Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

NJË ENCIKLOPEDI E PAPRITUR

Në faqen e letrave të lexuesve, gazeta Shekulli ka edhe një rubrikë me titullin premtues “Enciklopedi”.

Në këtë rubrikë, me sa kam parë, ekspertët u përgjigjen pyetjeve të lexuesve për çështje nga më të larmishmet.

Numri i datës 30 tetor 2010 përcillte dialogun pyetje-përgjigje si vijon (po e kopjoj me dorë nga gazeta, nuk e gjej dot në faqen online):

Ç’JANË ANTI-DEPRESANTËT?

E nderuar lexuese!

Anti-depresantët janë një brez relativisht i ri ilaçesh që ndikojnë nivelet e serotonit në tru. Ata nuk veprojnë menjëherë në sistemin nervor qendror si qetësuesit, por kanë efekt akumulativ. Pacientët duhet t’i marrin nga dy deri në gjashtë javë që hapat të kenë efekt. Marrja e tyre duhet të vazhdojë për disa muaj. Ata shpesh shkaktojnë pasoja të pakëndshme anësore, si thatësi në gojë, marrje mendsh, depresion dhe ankth. Ndalimi i marrjes së tyre duhet të fillojë disa muaj mbasi janë zhdukë simptomat e depresionit. Antidepresanti më popullor është Prozac-u, substanca kryesore tek i cili është floroksetina.

Këtë sqarim enciklopedik për “të nderuarën lexuese” nuk di njeriu nga ta kapë; edhe pse, shpejt e shpejt, mund të them se është vështirë të gjesh një tekst me natyrë enciklopedike, që të përmbajë kaq shumë gabime të përqendruara në kaq pak radhë. Kjo ka të bëjë edhe me atë që idiotët noterikë, si rregull, nuk merren me hartime tekstesh enciklopedike.

Por le t’i numërojmë xhevahiret fjali pas fjalie:

Anti-depresantët janë një brez relativisht i ri ilaçesh që ndikojnë nivelet e serotonit në tru.

Gabim. Para së gjithash, duhej thënë nivelet e serotoninës (serotóni, si i tillë, nuk ekziston); përkufizimi i mësipërm gjithashtu do të vlente për atë kategori barnash antidepresive që njihen si SSRI (Selective Serotonin Reuptake Inhibitors); kategori e rëndësishme, por kurrsesi e vetmja. Përveç barnave që ndikojnë drejtpërdrejt në nivelet e serotoninës, norepinefrinës dhe dopaminës, antidepresivë të tjerë janë edhe triciklikët ose barnat TCA (p.sh. imipramina) dhe inhibitorët e monoaminoksidazës (MAOI).

Ata shpesh shkaktojnë pasoja të pakëndshme anësore, si thatësi në gojë, marrje mendsh, depresion dhe ankth.

Më ngacmon ideja krejt homeopatike (similia similibus curentur) që barnat antidepresive mund të japin depresion, si efekt anësor; meqë, me përkufizim, këto jepen nga mjeku kur pacienti vuan tashmë nga depresioni; meqë nuk jam psikatër, nuk di të them nëse antidepresivët mund të shkaktojnë depresion, edhe pse gjithçka është e mundshme.

Ndalimi i marrjes së tyre duhet të fillojë disa muaj mbasi janë zhdukë simptomat e depresionit.

Vëreni një shkelje syri ndaj gegërishtes: janë zhdukë; autori i tekstit është edhe ai për hapje të standardit, çka nuk duhet nënvleftësuar, pavarësisht nga konteksti.

Antidepresanti më popullor është Prozac-u, substanca kryesore tek i cili është floroksetina.

Ky pohim është gjithashtu i gabuar – sipas të dhënave zyrtare, në SHBA tashmë Zoloft dhe Lexapro përdoren më dendur se Prozac-u; në disa vende në Europë, paroksetina (Paxil ose Seroxat) përdoret gjithashtu më dendur. Ndoshta Prozac-u është më i preferuari në Shqipëri ose në Armeni ose në Jemen, për këtë nuk gjej dot të dhëna. Jo se kjo ka ndonjë rëndësi të madhe, por vetë gabimi dëshmon se sa i mangët është teksti dhe sa i pakujdesshëm autori.

Gjithashtu, më duket i çuditshëm pohimi që substanca kryesore te Prozac-u është “floroksetina”; dhe jo vetëm ngaqë autori duhet ta ketë pasur fjalën për fluoksetinën, por edhe ngaqë fluoksetina nuk është substanca kryesore te Prozac-u, por e vetmja (po të përjashtosh niseshtenë, karamelen, ngjyruesit dhe të tjera lëndë inerte që duhen për të formuar tabletën).

Më në fund, autori i këtij artikulli enciklopedik skandaloz duhet qortuar jo vetëm për pasaktësitë që i kanë shpëtuar, por edhe për çfarë ka lënë jashtë; dhe pikërisht, përkujtesën që shumë nga këto barna, në fillim të trajtimit, mund të shkaktojnë çrregullime emocionale të rëndësishme dhe të rrisin rrezikun për vetëvrasje; si dhe përkujtesën tjetër, se ndërprerja e tyre duhet bërë gradualisht dhe me shumë kujdes, për të shmangur efektet e “shkëputjes” (angl. withdrawal).

Pse jua harxhoj kohën me këto gjëra?

Sepse shumë prej nesh, sot, i marrin dijet nga mass media; dhe kur mass mediat japin dije si këto më lart, njerëzit mbeten gjysmakë dhe i bëjnë dëm vetes e të tjerëve.

Çdo qytetar sot bën mirë të informohet për çështje të cilat e prekin drejtpërdrejt; të informohet si qytetar, jo si ekspert; për t’ia lehtësuar punën këtij të fundit, jo për ta zëvendësuar atë. E kam shkruar edhe herë të tjera, se askush nuk mund të jetojë mirë, pa pasur njohuri për ekonominë dhe financën, mjekësinë, mbrojtjen e mjedisit dhe ligjet e praktikat juridike; ankohemi shpesh për arrogancën e teknokratëve, por harrojmë sa shpesh ua delegojmë atyre të gjitha përgjegjësitë.

Gjithsesi, sot për sot, këtë lloj edukimi qytetar shqiptarët ende nuk mund ta realizojnë nëpërmjet mediave. Përkundrazi, informacione si ky që analizova më sipër janë ekuivalent i një bifteku me mish të prishur, në restorant.

Pa Komente

  1. Ne gazete me sa di une mund te shkruash gjithçka, edhe sikur ne rastin konkret te mos kishte gabimet e lartpemendura, por te pakten, dozen, menyren e perdorimit, kohen e fillimit dhe te nderprerjes se se ketyre medikamenteve a nuk duhe t’ja pyesim mjekut fare?

  2. Une kam dy pyetje, per ke do te kishte miresine te me pergjigjej. Per c’aresye themi antidepresante dhe jo antidepresues, ose antidepresore? Perdorim inhibitore, katalizatore, p.sh. dhe jo inhibitante. Nga vjen prapashtesa -ante?
    Tjetra ka te beje me monoaminoksidazen. Eshte gabim shtypi qe amines i ka rene e-ja, influence anglofone, apo ka ndonje rregull qe hiqet nje zanore kur takohet me tjetren?
    Shume faleminderit per perrgjigjjen.

    1. Ester shkruan:

      Per c’aresye themi antidepresante dhe jo antidepresues, ose antidepresore? Perdorim inhibitore, katalizatore, p.sh. dhe jo inhibitante. Nga vjen prapashtesa -ante?

      Nuk ka ndonjë arsye. Në fakt, unë preferoj (barna) antidepresive. Ideale do të ishte: barna kundër depresionit; megjithatë, nevoja për të pasur term njëfjalësh na bën të përdorim mbiemrin (antidepresiv). Në gjuhët neolatine, depression vjen nga një temë foljore latinishte depressare, formë frekuentative e foljes deprimere (nga kjo e fundit, edhe shqipja librore: i deprimuar). Depressant është mbiemër prejfoljor (i barazvlershëm me deprimues), me prapashtesën –(a/e)nt, e cila është prapashtesa e pjesores së tashme të latinishtes (por e ndërkombëtarizuar: variant, interesant, brilant, etj.), që formon emra dhe mbiemra të cilët shprehin ose karakterizojnë sipas një veprimi që është duke u kryer nga subjekti. Në shqipe, kësaj i përgjigjet –ues, -yes, -ës. Anti(-)depresant ka hyrë në shqipe nga anglishtja; në frëngjisht del si antidépressif.

      Tjetra ka te beje me monoaminoksidazen. Eshte gabim shtypi qe amines i ka rene e-ja, influence anglofone, apo ka ndonje rregull qe hiqet nje zanore kur takohet me tjetren?

      Jo nuk është gabim shtypi. Kur një temë që mbaron me –ë i paravendoset një teme ose ndajshtese që fillon me zanore, ë-ja bie; themi dhe shkruajmë, p.sh. fushatë, jo fushëatë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin