PLURALIZËM I PERSONALIZUAR

musical chairsNjë dukuri kurioze që po ndesh relativisht shpesh në faqet e shtypit shqiptar në Internet: editorialistë dhe analistë nga më të njohurit e më të respektuarit ndërrojnë gazetat ku botojnë, pa paralajmërim.

Kështu, qëllon që Fatos Lubonja të botojë në Panorama, edhe pse dikur ka pasë botuar në Korrieri dhe në Standard; Mustafa Nano del befas në Korrieri, edhe pse deri vonë ka qenë një nga autorët përfaqësues të Shqip; Eduard Zaloshnja ka pasë botuar në Panorama, por tani e shoh të shkruajë për Shekullin; Mero Baze, emri i të cilit mbetet i lidhur ngushtë me gazetën Tema, po shfaqet gjithashtu rëndom në Shekulli

Këta janë vetëm disa emra që më kanë tërhequr vëmendjen, sepse i ndjek zakonisht dhe ua lexoj ato që shkruajnë; por me siguri ka edhe të tjerë që veprojnë njëlloj, të cilët më kanë shpëtuar.

Normalisht, një analist i kalibrit të lartë shërben edhe për ta identifikuar gazetën në sy të lexuesit, madje më tepër edhe se logoja ose elemente të tjera haptazi shenjuese. Askush nuk mund ta mendojë, bie fjala, The New York Times pa Paul Krugman, Bob Herbert, Maureen Dowd, David Brooks, Gail Collins, Tom Friedman, Frank Rich, Nicholas Kristoff… sepse këta janë fytyra e gazetës.

Njëlloj nuk mund të mendohet edhe që, krejt papritur, Maureen Dowd të shkruajë për The Wall Street Journal, ndërsa Tom Friedman për The New York Post… Sikur të ndodhte vërtet ashtu, incidenti do të meritonte kryetitull gazete në vetvete!

Natyrisht, marrëdhëniet e autorëve me shtypin në Shqipëri janë ndërtuar sipas kriteresh të tjera; dhe nuk ma merr mendja që deri edhe analistët më të kërkuar të kenë kontrata ekskluzive me gazetat ku shkruajnë. Megjithatë, bie fjala, për mua fakti që Fatos Lubonja ka shkruar në Panorama ka më shumë forcë informative sesa çfarë ka thënë pikërisht Lubonja atë ditë (një recension për një libër kujtimesh).

Nuk di edhe nëse gazetave vetë u bëhet vonë kur botojnë autorë të cilët janë të identifikueshëm me gazeta të tjera. Kështu, kur pati një debat rreth librit të Oliver Jens Schmitt për Skënderbeun në faqet e Shekullit, redaktorët e forumit e panë të udhës të sjellin aty edhe një artikull të Lubonjës të botuar më parë në Standard ose në Korrieri.

Njëlloj më kujtohet edhe si, vite më parë, drejtori Robert Rakipllari më refuzoi botimin e një artikulli te Shekulli për shkak se kisha trajtuar, sipas tij, një temë tabu për gazetën; artikullin e botova pastaj menjëherë në Shqip, dhe askush nuk u ankua për asgjë, në kuptimin që marrëdhënia ime me Shekullin vijoi normalisht.

Duhet të kem qenë, besoj, i vetmi që u skandalizova atëherë, me çfarë kish ndodhur.

Gjithsesi, ky shkëmbim editorialistësh mes gazetave shpesh konkurrente dhe ideologjikisht të papajtueshme mes tyre nuk është normal; jo sepse gazetat i kanë “pronë” të tyre autorët që botojnë atje, por sepse gazetat identifikohen nëpërmjet autorëve të tyre të rregullt; dhe kur këta autorë shëtitin nga njëra gazetë në tjetrën si pa të keq, pasoja kryesore dhe krejt e padëshirueshme është homologimi i shtypit, ose shndërrimi i mediave të shkruara në një turli uniforme, ku dallimet mes gazetave vetë janë çështje thjesht formale, ose kanë të bëjnë me çmimin, grafikën dhe cilësinë e letrës së përdorur.

Ka edhe më. Zhvendosjet e autorëve, të përkohshme ose të përhershme, janë dukuri e vonë, po të krahasohet kjo me një dukuri tjetër enigmatike – botimin e të njëjtit artikull nga gazeta të ndryshme.

Kur kjo ndodh me ndonjë artikull ose përshëndetje të dërguar nga Edi Rama, ose të dhënë nga Ismail Kadareja, ose të shqiptuar nga ambasadori amerikan, atëherë mund t’i jepet një shpjegim konvencional; por kur një gazetar profesionist si Mero Baze boton njëkohësisht edhe në Tema edhe në Shekulli, atëherë dukuria nuk mund të interpretohet thjesht si qëndrim gatitu ndaj një autoriteti jashtë-mediatik (si në rastin e Ramës, ambasadorit amerikan ose të Kadaresë).

Nga ana tjetër, edhe kur një intervistë çfarëdo e Kadaresë, bie fjala e marrë nga një televizion në Kosovë, botohet njëkohësisht në Gazeta Shqiptare, Shekulli, Panorama, Shqip, Koha Jonë, Tema, e të tjera gazeta me radhë, atëherë njëlloj ndodh çka më lart e quajta homologim – ose përgënjeshtrimi i drejtpërdrejtë i nevojës për pluralizëm dhe diversitet në mediat.

Para 1990-ës, një fjalim rutinë të Enver Hoxhës (në takimin me mjelëset pararojë) e përcillte njëkohësisht Radio Tirana dhe TVSH, pastaj të nesërmen e botonin të paprekur Zëri i Popullit, Bashkimi, Zëri i Rinisë, madje edhe Puna e Luftëtari. Po të qëllonte e diel, të njëjtin fat do ta kishte edhe Drita; po të qëllonte e martë, Sporti Popullor. Askush nuk habitej me këtë; sepse e kundërta, ose heshtja e paautorizuar e një organi të shtypit ndaj atij evenimenti, do të trajtohej si skandal i paparë.

Dua të them që, në një shoqëri totalitare, homologimi i mediave vjen me përkufizim, madje as ka nevojë të diskutohet; por në një shoqëri që kërkon të jetë pluraliste, homologimi tregon se ky pluralizëm ende konceptohet si makijazh, jo si tipar thelbësor i politikës, kulturës dhe komunikimit masiv.

Ç’po ndodh me shtypin në Shqipëri, atëherë? Kaq barrë e rëndë të jetë vallë pluralizmi?

//

8 Komente

  1. Përsa i përket firmave të njohura të gazetarisë botërore, ato e lidhin karrierën dhe prestigjin e tyre pazgjidhshmërisht me atë gazetë ku kanë dhënë (e kanë marrë), sepse atje kanë hedhur hapat e parë apo ngaqë u janë përputhur pikëpamjet socio-politike të gazetarëve me ato të politikës së gazetave.

    Për vetë moshën e e re të gazetarisë (pluraliste) shqiptare, për të mos folur dhe për pluralizmin apo lehtësinë me të cilën ndryshon linja politike e gazetave, për momentin e shikoj pothuajse të pamundur një lidhje të qëndrueshme gazetar-gazetë.

    Problemi nuk është vetëm i gazetave që ndërrojnë linjë (sipas interesave të editorëve)… problemi është dhe i analistëve që për qëndrime të ndryshme (as ata vetë nuk kanë atë “stabilitet” në qëndrimet e tyre), shkojnë dhe kërkojnë të botohen artikujt e tyre atje ku ata e dinë që argumenti i trajtuar prej tyre i lezeton edhe politikës editoriale të gazetës së rradhës.

    Në një botë të ndërtuar mbi baza ngushtësisht interesash ekonomike, do të ishte më e hajrit që analistët të dërgonin një përmbledhje të analizës së tyre (si dhe të argumenteve që kanë dhe se si i kanë trajtuar) të gjitha gazetave… dhe në ankandin e ofertave që i vijnë të zgjidhte atë që do ta paguante më tepër (dhe jam i sigurtë që shumica do të dilnin më të fituar nëse do t’ju bliheshin artikujt VETËM për të mos ju botuar 😛 ).

  2. Shpesh “shetitja” e emrave te njohur te mediave te shkruara ose vizive (analiste apo gazetare te rubrikave investigative, te dosjeve te famshme, ndonjehere edhe te kultures, mgjse jane me te paperfillurit), lidhet me ca arsye fare banale, ne kuptimin e se zakonshmes ne Shqiperi: prishqefja e shefit /shefes (bosit/ boses – me te rrezikshme dhe me arrogantet jane keto te fundit) qe ka filluar te beje presion, duke nderhyre per temat qe duhet te trajtoje analisti i tij.
    Ne mos per temat, per menyren e trajtimit: ose eshte me te teper seç duhet e sofistikuar (intelektuale, sepse “lexuesi masiv i gazetes nuk do shkence ketu, thjesht do te kaloje nje a dy ore per t’u zbavitur”), ose me teper seç duhet e bute / e ashper.
    Gjithe puna eshte qe organi nuk duhet te kete fytyren e gazetarit profesionist, por te bosit qe ve parate (edhe kur nuk eshte profesionist). Askush nga ata nuk pranon te konsolidohet autoriteti i gazetarit profesionist, i cili ka nje profil te qendrueshem etik dhe profesional. Po kur bosit i duhet te lepije ato qe ka peshtyre deri dje, per interesat e biznesit tjeter, jo gazetes? Kush mund ta detyroje gazetarin e formatuar, me etike te padiskutueshme dhe profil moral te njohur, te shkruaje te kunderten?

    E verteta shpesh eshte edhe me e thjeshte: ne fakt, qe shefi/-ja ka vendosur te ule pagesen ose te marre nje me pak te njohur, por qe pranon nje page me te ulet.
    Çfare efekti ka shetitja e emrit njekohesisht ne disa medie, si pune periudhe tranzicioni, para se ta shohim se ka kaluar perfundimisht diku tjeter? Se pari, per te siguruar nje vend pune, se gazetari jeton me rroge dhe ka familje per te mbajtur. Se dyti, edhe ai i ben presion shefit: “E sheh?… ” Mire gazetaret e njohur, po me te rinjte? Une kam nje vajze gazetare, e cila ka gati pese vjet qe ka mbaruar, ka punuar ku atje e ku ketu, dhe sot nuk ka ende asnje dite ne librezen e punes. Pse?
    Perfundimi: per realitetin konkret ne Shqiperi, ende nuk mund te flitet per kushte normale dhe parime normale. I vetmi parim qe zoteron eshte ai i mbijeteses.
    Dje u be ne shtyp nje denoncim publik nga nje shoqate e gazetareve, per punen ne te zeze te gazetareve. Merren edhe studente, vetem qe gazetaret prej shume vitesh te mos kerkojne kontrate te rregullt, sigurime etj. Ç’pret me tej?

  3. Cilat jane gazetat “ideologjikisht te papajtueshme”?

    Dhe a mund te quhen konkurente gazetat, perderisa nuk luftojne as per te rritur tregun e tyre (numrin e bleresve), as per te rritur fitimet (ne pergjithesi dalin me humbje), as per te perfaqesuar ndonje shtrese te caktuar lexuesish?

    Mos valle gazetat e hapura si mjet sharlatan presioni ndaj pushteteve, apo si mjet per te trafikuar pushtet, nuk kane ideologji pervecse asaj te biznesit qe i zoteron? Dhe mos valle keto biznese edhe pse duan t’i hane koken njera-tjetres, kane te njejten etike, te njejten bashkesi vlerash e metode pune (pra te njejten “ideologji”) dhe kjo sjell ngjashmerine e madhe ne keto gazeta te alienuara prej karakteristikave klasike te medias?

    Pastaj, a do te sherbente per ndonje gje besnikeria dhe xhelozia ne lidhjet media – opinioniste/analiste ne momentin qe as te parat, as te dytet nuk kane ndonje identitet publik dukshem te ndryshem? (per shembull, Mustafa Nano cfare ka si qendrim karakteristik qe e ben te ndryshem nga analistet e tjere fjala vjen? Po Mero Baze?). Kam pershtypjen qe si mediat, si analistet, ne cilindo kombinim te mundshem, i japin te njejten ngjyre amalgames, qe eshte po ajo ngjyre qe kane dhe po t’i marresh vec e vec e te pakombinuar.

    1. Edhe unë këto frikëra kam, Snox; sadoqë Temën e kisha konceptuar gjithnjë si shumë më djathtas Shekullit… por kohët kanë ndryshuar. Gjithsesi, nuk do të doja që e vetmja provë e pakundërshtueshme e pluralizmit gazetaresk në Shqipëri të mbetej Gazeta 55 🙂

  4. Temptejshen quhej grupi, njeri prej antareve te te cilit u gdhi me idene se grupi duhej quajtur filan fisteku dhe temptejshen; kjo e improvizuar ndodhi ne nje shfaqje mbas se ciles antaret e grupit votuan dhe zbuan mbase vokalin me te mire mes tyre.
    Ngasje e tille perjashtohet si mundesi. Shprehja Mustafa Nano (permendja eshte shembull brenda shembullit te sjelle) dhe Gazeta Shqip ju paraqesin … nuk besoj se ka kaluar neper mendjen e gazetarit. Me thjesht ndodh. Ose gazeta nuk do ti shohe me ngjarjet me syte e M. Nanos, ose M. Nano nuk do ti shohe me ngjarjet me syzet e gazetes. Prej ketu mund te vazhdoj me tej kush ka te drejte e kush ja beri mire kujt, por …
    Mustafa Nano, sic eshte shprehur vete, eshte nje nga gazetaret me te paguar ne Shqiperi. Pra, ai iken per te bere para me shume.
    Te qenit me i paguar me te qenit i shitur ndahen nga nje fije floku, fije te cilen e perzhitin keqas keto kapercimet neper spekter. Kujdes kete.
    Pashe pronarin e Shekullit K.K. dhe degjova kur u pergjigj se mardheniet me Edi Ramen i ka vellazerore; te punosh atje duhet te kesh mardhenie kusherinjsh te pare e te dyte, e renditja e shkrimeve nuk do tu behet sipas ideve por sipas afersise – ky eshte klan. Maro Bazeja? Krushk. Tavolina e shokeve, qe rendom bejne dasmen, blog. Fjala e lire mor ne valle, moj ne valle.
    Kur u shkrua cfare u shkrua ne disa tema te meparshme, ne dukje pa lidhje me njera tjetren, Xha Xhai pyeti tek njera.
    Publicistet e sotem rendin te shkruajne sot per sot, per gazeten e te nesermes. Keshtu, keta emra te shquar i bien me top, harxhojne artilerine e rende per cdo pushke qe shtie prej ferave. E pushket mbas ferave edhe degjohen por topat e murtajat e pamundur. Kjo eshte arsye e vertete dhe e vlefshme pse redaksite sipas nje cikli shkarkojne gjemimtaret tane, te cilet do te benin mire te degjonin nja dy tre pushke para se te leshonin batarete po ashtu sikur baterite e tyre ti gruponin, e te shtimet ti perqendronin.
    Sepse, pse nuk na dhane vizat, pse do miratojme nje ligj qe perkrah te paperkrahurit mire, pse vjen nje komison hetimor, pse noton Berisha ne det te qete, dhe pse tentohet kapja mbas dhjetra ikjesh e nje te kerkuari, jane te pazgjidhshme, sa pa i shkokolepsur analisti. Lexuesve ju duhen kujtuar politikat e karrotes, kulacit dhe kerbacit por edhe ajo e bakllavave me zeher, te gjitha se toku ne nje shkrim. Rastet ilustrojne nuk iluminojne.
    Si per bluza grafike fjalia siper. Ca fjale te huaja -jo per shqipen por per kulturen e shqipeve- si veritas, lojalti, etj, do ishte mire ti benin te tyret njerzit e mediave. Mbase efekti del i njejte si kur nga jeta shkohet tek bluza grafike, si kur nga bluza grafike shkohet ne jete.
    Eshte koha tu thuhet ketyre njerezve te perkushtuar se, po si temptejshen, disa gazetare ne grup mund te kenaqin publikun here me mire se cilido prej tyre solo.

  5. Nuk besoj se duhet të kem një gjykim të ftohtë personal në raport me çështjen në fjalë, ngaqë një pjesë të mirë të këtyre gazetarëve dhe analistëve i njoh nga afër, dhe sido që të jetë, pjesa emocionale ka ndikimin e vet në mendimformim. Kërkoj ndjesë për këtë lapsus të pavetëdijshëm.

    Së pari, problemin e shoh të lidhur ngushtësisht me faktorin ekonomik. Pjesa më e madhe e gazetarëve të njohur largohen nga një gazetë për të “mërguar” tek një tjetër ngaqë nuk paguhen dhe u “gëlltiten” honoraret. Gjejnë strehë diku ku joshen si fillim dhe largohen prej aty sapo pakorektësia fillon dhe shfaq kokën e saj.

    Së dyti, është faktori i UNI-t të cënuar. Personaliteti i gazetarit që kërkon të jetë i pavarur në mendimet e veta edhe pse të shfaqura në formatin e një gazete me vijë ideologjike të qartë. Të gjithë e kemi kuptuar se në ç’forma qëndron në këmbë një gazetë në Shqipëri. Burimet financiare dhe pronari i saj (jo drejtuesi apo kryeredaktori, por parelëvruesi, etj..) shpesh nuk ka lidhje të mirfilltë emocionale me fjalën apo e thënë shkoqur me artin gazetaresk (shumica e pronarëve janë ndërtues pallatesh..). Si rrjedhojë, futja e hundëve aty ku nuk duhet shkakton përplasje dhe kontradikta pa zgjidhje gjer në largimin me të drejtë të një pene të afirmuar si UN individual nga gazeta.

    Së treti, vet gazeta si odë ka lidhjet e pazgjithshme të saj në raport me ambientin. Lufta që i bëhet asaj (gazetës) në spektrin politik, klanor, etj, shkakton ndryshim të mendimformatimit tërësor të saj. Dhe nuk duhet harruar se gazeta ka po ashtu lidhjet e veta financiare dhe sado që ta deklamojë veten si të pavarur, ngelet e varur, qoftë edhe në aspektin e luftës që i bën kundërshtari për të cënuar prestigjin dhe ekzistencën reale të jetgjatësisë së gazetës si “tribunë e fjalës së lirë” (tepër dyshuese si shprehje për kushtet e Shqipërisë..). Le të kujtojmë se kush ishte gazeta “Koha Jonë” në Shqipëri dhe ku është “katandisur” sot? Kush ishte dhe ku është gazeta “Tema”? Etj, etj..

    Së katërti, numri i kopjeve të shitura të një gazete tjetër, si rjedhojë edhe i lexuesit, i jep “shancin” gazetarit që ka pasiguri të shkallës afirmative.

    Së pesti, në këtë pikë më kanë pickuar drejt’-për-drejtë, paturpësia e “vjedhjes” së shkrimeve vazhdon si pa të keq në shtypin shqiptar dhe nuk funksionon ende në mënyrë themelore në baza ligjore e drejta e autorit. Mua shpesh më ka rastisur që të gjej jo rrallë herë shkrime të miat lart e poshtë nëpër gazeta. Të “vjela” kryesisht nga interneti. Dhe kjo për hir të afrimitetit që mund të kem me disa gazetarë apo redaktorë, për hatër të ndonjë kafeje të pirë së bashku, apo si rjedhojë e ndonjë simpatie të ndërsjelltë. Dakort, gjysma e fajit më përket edhe mua, por nuk mund të jesh një qenie e izoluar në fund të fundit dhe… në vetdijen e tjetrit nuk është, besoj, kultivuar ende respekti (ligjor) për fjalën e tjetrit. E çfarë se njihemi? Kjo nuk të jep të drejtën që të publikosh diçka për të cilën nuk e kam ndërmend ta botoj në faqe të gazetës tënde! Po ku mund ta gjesh më tej të drejtën tënde?

    E kështu me radhë… Të gjitha këto që solla si shembull më sipër, besoj se janë “çështje” të panjohura për një shtyp solid si ai Amerikan apo edhe gjetkë. Për të vetmet arsye se shtypi përgjithësisht, vet gazeta në veçanti, është e konsoliduar financiarisht në botën e zhvilluar. E konsoliduar është edhe në vijën e saj ideologjike dhe mbi të gjitha me gjuhën e saj etike. Gazetarët dhe analistët e afirmuar, po ashtu. E drejta e autorit “ta pret gjuhën” po qe se nuk respekton mendimin dhe vetvendosjen e lirë të punës intelektuale të tjetrit. Etj, etj.. Unë shpesh e kam shkruar e zeza mbi të bardhë se: medja shqiptare vazhdon të jetë në batak. Si i bëhet më tej?

  6. PTF-në e shkrimeve të Xha Xhai-t, Xha Xhai e ka zënë homologimi. Shkrimet i gjen tek ResPublica.al, pastaj tek Shekulli pastaj tek PTF.
    Pa ditur si ndodh kjo, por dhe pa dashur dije të tillë, besoj se të sqarohet në a i qëndroni ideve të këtushme, është pjesë e debatit dhe jo e hetuesisë, debat që shpesh harrojmë se duhet ta bëjmë dhe brenda vetvetes. Mund të keni ndërruar mendje, të zezat tu duken gri, ashtu sikur jo, e, rrethana të çfarëdoshme sjellin homologimin.
    Publikut i duhet të dijë pozicionin që mbroni dhe jo pozicionin ku gjendeni, gjë që pa sqarim bëhet e pamundur. Dhe në shoqëri pluraliste të pyesësh për pozicionin që mban njëri nuk është sulm; është ftesë.

    1. Shekulli e ka marrë shkrimin nga Res Publica, me pëlqimin tim; por nuk është se ua kam dërguar unë. Res Publica është një faqe online, ka publik të ndryshëm nga Shekulli. Dallimet mes tyre, sa u përket politikave editoriale dhe pozicionimit në lidhje me problemet kryesore të debatit publik, janë gjithashtu të parëndësishme. Unë vetë nuk i shquaj dot. Shkrimi që u botua në të dy mediat ishte jopolitik, as besoj se Res Publica dhe Shekulli do të diferencohen ndonjëherë mes tyre sipas qëndrimeve që do të mbajnë ndaj përplasjeve kulturore mes imigrantëve dhe shoqërive pritëse.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin