Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

VDEKJA E MËSUESIT

Po të më duhej ta përmblidhja me një fjalë, atë çfarë ishte Umberto Eco-ja për mua, do të thoja pa ngurrim: mësuesi.

Mësuesi ka diçka nga babai, sikurse ka diçka nga prifti dhe shamani dhe guru-ja; ti ia beson fjalën, sepse ia beson zërin – por pastaj e bën atë fjalë tënden dhe ia kupton forcën dhe ashtu e verifikon, në ballafaqim me botën.

Veprat e Eco-s i kam pothuajse të gjitha; që prej vitit 1987, kur ia bleva librin e parë në një tezgë në Romë dhe deri më sot, ma ka orientuar mendimin dhe ma ka mbështetur etikën intelektuale, hap pas hapi.

EcoEdhe mbrëmë u hodha një sy shpinave të atyre vëllimeve në bibliotekën time: disa prej tyre të blera dy-tre herë, pse i pata humbur më parë, nga Italia në Shqipëri, pastaj në Itali sërish dhe më pas në anën tjetër të Atlantikut.

Asgjë nuk kish ndryshuar; titujt të njëjtë dhe paragrafët të renditur njëlloj – por vetëm muzika në sfond kish marrë një tonalitet funebër.

Dhe këtu njeriu nis të pyesë se çfarë do të thotë vdekja e një intelektuali publik, filozofi dhe shkrimtari si Eco-ja, për dikë që e ka njohur veç për së largu, nëpërmjet dijes që ai ka sjellë në botë; ose si intentio auctoris.

Sikurse vazhdon të pyesë, pas pak, se çfarë do të thotë që një intelektual publik, filozof dhe shkrimtar i admiruar është ende gjallë.

Për figura të tilla, që shkruajnë dhe mishërojnë historinë intelektuale të shekullit, të jesh gjallë është shumë më vështirë se të kesh vdekur.

Eco-n disa e njohin si autorin e Il nome della rosa, të tjerë për ndërhyrjet e panumërta në shtyp; ca të tjerë si historian erudit të estetikës mesjetare; të tjerë akoma si semiolog dhe si teoricien letrar; me siguri do të ketë edhe ndonjë që ta njohë si pamfletist, mjeshtër të lodrave gjuhësore, parodist dhe hokatar.

Arritja më heroike, e një intelektuali kaq poliedrik, është ndoshta aftësia për t’i bërë ballë, sa është akoma gjallë, peshës së papërballueshme të veprës që ka krijuar tashmë; dhe jo vetëm t’i bëjë ballë, por edhe të mos e lërë veten të skllavërohet prej saj dhe të jetë në gjendje të na befasojë sërish.

Si babai në përkufizimin e famshëm prej Lacan-it, Eco-ja arrinte të na habiste (épater) me fjalën e tij rishtas; duke mbetur deri në fund autoritar por jo autoritet; magnetik por jo robërues.

Në një bisedë të paradokohshme, pat folur për “mallkimin” e romanit të tij të parë, best-seller-it Il nome della rosa, i cili e bëri të njohur anembanë botës dhe më pas iu shndërrua në shenjë dalluese; si një farë kostumi i Arlecchino-s.

Haraç i pamerituar, që Eco-s iu desh të paguante, për famën e merituar edhe pse kushedi të padëshiruar.

Ngaqë kam jetuar gjatë në Itali, e kam përjetuar drejtpërdrejt rolin që luan një intelektual publik si ai, në jetën kulturore të një shoqërie moderne komplekse; madje edhe në Itali, ku kulturës i matet mosha me mijëvjeçarë.

Më pas, e kam krahasuar këtë me ndikimin dhe pushtetin e Eco-s jashtë Italisë, ose për së largu. Dy mësues thelbësisht të ndryshëm në dy role të ndryshme, edhe pse gjithnjë kam parapëlqyer ta konsideroj Eco-n si të krahut tim dhe të lagjes sime. Tek e fundit, mua ai më mësoi të lexoj!

Prandaj u jam kthyer e rikthyer veprave të tij, por edhe kam pritur që të dalë vepra e re e radhës, me përgjigje për pyetjet e veprave të mëparshme; dhe me pyetje të reja.

Dhe kështu do t’i përgjigjesha pyetjes pak më lart, në lidhje me kuptimin që merr, për ne që nuk e patëm njohur kurrë profesorin personalisht, vdekja e tij: në vend që tani të pyesim ç’mendon ai për këtë apo atë çështje, dilemë, paradoks, gjëzë, enigmë, sfidë të mendimit a të etikës, do të vrasim mendjen të gjejmë se ç’do të kish menduar.

Kalim nga dëftorja në kushtore – kështu do t’ia përkufizoja vdekjen, edhe pse kjo nuk ma lehtëson gjë pikëllimin për humbjen. Tek e fundit edhe Eco-ja vetë, me Wittgenstein-in, do të kish thënë, në këtë rast, se për çfarë nuk mundemi të flasim, atëherë bëjmë mirë të heshtim.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin