Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

Poker imazhesh

Filmi “Inside Man”, i regjisorit Spike Lee, i blaton një dhuratë të posaçme publikut shqiptar ­– një fjalim të Enver Hoxhës përcjellë me iPod. Kur banditë të armatosur mësyjnë një bankë në Manhattan duke marrë një numër të madh pengjesh, policia vendos të fshehë mikrofona përgjimi në ambalazhet e picave që dërgohen brenda bankës, por mikrofonat nisin të transmetojnë nga banka në një gjuhë të pakuptueshme, ndoshta të çuditshme. Gjuhë sllave, thotë një prej policëve, por të tjerë e kundërshtojnë. Shqiptarët në sallë, ndërkohë, do ta kenë dalluar timbrin e paharruar të zërit të udhëheqësit, në komunikim të pandërmjetëm me masat adhurimtare; sikurse do të kenë dalluar sigurinë e kujt mbante një popull të tërë nën thundër. Pas pak gjendet në rrugë një murator amerikan dikur i martuar me një shqiptare, e që e identifikon gjuhën si shqipe. Policia nuk ka përkthyes përkatës, konsullata shqiptare kërkon të paguhet, e kështu me radhë, derisa më në fund përkthimi i besohet ish-gruas prej Shqipërie, që nuk e fsheh dot hilaritetin, teksa u shpjegon amerikanëve totalitarizmin shqiptar. Me sa duket, kusarët e kanë përdorur fjalimin për t’i futur ndjekësit në qorrsokak.

Ç’e ka shtyrë Spike Lee të sjellë Enver Hoxhën në Manhattan nuk shpjegohet dot lehtë. Diktatori shqiptar pothuajse nuk njihet prej publikut amerikan të multiplekseve; vetë grabitësit e bankës nuk janë as terroristë të kuq as revolucionarë stalinistë; filmi nuk është dhe aq i angazhuar politikisht; Enver Hoxha vetë largohet sakaq prej filmit njëlloj sikurse u fut atje –zëdhënës elokuent i asaj Jetërsie, të cilën në forma beninje e ndesh sot e kësaj dite përndryshe kudo në New York. Shqiptarët e ndjeshëm për punë identiteti nuk kanë kohë as të indinjohen me përshoqërimin politikisht të pahijshëm, meqë edhe për ta Enver Hoxha është bërë sot aq i largët, sa e kanë të lehtë të solidarizohen me Spike Lee dhe etosin e tij metropolitan. Duket se, si edhe herë të tjera në kinemanë e në përgjithësi në artin bashkëkohor, shqiptaria thirret në skenë për të përfaqësuar jo ndonjë karakteristikë të spikatur të shqiptarit, por më tepër boshllëkun konotativ të shqiptarisë në cirkun e sotëm mediatik global. Me fjalë të tjera, shqiptaria përdoret si shkallë zero e stereotipizimit, ose manifestim absolut i Jetërsisë.

Çuditërisht, një nga shkaqet e Jetërsisë shqiptare në vetëdijen globale do kërkuar pikërisht në politikën autarkike dhe izolacioniste të Enverit, që me këmbëngulje e për 45 vjet e rrethoi Shqipërinë me një mur terrori, duke e ndarë forcërisht nga Evropa e bota. Gjatë Luftës së Ftohtë, e sidomos pas vitit 1961, Shqipëria erdhi e shndërrua në një “hic sunt leones” të hartës kulturore të kontinentit, duke u fshehur madje edhe gjeografikisht e duke kthyer mbrapsht çdo orvatje për komunikim ardhur nga përtej. Autarkia totalitare, nga ana e vet, i kish rrënjët jo vetëm në paranojën e Enverit e në stalinizmin e regjimit, por edhe në historinë e vjetër dhe të re të shqiptarëve, popull që për mijëvjeçarë me radhë më shumë kishte mbijetuar sesa jetuar. Politikisht, trojet shqiptare ishin nga të fundit që iu shkëputën Perandorisë Osmane në Evropë, dhe kur Shqipëria më në fund e fitoi pavarësinë në 1912, spikati si i vetmi vend në kontinent me shumicën e popullsisë të fesë islame. Lidhjet transversale në gjuhë e në fe luajnë rol të dorës së parë në farkëtimin e aleancave, miqësive e besnikërive mes popujve të ndryshëm; sidomos në kushtet e një harte politike të kontinentit të dominuar nga shtetet kombe si përfaqësues kulturash kombëtare. Shqipja vërtet i përket familjes indo-evropiane, por nuk ka afëri të veçanta me ndonjë gjuhë tjetër brenda kësaj familjeje – ndryshe nga gjuhët sllave, gjuhët neolatine, gjuhët gjermanike e gjuhët kelte, që janë motra mes tyre. Vetë formula “feja e shqyptarit asht shqyptaria” do marrë, në këtë rast, si një dëshirë për ta vendosur në kontekst pozitiv nevojën e shqiptarëve për t’u izoluar njëfarësoj, në emër të mbijetesës si komb.

Natyrisht, pas 1990-ës ky lloj izolimi iu faturua krejtësisht komunizmit, në një kohë që Shqipëria portat e veta jo vetëm ia hapi botës, por edhe i shkuli nga menteshat krejt, si shenjë vullneti të mirë për një të ardhme aq të dëshiruar të komunikimit të ndërsjellë me kontinentin. Për fat të keq, bota e këtyre viteve të fundit nuk e njohu shqiptarinë aq prej romaneve të Ismail Kadaresë dhe bamirësive të Nënë Terezës, sesa nëpërmjet faqeve të kronikës së zezë, lajmeve për krimin e organizuar, skemave piramidale dhe kolapsit të shtetit shqiptar në 1997, korrupsionit shtetëror, trafikut të skllevërve dhe të prostitucionit. Megjithë përpjekjet e pamunguara të individëve dhe të institucioneve për t’i dhënë një zë dinjitoz Shqipërisë në tryezën e komunikimit planetar, e vërteta e hidhur mbetet se për shumëkënd në këtë planet “vendi i shqiponjave” nuk është më shumë sesa një kuriozitet gjeografiko-filatelik e ndoshta në rastin më të mirë folklorik. Pikërisht ky lloj ekzotizmi zero e bën të mundur Enver Hoxhën në një film pak a shumë komercial të Spike Lee.

Kur qeveritë në Shqipëri, të majta dhe të djathta, nuk kanë nge e vizion të merren me imazhin e vendit të tyre në vetëdijen e planetit, barra fisnike e prezantuesit u mbetet artistëve; dhe artistët kandidatë për ambasadorë kulturorë të vendit të tyre nuk kanë munguar, si shkrimtarë kryelartë të përkthyer e të përkthyeshëm, piktorë e të tjerë autorë të çartur instalacionesh e videoklipesh e të tjerash vepra vizuale eksperimentale, valltarë energjikë e këngëtarë popullorë e instrumentistë të shkathët folku, aktorë të palodhur, regjisorë të dërrmuar idesh e fotomodela të hajthme. Mirëpo artistët, për nga vetë forma me të cilën komunikojnë, janë shpesh të detyruar ta tërheqin publikun duke e skandalizuar, ose duke ia paraqitur të vërtetën në trajta karnavaleske. Shqipëria që i paraqitet sot botës prej artit shqiptar bashkëkohor shpesh nuk shkëputet dot nga kanuni, gjaku i marrë, gjaku i falur, zakoni, zhvirgjërimi, lahutari, fisheku në pajë, trashëgimia komuniste si metaforë universale e bizarres, minimalizmi pseudo-autentik, folklorizmi i shfrenuar, primitivizmi, skandali i memecërisë estetike. Këta artistë nuk mund t’i bësh me faj pse kërkojnë me çdo kusht ta shokojnë publikun e huaj duke i servirur skajet e jetës shqiptare, njëlloj sikurse nuk mund t’i habitesh kur imazhi i Shqipërisë në botë vjen e dominohet nga ky farë kitsch-i ekzotik, që për ne shqiptarët normalë mund të tingëllojë deri në kufi të neverisë.

Po të jenë vallë vërtet këta shqiptarët që duam t’ia përshkruajmë botës, si malësorë me qeleshe e me gishtin në çark të hutës; lebër polifonikë me qingjat në kurriz; procesione dasmorësh a kësolltarësh në gryka të maleve; viktima dëshpërimtare zakonesh më kokëforta sesa mbijetesa, përjetësuar si tatuazh në tru të etnisë; e në përgjithësi si bartës të gjithfarë tiparesh që na dallojnë prej evropianëve të tjerë deri në prag të Jetërsisë? Arti që synon ta trupëzojë në mesazhin e vet ekzotizmin – për t’ua shitur të huajve në emër të krijimit të një hapësire për shqiptarizmin në kulturën botërore – nuk ndahet dot nga artifici. Folklori që ua jep lëndën e parë shumë orvatjeve avangardiste prej zëdhënësve të sotëm të shqiptarizmit krijues, shpesh është njëlloj ekzotik edhe për banorin e Tiranës urbane, që e ndjen veten pjesë të kontinentit ashtu siç edhe e dëshiron Shqipërinë e vet pjesë të kontinentit, me të mirat dhe të këqiat e veta. Ky konsumator i kulturës bashkëkohore e ka kuptuar tashmë se obsesioni me efektin, ose këmbëngulja absurde për të shokuar romantikisht publikun skeptik perëndimor nuk pajtohet dot lehtë me nevojën për kumtim të shqiptarisë në botë, sa kohë që kjo shqiptari nuk është mall për t’u shitur, madje as edhe për të çarë bllokadën informacionale që e rrethon. Kur vjen puna për përmirësimin e imazhit, qëllimi nuk e justifikon mjetin.

Paradoksalisht, shqiptarët artistë të blerinave e të shtojzovalleve e të blegërimave stërgjyshore vijnë nga shtresa më kozmopolite e shoqërisë shqiptare sot; më e shëtitura e ndoshta më e familiarizuara me kulturën perëndimore; më e interesuara për ta bërë Shqipërinë të njohur, e ndoshta edhe protagoniste në panairet kulturore të planetit. Teksa kultura pop anembanë sundohet tanimë prej produkteve amerikane e nuk lë hapësirë për etnicizëm, vendi i artistëve kombëtarë është vetvetiu në cirqet e cirkuitet e produktit elitar, të galerive ekskluzive, të festivaleve të provincës, e të tjera forume të një publiku që pranon të ushqehet me gjithçka nuk klasifikohet dot si e fërguar në tiganet e fast food-eve kulturore të Amerikës. Kumti që i sjellin botës këta kasnecë të shqiptarisë kushtëzohet vetvetiu nga kanonet e artit bashkëkohor (postmodern), tashmë në orvatje për të rehabilituar disi të gjitha ato ikona që përdhosën modernistët. Është një kumt në kontrast të hapur me imazhin e shtirë të politikanëve prej Shqipërie, që mungesën e dinjitetit të shtetit të tyre duan ta kompensojnë duke u hequr si ultra-cool e duke përvetësuar huqet më pështira mediatike të kolegëve të tyre në Perëndim.

Për fat të mirë, publikut të nginjur të Spike Lee nuk i bëhet vonë as për vizitën e fundit të aksh kryeministri shqiptar në aksh kryeqytet të planetit, as për videoinstalacionin e fundit të aksh videoinstalatori shqiptar, në aksh galeri të Milanos apo të Vjenës. Masat shumëmilionëshe në Perëndim janë të kënaqura me imazhin e Shqipërisë si emblemë të jetërsisë, sidomos kur nuk bien viktimë e zhurmës mediatike për krimin e organizuar shqiptar, apo bandat shqiptaro-myslimane, apo rrezikun e terrorizmit islamik… Shqiptarët vetë, në kontaktet e tyre me të tjerët, gjithnjë mëtojnë të paraqiten perëndimorë të mbaruar ultraliberalë, ithtarë të vendosur të ekonomisë së tregut dhe pro-amerikanë të patundur; ose njerëz me mend në kokë që e kanë hedhur tutje madje harruar prej kohësh trashëgiminë e urryer totalitare autarkike izolacioniste provinciale anadollake ksenofobike. Megjithatë, mjafton t’i gudulisësh sado pak këta ambasadorë praktikë të shqiptarisë sot, ose këta kozmopolitë liberistë të betuar, për t’ua shpërthiqur mahnitjen e vjetër me kopshtin zoologjik të ekzotizmit të Mujit e të Halilit dhe afresket e tmerreve në guvat e folklorit shqiptar të mbijetesës.

Në këtë kontekst pasqyrash të qena e të paqena, Shqipëria mbetet e panjohur e madhe për ne, para se të jetë e tillë për botën mbarë; meqë edhe përqafimi ngashërimtar i globalizmit, edhe transformimi i historisë së shqiptarëve në muze kuriozitetesh etno-folklorike, janë në thelb përpjekje për të mohuar realitetin sa të hidhur aq edhe banal të Shqipërisë së sotme, shtet që ekziston kryesisht për arsye inerciale, kur nuk ekziston për t’u mbushur kasafortat pushtetarëve të vet. Zëri i shqiptarit Enver Hoxha në “Inside Man” – emblemë e dikurshme e vetëkënaqësisë vanitoze të diktatorit, tanimë e shndërruar në një vegël butaforike groteske – provon se shqiptaria, për sytë indiferentë të planetit, mbetet edhe sot e kësaj dite peng i shëmtive të veta, dhe se vendosmëria e ne shqiptarëve për t’u harruar e për të gjetur strehë në mungesën e vet nuk mjafton për të na rehabilituar. Që roli i gruas shqiptaro-amerikane identifikuese e shqiptarisë së Hoxhës në filmin e Spike Lee i ishte besuar, në të vërtetë, një aktoreje me prejardhje rumune, shërben edhe si provë elokuente për dështimin e kësaj alibie.

[2006]

8 Komente

  1. “Çuditërisht, një nga shkaqet e Jetërsisë shqiptare në vetëdijen globale do kërkuar pikërisht në politikën autarkike dhe izolacioniste të Enverit, që me këmbëngulje e për 45 vjet e rrethoi Shqipërinë me një mur terrori, duke e ndarë forcërisht nga Evropa e bota.”

    Thua për këtë arsye do të kujtosh dhe administratën e sotëme të Bushit??
    Nuk është ai mur terrori i krijuar pak a shumë artificjalisht rreth amerikanëve që i bën që të mendojnë se kanë të drejtë që të bëjnë ç’të duan në botë?
    Apo e bërë nga Enveri atëhere kur e bënin të gjithë ishte krim?

    Gjithsesi, ndoshta jam unë i trashë, por s’e mora vesh me ç’Jetërsi do të doje që të ishe përfaqësuar (qoftë si autor i këtij artikulli, qoftë si shqiptar në fund të fundit).

  2. Ju përdorni fjalën “Jetërsi” për “Tjetërsi”, është fjalë që e keni prerë vetë? Shqetësoheni të spjegoni qysh e tek? Faleminderit!

  3. d shkruan:

    Ju përdorni fjalën “Jetërsi” për “Tjetërsi”, është fjalë që e keni prerë vetë? Shqetësoheni të spjegoni qysh e tek? Faleminderit!

    Fjalën Jetërsi nuk e kam krijuar unë; është fjalë e shqipes, së bashku me të tjera të familjes: jetërsoj, jetërsim, i jetërsuar.

    Nuk ia di origjinën, por mund të them se tema jetër është më e vjetër se tjetër, meqë kjo e dyta s’është vec formë e krijuar nëpërmjet pëngjitjes së nyjes së parme ( jetër).

    Jam i sigurt që e kam parë të përdorur në përkthime të filozofisë; por tani nuk e gjej dot ku. Nuk ka ndonjë dallim kuptimor me “Tjetërsi“; përvecse ndoshta tingëllon më arkaike, por kjo nuk më prish punë, përkundrazi.

  4. edrus shkruan:

    Gjithsesi, ndoshta jam unë i trashë, por s’e mora vesh me ç’Jetërsi do të doje që të ishe përfaqësuar (qoftë si autor i këtij artikulli, qoftë si shqiptar në fund të fundit).

    duke iu referuar këtij citati nga unë:

    Një nga shkaqet e Jetërsisë shqiptare në vetëdijen globale do kërkuar pikërisht në politikën autarkike dhe izolacioniste të Enverit, që me këmbëngulje e për 45 vjet e rrethoi Shqipërinë me një mur terrori, duke e ndarë forcërisht nga Evropa e bota.

    Mua më mjafton e më tepron shqiptaria për t’iu paraqitur vetes dhe botës; nuk dua të kem të bëj me autarkinë e Hoxhës, e cila nuk kish asgjë shqiptare në vetvete, por ishte produkt i një paranoje vetjake dhe institucionale.

  5. Do më duhej të kisha hapur fjalorin, siç më duhet të them se më vjen keq që nuk e kam ditur.
    Jo, vërtetë, përkundrazi…por ndoshta nuk duhej ta kishit shtuar. Nuk kam pse mendoj ndryshe, përkundrazi.
    Ju falënderoj sërish!

  6. Unë e lexova prapë artikullin tuaj, por më bëhet e pamundur të përfytyroj se kush fshihet pas togfjalshave që përkufizojnë artistët – amatorë ose jo – dhe punën e tyre. Si dikush që jeton jashtë atdheut për një kohë shumë të gjatë dhe që media në përgjithësi i shkakton patologji ndryshme që nuk mund ti shpërfillë, së paku, brenda kontekstit të diskutimit tuaj, më duket se mesazhi do ishte më i rrokshëm, nëse do jepeshin shembuj konkretë. Them së paku, duke dashur të nënvizoj se unë i lexoj artikujt tuaj por jo median shqiptare, kështu që përdorimi i emrave të artistëve apo ndonjë ngjarjeje, ashtu vetëm shkarazi, duke krijuar një lloj skenografie të prekshme do e bënte më të qartë – për njerëz si unë gjithmonë – shqetësimin tuaj, edhe pse unë besoj parimisht se është legjitim.

  7. I nderuar koleg, ky material i shkruar në 2006 u përgjigjej disa konteksteve kulturore të atëhershme, por tani, një vit më pas, ndoshta duhet lexuar i ripërmasuar; dhe këtu në blog është sjellë më tepër për arsye bibliografike (meqë nuk gjendet më ndryshe nga ata që do të donin ta lexonin). Nuk e mbaj mend se kujt i referohesha në shkrim, as i kam mundësitë praktike t’u kthehem shënimeve të mia të atëhershme; por nëse i kam lënë pa përmendur artistët, kam pasur një arsye e cila besoj vlen edhe tani — dhe pikërisht që ato hollësi nuk do t’i shtonin gjë artikullit, përvecse do të zhvendosnin vëmendjen e lexuesit. Ndërkohë jam i sigurt se Kolektiviza do t’ju japë ide shumë më specifike e të shembëllzuara për gjendjen e arteve vizuale ndër shqiptarët.

  8. I nderuar autor, unë e pranoj fjalën koleg në kontekstin e “jashtë atdheut” dhe “sëkëlldisë të pazakontë nga media”,por këtë të fundit e marr vetëm me mend, por që doli prapë; unë desha të shtoj në komentin të cilit i’u përgjigjët se jam në dijeni të atij blogu, por shumica e materialeve aty janë prej medias…mirëkuptoj qëndrimin tuaj edhe pse do doja të ishte ndryshe, mund të ketë artistë mendjehapur dhe pendestarë ndër ta, do të mund t’u shërbente.
    Unë ju falënderoj për fjalën koleg, nëse arsyeja ishte e ndryshme nga ajo që mendova.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin