Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Sociologji

KAIRO-TIRANË VAJTJE-ARDHJE

Kur krahasojmë mes Egjiptit dhe Shqipërisë, për të kuptuar ngjashmëritë dhe dallimet në situatat shpërthyese të javëve të fundit, bëjmë mirë të shkojmë përtej analizave mirëfilli politike.

Pishaku ka të drejtë kur gjen më shumë dallime, se pika të përbashkëta, në strukturat dhe zhvillimet politike të Shqipërisë, përkatësisht të vendeve arabe-mesdhetare si Egjipti dhe Tunizia.

Megjithatë, treguesit e zhvillimit urban dhe përgjithësisht social të bëjnë të mendosh.

Më rastisi të shfletoja këto ditë një libër, relativisht të vjetër, të David Lamb (The Arabs, botimi i fundit, 2002; i ngacmuar nga ky blog), ku autori flet ndër të tjera për Kairon:

Kryeqyteti po shembet nën peshën e njerëzve, njerëzve dhe më shumë njerëzve, dhe vetë Egjipti rrezikon të bëhet një Bangladesh në brigjet e Mesdheut, vend i varfëruar, në kthetrat e letargjisë dhe të rrëgjimit…

Makth urban [“urban nightmare”] e quan Lamb kryeqytetin egjiptian.

Lamb përmend shkëlqimin e dikurshëm të Kairos, një metropol me dhjetëra kinema të kategorisë së parë dhe një teatër të operas ku dikur u shfaq premiera botërore e Aida-s së Verdit; por edhe një qytet të ndarë më dysh, midis pjesës europiane të manikyruar dhe lagjeve të varfra, të mbipopulluara dhe të mbytura nga ndyrësitë.

Dikur Egjipti prodhonte më shumë se 100 filma artistikë në vit. Lamb-i citon një aktor egjiptian që i thotë se “Publiku i atyre kinemave nuk ekziston më… Tani jetojmë në një shoqëri fshatare.”

Sipas Lamb-it, çfarë e solli Kairo-n në gjendjen e sotme është apatia publike, keqadministrimi ekonomik dhe shtimi i pakontrolluar i popullsisë; rezultati është shndërrimi i kryeqytetit europian në “një slum fshatarësh, të cilët qyteti i tërheq me iluzionet për një jetë më të mirë.”

Ka edhe më.

Edhe pse egjiptianëve nuk u bën përshtypje që jetojnë në ndërtesa të pisëta dhe gjysmë të shkatërruara, shtëpitë e tyre brenda janë gjithnjë akull të pastra… Kur pyesja rreth e rrotull nëse i kish shkuar kujt mendja për t’u organizuar si bllok ose si mëhallë ose si pronarë shtëpish, për të pastruar hapësirat e përbashkëta, njerëzit qeshnin dhe thoshnin: ah, po këto gjëra nuk funksionojnë këtu.

Lamb vëren se një nga forcat që e shkatërruan Kairon urbane ishte qendërzimi i pushtetit.

Gjithshka është e qendërzuar në Kairo. Nëse një egjiptian ka nevojë për një pasaportë të re, ose ka një pyetje për pensionin e vet të veteranit, atij i duhet të vijë në Kairo. Industria, administrata qeveritare dhe tregtia janë qendërzuar atje të gjitha. Një në katër egjiptianë jeton atje. Kairoja është Egjipti dhe asgjë domethënëse nuk ndodh jashtë kryeqytetit. Në arabisht e njëjta fjalë përdoret edhe për Egjiptin edhe për Kairon: Misr.

Pasazhet në libër ku flitet për trafikun e rënduar, infrastrukturën e amortizuar dhe të arnuar me penj të bardhë, korrupsionin, përqendrimin e popullsisë, degradimin e hapësirave publike, spekulimin në ndërtim, mungesën e planifikimit urban duket sikur janë shkruar edhe për Tiranën.

Nëse dyndjen e masave fshatare në kryeqytetin shqiptar e shkaktoi katastrofa ekonomike gjatë dhe pas kolapsit të regjimit komunist, në Egjipt një rol të ngjashëm e luajtën luftrat dhe tensioni me Izraelin fqinjë. Lamb vëren se miliona fshatarë erdhën në Kairo pse aty ndiheshin më të sigurt, gjatë luftërave të viteve 1967 dhe 1973. Nga ana tjetër, qeveritë egjiptiane nuk e vranë kurrë mendjen shumë për mirëmbajtje – duke parapëlqyer të shpenzojnë për projekte madhështore, që tërheqin vëmendjen.

Po ashtu, politikat arsimore populiste të presidentit Gamal Abdel Nasser i ulën dramatikisht standardet shkollore, deri në emëruesin më të vogël të përbashkët. Nuk besoj se jam i vetmi që shoh, këtu, një ngjashmëri tjetër me shumimin e universiteteve private në Tiranën e viteve 2000, të cilat gjithashtu po krijojnë një klasë ekspertësh dhe kuadrosh inkompetentë sot, të cilët janë mishërim i premtim-kërcënimit për korrupsionin në pushtet dhe në administratë nesër.

Lamb, që citon të dhëna jo më të vona se të vitit 2002, shton se në Egjipt, dyzet mijë studentë diplomohen çdo vit nga trembëdhjetë universitetet e vendit; shumë prej të cilëve nuk gjejnë punë, ose punojnë në administratën publike ose si shoferë taksish ose kamerierë. Vetëm në Ministrinë e Bujqësisë, vëren autori, punojnë dy mijë Ph.D., shumica e të cilëve e kalojnë kohën në zyra që s’kanë as telefon, as makina shkrimi dhe, pas gjase, as kompjuterë. Në bazë të një politike punësimi të nisur prej Nasser-it, deri në vitin 1986 çdo i diplomuar në universitet kish të drejtë për një punë në shtet; si rezultat, brenda tridhjetë vjetësh, burokracia u rrit nga 370 000 në dy milion.

Nuk besoj se ka nevojë të jesh ekspert, për të konstatuar ngjashmëri të trishtuara me Tiranën: e njëjta dyndje popullsie nga zonat fshatare, i njëjti degradim urban, i njëjti kalbëzim i infrastrukturës, i njëjti centralizim i administratës dhe i shtetit, e njëjta rënie e standardeve arsimore, i njëjti shkatërrim i shtresës së mesme qytetare dhe i kulturës qytetare. Në Egjipt, të rinjtë më të aftë dhe të përgatitur parapëlqejnë të largohen për të punuar në Emiratet Arabe dhe në vende të tjera ku shpërblehen mirë dhe ku zotësitë e tyre vlerësohen lart; në Shqipëri të rinj të tillë, kur kanë mundësi, studiojnë në Perëndim dhe pastaj nuk kthehen më.

Sociologët dhe antropologët, në Tiranë, duhet t’i kushtojnë vëmendje masës së madhe të imigrantëve të njëzet vjetëve të fundit, kryesisht nga zona fshatare të prapambetura; të cilët kanë sjellë në kryeqytet edhe mënyrat e tyre të jetesës, për t’i transplantuar në një truall urban, edhe pse nga ky eksperiment vetëm rezultate përçudnuese mund të priten. Nuk e kam fjalën për studimin e tyre nga pikëpamja thjesht akademike; por edhe për një përpjekje për të kuptuar se çfarë do të bëjnë këta njerëz, herët a vonë, në kushtet kur një mjedis urban i dalë nga kontrolli, si Tirana, nuk arrin t’i absorbojë dot, as t’i asimilojë.

Çështja besoj unë ka rëndësi strategjike për të ardhmen politike dhe kulturore të Shqipërisë, e cila tani shprehet e tëra nëpërmjet institucioneve të Tiranës. Edhe ngjarjet të 21 janarit, po t’u heqësh varakun politik dhe interpretimet e momentit, mund dhe ndoshta duhet të analizohen si shprehje e këtij ngërçi urban, ose përpjekje e një mase gjysmë të urbanizuar njerëzish, të cilët jo vetëm nuk arrijnë të integrohen në bashkësitë e tyre të reja, por edhe, me praninë dhe veprimtarinë e tyre, krijojnë kontekste urbane problematike, të pakontrollueshme, të panjohura dhe të paparashikueshme, sa u takon pasojave afatgjatë që do të sjellin.

Pa Komente

  1. Megjithatë, treguesit e zhvillimit urban dhe përgjithësisht social të bëjnë të mendosh.

    Seriozisht tani xhaxhai? 🙂

    Sa larg do shkojme te gjejme krahasime? Se p.sh. ne kemi shume gjera te perbashketa me realitetin e perandorise turke ketu e 5 shekuj me pare, po afermendsh s’mund te quhemi perandori turke.

    Kjo e jone eshte nje krize e stisur politike, e mirembajtur nga te dy palet (pozite/opozite) e cila duke qene se detyrimisht do te perkeqesohej (meqe stadet e para s’dhane rezultat, dhe meqe s’kishte kthim mbrapa per Ramen, qe ishte inisiatori i kesaj krize) dhe te mundohesh te gjesh paralele me vendet e Afrikes me duket vertet qesharake.

    Mbase e kam gabim, ngase dhe s’e kuptoj, benefitin e ngjashmerive te shume-kerkuara.

    _______

    Shpresoj te kete ndonje dalje polesh te reja nga dy partite e medha; memorandumi i Mustafaj dhe acarimi i vazhdueshem i Berishen me Topin jane nje tregues per PD-ne.

    Ri-zgjimi mediatik i Kastriot Islamit dhe ndonje tjetri nga ata te Levizjes per Mendim Ndryshe, por dhe premtimi i Rames per te bojkotuar zgjedhjet lokale, jane tregues per PS-ne.

    Sikur dhe vetem per te dobesuar kampet mafioze, apo dhe per interesa safi politike te ketyre qe mund te dalen me vete, do ishte mire te ndodhte. Ndryshe, neser kur kjo situate te kete kaluar, do mbartin te gjithe fajin e perbashket te ketyre qe po ben sot Rama e Berisha, pra imazhin e tyre.

    Per kete do ishte i mirepritur nje shkrim nga autoret e PTF. 🙂

    1. Xhibi, Egjipti nuk është “vend i Afrikës”, as është aq larg Shqipërisë sa ç’mund të duket.

      Edhe Shqipëria edhe Egjipti kanë kaluar shekuj nën Perandorinë Otomane; dhe kanë trashëguar struktura, institucione dhe zakone të shumta nga ajo kohë.

      Edhe Shqipëria edhe Egjipti janë shoqëri të përziera për nga kultura fetare, me shumicë myslimane dhe pakica të krishtera (edhe pse përqindja e myslimanëve në Egjipt është më e lartë se tek ne). Megjithatë, qytetet kryesore të Egjiptit, si Kairo-ja dhe Aleksandria, kanë përjetuar një zhvillim urban, ekonomik dhe kulturor të cilin qytetet tona nuk e kanë parë as në ëndërr.

      Tensionet mes modeleve politike laike/shekullare/nacionaliste dhe atyre fundamentaliste/fetare/totalitare/komuniste ndihen ngjashëm në të dy vendet.

      Ngjashmëritë urbane dhe kulturore mes Kairos dhe Tiranës them se i bën të qarta autori që kam cituar më sipër; dhe është miopi që të mos kuptosh se nga kontekste të ngjashme sociale dhe kulturore mund të lindin zhvillime sociale dhe politike të ngjashme.

      Këtu po flasim për ngjashmëritë jo për dallimet; të flasësh për dallime, e nënkupton një diskutim, sado në heshtje, të ngjashmërive. Vërtet, Egjipti është më larg Europës dhe Perëndimit se ne, por të mos harrojmë se egjiptianët nuk e kanë përjetuar hatanë e komunizmit, as shkatërrimin e institucioneve të pronës private dhe të kultit.

      Egjipti ka problem të madh me rritjen demografike – në vetvete, por edhe në krahasim me Shqipërinë (thuhet se në kohën kur shkoi Napoleoni atje, në fillim të shekullit XIX, popullsia e Egjiptit ishte vetëm 3 milion; sot është gati 80 milion).

      Egjipti ka edhe një problem të madh me Izraelin dhe Palestinën; çka i ka kushtuar shumë në shpenzime ushtarake dhe trauma të luftës në të shkuarën dhe i rëndon sot e kësaj dite, për shkak të peshës dhe autoritetit që ka marrë ushtria në jetën e vendit.

      Shto këtu edhe ndihmën jashtëzakonisht bujare që merr Egjipti prej ShBA; së bashku me Izraelin, këto dy vende përfitojnë një pjesë të madhe të ndihmës amerikane për botën: 3 miliard dollarë në vit Izraeli (nga të cilat 2.8 në ndihma ushtarake) dhe 1.5 miliard dollarë në vit Egjipti (nga të cilat 1.3 në ndihma ushtarake).

      Gjithsesi, Xhibi, diskutimi nuk mund të ngeci vetëm në aspektet politike të zhvillimeve të fundit. Edhe politika i ka rrënjët gjetiu. Meqë ti i ke qejf ndërkombëtarët, ja një historiçkë që paska ndodhur sot. Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, e paska pyetur një gazetar shqiptar se si do të kishte reaguar ai, në qoftë se forcat daneze të policisë/të gardës republikane do të kishin qëlluar mbi protestuesit. E di si u përgjigj Rasmussen-i? “Kjo s’mund të ndodhte kurrë në Danimarkë… Danezët janë shumë më të qetë se këta jugorët,” tha. [Të paktën nuk i zuri në gojë detyrat e shtetit për të vrarë qytetarët.] Tani, po të më pyesësh mua, kjo është nga ato analiza pseudo-antropologjike që mund edhe të na kurseheshin; dhe jo vetëm në nivelin e NATO-s, por edhe të blogjeve.

      1. Nuk e shikoj si ceshtje antropologjie xhaxhai kete qe ka thene ai i Natos.

        Po gazetaret tane, sidomos keta te Top Channel (qe kane pyetur dhe kete) vdesin te bejne kesi pyetjesh. P.sh. qe pas 21 janarit, cdo te huaj qe gjejne rruges e pyesin “He, a u arriten tashme kushtet per zgjedhje te parakohshme?”.

        Nuk po them se e ka fajin pyetja ne pergjigjen e tij; nuk e di pse e ka dhene ate pergjigje. Une e shikoj si nje fare shmangje qe ben ai ndaj ketyre pyetjeve me kunj, me stil edramist tip “keto qe ben Berisha ketu s’do ti toleronit ne vendet tuaja”. Well, no shiat! Dmth njera pale qit ne dukje te palarat e pales tjeter dhe i pyet nderkombetaret ca do benin ata sikur keto te ndodhnin ne shtepine e tyre.

          1. Ah e majta. Perenalisht koken plot dhe xhepin bosh. S’besoj se ka per ta kapercyer ndonjehere.

  2. Paragrafin e meposhtem e solli Xhaxhai ne shkrimin e vet:
    …”Gjithshka është e qendërzuar në Kairo. Nëse një egjiptian ka nevojë për një pasaportë të re, ose ka një pyetje për pensionin e vet të veteranit, atij i duhet të vijë në Kairo. Industria, administrata qeveritare dhe tregtia janë qendërzuar atje të gjitha. Një në katër egjiptianë jeton atje. Kairoja është Egjipti dhe asgjë domethënëse nuk ndodh jashtë kryeqytetit…”

    Asnje e vertete nuk do shtremberohej sikur ky paragraf te shkruhesh keshtu:

    …”Gjithshka është e qendërzuar në TIRANE. Nëse një shqiptar ka nevojë për një pasaportë të re, ose ka një pyetje për pensionin e vet, atij i duhet të vijë në TIRANE. Industria, administrata qeveritare dhe tregtia janë qendërzuar atje të gjitha. Një në katër shqiptar jeton atje. TiRANA është Shqiperia dhe asgjë domethënëse nuk ndodh jashtë kryeqytetit….”

    Zhvillimi urban eshte t(T)iranizimi i vertete i Shqiperise. Nje politike urbanistike me duket se gjithnje ka munguar, ose edhe kur ka qene e pranishme, ajo eshte vene ne sherbim te politikes, pa marre shume parasysh realitetin apo nevojat lokale. Ne kete drejtim mungesa e pervojes, perzier me interesa afatshkurter, ka ndihmuar ne atrofizimin e qendrave urbane si Shkodra ( Zogu ashtu edhe Hoxha u kujdesen per te prere cdo rrenje zhvillimi ne ate qytet) apo edhe ne krijimin e hibrideve te tilla si urbanizimi i sotem i gjithe hapesires Tirane-Durres.
    Eshte veshtire te moralizosh ne te tilla raste, sepse gjithkush qe ka levizur ne Tirane, e ka bere dhe e ben ate ne perpjekje per te siguruar nje jetese dhe te ardhme me te mire per vete, familjen dhe femijet e tij. Te njejtat reflekse kane vepruar edhe tek une, kur zgjodha “Tiranen” time dhjetra mijra km larg.
    Por eshte pikerisht pervoja personale qe te shtyn te besh krahasime, dhe te arrish ne perfundimin se zhvillimi urban ne Shqiperi i eshte lene ne dore te Zotit dhe specialisteve te politikes, e jo te zanatit.
    Une jetoj shume larg nga Tirana. Qyteti ketu eshte shume i bukur, por edhe shume i ri. Vetem 125 vjet i vjeter. Po te shohesh fotografite e fillimeve te veta, ngjan me shume me Fusharrezin e Pukes se sa me nje qytet vibrant, gjithe drite dhe plot jete. Ajo qe me ka terhequr vemendjen eshte se ka nje perputhej te habitshme midis planifikimit te bere , te themi 40 vjet me pare, me gjendjen dhe kerkesat e sotme. Keto kerkesa jane shume dinamike, te paevitueshme dhe te pafrenueshme. Cdo vit ky Great Region i fundit te botes , merr, pret, pranon mbi 30-40 mije vete. Nje trend qe ka 15-20 vjet qe vazhdon. Por megjithate nuk sheh kerkund getoizim te ndonje zone te qytetit, nuk sheh kerkund qe ky trend te krijoje gjendje ku zhvillimet urban te dalin jashte kontrollit.
    Aftesia e bashkise(ve) te qyetit per te administruar territoret ne juridiksionin e saj ngelet e pa diskutuar (ata vendosin/ kontrollojne/miratojne cdo plan urban).Pushteti i tyre po ashtu shtrihet kudo. Asgje nuk ndodh dot jashte vullnetit te saj. Preve nje peme, pa marre leje aty ku duhet? Gjoba eshte $500.00 deri ne $10,000. Nje familje me origjine nga India kish marre leje vetm per 4 peme dhe preu 20. Banoret e tjere ketu, ne kuptimin e vertet te fjales, po i “lincojne” me komentet e tyre, dhe te gjithe kerkojne qe gjobimi te jete ne maksimum. Nga ana tjeter, ka nje moratorium qe ndalon perdorimin e qofte edhe nje meter katror toke buke per te bere ndertime industriale/ komerciale/ residenciale.

    Ne rastin e Shqiperise, dhe Tiranes ne vecanti, une nuk e besoj se “ora” mund te kthehet mbrapa dhe te kerkohet kthimi perseri ne gjendjen e para 90.
    Por per sa kohe te ngelet percetimi se Tirana mbetet qendra e cdo gjeje ne Shqiperi, eshte vecse natyrale qe njerezit te duan te jetojne ne te. Ne fund te fundit 60% e popullsise se vendit eshte akoma ne fshat. Do pritur deri sa qendra te tjera ekonomike dhe urbane te fillojne e te konkurojne , te pakten nga ana financiare me kryeqytetin, per te pare nje ndryshim te trendit. Trende te cilat mund te influencohen. Te influencohen nga njerezit qe jane ne krye dhe drejtojne. Njerez te cilet ta ndjejne veten ne sherbim te Res Publica dhe jo te flamurit te kombit, partise, patronit apo xhepit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin