Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

PER ASPERA AD ASTRA

Lexoja këto ditë The Invisible Writing, një libër me kujtime nga Arthur Koestler,  gazetar dhe shkrimtar hungarez (hebre, i shkolluar në Austri); libër që i kushtohet periudhës “sovjetike” të autorit, në fillim të viteve 1930.

Për ata që s’e njohin, Arthur Koestler-i njihet veçanërisht falë romanit  Sonnenfinsternis (Darkness at Noon, ose Terr në mesditë), një nga veprat e para që ia zbuloi Perëndimit tmerrin e terrorit totalitar komunist dhe që i la mbresa të pashlyeshme deri edhe Orwell-it të 1984-ës.

Megjithatë, gjatë periudhës së cilës i referohet libri, Koestleri ishte ende anëtar i Partisë Komuniste Gjermane, besonte në projektin dhe në vizionin komunist, ashtu siç mishëroheshin këto në Bashkimin Sovjetik. Ndërkohë, Stalini vërtet e kish konsoliduar pushtetin në Moskë, por ende nuk kish filluar nga spastrimet e mëdha të gjysmës së dytë të viteve 1930.

Koestleri e vizitoi Bashkimin Sovjetik me titull të dyfishtë: si komunist dhe i dërguar i Kominternit, por edhe si gazetar freelance, me misionin për të shkruar reportazhe për një numër gazetash gjermane, të majta por jo doemos komuniste. Duhet të shtoj këtu edhe se nazistët ende nuk e kishin marrë pushtetin në Gjermani.

Një episod që tregon Koestleri në vepër më mbeti në mend dhe dua ta ndaj këtu, meqë më lidhet disi edhe me temën e tradhtisë, që kemi debatuar këto ditë.

Autori i ka shkruar këto kujtime vite më pas, në 1954; çka do të thotë se rrëfimtari në libër përftohet si amalgam i Koestlerit komunist të bindur dhe Koestlerit tjetër, të mëvonshëm, të cilit i kish dalë pija. Si i tillë, teksti vetë gërsheton naivitetin dhe dëshirën për të besuar, me kritikën dhe urtësinë që vijnë prej eksperiencës.

Episodi në fjalë i ndodh autorit në Baku, kryeqendra e industrisë sovjetike të naftës. Gjatë rrugës me tren për të shkuar atje, Koestleri takon, rastësisht, një vajzë ruse, Nadezhdën, dhe bie menjëherë në dashuri me të – ngaqë i duket e bukur, misterioze, enigmatike, aristokratike e rënë nga vakti, njëkohësisht e brishtë dhe krenare, e jashtëkohshme.

Nadezhda jeton në Baku me të jëmën dhe ka një punë zyre të rëndomtë, në Drejtorinë e Ujërave të qytetit. Dyshimtar nga natyra e vet politike dhe vokacioni, Koestleri shfrytëzon kontaktet e veta me shërbimin sekret sovjetik GPU (policia sekrete sovjetike, deri në 1934), për t’u informuar për familjen e saj; i thonë se e jëma e Nadezhdës është një spionka (“spiune”) e vjetër, nga një familje e lidhur me mjediset e diplomatëve të konsullatave të huaja në Baku-në e Pararevolucionit, ndërsa e bija mbahet, hë për hë, nën vëzhgim. Megjithatë, nuk ia ndalojnë shoqërimin me të.

Idili mes të dyve zgjat disa javë, në mos muaj; por ai ndahet përgjysmë nga një incident i cili më pas do ta torturojë Koestlerin pa mëshirë, qoftë edhe vetëm ngaqë pasojat nuk mund t’i shlyhen më.

Një ditë, çifti shkon në postën e qytetit, ku Koestlerit i ka mbërritur një telegram nga Gjermania – prej agjentit të vet, që e njofton për reportazhet dhe artikujt që i janë botuar. Telegrami është në gjermanisht, Koestleri e lexon dhe e fut në xhepin e palltos; dhe Nadezhdës vetëm sa i thotë se ç’përmbante. Ai pastaj e shoqëron vajzën në shtëpi: ecin të dy rrugëve të qytetit në dimër. Bën aq ftohtë, sa vajza e mban dorën në xhepin e palltos të së dashurit.

Kur kthehet në dhomën e vet në hotel, Koestleri konstaton se telegramin nuk e kishte më me vete. I sigurt se ku e kishte lënë, dyshon menjëherë se mund t’ia kishte marrë fshehurazi e dashura. Për një copë herë nuk di si të veprojë, por pastaj komunisti ia merr nën kontroll njeriun, dhe shkon ta denoncojë Nadezhdën pranë organeve të policisë sekrete.

Tek e fundit, a nuk e kish theksuar edhe Lenini se “komunisti i mirë është edhe çekist i mirë”?

Edhe spiune të kish qenë Nadezhda, asnjë e keqe nuk i kërcënohej Koestlerit vetë, i cili e kish marrë miratimin zyrtar, për t’u dashuruar me të.

Denoncimin ia regjistrojnë, por hë për hë asgjë nuk ndodh. Një mik që kishte Koestleri në GPU i thotë këtij, më pas, se Nadezhda bën mirë të largohet nga Bakuja. Në fakt, në ato vite, policia sekrete sovjetike e kish të vështirë të bashkërendonte punën midis zonave gjeografikisht të largëta; dhe një person i dyshuar në Baku, mund të ikte që andej dhe të ndërtonte një jetë normale në Leningrad – nëse nuk akuzohej për ndonjë krim kapital.

Gjithsesi, Nadezhda refuzon prerazi të largohet nga qyteti.

Koestlerin nis ta brejë ndërgjegjja; e kupton se denoncimi që ka bërë ishte i panevojshëm, i papërligjur, madje grotesk, por megjithatë i tillë që të mund t’ia shkatërrojë jetën të dashurës së vet. Tani e gjen kohën të arsyetojë; dhe e kupton se Nadezhda, edhe po t’ia ketë vjedhur telegramin nga xhepi, e ka bërë ngaqë është ndier kureshtare, si çdo vajzë e dashuruar, posesive dhe ndoshta edhe pak xheloze; dhe ka dashur të shohë se mos këtë mesazh nga “përtej” ia kish dërguar Koestlerit ndonjë e dashur e vjetër.

Vjen dita kur Koestlerit i duhet të largohet nga Bakuja; i lutet Nadezhdës ta shoqërojë, në udhëtimin e vet, por ajo edhe një herë tjetër refuzon – nuk e lë dot vetëm të ëmën, as mund ta braktisë punën. Ndahen me premtimin se do të shihen përsëri, se do t’i shkruajnë njëri-tjetrit…

Asgjë nga këto nuk ndodh – dhe Koestleri shkruan se nuk e mori vesh kurrë, çfarë ndodhi me të dashurën e tij. Ai mendon se ajo mund të ketë shpëtuar, me kusht që të ketë ndjekur këshillën e tij dhe të jetë larguar nga Bakuja në kohë; përndryshe, gjatë terrorit të fundit të viteve 1930, do të ketë qenë nga të parat që ta kenë dërguar në kampet e punës në Siberi.

E bija e një spionke, e dyshuar edhe ajo vetë për spiunllëk.

Dhe e denoncuar nga i dashuri i saj.

Autori rrëfehet, në libër, se incidenti – i turpshëm në vetvete – i shërbeu, paradoksalisht, për të kuptuar se regjimi komunist, në Bashkimin Sovjetik, ishte kthyer tashmë në një makinë prodhuese të së keqes. Pikërisht pas denoncimit, ose një akti aq dramatik, të përligjshëm vetëm nëpërmjet besimit absolut të komunistit Koestler në sistemin sovjetik, ky erdhi duke e humbur këtë besim, duke u zhgënjyer, duke u shndërruar nga komunist në antikomunist.

Akti i tradhtisë njerëzore supreme – të një të dashuri kundër së dashurës së vet, ose antikalorësiak me përkufizim – ishte, njëkohësisht edhe akt shelbimi, që ia shpëtoi shpirtin komunistit, tashmë ndoshta ish-komunistit Koestler.

Dhe një kthesë e tillë, kaq traumatike për komunistin e bindur dhe të devotshëm, nuk është se erdhi në trajtat e pendesës; por më tepër e shprehur si neveri e përzier me ankth, ose si dëshirë absurde për të zhbërë çfarë nuk zhbëhej dot më.

Ishte zhgënjimi i kujt e kupton, sado me vonesë, se ka disa forma të së keqes supreme, të cilat nuk kthehen dot mbrapsht as shlyhen dot; nga të cilat nuk mund të ketë shpëtim, së paku në këtë botë.

Koestleri që i shkruan këto radhë shumë e shumë vite më vonë, ende duket sikur përlotet, kur kujton ditët e tij me Nadezhdën, atë krijesë aq të lëndueshme dhe të pambrojtur, e cila i besoi me natyrshmërinë që ta jep dashuria, por vetëm për t’u shpërblyer me pabesi të kalkuluar, reptiliane, komunisto-çekiste.

Ngaqë nuk ka më asnjë lajm për fatin e saj, denoncimi e torturon edhe më dhimbshëm; dhe ai e mirëpret torturën, sepse ashtu gjen njëfarësoj paqe, ose më mirë kompromisin e një paqeje, me vetveten.

Këtë pamundësi për t’u informuar, për t’u lidhur, për të pyetur se çfarë ndodhi, si dhe pse, e kemi ndoshta të vështirë ta përfytyrojmë, ne të sotmit, banorët e fshatit global, që me një klik të miut mund të marrim vesh edhe se ç’këngë po dëgjon ai tjetri, në antipodet; ose ç’ka ngrënë për mëngjes.

E kemi humbur, pak nga pak, aftësinë për ta përjetuar distancën dhe largimin si forma embrionale të vdekjes.

Pikërisht asaj vdekjeje që Koestleri ynë e përjeton si vrasje; pa çka se të varur pezull midis ekzistencës dhe joekzistencës – madje vetë dyshimi nëse denoncimi i tij ka funksionuar apo jo, e bën që, në përfytyrim, t’ia përndjekin të dashurën çdo ditë, rishtas, si në një rreth vizioz.

Denoncimi ishte ndoshta akti më i ndyrë në jetën e Koestlerit njeri. Dhe megjithatë, që andej, u rilind nga hiri i vet, si Feniksi, autori i mëpasmë i Territ në mesditë, ose ish-komunisti i neveritur, që e sfidoi Perandorinë e keqe që në vitin 1940, ose në kohën kur shumëkujt, madje edhe mes mendjendriturve, i dukej si e vetmja shpresë për njerëzimin.

Lexuesi veç mund të pyesë nëse do të kish qenë aq i thellë, aq mbytës, aq dëshpërues zhgënjimi i Koestlerit me Bashkimin Sovjetik, sikur të mos kish qenë denoncimi prej tij i së dashurës aq i përbuzshëm.

Lexuesi, më në fund, mund edhe ta ketë vënë re se Nadezhda, në rusisht, do të thotë “shpresë”.

Pa Komente

  1. “Gjatë rrugës me tren për të shkuar atje, Koestleri takon, rastësisht, një vajzë ruse, Nadezhdën, dhe bie menjëherë në dashuri me të – ngaqë i duket e bukur, misterioze, enigmatike, aristokratike e rënë nga vakti, njëkohësisht e brishtë dhe krenare, e jashtëkohshme.”

    ah c’me kujtove ate filmin (sovjetik) “ballada o soldate”. e pabesueshme qe bolsheviket kane patur ndjenja te tilla…

  2. Bukur, si drama njerezore qe permban vete fabula, po dhe menyra si e ka sqaruar dhe shkruar 2xha.

    E lexova me nje fryme.

  3. nuk e di… une besoj se eshte shume problematike kur i vendosim ngjarjet ne nje linje arsyetimi, si p.sh. duke krijuar lidhje shkak-pasoje … perndryshe nuk i shpetojme krahasimit moralizues… shkaterrimi i nje dashurie dhe njeriut per te krijuar ate motiv te sinqerte a “kuptuar” se cfare po bejme… ku jemi?… cfare duhet te bejme?… shnderrohet e gjitha ne nje perllogaritje kostoje (edhe perfitimi, por per ke?) … mua me shqeteson psiqikisht ky lloj rrefimi qe me ve ne nje pozicion ku me duhet te llogaris fitimin dhe humbjen (kur praktikisht e vetmja humbje eshte besimi tek miresia e njerzve…njihem perndryshe me ambivalencen morale)

    … ndoshta ngjarjet duhen te pare te vecanta… me koston morale (pendesen a denimin) qe mbartin me vete…. nje dashuri – tjeter gje … nga njeriu qe duam …. nje spiunllik per te shpetuar lekuren ne rastet e perllogaritjes se ftohte te pasojave — tjeter gje … nga dashuria dhe njeriu qe duam … e deri tek pendesa qe ndejme – tjeter gje …. nga kostoja qe jemi pergatitur te paguajme ….

  4. Në fakt, përmes eksperiencës personale që rrëfen Koestler, nëse ka diçka për tu vënë në dukje, kjo është shmangia nga përballja ndëpersonale, duke e zhvendosur këtë dhe duke kërkuar zgjidhjen tek autoriteti suprem. Kjo mendoj se ka të bëjë me mendësinë europianolindore dhe ballkanike, ku njerëzit i përgjigjen, apo mendojnë se duan t’i përgjigjen vetëm autoritetit madhor. Në një studim të sjellë nga Emigranti (PPU), duket kufijtë kulturorë dhe lidhja e tyre me mentalitetin e shoqërive përkatëse: http://www.peshkupauje.com/content/mendime-mbi-kulturen-kultura-dhe

    Tek teksti më lart, Koestler shfaq pikërisht atë karakteristikë të mosbesimit ndërpersonal, dhe bindje ndaj autoritetit suprem.

  5. Po ta lidhnim me temën e tradhëtisë, do thosha psh se paria shkëmben akuza të tilla me lehtësi dhe këto me të njëjtën lehtësi bëhen të pranueshme. Kur paria politike vetë, vjedh, vret, mashtron, gënjen… e çfarë cilësie do i mungonte kësaj parie të tillë, që edhe të mos tradhëtonte interesat kombëtare?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin