Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Letërsi

EFEKTI I PASQYRËS SË THYER

[Mehmet Elezi përgjigjet]

I dashur Ardian,

Eshtë e natyrshme të kemi përputhje dhe mospërputhje në një diskutim-debat qytetar. Gjëja e parë në këtë linjë: do të kisha dashur që librin tim “Nuk isha student i dhjetorit” ta kishit lexuar para se me u shprehë publikisht për të, për pjesë ose anë të tij.

Ribotimi i disa pjesëve në një të përditshme në Tiranë më mërziti për atë që, për t’u shprehur butë, mund të quhet mungesë profesionalizmi dhe shkelje e të drejtës së autorit. Filluan t’i botojnë : -pa lejen e autorit ; -pa shënuar se janë marrë nga ky libër (pra nuk janë shkrime ekskluzive); -pa i qëndruar besnik origjinalit, duke vënë në gojën time tituj të paqenë, të cilët më kanë bërë të ndihem keq; -pa ruajtur njësinë e fragmentit, duke prerë vend e pa vend ; -pa kujdesin për të shmangur gabimet drejtshkrimore.

Kësisoj përshtypja për këtë libër në opinion u krijua nëpërmjet një pasqyre të thyer. Për pasojë: efekti i pasqyrës së thyer.

Njerëz me emra dhe të tjerë që fshehin emrat për arsyet e veta vazhduan të shprehen partizançe. Disa duke u nisur vetëm nga titujt që lexoheshin në pasqyrën e shtypit në televizionet e shumtë të Atdheut. Shumicën dërmuese i bashkonte mendja e mbyllur, paragjykimi si militantë partiakë. Një gjuhë e rëndë tifozësh, besoj jua ka çuar tugën jo më pak se mua. Nuk mund të vijohej me leximin e tyre.

Në libër del, për shembull, përse unë, si shumë intelektualë që e kanë njohur nga afër, nuk e kanë dashur këshilltarin Sofokli Lazri . Arsyet nuk janë të tilla si Elezi nuk ka shkuar mirë me Lazrin… etj. Janë shumë më të thella, krejtësisht parimore. Në parathënie kallëzohet shkurt me referenca se pjesë të këtij libri janë botuar kur R. Alia e SL jo vetëm ishin gjallë, por mbaheshin mbi të gjallët. I pari president, i dyti (super)këshilltar i tij.

Sinqerisht, duke ju pasur te kreu i listës së emrave që çmoj, do të dëshiroja të mos shkonit deri te krahasimi me stilemën dylekëshe të kinemasë së realizmit socialist, ku diversantët … Më duket i padrejtë. Përveçse i sforcuar. Një përgjithësim të cilin nuk di a e mbajnë dot këllqet e një fakti si e folura nëndialektore e SL “tim”. Nëse në kohën e realizmit socialist mund të jenë cituar në të folmen e vet Gj. Fishta, L. Nosi, M. Kruja a A. Harapi, askush nuk gjen sot arsye me thanë se kjo nuk është e drejtë. Sepse ata, emra historikisht të identifikueshëm, ashtu flisnin. Diçka tjetër nuk ishte dhe nuk është e drejtë: fakti që tradhtarët, kriminelët etj, në artin e kohës flisnin gegërisht/shkodranisht, kur në jetë ishte ndryshe. Në librin tim flet në nëndialekt një njeri i njohur i politikës (SL), historikisht i identifikueshëm, dhe jo një personazh i krijuar. Personazhet e krijuar të librave të mi, “personazhet negativë », kriminelët, spiunët e sigurimit etj. nuk flasin në dialekt. Në gojën e tyre mund të gjesh edhe paskajoren.

Duke lexuar Efektin Pasqyrë, kundër dëshirës sime m’u krijua përshtypja sikur paskësha qenë i paragjykuar si « gegocentrik » etj. (një akuzë e ngjashme më ka qenë bërë pa sukses asokohe në nivele të larta partiake, e kam trajtuar në libër), por për këtë nuk gjindeshin fakte në trajtesat e mia në gjuhësi, as në librat artistikë, as në veprimtarinë publicistike. Por ja më në fund: ME ka paraqitur SL duke folur në nëndialekt, ky është argument që paragjykimit të fshehur i jep të drejtë qytetarie dhe e shndërron në gjykim.

Ka qëlluar nëndialekt (apo e folme?) jugor, po të kishte qëlluar tjetër nuk do te ndryshonte asgjë në trajtimin tim. SL, si dhe të tjerët, përfaqësonte sistemin dhe nuk përfaqësonte krahinën. Një njeri publik me një post kyç, që nuk ngrihet dot mbi të folmen e fshatit të vet, qoftë ajo edhe e folmja më e bukur e botës, ve pikëpyetje serioze mbi kapacitetet e tij intelektuale dhe mbi kapacitetet e tij për t’u integruar në shoqëri; dëshmon se ka mbetur te niveli dhe mendësia e një fshati. R. Alia, F. Çami, Q. Sakajeva, S. Milloshi e të tjerë në libër nuk flasin krahinisht. Pa hyrë në skajimet e tyre politike, ata janë njerëz të integruar.

Druaj se disa përfundime tuaja te Efekti Pasqyrë i kundërvihen qëllimit tuaj të mirë. Sepse përpjekja me identifikue doemos problemin aty ku nuk është nxit krijimin e problemit aty ku nuk është dhe mahisjen e tij aty ku është. Pajtohem se dikush ose disa mundohen për përçarje, gëlltitje kulturore etj., kjo nuk është e re, këta mund të jenë pjesë e elitave të caktuara si dhe pjesë e vulgut (një numër blogjesh nuk merreshin me faktet, por me tropojanin ose tropojanët si të tillë). Por te ME nuk mund të gjindet aleat i këtij soji. Mbështetës aq më pak. E kundërta po. Kjo është e provuar dhe e provueshme në çdo kohë.

Duke marrë seriozisht çdo gjë që shkruani ju, e lexova të quajturin Alban Dega, me që është i vetmi blogist që keni cituar. Një „kafe“ ku S. Lazri e paskësh ftuar Foto Çamin në bodrumin e KQ – aty ishte e vetmja bufe e institucionit – dhe ku paskëshim qenë të mbledhur si me porosi M. Elezi, Alban (=Hamdi) Dega, P. Zogaj, R. Lani (mungon vetëm e dashura e ndonjërit, për t’i dhënë pak sharm skenës!), më ngjan me fantazitë ordinere të një të sëmuri me ndonjë nga sindromat, të cilat babai juaj i ndjerë i zbërthente më mirë se kushdo. Nuk ndodhte kurrë, në asnjë rrethanë, që një anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror me zbritë në atë bodrum, « i ftuar për kafe » nga kushdo qoftë. Ata kafet i pinin lart, vetëm lart, në zyrat e veta ose në takimet e rregullta te Njëshi. Edhe kur donin me pi kafe me një konfident a dikë tjetër gjatë kohës së punës, kjo ndodhte në zyrën e tyre, vetëm aty.

Për të tjerat e Al-Hamdi ça va sans dire, nuk besoj se ia vlen me u zgjatë.

Miqësisht,

[Shënim: Këtë mesazh ma dërgoi autori privatisht, por unë i kërkova që ta afishoj në blog, me bindjen se i shërben debatit dhe çështjes që na intereson të gjithëve. Pranoi, me ç’rast edhe e falënderoj publikisht.]

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin