Dita e sotme ishte relativisht më e qetë se të tjerat, sa i përket krizës institucionale dhe politike në Tiranë; në kuptimin që lufta mes institucioneve u zhvendos nga plani politik në planin semantik.
Në një deklaratë për mediat, këshilltari ligjor i Presidentit Topi, Spiro Peçi, replikoi me një deklaratë të mëparshme të Kryetarit të Komisionit Hetimor Parlamentar, Eduard Halimi, sipas së cilës Komisioni, në bazë të Nenin 14, germa “b” të Ligjit Për komisionet hetimore ka të drejtë të thërresë titullarë institucionesh për pyetje dhe të kërkojë dokumente ose informacione zyrtare prej tyre.
Sipas Peçit,
Vetëm ata që nuk kanë koncepte mbi institucionin dhe titullarët e institucioneve, si dhe nuk lexojnë apo nuk duan të lexojnë Kushtetutën e vendit, e njehsojnë [sic] Presidentin e Republikës me një titullar institucioni.
Në vijim, Peçi shpjegoi se Presidenti i Republikës nuk është titullar institucioni, por institucion.
Kush ka të drejtë?
Nga pikëpamja juridike mund të ketë të drejtë Peçi, por nga pikëpamja semantike-gjuhësore, diferenca mes institucionit të Presidentit dhe titullarit të këtij institucioni, ose personit që e mishëron funksionin e Presidentit në qenien e vet, është e papërfillshme.
Ngatërresa këtu lidhet edhe me kuptimet e shumta të fjalës magjike “institucion”, e cila ka filluar të përdoret gjithnjë e më shpesh për të shenjuar çdo lloj forme organizative ose sociale që i përket një sistemi shoqëror post-komunist.
Gjithsesi, institucion është edhe Gjykata e Lartë, edhe Kryeministria, edhe Forcat e Armatosura, edhe Martesa, edhe Spitali – por nuk ka nevojë të jesh leksikolog e filozof, për ta kuptuar se këtu është fjala për kuptime të ndryshme të të njëjtës fjalë, ose për çka në gjuhësi quhet polisemi.
Kryeministri Berisha, para pak ditësh, në fjalën që mbajti para Komisionit Hetimor Parlamentar, e përdori termin institucion me kuptime të ndryshme, edhe pse la përshtypjen sikur po fliste për të njëjtin koncept.
Ai tha ndër të tjera:
(1) Në Shqipëri, Forcat e Armatosura janë një institucion i shkëlqyer, anëtar i NATO-s, të gatshëm për të mbrojtur rendin kushtetues të vendit, për të përmbushur të gjitha detyrimet që kanë nga Aleanca e Atlantikut të Veriut.
(2 Këshilli i Ministrave kishte një mbrojtje të plotë e totale. As 200, as 2000 e as 20 mijë nuk mund ta merrnin atë. Kurrë! Ajo kishte një mbrojtje absolute dhe do të ketë një mbrojtje absolute. Sikundër, në këtë vend të lirë do të respektohet me vendosmërinë më të madhe çdo liri dhe e drejtë e qytetarëve shqiptarë për protestë dhe po me ato ligje, po me atë Kushtetutë do të mbrohen me vendosmëri totale institucionet e këtij vendi. […] Pasi mbarova drekën, në orën 14.15 u ktheva në zyrën time. Punonjësve u thashë se institucionet janë kështjella dhe nuk jepen kurrë. Sado e hidhur, sado e shëmtuar, sado e dhimbshme që është ajo që ndodhi në 21 janar, nga ana tjetër, po kaq madhështore, po kaq heroike, po kaq domethënëse është qëndresa e atyre burrave dhe grave të Policisë së Shtetit dhe Gardës, të cilët bënë të qartë se institucionet, kështjellë të lirisë, nuk jepen, nuk mund t’i pushtojë kush kurrë.
(3) Garantoj shqiptarët se kurrë ndonjëherë, cilido të jetë çmimi, një institucion i lirë i këtij vendi të lirë nuk do mund të merret kurrë nga askush.
(4) Prokurorja e Përgjithshme do të vendoste arrestimin e të gjithë zinxhirit të komandës së Gardës, në mënyrë që puçistët të demonstronin lirshëm kundër horrave të Gardës e të pushtonin institucionet.
(5) zoti President, mbi pesë orë është sulmuar në mënyrë barbare Policia e Shtetit dhe institucioni kushtetues i Këshillit të Ministrave.
Natyrisht, kryeministri Berisha duket se ngatërron këtu – shpresoj qëllimisht – institucionin si organizatë që luan rol parësor në formulimin, zbatimin dhe ruajtjen e ligjit, me institucionin si ndërtesë ku është vendosur kjo organizatë.
T’i ngatërrosh këto të dyja është ta shtysh metoniminë më tej se ç’mund të mbajë; dhe, më keq akoma, të ngecësh te konceptimi territorial ose hapësinor i republikës dhe institucioneve të saj. Kushdo mund të ngatërrohet me metonimitë, por konceptimi i institucionit si truall nuk është hiç i pafajshëm, meqë lidhet drejtpërdrejt me përfytyrimin e institucionit, në rastin konkret të Këshillit të Ministrave, si një lloj hapësire ku vepron ligji, në kundërshtim me zonën përjashta, ose bulevardin, si një hapësirë ku mbretëron kaosi ose paligjshmëria.
Edhe Enton Palushi, në një shkrim sot në Tema, e ka vënë re këtë deformim, kur shkruan:
Çfarë është ky pasion i kryeministrit për të identifikuar një institucion vetëm nga pikëpamja materiale? Për të kryeministria është godina. Ajo ka rëndësi. Ndërsa kudo në botën perëndimore nuk janë godinat që mbajnë gjallë institucionin. Por këtë gjë e di mirë kryeministri ynë aktual, që edhe pse e pati pushtuar godinën e qeverisë shumë vite më parë, nuk ia pa dot hairin. Sepse nuk është godina që bën institucionin. A e dëgjuat Eduard Halimin që i thoshte presidentit titullar institucioni? Ndërkohë që këshilltari i Topit i tha se presidenti është vetë institucioni. A u mjafton kjo logjikë? Po atëherë sërish të rilind pyetja, pse kjo joshje e kryeministrit pas materiales.
Mund të supozohet se kryeministri e bën qëllimisht këtë ngatërresë, sepse vetëm ashtu mund ta paraqitë sulmin ndaj një godine institucionale – selisë së Këshillit të Ministrave – si një grusht shteti në tentativë, ose sulm ndaj “institucionit kushtetues” të Këshillit të Ministrave. Nëse nuk bëhet kjo ngatërresë, atëherë ngjarjet e 21 janarit do të klasifikoheshin, natyrshëm si trazira, akte vandalizmi, etj., por jo si grusht shteti.
Një jurist do ta bënte menjëherë dallimin, megjithatë, midis “u sulmua Kryeministria” dhe “u sulmua Këshilli i Ministrave”; në të dy rastet u sulmuan institucione, por Kryeministria nuk është veçse një seli, ose ndërtesë ku është vendosur një organizatë publike; ndërsa Këshilli i Ministrave është vetë organizata. Për ta kuptuar dallimin, mjafton të kihet parasysh se Kryeministria nuk mund të marrë asnjë vendim; por edhe Këshillit të Ministrave nuk mund t’i bllokohen, bie fjala, nevojtoret.
Në rastin e Presidencës, çështja sikur ndërlikohet edhe më; sepse presidenca mund të jetë (1) “funksioni i presidentit, i përcaktuar me kushtetutë”, me ç’rast presidenti si person fizik është titullari i saj; sikurse mund të jetë (2) “koha gjatë së cilës një president qëndron në detyrë”; ndërkohë që në shqipe, fjala ka marrë edhe kuptime të tjera, mes të cilave kanë rëndësi (3) “selia e Presidentit të Republikës, ndërtesa fizike ku punon zakonisht Presidenti i Republikës” dhe, më në fund, (4) “aparati burokratik që ndihmon Presidentin në kryerjen e funksionit të tij.” Ky kuptim i fundit qartësohet më mirë, po të kihet parasysh edhe raporti kuptimor i fjalës ministrí me fjalën ministër.
Këtu ndoshta duhet shtuar edhe se raporti president/ presidencë, në kontekstin e kuptimit (3), është i njëjtë me raportin kryeministër/ kryeministrí, ose ministër/ ministri, drejtor/ drejtorí etj.; sepse kryeministria është jo vetëm ndërtesa ku e ka zyrën Kryeministri (dhe zv. kryeministrat) dhe ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit të Ministrave (selia fizike e Këshillit të Ministrave), por edhe aparati burokratik që e ndihmon Kryeministrin në kryerjen e detyrës së vet: specialistët, këshilltarët, departamentet, ndihmësit, sekretaret, etj.
Tani, Berisha në fjalën e vet e bëri të qartë se Garda e Republikës ka për detyrë të mbrojë institucionet, çka përfshin edhe selitë fizike të këtyre institucioneve; por selitë fizike mbrohen jo sepse kanë ndonjë vlerë kushtetuese në vetvete, por vetëm sepse aty gjenden institucionet kushtetuese. Nuk ka asgjë thelbësore që ta lidhë institucionin e Këshillit të Ministrave me ndërtesën ku ky institucion qëllon ta ketë selinë; për ta vërtetuar këtë, mjafton të vërehet që selia, ose adresa e saj fizike, nuk është e përcaktuar me ligj dhe aq më pak me Kushtetutë.
Mund të duket sikur ka diçka folklorike, primordiale, malësore, në identifikimin që i bën Berisha detyrës së vet – Kryetar i Këshillit të Ministrave – dhe ndërtesës ku e ushtron zakonisht këtë detyrë, ose kryeministrisë; pikërisht asaj ndërtese që u sulmua atë ditë nga protestuesit.
Edhe pse nuk ka dyshim që këta të fundit nuk kishin ndonjë inat me ndërtesën në vetvete, as me adresën e saj, por donin t’ia dërgonin një mesazh “qiraxhiut” të saj, përsëri Berisha mund të ishte larguar që andej, pa i hyrë gjemb në këmbë institucionit kushtetues të Këshillit të Ministrave, madje edhe sikur godina vetë të bëhej shkrumb e hi.
Ndryshe qëndron puna me shtëpinë private dikujt ose, po të duam, me kullën e një malësori në bjeshkë; edhe ajo bashkon në vetvete dy gjëra: ndërtesën fizike dhe familjen – por në rastin e shtëpisë ose të kullës identifikimi është shumë më i fortë, meqë, tek e fundit, kjo lloj banese private i përket të zotit të shtëpisë dhe mbi të themelohet familja (edhe kjo institucion, në daçi).
Nuk besoj se ka nevojë për këtë shpjegim folklorik; në situata të atilla si ajo që u përftua të premten më 21 janar, momentet simbolike është vështirë t’i ndash nga momentet reale; kryeministri vendosi të mos largohet nga “kështjella”, siç e quajti vetë selinë, madje dha urdhër që të mbrohej çdo pëllëmbë e godinës së Kryeministrisë, për të treguar vendosmërinë e tij përballë turmës së protestuesve.
Ky kombinim i reales me simboliken do të pranohej pa problem, sikur të mos ndërhynte vdekja, për t’i ndarë këto një herë e mirë; sepse vdekja e atyre të treve ishte reale, madje reale në një mënyrë të tillë sa ta merrte në pyetje krejt dialektikën e reales dhe të simbolikes, të institucionit si qenie kolektive abstrakte dhe institucionit si ndërtesë, të misionit dhe të pasionit, të njeriut si titullar dhe njeriut si qenie fizike. Me vdekjen, ose më mirë vrasjen e atyre të treve, teorema e Kryeministrit për mbrojtje me çdo kusht të institucioneve të shtetit e humbi fillin organizues dhe erdhi duke u shthurur në mënyrë të pakthyeshme, duke rrezikuar të përfundojë tashmë në débacle.
Gjithsesi, dhe përtej këtyre spekulimeve pak a shumë të lira, një gjë del e qartë nga shkëmbimet e sotme: që institucionet kushtetuese edhe kur duan të flasin me njëri-tjetrin nuk arrijnë dot të përdorin të njëjtët terma, çka nuk premton asgjë të mirë për komunikimin. Përballë kësaj disfate komunikative, fakti formal tashmë i qartësuar që presidenti Topi është titullar i vetvetes nuk ngushëllon shumë.
”’Nga pikëpamja juridike mund të ketë të drejtë Peçi, por nga pikëpamja semantike-gjuhësore, diferenca mes institucionit të Presidentit dhe titullarit të këtij institucioni, ose personit që e mishëron funksionin e Presidentit në qenien e vet, është e papërfillshme.”’
Neni 80
3. Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe
informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për sa e lejon ligji.
Tani çeshtja eshte ne mund te quhet Presidenti, Drejtues i institucionit, pra a e kap ate neni 80 i Kushtetutes.
Dhenia e shpjegimeve dhe informimi i veprimtarise supozon vetvetiu ”’pergjegjesi”’ per aktet e kryera si drejtues i institucionit, pasi vete komisioni ka kuptim vetem nese heton e hulumton ‘pergjegjesite’ e drejtuesit.
Por neni 90 e thote shprehimisht:
1. Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.
Pra nga drejtuesit e institucioneve qe kap neni 80, Presidenti eshte qartesisht i perjashtuar, keshtu qe asnje ligj nuk mund te pretendoje te cilesoje Presidentin drejtues institucioni duke e futur ne tufe.
Tani se ne ç’kuptim semantik perdoret fjala institucion ka pak rendesi ne marredheniet nderinstitucionale, pasi aty ka rendesi kuptimi qe i jep legjislatori dhe legjislatori flet qarte fare.
Pra kur Komisioni ngrihet per hetimin e veprimtarise:
-PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR HETIMIN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE
Veprimtaria e Presidentit eshte e perjashtuar a priori.
Ne baze te ligjit 8891 (komisionet hetimore) ky komision nuk ka te drejte te hetoje veprimtarine e Presidentit, aq me pak te marre tabulate apo dokrra te ngjashme.
Ne baze te atij ligji Presidenti perfshihet vetem kur behet fjale per shkarkimin e tij :
Neni 3, pika 3:
3. Kuvendi ka të drejtë të caktojë komision hetimor sa herë që fillon procedurën e shkarkimit të zyrtarëve të lartë, të parashikuar në nenet 62, 73 pika 3, 90 pika 2, 128, 140, 149 pika 2 dhe 162 të Kushtetutës, si dhe në rastet kur ligji i jep të drejtë Kuvendit të shkarkojë zyrtarë të tjerë.
Ne Kushtetute, si institucion ‘Presidenti i Republikes’ eshte i krahasueshem me ‘Keshillin e Ministrave’ jo me Kryeministrin, i krahasueshem me ‘Kuvendin e Shqiperise’ por jo me Kryekuvendarin.
Ndryshe do ishte nese do flitej per ‘Presidencen e Shqiperise’, aty Presidenti do ishte i krahasueshem me Kryeministrin apo Kryekuvendarin, por koncepti i ‘Presidences’ nuk ekziston fare ne Kushtetute.
Ne kete kuptim shprehet Peçi dhe ka absolutisht te drejte, edhe nga pikepamja semantike-gjuhesore, sepse zberthimi/interpretimi semantik mund te behet fare mire duke marre parasysh kontekstin.
Pra, gjerat jane te qarta, ketu nuk ka keqkuptim ne komunikim, ka prirje per ti lexuar gjerat mbrapsht nga ana e Berishes, pasi legjislatori flet troç.
1. Berisha nuk eshte qeraxhi, eshte kryeminister i zgjedhur me vota…meqe po flasem ne aspektin institucional…do thuash qe Rama thote se votat jane te vjedhura…prap, drejtohu intitucioneve zoteri, paralelisht duke mos bllokuar punen e njerit prej tyre (parlamentit)…ashtu si po i themi sot Berishes drejtohu institucioneve dhe mos i perdhos e mos i pengo ato.
2. Mesazhet Berishes nuk i degohen duke i gjuajtur policave me hunje dhe me pllaka trotuari, aq me pak duke i vene zjarrin makinave dhe palmave…sic thua, atij s’i hyri gjemb ne kembe.
Ne momentin qe guret dhe hunjet i quajme mesazhe, i bie qe te quajme dhe keto pallavrat e Berishes “”interpelanca paralamentare” apo te quajme luften qe Berisha po i ben institucioneve te tjera “permbushje te funksionit qeveritar”.
3. “Mesazhi” nuk ishte i popullit, por i Edi Rames, i cili synon te marre pushtetin me dhune (kryesisht ndaj popullit…i.e. une do ju bllokoj rruget derisa te behem kryeminister) dhe qe me aksionin e tij dyvjecar te bojkotimit dhe pengimit me te gjitha mjetet te shtetit dhe politikes mund te argumentohet se i ka sjelle po aq ose me shume humbje Shqiperise sa Berisha gjate te njejtes kohe, ne mos me shume.
Tashme eshte normale qe edhe pas 20 vitesh demo-tranzicion ne Shqiperi, humbesi te mos pranoje zgjedhjet dhe te bojkotoje parlamentin e te beje cmos te mbaje peng vendin me cdo menyre pervec rrugeve ligjore/institucionale.
Ky precedent i felliqur ka vetem nje emer: Edi Rama. Po ashtu ky klimaks i krizes politike e ka fillesen po aty; tek bojkoti dhe lufta jashte-institucionale dhe sa-per-sy-e-faqe per gjoja transparencen e votave.
Nuk jam kundra goditjes se Berishes me cdo mjet rrethanor blogor, ai e meriton me se miri. Por s’duhet harruar qe ky vallezim i poshter politik behet ne cift, nga te dy palet.
Ne thelb eshte korrupsioni dhe lufta per pushtet; te tjerat jane detaje skenaresh me zbukurime fjalesh si “kushtetuta”, “institucionet” etj.
Dhe kjo lufta pra behet nga dy kampe, nuk eshte monolog zbrazje automatiku ne qiell. 🙂
Institucionet jane sa koncepte dhe mekanizma per shoqerine aq edhe materiale.
Jane pjese qe perbejne te teren: Institucionin.
Pavaresisht se besimtaret mund te kryejne ritet e tyre fetare edhe ne lendine, xhamite dhe kishat (jo vetem si koncepte e mekanizma per komunitetin perkates por edhe si ndertesa) jane institucione dhe te provoje dikush t’i preke keto.
Ka nevoje per ca shenja, ca gjurme.
Kryeministri mund te marre vendime edhe ne nje bunker apo diku maje maleve, por kjo ndodh vetem ne gjendje lufte, kur kryeqyteti dhe shenjat e shtetit, godinat e tij jane pushtuar nga nje armik i huaj apo edhe i brendshem.
Rendesi te vecante ka edhe salla e seancave plenare te parlamentit. Deputet mund te mblidhen jashte saj vetem ne raste kur mbledhja ne te eshte e pamundur.
Ndersa presidenti me keshilltarin e tij, po i humb seriozitetin ketij institucioni.
Nje dite para Peçi tha qe presidenti nuk shkon ne Komision, por mund te vije komisioni tek ai ose mund te ju pergjigjet me nje menyre tjeter atyre qe kerkon komisioni. Diten tjeter thote qe presidenti s’ka pune fare me Kuvendin pervec se te coje mesazhe.
Dy qendrime te ndyshme. Apo sqarimi per titullarin e Presidences apo personin si institucion evoluan brenda nates?!
“Institucionet janë kështjella”
Më 2 korrik 1990* Kuvendi i Kosovës e ka shpallur Kosovën subjekt të barabartë në federatën jugosllave- jashtë ndërtesës së kuvendit. Ndërtesën e Kuvendit të Kosovës e kishte pushtuar policia e Serbisë që të pengonte mbledhjen e deputetëve. Kjo kishte ndodhur pasiqë kryetari i kuvendit, serbi Vukashinoviq, kishte refuzuar me ngulm vënjen në rend dite të kësaj çështje nga deputetët shqiptarë. Nënkryetari i kuvendit, që ishte shqiptar, kishte thirrur një mbledhje të kuvendit me 2 korrik 1990, për ta vënë në rend dite çështjen e statusit. Kur erdhën deputetët, ndërtesa e kuvendit ishte e pushtuar nga mbrenda dhe jashtë, prej policisë speciale të Serbisë. Deputetët u përpoqën më kot që të futeshin në ndërtesën “e tyre”. Aty, përtej rrugës, ishte një grua e verbër me një qen, që ishte aktiviste për të drejtat e njeriut. Quhej Eva Braun, dhe ishte amerikane. Ajo deklaroi para TV Prishtinës se ndërtesa nuk e përbën kuvendin, dhe deputetët mund të marrin vendime edhe jashtë saj. I tregoi edhe disa shembuj nga historia. Kështu vepruan edhe deputetët e K.K.
*2 korrik 1990, po kjo dita e “ambasadave”. Interesant, apo jo?
Shume domethenese historia qe treguat Zgjim, por per mentalitetin e kryetarit te keshillit te ministrave po futi kemben ne godine quhet e “xanun”. Mbase keshtu e thote kanuni, ose mbase keshtu i leverdise pavaresisht kanunit.