Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Politikë

NËPËR RRJETET E ARSIMIT TË LARTË

Numri i institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri ka marrë përmasa të pajustifikuara për madhësinë e tregut aktual. Rreth 53 institucione për 130,000 studentë, nga ku rreth 30,000 janë në 40 institucione private. Shumëkush do ta shpjegonte këtë dukuri me mekanizmat e tregut, kërkesa dhe oferta. Por ka teza se të tjera arsye janë në lojë.

Disa arsyetojnë se ky zhvillim është nxitur nga qeveria për të vonuar momentin kur kohortat e punëkërkuesve t’i vërsulen tregut të punës. Kjo do të lehtësonte trysninë ndaj klasës politike, edhe pse strategjia, nëse ndiqet me qëllim, vjen me disa efekte anësore të rënda për vetë klasën politike. Me tejngopjen e tregut dhe aftësitë e munguara, këto grupe do të dynden drejt administratës publike. Liberalizimi, privatizimi dhe shteti i tkurrur, nuk lënë shumë hapësira për të thithur këtë masë të madhe të ardhme të papunësh. Nëse do t’i referoheshim një cikli politik, kjo trysni do ta detyronte klasën politike ose të angazhonte bizneset e lidhura me partitë përkatëse, ose të shtetëzonte.

Të tjerë arsyetojnë se këto institucione po shërbejnë për të financuar partitë politike dhe përgatitur (shkoqur: pajisur me diplomë) kuadrot e ardhshme të partive.

Hipoteza e mësipërme mund të verifikohej nëse financimi i partive do të ishte transparent. Por një rrugë e ndërmjetme do të ishte të studioheshin lidhjet e partive politike me institucionet e arsimit të lartë, nëpërmjet analizës së rrjeteve sociale (Social Network Analysis). Një rrjet social është një strukturë shoqërore e përbërë nga individë (ose organizata) të cilësuara “nyje”, të cilat ndërlidhen me anë të varësive të ndryshme, si familjare,  fisnore, marrëdhënie dashurore, interesa të përbashkëta, shkëmbime ekonomike etj.

Edhe pse për rastin e Shqipërisë kjo metodë nuk duhet përdorur për të nxjerrë pohime normative, pasi vendi ynë është tepër i vogël, analiza e strukturave sociale shërben për të nxjerrë në pah ndikimin e këtyre strukturave në jetën ekonomike dhe politike të vendit.

Analiza synon të identifikojë lidhjet (varësitë e interesave) ndërmjet aktorëve politikë dhe institucioneve të arsimit të lartë. Për këtë është hartuar një hartë e rrjetit. Nuk janë marrë në shqyrtim të gjitha institucionet për shkak të mungesës së të dhënave. Harta paraqet lidhjet e aktorëve, grupimin e tyre sipas interesave dhe fortësinë e këtyre lidhjeve nëpërmjet trashësisë. Burimet e të dhënave janë: Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Google. Vizualizimi është bërë me programin GEPHI.

Disa prej përfundimeve interesante janë:

  1. Kristal – PD = Pronar: Ahmet Muçaj. Mendohet pranë PD-ës pasi Sali Berisha* dhe Fatos Beja* i kanë bërë vizita në ceremoni të ndryshme.  Qytetar Nderi i Përmetit në 2011, bashkia e PD. Ahmet Muçaj është aksioner së bashku me Armir Shkurti (Top Channel, Fiks Fare) në televizionin që shërben për të mbrojtur investimet: Planet Televizion. Gjithashtu Muçaj është aksioner në Plus Communication (DigitAlb, Top Channel, Luan Laupaj-Belle Air, Aleksandër Frangaj).
  2. UFO – PD = Pronar: Astrit Veliaj. Vizitat e Sali Berishës* dhe Lulzim Bashës* dëshmojnë për lidhjen e këtij institucioni me PD. Veliaj gjithashtu ka një televizion për të mbrojtur investimet nga klasa politike, UTV.
  3. UET-PD = Njohur për lidhjet e H. Cilit, E. Hasimes dhe A. Nurellarit me KOP 2005 dhe Lulzim Bashën. Së fundi në ekstraktin e QKR-ës figuron  përgjegjëse ligjore Teuta Dobi, Petrolifera në Vlorë dhe bashkëanëtare në shoqërinë Global MC, me Andis Harasanaj (PS) dhe Gerta Angjeli (Anastas Angjeli, PS).
  4. Universiteti Planetar – PS = Luan Memushi, ish-Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
  5. Universiteti Mesdhetar – PS = Anastas Angjeli, ish-Ministër i Financave. Së bashku me Lisen Bashkurtin, tani rektor tek Universiteti Ndërkombëtar (PD – Ish-rektor Ylli Vejsiu).
  6. Universiteti Luarasi – LSI = Focus Group. Ish-Aleks Luarasi. Focus Group është Irfan Hysenbelliu, që i shtoi arsenalit të tij (Panorama) edhe Gazetën Shqiptare dhe News 24. I njohur për lidhjet me Ilir Metën.
  7. New York University – PD = Ndër aksionerë të tjerë Mimoza Pashko (Gramoz Pashko).

Disa prej institucioneve të arsimit të lartë janë të lidhur ose kanë krijuar media  për t’i shpëtuar shantazhit politik apo financiar në lidhje me investimet e tyre.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin