pietro Nenni ose Sandro Pertini ose shumë figura të tjera të shquara të së majtës evropiano-perëndimore jokomuniste.

Nuk duhet harruar edhe se Marksi vetë kurrsesi nuk pranonte që ta quanin “marksist”, por kjo është çështje tjetër. [2006]


5 Komente

  1. kohet e fundit kam lexuar nje liber te shkruajtur nga nje jo markiste dhe jo antimarksist dhe bashkohem me mendimin tend ne ato qe thua. Duhet te shkruaj me gjate (veç nuk arrij kaq qarte sa ty, ne blogun tim modest) mbi kete liber ndonje dite.

  2. Ndodh nganjëherë, që bashkë me pelenat të hidhet dhe fëmija….
    Nëse akoma sot vazhdojnë të studiojnë filozofët e lashtë grekë për dyshimet e tyre për egzistencën, negojnë vlerat e filozofëve si Marks, Smith, e të tjerë pas tyre, që përveç Dhuntisë që të SHIKONIN problemin dhe analizimin e problemit, kanë ndërtuar dhe një teori të tërë ekonomike ( dhe mbas saj, shumë kohë mbas atyre teorive, do lindte ekonomia politike)

  3. Karl MARKSI është një nga filozofet me te shquar të shekullit XIX. Të gjitha veprat e tija te shkruara nje numer i madh i tyre nga bashkpunimi me Fridrih ENGELSIN prekin qeshtjen e shtreszimit shoqror (stratifikimit social), klasat, banimit etj.
    Disa nga akuzat e pa drejta qe ju bahen Marksit dhe Engelsit janë: 1 Prona, 2 Familja, 3 kombi, 4 Feja etj. Marksi kishte te drejt kur thoshte se pershembull prona nuk ka egzistuar gjithman ajo ka karakter historik.
    Ka edhe te tjerë qe ja mveshin Marksit edhe totalitarizmin e Enver HOXHE-s ne Shqipri, dhe krimet e Stalinit ne Rusi. Mirpo MARKSI me keta te dy ska asgje te perbashket. Eshte merita e Marksit qe zbuloi se “Njerzit duhen te ken nje banes te han te pinë, pastaj të meren me politik, me shkencë”. “Edhe se baza ekonomike është percaktim edhe i superstruktures”.
    Nje thënje mjaft e qelluar është: “sa më e pa vlerë te jetë qenja jote, aq me pak e shfaq ti jeten tende, sa me e pasur te jetë qenja jote, aq më e tjetersuar eshtë jeta jote”.
    Per fund kisha me thenë se te gjith ata gazetar qe shkruajn, apo flasin keq per MARKSIN janë te obliguar ti lexojn veprat e tij, per ndryshe ata tregojn se skanë njohuri per shkrimet e Marksit. “MARKSI nuk është fajtor qe ja zbuloi smundjet shoqris se kohes se tij, ta fajsosh Marksin dhe Engelsin per krimet qe i banë egoistat e shekullit XX, eshte njesoj si me fajsu mjekun per smundjen qe e diagnistifikoj ne trupin tuaj kur mjeku ska asnje faj per trupin tuaj”.

  4. Marksin me te vertete duhet ta konsiderojme si analizuesin me te vyer te sistemit kapitalist. Mirepo ai per te vetetuar teorite e tij dialektike u be njesh e imperializmin dhe e lavderoi punen e tij ne shkaterimin e rendit shoqeror tradicional ne vendet e Azise dhe Afrikes . Pra duke u prishur rendi i vjeter i gjerave keto shoqeri do te aftesoheshin per revolucionin anipse artificialisht .Perderisa Marksi ketu del proimperialist atehere a nuk mund ta quajme Bushin marksisit?

  5. Vec teorise se mbivleres qe edhe sot eshte aktuale me ndryshime e pershtatje te vogla natyrisht, nje evidentim tjeter i rendesishem i KARL MARXIT eshte “bashkekzistenca” e
    progresit me regresin , e te keqes me te miren , e pozitives me negativen si nje “bipol” i domosdoshem per zhvillimin e shoqerise ne pergjithesi dhe te shkences ne vecanti…
    Entusiazmi akademik dhe forca argumentuese e Marxit eshte shembullore e qarte dhe bindese ajo cka u mungon sot “teoricieneve” dhe papagalleve qe s’ bejne gje tjeter vec se u sherbejne qarqeve te caktuara per te cilat kam arritur te krijoj dyshime serioze nese me te vertete merren me studime te mirefillta apo me “pseudoshkencen e konsumit” qe eshte ne mode e perdoret rendom neper rrethet e nje elite “superinteligjentesh”per te “demostruar” euridicionin dhe egoizmin cinik qe s’ka asnje lidhje me shkencen e mirfillte e punen hulumtuese te nje shkenctari te vertete ….
    Por si e preligjte Marxi kete “bashkjetese???
    “E keqja eshte nje makine e fuqishme qe e shtyn boten perpara “- thekson ai “- po te mos ekzistonte ekeqja , negativja si fenomen shoqeror nuk dote ekzistonte edhe progresi; d,m,th,ekzistenca e vjedhesve i detyroi mjeshtrat te persosin bravat e dyerve, celsat e kasafortavedhe te bauleve..Ekzistenca e falsifikatoreve i detyroi specialistet te persosin e komplikojne me teper fabrikimin e bankenotave,
    Ekzistenca e vete keqberesve u be nje domosdoshmeri jetike per tu mbrojtur prej tyre u per ta sofistikuar kete sistem mbrojtes kjo dhe shume shembuj te tjere qe sjelle
    Marxi (lexo Teoria e mbivleres Kapitali vell l) perligjin aksiomen se” Drita shkelqen ne erresire…”

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: