Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Sociologji

GJUHËT E SHQIPEVE

Pardje më mbërriti një mesazh nga një agjenci përkthimi: një gjykatë në Oregon kërkonte një përkthyes të shqipes… nga Deçani.

Me sa kuptova, këta kishin atje një dëshmitar ose të pandehur ose nuk di çfarë nga ky qytet dhe kur ishin përpjekur të komunikonin me të, ai u kishte thënë se duhej t’i gjenin një përkthyes të shqipes – dhe jo përkthyes dosido, por pikërisht nga Deçani.

Nuk mora vesh nëse kishte specifikuar edhe mëhallën apo jo.

Po mirë xhanëm, po sikur ky përkthyes të ishte me origjinë jo nga Deçani, por nga Peja ose Juniku?

Jo, nuk pranohej.

Po sikur të paraqitej për ta ekzekutuar përkthimin vetë Migjen Kelmendi?

As ashtu jo.

Nuk e kam të qartë nëse ky specifikim etnografik për përkthyesin buronte nga ndonjë kokëfortësi e personit në fjalë, apo lidhej me politikat e “diversitetit” që zbatojnë institucionet publike në ShBA.

E kam të qartë, përkundrazi, që disa kompani përkthimi kërkojnë përkthyes për “Kosovar Albanian”, edhe pse deri më sot një gjuhë e tillë nuk ekziston, as studiohet gjëkundi, as shkruhen me të libra, as fliten kanale televizive.

Ka dialekte të shqipes, të nyjëtuara më tej në të folme e deri në idiolekte.

Ka diferenca gjuhësore midis krahinave; ka edhe gegërishte të shkruar nga shkrimtarë kosovarë në të kaluarën dhe sporadikisht nga ndonjë i sotëm. Kjo gegërishte dikur edhe u kodifikua në Prishtinë me rregullat e veta të drejtshkrimit, para se të merrej vendimi tjetër, për përdorimin e shqipes së njësuar të Tiranës.

Ka edhe kosovarishte të përdorur në Internet, e cila ka të njëjtin status me tironçen që praktikohet në ndonjë forum cool, ose shkodranishten që shkruajnë ndonjëherë katolikët, kur duan të vërtetojnë se myslimanët shqiptarë e kanë prejardhjen nga Anadolli.

Gjuha vërtet kocka s’ka e kocka thyen, por ndërkohë qentë e agjencive të përkthimit lehin dhe karvani nuk shkon përpara.

Një agjenci e tillë, përsëri këto ditë, më dërgoi një material të një kompanie amerikane të përkthyer në shqip dhe të radhitur si broshurë disa-gjuhëshe të ilustruar, gati për botim në mijëra kopje; donin të merrnin një miratim përfundimtar për seksionin shqip.

E cila lexohej pak a shumë si në vijim:

Kur i lexova këto radhë, më shkoi menjëherë mendja te Musa Ahmeti dhe Etleva Lala – sepse dokumente të tilla të shqipes, deri më sot, vetëm në arkivat e Vatikanit (ato sekretet) kanë mundur të ruhen e të mbijetojnë.

Natyrisht, nuk dua të insinuoj se kështu e shkruajnë shqipen në Deçan; por vetëm të ilustroj një dukuri të cilën ende nuk po e rrok dot në tërësi.

Si mund të shkruhet shqipja kështu? Në cilat shkolla mësohet ky farë versioni i letrarishtes?

Pyetje të destinuara të mbeten pa përgjigje.

Ndonjë i shkathët mund të sugjeronte se dokumenti nuk është i përkthyer, por “i lokalizuar”; në kuptimin që shqipja e përdorur atje u përshtatet punëtorëve shqiptarë të kompanisë që ka përgatitur broshurën; dhe se burokratët e atjeshëm u kanë kërkuar përkthyesve të jenë sa më “komunikues”.

Këtë argument e rrëzon jo aq natyra dialektore e tekstit, sesa përpjekjet patetike të përkthyesit për ta letrarizuar shqipen e vet – çka tregon se ky të paktën shkollën fillore e ka mbaruar (edhe pse mezi).

Një shpjegim tjetër, praktik, do të ishte se përkthyesi, ose më mirë “përkthyesi”, aq ka ditur dhe aq ka bërë; me bindjen se, për të përkthyer, mjafton të dish nga pak të dy gjuhët – të folmen e katundit nga vjen dhe të folmen e katundit ku ke shkuar.

Ashtu, pa e kuptuar as vetë, ka arritur të nxjerrë nga pena tekste si ky më poshtë:

Alarmantët do të pyesnin: çfarë po ndodh me shqipen?

Më pak alarmantët do të pyesnin: çfarë po ndodh me shqiptarët?

Le ta vëmë veten për një çast në vendin e kujt e shkruan gjuhën e vet si më poshtë (këtë shembull të fundit po e sjell për dashamirësit e filologjisë dhe të shqipologjisë së krahasuar):

Ky shqipshkrues jo vetëm e shkruan keq gjuhën e vet, por edhe nuk e kupton se po e shkruan keq – dhe kjo e dyta, sado hipotetike qoftë, shqetëson më shumë se e para. Pas Buzukut, Naim Frashërit, Kristoforidhit, shkollave të para shqipe, dëshmorëve të helmuar nga Patrikana, librave të fshehur e librave të djegur e të shpuar me plumb tej e tej, Normales së Elbasanit, shoqërisë Bashkimi, Gjergj Fishtës, Cucës së Maleve e kështu me radhë deri te Ismail Kadareja, një katastrofë si kjo nuk paska qenë shmangur dot.

Ky person është jo vetëm i paditur dhe gjysmanalfabet, por edhe nuk e percepton dot që është i tillë. I mungon jo vetëm drita e qiririt, por edhe shqisa e të parit.

Duke gjykuar nga përvoja e shekullit XX, kam frikë ndonjëherë se këta trogloditë do të na e mësojnë një ditë shqipen ne të tjerëve, që kemi dashur të kujdesemi për të.

E ardhmja politike dhe kulturore do të vendoset ashtu e tëra në dialektologji.

Pa Komente

  1. Fale avokateve te zote, gjyqesorit amerikan i ka dale problem me ‘native languages’. Psh, nje ‘meksikan’ i kapur per dicka nga policia me te cilen ka komunikuar ne spanjisht, befas, mbas takimit me avokatin e vet, del qe jo vetem nuk e zoteron anglishten, por as spanjishten, e kete mund te te vertetoje se s’ka kryer asnje klase shkolle, e se gjuha e tij, e nenes dhe e babes, eshte nje gjuhe tjeter vendase. Per nje nga keto gjuhe, psh, di qe ka nje perkthyes ne NY dhe nje tjeter ne LA.
    Keqkomunikimi, shablloni me lart si me ‘mexikanet’, i ben ata qe kerkojne te kerkojne nje perkthyes nga Decani. Plus qe, do te ishte me e kushtueshme te riperserisje procesin gjyqesor neper gjitha stadet, (kur ky rrobi do te theshte qe “kat parkthisin e Oregonit prej Tiranet …hem… qe e keni paguar vetem 150 USD oren se kam kuptu hic) se sa ti paguajne dikujt prej Decani pushimet ne Oregon.

    Ndeshjen e pare me perkthime kesilloji e kam pasur kur do merrja patenten e shoferit ne NY. Ishte dhe “shqip”, por turp nder, s’ma mbajti ta kerkoja shqip. Kisha frike se nuk do te kuptoja ndonje pyetje.

  2. Përderisa bëhet fjalë për privatë që kërkojnë përkthime në shqip, këta nuk e kuptojnë se çfarë po u shesin derië në momentin që dikush (dhe kjo nuk ndodh gjithnjë dhe shpejt) u shpjegon se si po gabojnë. Përsa i përket gjyqësorit, në Itali për shembull ka shumë shqiptarë me avokatë të mirë, që po evitojnë proçeset për gabime proçedurale formale sepse përkthimet janë copë copë.

  3. Rastin me flagrant personalisht e kam hasur mu ne qender te Torinos dhe pikerisht ne hollin e prefektures e cila e ka vendndodhjen 200 m perbri Pallatit Mbreteror dhe me pak se 100 m perballe Pallatit “Madam”. Duke pritur me ra ne sy nje broshure me ngjyra mjaft terheqese mbi te cilen ishte shkruar ” La Costituzione della Ripubblica Italiana”. Kuptohej qe ishte pergatitur enkas per te huajt pasi fill pas kopertines ishte e shkruajtur e bardhe mbi te zeze ” manuale per gli stranieri”.Nga qe gjuhet e tjera nuk i kuptoja menjehere syri me vajti tek varianti shqip i cili behej i ububushem qe ne perkthimine pikes se pare. Ketu nuk po llogaris gabimet drejteshkrimore dhe aksidentet e shtypit . Ububuja qendron ne strukturen e fjalive e cila vetem shqip nuk ishte . I revoltuar vajta tek “jasteku i pare i amortizimit te revoltes” sportelistja e prefektures e cila pasi i degjoi te gjitha “derdellitjet”e mia per turpin qe e mbulonte shtetin italian per ato palo perkthime te kushtetutes se se tij nga perkthyes paçavure me gjkftohtesine me te madhe me dha adresen se kujt ti ankohesha ne Rome dhe vazhdoi me hallexhiun e rradhes. Sinqerisht te merrersha me Romen nuk kisha as deshiren dhe per me teper kohen e duhur pasi puna dhe studimi nuk me lene kohe as te flas ne telefon me te familjen por megjithate do te kthehem serisht ne prefekture per ta marre nje kopje qe ta kem si kujtim e tia shpalos si gogol ndonje italo-albanezi.

  4. “Natyrisht, nuk dua të insinuoj se kështu e shkruajnë shqipen në Deçan”

    Xhaxha, qenke bere “politikisht korrekt” : sigurisht qe ne Deçan e shkruajne shqipen si më lart ! Dhe e kam fjalen per mesimdhenes dhe njerez te arsimuar ! Dhe kjo eshte keshtu per 1001 arsye (te diskutuara tashme edhe ketu tek PTF ne tema te tjera te ngjashme me kete) – dhe jane pikerisht arsyet qe nuk duhen paragjykuar. Ndersa realiteti, ai eshte me se evident !

    “Në cilat shkolla mësohet ky farë versioni i letrarishtes?”

    Ne shkollat e Kosoves ! Pa me te voglin dyshim !! Dhe perseri e perseris : per 1001 arsye, te cilat, prap e perseris, nuk duhen paragjykuar.

    “përpjekjet patetike të përkthyesit për ta letrarizuar shqipen e vet – çka tregon se ky të paktën shkollën fillore e ka mbaruar (edhe pse mezi).

    Perkundrazi, une them se me te gjitha gjasat, ai ka mbaruar Fakultetin ! Prova me e thjeshte per kete, eshte te vizituarit e web-site (apo forumeve… etj etj) kosovare. Te cilat edhe ato, nuk duhen paragjykuar. Por amà jane ato qe jane !

  5. Sigurisht duhet të marrim shembull edhe nga Berisha.
    Deklaroi sot doktori nga Brukseli duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetares së TC për emrin e Maqedonisë se “ky nuk është një problem reçent”…
    Ju lutem më tregoni një fjalor të shqipes, qysh nga ai më i hershmi deri tek më i fundit, që shpjegon fjalën “reçent”.

  6. “Në cilat shkolla mësohet ky farë versioni i letrarishtes?”

    Në të gjitha shkollat e Kosovës. Në të gjitha shkollat fillore të Kosovës flitet kështu dhe nuk e di askush se si duhet shkruar, në të gjitha shkollat e mesme dhe në vetë universitetin e Prishtinës. Unë kam qenë pjesëmarrës në një ligjeratë ne UP dhe profesori ligjëronte po kështu! Përqindja e kosovarëve që dinë ta shkruajnë drejt shqipen nuk besoj se shkon më shumë se 1.

  7. Situata katastrofike e shqipes që përshkruhet në SHBA, vend i cili ka mbledhur turli lloj shqiptarësh hallexhinj me dialekte nga më të larmishmet, mundet ndoshta edhe të mirëkuptohet deri diku.

    Këta shqiptarë, të improvizuar në përkthyes tekstesh profesionalë, janë sidoqoftë më pak të dëmshëm se ata që kanë mbetur në vend e përkthejnë për konsum të gjerë letërsi, histori e filozofi, me shqipe e koncepte të cunguara.

    Megjithatë, si të parët edhe të dytët nuk i bën dot fajtorë. Të gjithë janë reflektim i pastër i arritjes më të madhe të shtetit shqiptar diktatorial: alfabetizimi i kombit.

    Është ky iluzion gjigand që e ka shkaktuar këtë katastrofë gjuhësore që përjetojmë sot.

    Ushqehemi me idenë se në vitet e diktaturës, kur s’kishte forume interneti, shqipja flitej e shkruhej më mirë.

    Ky konstatim është vetëm pjesërisht i vërtetë. Një sy i shpejtë materialeve të botuara në atë kohë, i qartëson menjëherë disa imazhe të gabuara.

    Ndërkaq, çka i qartëson fare mirë idetë janë dokumentet jo zyrtare që kanë mbijetuar nga ajo kohë.

    Ajo që duhet kuptuar mirë është se, themeli ku u mbeshtet mësimi i shqies asokohe trashëgohej nga një brez me formim solid para-diktatorial.

    Është merita e inercisë së atij formimi që e mbajti shqipen pjesërisht në këmbë.

    Shqipja jonë, së paku ajo e brezit tim e poshtë, është reflektim i pastër i masakrës së alfabetizmit komunist.

    Detyrohem të jap një shembull personal për ilustrim:

    Kur hyra në klasën e parë fillore në fund të viteve ’70 dhe fillim të ’80, pata fatin e rrallë të trashëgoja arsimtaren më të mrekullueshme që kam hasur ndonjëherë në bankat e shkollës gjatë gjithë shkollimit tim në Tiranë.

    Zonja, të cilës dëshiroj por nuk guxoj t’ia përmend emrin, ishte një qyetare shumë e vjetër e Tiranës me një karrirerë të paktën 35-vjeçare në arsim.

    E gjora zonjë ishte vejushë dhe detyrohej, për fatin tim të mirë, të punonte deri në moshë shumë të thyer. Shipen dhe bukurshkrimin që nisa me të mësoj me të, e ruaj në memorie së bashku me kujtimin e saj me respekt të thellë dhe admirim.

    Në semestrin e dytë të klasë së dytë, zonjën e detyruan të dalë në pension për t’ia lëne vendit brezit të ri. U pikëllua fort që po e linte vitin në gjysmë, por partia kishte prioritetet e saj.

    Për transferimet e oficerëve me gjithë gratë e tyre në kryeqytet partia nuk kursente.

    Zonjën e zëvendësoi një shoqe e formatit rural, e cila shqipes letrare nuk ia kish mirë haberin, për të thënë më të paktën. Nuk dëshiroj të jap detaje të spikatura sepse nuk është e udhës dhe po mjatohem të them vetëm kaq: pas kësaj ndodhie, edhe mësimin tim të shqipes u detyrua ta merrte në dorë familja.

    Im atë dhe ime më që e kishin mësuar me arsimtaret e shkëlqyera të viteve ’50 dhe ’60 në Tiranë, të gjitha të dala nga shkollat e Zogut, dhe sidomos ime gjyshe që e kish mësuar në fillim të viteve ’30.

    Shqipja pra, të paktën që prej fundit të viteve ’70, pasi u sos përfundimisht brezi i përgatitur që e zotëronte, përfundoi në një ndërrmarje personale.

    Kush dëshironte të projektonte një respekt minimal tek vetja, e mësonte me mënyra dhe mjete alternative: në familje, nëse e kjo e fundit kish mundësi, ose nëpërmjet leximit në përgjithësi.

    Nga blloku i brezit tim, shqipen pra e zotërojnë vetëm ata individë që kanë investuar në të. Shkurt, ata që kanë lexuar.

    Kusuri, si dhe pothuaj gjithë brezat poshtë timit, janë specimenë të alfabetizimit të kombit, nivelin katastrofik të të cilëve e hasim rëndom në libra, gazeta e blogje.

    Në një vend që pretendon se arsimimi në shqipen kombëtare përfundon në moshën 14-vjeçare, nuk është për t’u habitur që shqipja ka përfunduar në këtë gjendje, sidomos kur kultura e leximit është e vdekur dhe e kallur prej vitesh tashmë.

    Por dhe nëse në segmente të caktuara të shoqërisë vazhdon të rezistojë, druaj për konceptet e shqipes me të cilat ushqehen këta shqiptarë. Pothuaj e gjithë literatura e përkthyer gjatë të paktën 20 viteve të fundit vuan rëndë për nivel.

    Sakaq, fenomeni gjuhësor tribal, të cilin e evokon CB në mesazhin e tij, nuk është thjesht një fenomen shqetësues gjuhësor i një vendi me të kaluar e të tashme neo-kolonialiste si SHBA, që kërkon të lajë gjynahet e tij duke i respektuar gjuhësisht tributë nën tutelë.

    Për fatin tonë të mjerë, ky fenomen, edhe në vende të vogla si tonat, dukshëm të pampiksura gjuhësisht e kulturalisht, megjithë trysninë e ushtruar për alfabetizim minimal, është në lulëzim të plotë.

    Ja një shprehje e tij e vyer, të cilën e hasa jo më larg se dje në artikullin e një shkrimtari “të një fisi shqiptar” në gazetën më të madhe të vendit:

    “Shënime udhtimi te arbëreshët, nji mrekulli e historisë së fisit tonë”.

    Ky shkrimtar i një ” fisi shqiptar” nuk e fsheh as gjuhësisht e as kulturalisht përpjekjen për ta tribalizuar kulturën e kombit sipas konceptit të tij.

    Megjithatë, parimisht edhe mund ta pranojmë pluralitetin post-modernist qoftë edhe në gjuhë të vogla si kjo e jona. Ajo që nuk mundemi të pranojmë është kaosi.

    Me cilin dialekt tribal të gegërishtes ma kërkon vëmendjen ky autor, mua folësist dhe shkruesit të shqipes letrare? Atë pukian, mirditor, apo dukagjinas?

    Nëse e kemi pranuar pluralitetin gjuhësor gegërisht/toskërisht/letrarisht si një fenomen pasurie kulturore kombëtare, kjo nuk do të thotë që kemi pranuar anarkinë gjuhësore tribaliste që konkuron në tregun e letrave për supremaci kulturore kombëtare.

    Ku ndodhet instituti kombëtar çeritfikues i gjuhës letrare gege dhe toske në mënyrë që unë si lexues të vërtetoj letraritetin e gjuhës së përdorur nga autorët që dhunshëm më kërkojnë vëmendje duke u spikatur në këtë formë?

    Por edhe në rast se shteti ynë qenka i mjerë dhe pa mundësi financiare për të përballuar lukse suplemantare ndërkaq që dukshëm nuk përballon dot letrarishten, çfarë i pengon intelektualët gegëdashës që, në vend se të çirren gazetave me pamflete patetike për supremaci tribale, të kodifikojnë gjuhën e tyre dhe t’i prezantohen me dinjitet publikut të letrarishtesh duke dhënë kështu jo vetëm kontribut në gjuhësi, por edhe provën e superiotitetit të tyre që ende presim ta shohim?

    Në këto kushte, një shqiptar hallexhi Amerike, produkt i alfabetizimit të kombit këtej e matanë kufirit, i cili kërkon të rrojë duke përkthyer në gjuhën që i kanë mësuar njerëz të shkolluar përgjysmë, kur hap gazetën më të madhe në Shqipëri dhe lexon një shqipe kaotike pse duhet të kompleksohet për shqipen e tij?

  8. ”’Ky shkrimtar i një ” fisi shqiptar” nuk e fsheh as gjuhësisht e as kulturalisht përpjekjen për ta tribalizuar kulturën e kombit sipas konceptit të tij.”’

    Pse e rrenon çdo premise te nje debati mbi kulturen shqiptare me terma pa asnje domethenie jashte modalitetit fyes? C’ domethene ‘per ta tribalizuar’? A gjendet ndonje folje tribalizoj ne shqip? Nga fis, vjen i fisem, fisnik, fisnikeroj, nuk vjen ndonje tribalizoj.
    Ti jo vetem po fut nje fjale te huaj, po me ane te kendveshtrimit tend etik po i ben nje atentat semantik gjuhes shqipe.
    Mund te kesh edhe guximin e çartur qe atentatin semantik ta quash katalogim apo edhe pasurim te shqipes dhe mendesise shqiptare .

    Ai miku nga Deçani, ka mungesa ne literaturen shqip dhe pas gjasave s’do kete lexuar as ndonje veper ne gegerisht, perndryshe sdo kish vene ate paskajore te lodhur. Shkrimi eshte i lidhur kerthizisht me leximin, jane te pandashme, mund te besh 100 vjet shkolle po nuk lexove libra do kesh perhere mangesi. E theksoj libra pasi gazetat s’hyjne ne pune se mendja eshte e shkeputur ose perqendrohet fare pak.

    Nderkaq shtimi i analfabetizmit eshte dukuri qe po mundon shume vende, Italia in primis, per shkak te rolit te tepruar te televizionit e internetit ne jeten e njeriut te sotem, kultures se shek 21 dhe kjo eshte diskutuar gjeresisht edhe ketu.

    Lidhja qe i behet analfabetit te Oregonit me Ndrecen i ka fijet aq te holla, sa edhe nje fllad i keput.

    Nderkaq politizimi i vazhdueshem i gjuhes nga palet e interesuara, se kritika jote eshte politike, nuk ben gje tjeter veçse i fryn zjarrit. Secili ka drejte ta shkruaje shqipen si ti doje qejfi nese lejohet, biles sa me teper levrohet gegerishtja aq me teper ajo i afrohet letrares, pasi gegerishtja qe haset ne te shkruar ashtu si ne te folur ka disa difekte te papranueshme ne lakime, ne veten e foljes apo ne shpartallimin e togtingujve.

    Sa me teper levrohet aq me teper do afrohet vete gegerishtja me letraren, sa me pak duke pare kohet e analfabetizimit keto shembuj do jene rregulli e jo perjashtimi i rregullit.
    Kur te vije koha e duhur atehere edhe do kemi edhe konferencen e pajtimit gjuhesor qe do ndaloje perfundimisht maskaraden politike qe fshihet prapa çeshtjeve kulturore.

  9. Edhe unë mendoj sikurse CD për rastin e të pandehurit, apo dëshmitarit, që paska kërkuar një përkthyes nga Deçani. Duhet të jetë një truk procedural që dinë të bëjnë avokatët. Ata janë të zotë të gjejnë vrima në ligje. Ose, ndoshta, e ka njohur një përkthyes konkret nga Deçani dhe ka dashur të vë kontakt me te.

    Sa i përket rastit tjetër, tekstit të masakruar në gjuhën shqipe, unë nuk di pse disa komentues po paragjykojnë, kur mendojnë se këtë tekst e ka përkthyer dikush nga Kosova.
    E qartë është se këtë tekst e ka masakruar një shqipfolës i dialektit gegë, por nuk është e qartë se prej nga është ky “përkthyes”. Nëse lexohet me kujdes do të vërehen disa forma dialektore që i kanë shpëtuar përkthyesit pa i “letrarizuar”. Format “njat” , “punet”, “festet”, me sa di unë, nuk gjinden në të folmet shqipe të asnjë krahine të Kosovës.
    Siç e dinë të gjithë, këto forma dialektore fliten në Shkodër dhe rreth saj. Mund t’i gjeni p.sh. tek Ardian Ndreca, në shkrimin aktual. Ose tek Gjergj Fishta:

    Proh! ti, o Zot, kur na janë çue,
    mbathë e zbathë — si kanë qillue,
    e i kanë rrokun armët shqiptare,
    njato “lëtina” e “xheverdare”,
    njato t’bardhat n’za “breshana”
    e i kanë ngjitë njata tagana,
    e i kanë vu njato calina,
    se ç’ushtimë ka marrë Vranina!

    Sipas meje, këtë masakrim e ka ba njaj përkthyesi prej Shkodret:)

    Sa i përket problemit të të shkruarit të shqipes në Kosovë, gjendja është e keqe. Për këtë arsye gjuha shqipe është futur si lëndë e obliguar në të gjitha fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Në Kosovë mësohet, natyrisht, gjuha shqipe standarde. Nxënësit e dobët shkruajnë keq, nxënësit e mirë shkruajnë mirë. Ata që lexojnë shqip pak, shkruajnë keq, ata që lexojnë shumë, shkruajnë mirë. Kjo problematikë është gjithëshqiptare.

    1. Edhe pse nuk jam specialist dialektolog, kam përshtypjen se përkthyesi i atij materiali është shqiptar(e) nga Mali i Zi.

  10. Nuk e kam të qartë nëse ky specifikim etnografik për përkthyesin buronte nga ndonjë kokëfortësi e personit në fjalë, apo lidhej me politikat e “diversitetit” që zbatojnë institucionet publike në ShBA.

    Ndoshta per te qene politically correct kerkohen perkthyes te Ebonics ashtu sic kerkohet qe te jete nga Decani ne kete rast.

  11. @ Aqif Kopertoni,

    Nuk ia luaj asnje presje postimit tend. Problemi, ne kete faqe, ka qene gjithmone shtremberimi dhe perdorimi i çfaredo lloj fakti apo ngjarje apo incidenti per te shtyre nje ushtar perpara. Ushtari eshte ky : geget kane nje gjuhe te folur qe nuk duhet shkruar kurre se perndryshe na e dhjene gjuhen e bukur shqipe.

    Mirepo, ajo qe s’eshte menduar ndonjehere, eshte kjo : gjuha gege eshte gjendur ne anen e keqe te barishteve vetem nga nje vendim -llaresh te cilet ishin nga e njejta ane e mire e barishteve qe ishte dhe shoku Enver.

    Ende dhe sot, me ka mbetur enigme sesi ka mundesi qe gjuha gege eshte levruar e para nder trojet shqiptare (me prifterinjte katolike te shekujve 14-15-16), dhe sot te gjendet ne nje pozicion inferioriteti qe t’i duhet te justifikoje qofte dhe shqiptimin e fjales “nane” (qi mka ba kryet).

    Dikur, nje shkollar i ndritur nga jugu, mbase fis me keta -llaret, me tha : he ore ti, flit mire se s’po te kuptoj ç’thua ! I thashe : çfare gjuhe duhet te flas, se s’po te marr vesh ? Me tha : gjuhen shqipe fol, gjuhen e nenes ! Dhe pergjigja ime ishte : Aha ! ne qofte se e ke per gjuhen e nanes teme, ik mos na çaj shume trapin se bash gjuhen e nanes teme qi ma ka knue ndjep jam tu fole. Kaq ishte historia.

    Problemi eshte qe nje pjese e folesve shqiptare mendojne se nenat e tyre vlejne me shume se nenat e disa shqiptareve te tjere. Dhe e gjitha kjo, per shkak te nje konvencioni arbitrar te vendosur me 1972, nga nje tufe komunistesh te qelbur.

    Ka ardhur koha, ne mos ka kaluar, qe t’i jepet fund kesaj hipokrizie, dhe te ftohen ME TEPER se gjysma e popullit shqiptar (e perseris : ME TEPER) te ndihen pjesetare te nje kombi.

    Epiriotin eshte i mbytur ne nostalgji. Nje nostalgji klishe : nuk kam gjetur ende dhe nje person te vetem qe te thote se “zysha e klases se pare ishte shtrige, apo s’dinte shqip”. Ende ! Te gjithe e duan zyshen e klases se pare, ajo na eshte bere si nene. Dakort. Ashtu qofte. Fundja, eshte nje ndjenje e bukur kjo.

    Por a nuk na shkon mendja ndonjehere qe keto zysha, pavaresisht perkushtimit te palodhur (qe sot mungon) per gjuhen shqipe dhe shkollen, kane qene viktima te nje sistemi gjuhesor barbar ? Dmth, a nuk do te ishte me mire qe te thoshim se si ne, ashtu dhe zyshat tona, kemi qene viktima te mirefillta ?

    Le te shikojme sot shkrimet shqipe : letersi, gazete, blogje, çfaredo. Nje katrahure, nje sintakse per te vene duart ne koke. Me kete lloj te shkruare (qe na e kane ngulitur ne koke zyshat tona heroike), ne do te jemi gjithmone te paafte te formulojme qofte dhe nje mendim te vlefshem per nje anglez, francez apo gjerman.

    A e keni vrare ndonjehere mendjen : perse shqiptaret shprehen me mire dhe me qarte ne nje gjuhe te huaj sesa ne vete gjuhen amtare ?

    Dikush do te thote : po se gjuhet e huaja kane me shume fjale se shqipja. Kjo mund te jete e vertete por nuk eshte kjo arsyeja. Ajo duhet kerkuar me teper ne rremujen sintaksore dhe morfologjike qe na kane gatuar gjuhetaret tane te “shkelqyer”.

    Merrni dhe lexoni Ismail Kadarene ne shqip, pastaj ne frengjisht. Ne shqip – e pamundur te mos zgurdullosh syte. Por rrofte frengjishtja qe ka strukturen e vet ftilluese dhe i jep shkrimit kadareian nje forme te lexueshme. Po pertoj tani te ngrihem e te sjell ketu nja 5-6 fjali nga shkrimtari kandidat per nobel, dhe te shohim sa keq shkruhet.

    E megjithate, ketu ka ende njerez qe bejne be e rrufe per kete lloj menyre te shkruari, dmth per kete rremuje. Arsyeja eshte e lidhur me tre gjera :

    1. keta persona jane nostalgjike te se kaluares se lavdishme.
    2. pothuaj te gjithe vijne nga jugu.
    3. bombardimi sistematik i mesonjesve tane te ndritur te dikurshem ka hedhur ne ere dhe ate pak logjike qe mund t’i kete mbetur ndonjerit.

    Shkurt, sa kohe qe vazhdohet duke vene bishta kot me kot (kosovari keshtu e tropojani ashtu, saliu rrumpalle e mic sokoli hardall) s’kemi gje ne vije. Na e gezofshi gjuhen shqipe se prandaj u çane televizionet e botes duke folur per numrin e stermadh, te jashtezakonshem, te filozofeve shqiptare qe s’po na dalin drute e Amazones per t’ua botuar librat. Ha ha.

    1. Ehe shkruan:

      Problemi, ne kete faqe, ka qene gjithmone shtremberimi dhe perdorimi i çfaredo lloj fakti apo ngjarje apo incidenti per te shtyre nje ushtar perpara. Ushtari eshte ky : geget kane nje gjuhe te folur qe nuk duhet shkruar kurre se perndryshe na e dhjene gjuhen e bukur shqipe.

      Po shpif, Ehe, si edhe shumë herë të tjera – duke iu afruar shumë momentit kur do të etiketohesh si troll dhe do të dëbohesh nga faqja.

      Gjithsesi, po të sqaroj sa më poshtë: unë gjithnjë e kam përkrahur shkrimin e gegërishtes korrektësisht, sipas normave të pranuara të atij varianti letrar – në daç të shkodranishtes, në daç të elbasanishtes, në daç të atyre të Prishtinës.

      Përkundrazi, nuk kam pranuar asnjëherë, as do të pranoj, që gegërishtja dhe toskërishtja dhe standardi të shkruhen keq, nga njerëz kokëtrashë dhe fodullë, ose thjesht të paditur ose gdhe, shpellarë, katundarë, mushka, e të tjerë një- dhe dythundrakë të kësaj kategorie, për çfarëdolloj qëllimi.

      Është e palejueshme që një gjuhë me të cilën kanë shkruar dhe janë shprehur Fishta, Mjedja, Koliqi, Harapi, Pashku dhe Camaj të përdhoset në dorën e disa xhahilëve, të cilët nuk e çajnë kryet as për kulturë, as për histori, por vetëm duan të afirmojnë katundet e tyre dhe katundarishtet përkatëse.

      Nëse doni ta shkruani gegërishten, uluni dhe studioni mësuesit tuaj, modelet tuaja, rregullat e traditës suaj të mrekullueshme. Respektoni mjedisin ku shkruhet gegërishtja dhe lexuesit që duan t’ju lexojnë. Mos e përdorni injorancën tuaj të habitshme si kundër-armë ndaj atyre si unë, që ju kërkojnë veç të fshini qyrret, para se të filloni të këndoni Himnin e Flamurit.

      Unë kam respekt për veten dhe sidomos për të gjithë ata të tjerët që janë munduar me vite të tëra, në mënyrë që ta rafinojnë gjuhën e tyre të shkruar, në mënyrë që t’i përshtatet një shoqërie moderne dhe të qytetëruar, por që tani befas e shohin veten të sfiduar nga llumi.

      Ti, Ehe, deri tani ashtu e ke prezantuar veten: si llum; në mos nga forma, të paktën nga përmbajtja e atyre që shkruan. Gënjeshtrat dhe provokimet e tua janë të qepur me penj të bardhë; të kam dëbuar dikur nga ky blog, nëse e mbaj mend mirë; nuk do të ngurroj të të dëboj përsëri, meqë të drejtat e tua për t’u shprehur në këtë faqe janë mes çështjeve nga më të parëndësishmet që më kanë shqetësuar ndonjëherë.

  12. Xhaxhai,

    Pikerisht per keto po flisja dje. Po thosha qe hapesira publike ska asgje te perbashket me hapesiren TENDE publike. Me vjen keq qe nuk arrin t’i kuptosh keto dy gjera. Fakti qe kercenon me perjashtime apo gjera te tilla, e tregon qarte nivelin ku jemi, jo vetem ju, por ju, une, dhe ai tjetri matane. Nuk po arrihet te hiqet dore njehere e mire nga keto mendesira me te vertete SHTERPE.

    Gjithsesi, e theksova dhe dje : BISHTNIMI eshte nje veti e keqe dhe duhet luftuar vazhdimisht. Kjo nuk eshte veti e Shqiptareve, kjo lidhet me pervojen vetjake si njeri : ka shqiptare qe nuk bishtnojne ashtu siç ka angleze qe e bejne. Shkurt, ska kombesi kjo pune.

    Ku duket ky bishtnim ? Pikerisht ketu : ne vend qe te uleni dhe te flisni seriozisht per pikat kyçe qe dalin nga postimi im, dhe qe jane pika krejt te ligjshme per t’u thene ne çfaredo lloj logu, ju merreni me : jam llum e jam keshtu. Kesaj i pergjigjem me nje ha ha ! dhe kaloj matane.

    Por problemi per t’u diskutuar mbetet kembekryq, sot e gjithmone : ç’duhet bere me gjuhen shqipe nga e cila jane perjashtuar me shume se gjysma e popullsise shqiptare ?

    Ky eshte demi, dhe ketu duhen kapur briret. Si ka mundesi, pyeta me lart, qe gjuha e shkruar shqipe, per 400 vjet me radhe ishte e shkruar ekskluzivisht nga prifterinjte katolike te Veriut, eshte katandisur sot ne nje “shkelje ligjore” (sepse duhet dhene llogari edhe nje kamarieri ne Gjirokaster, po themi, qe perse une e bej porosine ne restorant ne gjuhen e NENES SIME qe me ka perkundur ne djep ?!)

    Kesaj, a ka studiues qe i jep dum ? Duhet pare kjo pike, apo jo, xhaxhai ?

    Tjeter : si ka mundesi qe kritikat ndaj bashkatdhetareve tane kosovare apo maqedonas, apo dreq i mallkum, per shqipen e varfer te tyre, degjenerojne ne nje lloj perbuzje te fshehte ndaj tyre ? Si ka mundesi qe ne kokat e ndritura te Shqiperise “meme” nuk arrijme te kuptojme se gjuhet e ketyre popullsive kane vuajtur deri dhe ndalimi i plote neper shkolla ?

    Si ka mundesi qe nuk jepet asnje zgjidhje per te dale nga kjo gjendje (psh, edhe duke thene : une xhaxhai zotohem se do te hap kurse gjuhe private ne internet, per kosovare dhe malazez, kaq mundesi kam une), por thjesht gjuhet me rrufe mbi koken e nje deçanasi apo ulqinaku qe edhe aq sa e di gjuhen shqipe dhe teper e ka ?

    Ja keto jane pikat qe duhen kapur, dhe jo te me flisni kodra pas bregut mbi “shkrimin e gegerishtes” ?

    Ku me pate mua duke predikuar krijimin e nje gjuhe te dyte letrare gegerishte ? Aspak ! Problemi eshte i thjeshte :

    TE BEHET NJE ORE E ME PARE DICKA QE GEGERISHTJA TE SHKRIHET NE SISTEMIN E GJUHES SE SOTME LETRARE SHQIPE.

    Kjo gjuhe qe kemi sot, keto rregulla qe kemi sot, keto duhen hapur, ripunuar, permiresuar, per te pritur pasurite e gjysmes tjeter te vendit, sepse kjo jo vetem qe fut brenda trungut te gjuhes nje bije te harruar, por edhe fuqizon vete trungun e kesaj gjuhe qe ekziston sot, dhe qe disa njerez (shpresoj te mos jeni dhe ju brenda, megjithese kam dyshime) e mbajne si te padhunueshme dhe te shenjte.

    PO ! pikerisht, gjuha e sotme shqipe duhet dhunuar e perdhunuar qe t’i beje vend dhe asaj qe ka ngelur jashte. Pa kete perdhunim, plugim, ne do te endemi sot e njemije vjet me keto probleme, ne mos, ende me keq, do te ndahemi per se gjalli.

    1. “TE BEHET NJE ORE E ME PARE DICKA QE GEGERISHTJA TE SHKRIHET NE SISTEMIN E GJUHES SE SOTME LETRARE SHQIPE”.

      Edhe une po e shoqeroj me nje perplasje kembesh ne parket kete parrullen: “te behet”, “te behet”! Ky eshte edhe URIMI im i dyfishte. Dhe u befte! (me fal per kete shfrimin buzorodhembor jugor te fundit, qe nje gege apostat si une po detyrohet ta zhvendose ketu).

      Por, deri atehere, pse te mos behet ndonje shkolle vere, ndonje institut midis, ndonje anti-kongres (ka para dhe prova se Sorosi jep bujarisht per keto raste). Le te behet, them une nje reviste, qofte edhe online (po nuk e kam fjalen per Zemrashqiptare.kom) ku te levrohet gjuha letrare gege; le te jepet nje cmim vjetor per kontributin me te denje ne kete gegerishte (emrat per cmimet jane zene te gjithe, po shpresa vdes e fundit); le te lulezojne njeqind luledele, po ama t’i kene petalet ne vend e jo te dromcuara nga delet. Ky mbetet brenda urimit tim. Dhe me t’u bere kjo (sic e thashe, krejt brenda mundesive financiare te korporatave identitetformuese sot), gradualisht hapet edhe udha mbase per nje shkrirje te re te letrarishtes kriptotoske me gegerishten letrare. Gjithe cka do i mungoje kesaj gjuhe te re letrare (e katerta ose e pesta po aq letrare brenda nje shekulli pavaresi), per disa kohe te pakten, do jete nje Naim ose Fishte respektiv, ose Kadare qe ta legjitimoje e personifikoje. Por shih me lart, shpresa vdes e fundit. O burra-ni tani! Ne pune! Kush po na ndalon?

  13. Arsimtarja ime nuk ka qenë “zyshë”, domethënë zonjushë, por zonjë, e vërtetë dhe rëndë.

    Afërmendësh që një zonjë, e cila i përkiste një kulture të vjetër dhe të dijshme qytetare, për të cilën komunizmi përjetohej si zgjebe, natyrisht që ishte melhem i vyer në atë çka diktarura e quante shkollë.

    I vetmi melhem që kam hasur ndonjëherë në bankat e shkollës shqiptare në vitet e diktaturës ishte pra, geg dhe jo tosk, për të përdorur kategorizimet e shumëkujt.

    Kush mësoi të lexojë në shkollat e diktaturës, nuk do ta kish anashkaluar këtë detaj, sikurse nuk do të kish anashkaluar edhe mungesën totale të simpatisë sime për një sistem kriminel vëllavrasës dhe për gjithë kriminelucët që ndihmuan për ta mbajtur atë në këmbë.

    Sidoqoftë, për sa më takon, e kam krahasimsisht më të lehtë të duroj akuzën fyese që më cilëson si element nostalgjik të një regjimi kriminel se sa akuzën për racizëm kundër gegëve e toskëve, myslimanëve, ortodoksëve, katolikëve, evgjitëve dhe kujtdooqoftë.

    Qëllon të jem i mirëinformuar për destinacionin final të individëve që ngrehin akuza të tilla; quhet genocid.

    Përtej ndarjes lingustike të shqiptarëve në gegë dhe toskë, të cilën për një mori arsyesh personalisht e kam përjetuar si një normalitet fatlum, bota e letrave është një institucion i ndërtuar mbi disa parametra, të cilat e përjashtojnë kaosin për të mundësuar pikërisht komunikimin e rrjedhshëm midis njerëzish të cilët natyrshëm flasin dialekte të ndryshme.

    Përjashtimi i vetëm që ky institucion i bën rregullit të paracaktuar, është letërsia.

    Nëse A. Ndreca, apo kushdoqoftë, do të dëshironte pra të shprehej në letërsi me dialektin e tij mirditor, pukian apo skraparlli, kjo është e drejta e tij të cilën askush nuk ia cënon, përkundrazi.

    Por kur A. Nreca, ashtu sikundër edhe të tjerë, i imponohet diskursit publik në gazetën më të madhe të vendit me publicistikë në një dialekt arbitrar të gegërishtes, të cilin më detyron ta pranoj si gegërishte letrare, unë si lexues kam të drejtë të kërkoj për verifikim normën publike të letrarishtes së dialektit që më shfaqet para syve.

    Ku ndodhet kjo normë?

    Në të kundërt, ky është një arbitraritet i partikularizmit që sot fillon me gjuhën, nesër përhapet edhe në sferën kulturore dhe politike, fenomene të cilat nuk janë aspak të panjohura në kontekstin shqiptar.

  14. Duke vërejtur komentet që të lejojnë deri diku t’i vësh mendjet nga burojnë mendimet në kandar, besoj se edhe kaq sa e shkruajmë dhe flasim gjuhën, shumë e kemi.

  15. ehe… me shume sesa blogu eshte karakteristike e nje pjese te mire te shqiptareve shikimi me dyshim i cdo paraqitjeje te gegerishtes.
    E gjen ngado, e gjen edhe ketu dmth nuk eshte specifike qe i mvishet blogut ne vetvete por eshte e lidhur me nje mendesi te caktuar qe si kudo shprehet edhe ketu. Si e pse, pak a shume dihen, edhe konjukturat politike zberthehen lehte, ndersa ajo qe me vret mua, eshte mungesa e plote e nje kendveshtrimi strategjik rreth shqipes.

    Kjo eshte e rende, pasi ne teresi shpenzimet kohore, ideore, morale dhe materiale per gjuhen ne 150 vjetet e fundit ja kalojne çdo lloj shpenzimi tjeter dhe kur vjen puna gjendemi pa asnje kendveshtrim strategjik qofte edhe fshatarak.
    Nje fshat mblidhej fshatçe per problemet e fshatit, kurse problemet shqiptare zgjidhen nga kongreset e bejlereve, qe zoterojne toka, tituj e ofiqe dhe i tundin e shkundin para katundareve per te legjitimuar vendimet e tyre.

    Kemi kolonele po s’kemi gjenerale, kemi njerez me aftesi taktike po asnje me aftesi strategjike dhe problemet rishfaqen periodokisht; te gjithe e njohim ekzistencen e problemit po te gjithe bejne sikur nuk ekziston ose ne rastin me te mire sikur eshte lajthitje e ketij apo atij.

    Kur nuk ja dalim dot tek gjuha s’mund te presim dot zgjidhje ne asnje fushe.

    Kultura e shek 21 po nxit analfabetizmin, Kosova eshte realitet i painjorueshem, duhen marre qe sot masat ne çeshtjet gjuhesore, jo kur te vije zjarri tek menderja.
    Per me teper çka cilesohet arbitrare i vuan shume luhatjet ne raportet e forces. Na duhet pikerisht diçka qe nese do jete se s’ben arbitrare te jete e tille fshatçe, me unanimitet, keshtu te mos varet asnje grime nga raportet e forces.

    Serioziteti ne çeshtjet gjuhesore, varet nga mohimi i plote i raporteve te forces. Kush mbahet fort tek raportet e forces nuk i ben shqipes asnje sherbim serioz, te vetmin sherbim serioz ia ben vetes.

    Realiteti i sotem nuk pezullon vetem aftesite e gegeve, se po te shikojme zonat e jugut me tradite edhe atyre u eshte thare vena dhe kjo vjen nga raportet e forces qe nje grup ne Tirane, kerkon te ruaje ne çdo fushe perfshire gjuhesine. Tosket e Toskerise qe duatrokasin me kujtojne nje shprehje te filmit Gladiatori, kur nje senator tha per plebejte e Romes:
    Ai (perandori) do u jape spektakel ne Kolose dhe do u heqe lirine; e ne kembim ata do e duan.

  16. “Kujdesi” për gjuhën … shqipe

    E ku nuk e gjen të shkruar togfjalëshin “kujdesi për gjuhën”. Normalisht duhej ti radhisja: ku, prej kujt, për kë; por di që e dini – a, i gjeni. Thuhet se të gjithë ne mund dhe duhet të kujdesemi për gjuhën, mendohet se viganë ndër ne janë kujdesur e të tjerë po kujdesen për gjuhën shqipe, njëlloj si krijesa mitologjike për delet e veta.
    Nëse është vërtet kështu atëhere …¡Cuídese!

    Këtë fillim muaji punoi me mua një djalosh nga Prishtina. Ajo që më çuditi nga komunikimi me të, nuk ishte sa puqeshin shqipet e kokave tona, por fakti që ai as fliste, as kuptonte sërbokroatisht. Mendojeni njeriun në pezulltinë e tre gjuhëve, e mendoni gjeneratën e tij. Njerëzit mund ta ndërrojë të folurën siç ja ndërrojnë marshet makinës, por për popullin ky ndërrim kërkon kohë ndërsa kalon në mekanizma si të orëve për të ndërruar datën e ditën.
    Pak më mbrapa gazetat njoftonin për shkollën e gjuhës sërbe në Myzeqe; наставник-ët do të shkonin nga Shkodra. Ju uroj punë të mbarë e suksese.
    Në verë, në Shqipëri, mësuesit e shqipes tregonin për numrin e vogël të nxënësve në klasa dhe për frikën e përvitëshme se mos klasat shkrihen e ata dalin të papunë.
    Ne kemi dërguar e paguajmë ushtarë nëpër botë, për një botë më të mirë.
    Ne, kemi riatdhesuar e paguajmë për trurin e kthyer.

    Ne …duhet të paguajmë, të planifikojmë në buxhetin e shtetit një shumë të krahasueshme me të parat, për të gjithë ata mësues të fillores e të gjuhës shqipe që do të japin mësim në shkollat e Kosovës, për të gjithë ata pedagogë të gjuhës shqipe që problemet e gjuhës shqipe do ti shoshitin me kolegët tyre në katedrat e Prishtinës. Më mirë të paguajmë për penën se për plumbin, më mirë të paguajmë për formimin e trurit se për kthimin e trurit.

  17. Ndërkohë që me të drejtë shprehet shqetësimi për përçudnimin e shqipes në shtresat e paarsimuara të popullsisë, përfshirë emigracionin, nuk mund të mos vëresh dëmin që po i bëjnë asaj politikanët. Përmenda më lart rastin “reçent” të Berishës.
    Ndofta, për të mos mbetur pas, Presidenti Topi deklaroi para dy ditësh tek Zëri i Amerikës se “nuk intimidohet” prej trysnisë së shumicës, dhe se në politikë “prevalon” diçka që tani nuk e mbaj mend.
    Mos vallë me këtë fjalorin e tyre shqitalian, dy politikanët e shquar të djashtë i drejtohen elektoratit arbëresh??
    Kurse ne dikur ankoheshim për shqipen e Fatos Nanos…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin