Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Shkencë / Teknologji

DRITA NGA DUART E NJERIUT

Kjo botë është e mrekullueshme, edhe në gjërat që duken aq të thjeshta.

Gjatë ditës jemi të zhytur në mjedisin tokësor, por pastaj vjen ora kur mbi ne shpaloset magjia e natës me yje. Nga një revistë në djalëri kisha mësuar se si, në mbrëmje, mund të llogaritej koha duke u nisur nga data dhe rrotullimi i kësaj yjësie rreth Yllit Polar. Dukej sikur “Ora Jonë” ishte aty, midis yjeve.

Magjepsës është edhe thjesht “vështrimi” i dritës së një ylli. Ngrejmë sytë për ta parë dhe, në këtë çast, grimcat e dritës, që kanë udhëtuar për miliarda vjet drejt nesh nëpër hapësirat e pafundme qiellore, më në fund ndalen mbi syrin tonë: shuhen aty pasi xixëllojnë për herë të fundit, për të na treguar yllin prej nga kanë ardhur. Në sytë tanë përfundon ai shtegtim miliardavjeçar i dritës në hapësirat e pafundme qiellore. Ndonjëherë, ai është thjesht “mirazhi” i një ylli tashmë të shuar.

Albert Ajnshtajni 16-vjeçar i bëri vetes një pyetje të çuditshme: si do t’i dukej bota po të fluturonte bashkë me një nga këto grimca drite? Kjo pyetje nuk iu nda për dhjetë vjet rresht, derisa arriti ta shpjegonte dhe, më 1905, e botoi në një artikull që revolucionarizoi mendimin shkencor. Ishte përgjigje e pabesueshme: ajo grimcë që vjen te ne, pas një udhëtimi prej disa miliarda vjetësh, nuk ka “shpenzuar” në këtë rrugëtim as edhe një sekondë të kohës së vet!

Një fëmijë të vëmendshëm e bren një hamendje dhe pyet të atin: Ikën nata dhe vjen dita, pastaj kur ikën dita, vjen nata; mirë, po Dielli çfarë bën? Në jetën tonë të përditshme, rutina e ndërrimit ditë-natë na bëhet aq e zakonshme, sa harrojmë lojën e Diellit, faktin se nata dhe dita janë dy faqet e së njëjtës dukuri.

Duket se kjo përshtypje e lashtë njerëzore për natën dhe ditën, si dy dukuri të shkëputura nga njëra-tjetra, shprehet edhe në Testamentin e Vjetër, te Zanafilla (Genesis), që nis me këto fjalë: Në fillim Perëndia krijoi tokën dhe qiellin. Por toka ishte e shkretë dhe e zbrazët. Oqeani i tërbuar, që mbulonte gjithçka, ishte zhytur në errësirë të plotë, ndërsa Shpirti i Perëndisë lëvizte mbi ujëra.

Atëherë Perëndia urdhëroi: “Të bëhet drita!” E drita u bë. Ajo ishte pikërisht ashtu siç e kishte dashur Perendia”. Pastaj ai ndau dritën nga errësira. Dritën Perëndia e quajti “ditë”, ndërsa errësirën e quajti “natë”.[1]

Pikërisht fraza ndau dritën nga errësira pasqyron përfytyrimin e lashtë mbi kuptimin e ditës dhe natës si dy dukuri të pavarura, madje edhe nga veprimi diellor. 

Praktikisht, universi është i tëri plot “dritë”, nuk ka në të askund “errësirë”, edhe gjatë asaj që e quajmë “natë”. Drita është valë elektromagnetike dhe, në këtë univers, çdo trup jep e merr “dritë”, ndësa hapësira është e “mbytur” nga valët. Aty ku na duket se mbretëron errësira e plotë, mund të shohim fare mirë me anë të dylbive të posaçme (night-vision goggles), të cilat e bëjnë të dukshme dritën e natës, të pakapshme nga syri ynë.

Paragrafi biblik, që përshkruan krijimin e universit, është i diskutueshëm nga pikëpamja fizike dhe, mbase, nuk duhet të marrë fjalë për fjalë si përshkrimi naiv i mënyrës se si Perëndia ndau dritën nga errësira për të krijuar ditën dhe natën. Në këtë diskutim mund të ndihmonte edhe thënia e apostullit Gjon, shekuj më vonë, se Perëndia është dritë; në të nuk ka asnjë pikë errësire![2].

Zbulimi i Big-Bang-ut i dha këtij shpjegimi një interpretim tjetër, më të pranueshëm: Perëndia nuk ndau Dritën nga Errësira, por Gjënë nga Asgjëja!

Qindra mijëra vjet më parë, pas një dite të bukur dhe plot diell, shpërthen një stuhi e tmerrshme, me shi të rrëmbyeshëm, rrufe e bubullima. Pjesë pylli marrin flakë e shkrumbohen duke tmerruar njeriun e shkretë, krejt qull dhe të pambrojtur, rrethuar nga errësira dhe egërsira. Homo sapiensi kishte krijuar një shpjegim të vetin: në qiell është një Zot, i quajtur më vonë nga grekët Zeus, zoti i rrufeve që vrasin, djegin pyje e njerëz dhe katandinë e krijuar me aq mundim. Kur stuhia mbaron, njeriu arrin të marrë një pjesë nga ky zjarr i ardhur nga qielli për t’u ngrohur, për të gatuar, për t’u ndriçuar, për të trembur kafshët e egra. Këtu e ka zanafillën edhe mirënjohja për një tjetër perëndi, atë që e ndihmon të përfitojë nga ky zjarr qiellor. Ky nuk mund të ishte Zeusi i tmerrshëm dhe vrastar, por ndoshta një kundërshtar i tij: Prometeu i legjendave greke, plot mëshirë dhe frymë sakrifice.

Në ato kohëra, katërqind mijë vjet më parë, një djalosh përpiqej, duke goditur me një gur, të mprehte si thikë tehun e një cope guri piriti. Për një çast ai pa i mahnitur shkëndija drite midis gurëve dhe, duke menduar e rimenduar, me pak kashtë arriti të ndezë zjarrin. Atëherë ai ndjeu madhërishëm se tashmë ka në duar pjesë nga forca e Zeusit, e zjarrit dhe dritës. Kjo njihet si një nga kthesat e para dhe më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore. Homo sapiensi e pa veten më lart, krahas perëndive. Zjarri dhe drita, këtej e tutje, nuk mund t’i vinin vetëm nëpërmjet frikës, lutjes dhe mëshirës, por edhe si rezultat i një veprimi njerëzor. Me ata dy gurë në dorë njeriu merrte tashmë rrugën drejt hapësirave të reja të dheut, ku frikën, të ftohtët, urinë, armiqtë e bishat mund t’i përballonte me forcën e zjarrit të duarve të tij.

Shumë kohë rrodhi derisa njerëzit kuptuan natyrën “elektrike”, plot zjarr e dritë, të rrufesë dhe, më 1752, amerikani Benjamin Franklin (1706-1790) arriti t’i nënshtrojë rrufetë duke i flakur poshtë me anë të shpikjes së tij: rrufepritësit të shtrirë nga qielli në tokë. Michael Faraday (1791-1867) “e sfidoi” në një mënyrë tjetër forcën e Zeusit, duke guxuar, më 1836, të futej pa frikë brenda një kafazi metalik të tokëzuar, nën goditjen e rrufeve flakëruese.

Po ky Faraday, djalë i një familjeje të varfër londineze, me vetëm katër klasë shkollë, por me një etje të jashtëzakonshme për dije, me copa teli, baterinë e Aleksandër Voltës të krijuar një dekadë më parë, me busulla magnetike, tallash hekuri të shpërndarë mbi fletë kartoni, etj., duke punuar intensivisht përgjatë gjithë jetës së tij, zbuloi gjeneratorin elektrik dhe motorin elektrik, madje duke arritur te përfytyrimi intuitiv se elektriciteti, magnetizmi dhe lëvizja janë ngushtësisht të ndërlidhura dhe prodhojnë njëra-tjetrën.

Në planin teorik, Faraday, i cili nuk shkroi dot një formulë të vetme, filloi të ndiente si përmes një ndërthurjeje të magnetizmit me elektricitetin. Ai vepronte si i verbëri që rrotullohej brenda hapësirës së forcave elektrike dhe magnetike dhe i dukej sikur prekte dhe ndiente përmes tyre, një nga dukuritë më të jashtëzakonshme të natyrës: bashkëveprimin misterioz të fushës së magnetit me fushën e rrymës elektrike. Gjeniu Faraday ndjeu dhe përshkroi thelbin e asaj që mbush universin, pjesë të së cilës ne e shohim si dritë. Madje në një nga eksperimentet e tij të shumta, ai pa me habi se magneti ndikonte mbi dritën, duke parë kështu lidhjen e thellë mes optikës dhe elektromagnetizmit.

Në atë kohë pati snobë që e shpërfillën, por një djalosh skocez, James Clerk Maxwell (1831- 1879), e mori mjaft seriozisht punën e tij dhe, duke u nisur nga shpjegimet e hollësishme dhe skicat e Faradeit, kaloi në ekuacione matematikore mjaft elegante, të cilat janë sot themelore në fizikë. Mjafton të kujtojmë se Ajnshtajni përdori ato ekuacione për të zhvilluar teorinë e tij të relativitetit special. Është mjaft kuptimplotë fakti që ai mbante në studion e tij tre portrete: të Njutonit, Faraday-t dhe Maxwell-it. Duke zgjidhur këto ekuacione, Maxwell-it i rezultoi se magnetizmi dhe elektriciteti shtynin njëri-tjetrin në formën e një vale që përhapej. Llogariti në letër shpejtësinë dhe u mrekullua kur i doli se kjo valë përhapej pikërisht me shpejtësinë e dritës! Heinrich Hertz (1857-1894) e vërtetoi më vonë këtë fakt eksperimentalisht. Atëherë njerëzimi kuptoi se ajo që ne e shohim si dritë është valë elektromagnetike që përhapet në univers me shpejtësinë më të madhe. Hapësira është e mbushur me këto valë elektromagnetike, nga të cilat ne shohim vetëm atë pjesë që syri e kap si dritë.

Për qindra mijëra vjet njeriu arriti “të vjedhë orë nga nata e perëndisë” për t’ia shtuar ditës, nëpërmjet përdorimit të zjarrit, llambave me vaj, qirinjve, djegies së gazit dhe, më në fund, rrymës elektrike, e cila u vu në përdorim sidomos falë përpjekjeve të Thomas Alva Edison-it (1847-1931). Stili i tij i punës mund të përmblidhet në thënien që mendohet se është e tij: Genius is one percent inspiration, ninety-nine percent perspiration (Gjeniu është një për qind frymëzim dhe nëntëdhjetë e nëntë për qind djersë pune)!

Edisoni ndoqi shkollën për vetëm disa muaj. Një pjesë e rëndësishme e formimit të tij erdhi nga puna e nënës së tij mësuese, e cila u kujdes që ai të vazhdonte të mësonte vetë. Ashtu si Faradei, ai lexonte me etje librat që i binin në dorë, ishte jashtëzakonisht kureshtar dhe përpiqej vazhdimisht t’i kthente idetë e veta në realizime praktike. Gjatë gjithë jetës, Edisonit i atribuohen mbi 1000 patenta të rëndësishme, ndër të cilat veçohet mbi të gjitha Llamba Elektrike Inkandeshente. Për ta çuar atë në nivelin e përdorimit industrial, Edisoni provoi kombinacione të panumërta formash dhe materialesh, derisa, më 1879, përcaktoi modelin e llambës që, për më shumë se një shekull, i dha dritë natës në mbarë rruzullin tokësor, me atë dritë aq të bukur, natyrale, diellore, por që kushtonte aq sa nuk duhej ta lije të ndezur kot. Nuk është madhështore vetëm llamba e Edisonit, por edhe shtysa që puna e tij i dha revolucionit industrial botëror. Ajo ndihmoi në nxitjen e një industrie gjigante të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike, e cila mori hov edhe nga sistemet e ndriçimit që Edisoni instaloi më 1882 në Nju-Jork, në zonën e Manhatanit.

Maxwell-i, i cili formuloi sistemin e ekuacioneve që provonte se drita është valë elektromagnetike, ndriçoi gjithashtu një veti mjaft të rëndësishme të mënyrës se si syri ynë e percepton dritën. Dihet se drita që ne e shohim si dritë e bardhë e ditës, është në të vërtetë një përzierje e jashtëzakonshme ngjyrash, të cilat shfaqen te ylberi. Duke u mbështetur edhe në studime të mëparshme mbi perceptimin dhe përzierjen e ngjyrave, Maxwell-i zbuloi efektet nga përzierja e vetëm tri ngjyrave, të kuqes, të gjelbrës dhe blusë (Red, Green, Blue ose RGB), me të cilat mund t’i jepen syrit, në mënyrë mjaft realiste, pamjet e mrekullueshme që na vijnë nga mjedisi nëpërmjet sistemit sy-tru. Kjo lidhet me faktin se retina e syrit tonë përmban tri lloje qelizash fotoreceptore, të quajtura kone, secila me ndjeshmëri më të madhe për një nga këto tri ngjyra. Ky parim thjeshtësues i përdorimit të vetëm këtyre tri ngjyrave do të bëhej baza e universit modern të ekraneve me ngjyra: televizorëve, celularëve, tabletëve, kompjuterëve, ekraneve gjigante dhe tabelave elektronike të reklamave, që na japin pamje mbresëlënëse mjaft natyrale. Sot, moria e pikselave të ekraneve RGB përmban emetimet e këtyre tri ngjyrave, secila në 256 nivele intensiteti, që, duke u kombinuar, japin në tërësi pamje fantastike me rreth 17 milionë nuanca.

Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet se syri ynë e percepton si dritë të bardhë kombinimin e këtyre tri ngjyrave në intensitete të përafërta. Ky parim është themelor, si për krijimin e së bardhës në ekranet me ngjyra, ashtu edhe për teknologjinë moderne të ndriçimit me dritë të bardhë. Madje mundësia për të ndryshuar lehtë raportin midis tyre i jep të bardhës një gjerësi nuancash që lidhet me atë që quhet “temperaturë e ngjyrës, e shprehur në kelvin”, e cila shkon nga e bardhë e ngrohtë (2700 K) deri te e bardha e ftohtë (6500 K).

Në vitin 1962 u krijua LED-i i kuq (R) dhe, dy vjet më vonë, LED-i i gjelbër (G), të përdorur në pajisje për të treguar gjendjen e ndezur (On) ose të fikur (Off). Pikërisht këtu nis një kapitull tjetër i jashtëzakonshëm i historisë së dritës: beteja e gjatë për të krijuar LED-in blu. Me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme dhe investimet e mëdha të kompanive të fuqishme teknologjike, si IBM, Toshiba, General Electric, Bell Labs, Sony dhe Philips, problemi mbeti i pazgjidhur për disa dekada.

Edisoni i shek.XX do të ishte japonezi Shuji Nakamura, i lindur më 1954 në një lokalitet të vogël peshkimi, me një peizazh mjaft tërheqëse, të rrethuar nga bluja mbresëlënëse e oqeanit. I ati, teknik mirëmbajtjeje në një kompani elektrike, e ndihmoi Shujin kur ky ndiqte studimet në inxhinierinë elektrike, të lidhej me profesorin Osamu Tada, me të cilin nisi të punonte pasditeve mbi pajisje të vjetra elektronike, të cilat i çmontonin, i modifikonin, i montonin përsëri dhe i bashkonin me saldim e ngjitje, duke eksperimentuar vazhdimisht mundësi të reja. Më 1979, Shuji përfundoi studimet dhe Osamu e ndihmoi të fillonte punë në një kompani të vogël, Nichia, me drejtues një mik të tij. I shpërfillur nga kolegët me kualifikime më të larta se të tijat, Shuji punonte i vetëm në një dhomë të vogël, duke u marrë me prodhimin e LED-it të kuq. Kërkoi rritje page, por i thanë se më parë duhej të botonte pesë artikuj shkencorë. Atëherë ai ndërmori një hap të guximshëm: kërkoi disa milionë dollarë për të krijuar atë që dukej pothuajse e paarritshme: LED-in blu!

Çuditërisht, drejtuesi i kompanisë që e kishte punësuar, ia miratoi kërkesën. Ndoshta kokëfortësia apo dëshira për të realizuar atë që kishte premtuar e futi Shujin në një ritëm tipik japonez: ai filloi të punonte dymbëdhjetë orë në ditë, nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 7 të mbrëmjes, përfshirë të shtunat dhe të dielat, duke vazhduar kështu për javë e muaj të tërë. Bëri vetëm një ditë pushim në ditën e Vitit të Ri 1992 dhe të nesërmen rifilloi me po atë ritëm ekstrem. Një drejtues i ri i kompanisë, duke mos parë rezultate konkrete, i bëri presion të mos shpenzonte kot, por Shuji vazhdoi me këmbëngulje. Ndërkohë ndiqte me kujdes literaturën shkencore. Më në fund, pas gati dy vjetësh, Shuji zbriti në sallën e madhe me LED-in blu që shkëlqente mrekullueshëm në duart e tij. Kishte pasur më parë rezultate të tjera të ngjashme, por pa vlerë industriale: LED-i i tij shkëlqente një mijë herë më shumë!

Për sa i përket suksesit të Nakamurës, përveç punës së jashtëzakonshme dhe mbështetjes te artikujt shkencorë, veçanërisht të punimeve të dy kërkuesve japonezë, H. Amano dhe I. Akasaki, thuhet se një nga arsyet e suksesit të tij ishte edhe mënyra e veçantë e të punuarit. Ndërsa në shumë laboratorë përdoreshin pajisje standarde të blera nga industria, Nakamura “fuste duart” në pajisjet që kishte në dispozicion dhe i përshtaste sipas ideve dhe eksperimenteve të tij. Ai nuk priste që dikush t’i siguronte mjetet e duhura, por përpiqej ta krijonte ose ta modifikonte vetë.

LED-i blu i Nakamurës u përhap menjëherë në gjithë hapësirat teknologjike dhe industriale, duke krijuar një revolucion të jashtëzakonshëm në prodhimin e pajisjeve me ekran RGB LED, si celularët, televizorët, reklamat gjigante, si dhe në “ngjyrosjen” fantastike të skenave në shfaqjet zbavitëse e kulturore. Këto pajisje u bënë mjaft cilësore dhe të lira, aq sa celularët ose televizorët me ekrane të mëdha e plot dritë e ngjyra mund të blihen tashmë nga kushdo. Por vlerën më të madhe LED-i blu e pati në krijimin e llambës së bardhë. Duke konsumuar një të dhjetën e fuqisë së llambës së Edisonit, pa përmendur jetëgjatësinë shumëvjeçare, llamba e bardhë LED e Nakamurës ka përmbytur sot tregun botëror të ndriçimit të shtëpive, sallave, objekteve industriale, rrugëve, automjeteve, etj.

Në këtë kuptim, arritja e Nakamurës nuk ishte thjesht krijimi i një pajisjeje të re elektronike. Ajo ndihmoi në ndryshimin e mënyrës se si njerëzimi prodhon dhe përdor dritën. Njerëzit ende sot, duke e ngatërruar me llambën inkadeshente të Edisonit, të cilën e zëvendësoi, nuk arrijnë të kuptojnë përmasat e përmbysjes teknologjike. Një llambë LED, ekuivalente me llambën inkandeshente 60 W krejt të ngjashme nga pamja, shpenzon gjysmë euro për një muaj pune të pandërprerë. Një ekran “gjigand” RGB LED 65”, plot shkëlqim e hijeshi, duke u përdorur disa orë në ditë, shpenzon vetëm 3 euro në muaj! I bëjmë këto llogaritje për të shpjeguar edhe një ngjarje mjaft domethënëse: Komisioni i Çmimit Nobel, i cili përgjithësisht vlerëson arritjet vjetore, e kuptoi me vonesë rëndësinë e asaj që kishte ndodhur dhe i dha Çmimin Nobel në Fizikë, më 2014, Shuji Nakamurës dhe teoricienëve H. Amano e I. Akasaki, pas më shumë se një dekade.

Vlerësimi i përmbysjes që solli Shuji Nakamura mund të përmblidhej me krahasimin se ndriçimi i ri LED uli konsumin botëror të energjisë elektrike, pra edhe ndotjen nga djegia e naftës në termocentrale, në një masë të barasvlershme me atë që do të arrihej nëse gjysma e automjeteve që lëvizin e ndotin mjedisin botëror, sot në një gjendje të rënduar, do të hiqeshin nga përdorimi!

Këtu mund ta ndërpresim analizën e historisë së dritës nga duart e njeriut, por mendoj se nuk mund t’i shpëtojmë dot pyetjes: si ka mundësi që ata që e kanë shtyrë përpara këtë histori nuk kanë qenë, në kuptimin tradicional, domosdoshmërisht shkencëtarë apo studiues të mëdhenj, por kërkues modestë, shpeshherë autodidaktë?! A mos ndoshta ky fakt zhvlerëson, në njëfarë mënyre, shkencën, institucionet kërkimore dhe punën e studiuesve e kërkuesve shkencorë të panumërt në mbarë botën?

Ka shumë për të diskutuar rreth kësaj teme. Mund t’i referohemi nobelistit japonez të vitit 2025 Susumu Kitagawa, i cili u shpjegoi gazetarëve se mentaliteti japonez i kërkimit përcaktohet nga përkushtimi i thellë, këmbëngulja dhe një kuriozitet që inkurajon përqafimin e sfidave dhe qëndrimin e hapur ndaj zbulimeve të papritura, nga interesi për dijen e padobishme apo të papërfillur, dhe nga vlera e përpjekjes së vazhdueshme sipas shprehjes së njohur mos e fikni dritën as natën, etj.

Mbase këtë diskutim mbi eksperimentatorët gjenialë mund ta ndriçonte në njëfarë mënyre edhe kjo thënie që i njihet Thomas Alva Edisonit: Genius is one percent inspiration, ninety-nine percent perspiration. Këta gjeni sui generis janë ata që sakrifikojnë kohën e jetës së tyre, duke u përpjekur të gjejnë në malin me rërë një “gur të çmuar” që askush tjetër nuk e ka parë. Arthur Schopenhauer-i (1788-1860) thotë për ta: Talenti godet atë që të tjerët nuk arrijnë ta godasin;
Gjeniu godet atë që askush tjetër nuk e sheh
!

(c) 2026 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading