Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora

SHQIPJA JO VETËM PËR T’U FOLUR GJYSHËRVE

Për ne që jetojmë jashtë Kosovës, tema e gjuhës shqipe është e shpeshtë. E kam dëgjuar disa herë, në biseda private, por edhe publikisht, se disa prindër ua mësojnë shqipen fëmijëve që të komunikojnë me gjyshërit. Vetëm për këtë arsye. E theksuar, e arsyetuar. Edhe kur të dy prindërit janë shqiptarë. Edhe kur vetëm njëri prej tyre është.

Komunikimi me gjyshërit është një motiv i bukur dhe i vlefshëm. Ta mësosh një gjuhë për të komunikuar me dikë është motiv i mjaftueshëm. Por ndonjëherë ky argument paraqitet sikur vlera e shqipes përfundon aty. Vetëm te gjyshërit e sotëm. Sikur, pas jetës së tyre, përfundon edhe arsyeja për ta përdorur shqipen.

Ndërkohë, njeriu mendon se gjuha është shumë më tepër. Një sistem nëpërmjet të cilit e kuptojmë botën. E ky sistem nuk i mungon as shqipes. Është një regjistër i dijes, një mënyrë për ta ruajtur dhe përcjellë përvojën njerëzore.

Jo vetëm përvojën e prindërve tanë, por edhe tonën, ndonëse kemi mësuar dhe vazhdojmë të mësojmë gjuhë të huaja. Ndoshta kjo është pjesa kryesore. Kjo është gjuha në të cilën vetë prindi është rritur. Jo vetëm gjyshja.

E çfarë ndodh me fëmijët që nuk i kanë gjyshërit? Që nuk komunikojnë me ta? Apo gjyshërit e të cilëve flasin gjermanisht, anglisht, frëngjisht ose ndonjë gjuhë tjetër?

Nuk mund ta paragjykoj motivin e askujt për t’ia mësuar fëmijës një gjuhë. Por kur komunikimi me gjyshërit paraqitet si arsyeja e vetme, shqipja reduktohet në një funksion familjar, duke u mohuar gjithçka tjetër që përfaqëson.

Për fat të mirë, gjuha nuk shihet si pengesë për përvetësimin e gjuhës së vendit ku jeton. Ajo është një aftësi shtesë që mund të ndihmojë edhe në nxënien e dijeve të tjera. Kjo pra, para se të jetë detyrimi që duhet mësuar sepse gjyshërit nuk flasin ndonjë gjuhë tjetër. Pos shqipes. Gati sikur të ishte faji i tyre.

Shqipja është gjuhë zyrtare e dy shteteve dhe gjuha e miliona njerëzve që jetojnë edhe jashtë kufijve të tyre. Ka letërsinë, historinë, kujtesën kolektive dhe dijen e saj. Një botë të tërë që nuk fillon dhe nuk përfundon te familja. Për më tepër, përbën një degë më vete të familjes së gjuhëve indoevropiane dhe prej shumë vitesh është objekt studimi e interesi shkencor.

Nëse vlera e një gjuhe matet vetëm me numrin e folësve, atëherë shumë gjuhë me histori të gjatë kulturore e letrare do ta humbnin argumentin përballë gjuhëve me numër shumë më të madh folësish: kinezishtja, arabishtja, indishtja, anglishtja. Shumë më të mëdha, e vërtetë. Por a të heqim dorë nga gjuhët më të vogla, sepse ekzistojnë gjuhë më të mëdha?

Shpresoj se është e tepërt të thuhet se vlera e një gjuhe nuk përcaktohet nga madhësia e saj dhe as nga fuqia ekonomike e vendeve ku flitet. Përndryshe, do të duhej ta pranonim një hierarki gjuhësh: disa që meritojnë të ruhen e të mësohen dhe disa të tjera që nuk ia vlejnë, nëse me gjyshërit mund të komunikosh ndryshe.

Një fëmijë që di një gjuhë më shumë nuk ka nevojë për justifikime. Sikur të kishte bërë ndonjë gabim. Nuk ka gjuhë të gabueshme dhe as gjuhë që duhet të kërkojë leje. Edhe nëse nuk e mëson, nuk është turp.

Përpos komunikimit, ajo mund të jetë gjuha në të cilën lexon Kadarenë, shkruan për të një punim në shkollë, interpreton rolin e një shqiptari në një film ndërkombëtar, apo gjuha me të cilën dashurohesh. Nuk i takon mësuesit/es (që është prindi këtu) caktimi i kufijve të dijes së përvetësuar. As sforcimi që fëmijët ta flasin gjithsesi vetëm pse e zotërojnë shqipen. Nëse zgjedhin të shprehen në një gjuhë tjetër, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Më dhembin rastet që kam dëgjuar, kryesisht nga e kaluara, kur fëmijëve u ndalohej rreptësisht të përdornin në shtëpi qoftë edhe një fjalë në një gjuhë tjetër. Janë rrëfime që i kam dëgjuar nga njerëz të moshës sime, të rritur jashtë Kosovës. Nuk e përjashtoj që raste të tilla të ndodhin edhe sot. Gjuha nuk duhet të bëhet burim frike, aq më pak kur bëhet fjalë për gjuhën e vendit ku fëmijët jetojnë, një vendim për të cilin nuk kanë përgjegjësi ata, por prindërit e tyre. Nuk duket as e logjikshme e aq më pak e drejtë, për shembull, që në Gjermani t’iu ndalohet fëmijëve gjermanishtja në ambiente private, ndërkohë që u mësohet shqipja. Të dyja gjuhët mund të jenë pjesë e jetës së tyre.

Fëmijët duhet të jenë të lirë të shprehen si ndjehen, por edhe të lirë nga nevoja për t’u arsyetuar: pse shqipja? Pse kjo gjuhë e vogël?

(c) 2026 Tinka Kurti. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading