Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim

NJË LOG PA DIALOG

Prej javësh tashmë, kryeministri Rama po i fton protestuesit për “dialog”, madje duke e shtruar edhe skenën simbolike ku ky dialog do të ndodhë – me karrige, stola ose kolona betoni, ku të ulen pjesëmarrësit.

Të ftuar janë pikërisht ata protestues të cilët haptazi kërkojnë largimin e Ramës nga posti, dorëheqjen ose edhe arrestimin e tij.

Ka shumë që këtë ftesë të kryeministrit e shohin si performative, si një lloj vepre arti, e cila i kërkon publikut që ta shohë, por edhe të ndërveprojë me të; por që me komunikimin e mirëfilltë mes palëve nuk ka shumë të bëjë.

Nga ana tjetër, kërkohet dialog, por në rastin më të mirë është fjala për kontakt, bisedime, diskutime a negociata, meqë – për mua – jemi shumë, po shumë larg nga një dialog i mirëfilltë, i cili prodhon ide jo politikë kuadri dhe kërkon gjëra që për momentin janë të pamundura: që nga gjuha e përbashkët, te mirëbesimi (reciprok) dhe aftësia në mos vullneti për ta dëgjuar tjetrin me kujdes. Dialog madje nuk ka pasur as mes vetë rrymave brenda protestës…

Njëlloj mund të pyetet edhe ku ta kenë mësuar këto palë artin e dialogut ose, më gjerë, të diskutimit të qetë, në rrethanat kur kultura bashkëkohore shqiptare nuk jep modele të tilla, madje i lufton me kundër-modele. Edhe parlamenti, që idealisht do të ishte vendi gjeometrik ku duhej të ndodhnin këmbime të tilla ligjërimore mes mendjeve, prej kohësh është zombifikuar, duke u kthyer në një arenë ku anëtarët e elitës politike të kombit goditen reciprokisht me sende të forta dhe fyerje të ngjethshme, për të cilat as kanuni nuk do të ofronte dot zgjidhje a përgjigje.

Edhe më pak shanse ka që palët ta kenë mësuar teknikën e dialogut, ose më gjerë të diskutimit të qetë, nga televizioni kombëtar i mbrëmjes, ku vazhdimisht sheh burra dhe, rrallë e tek, ndonjë grua, që i bërtasin njëri-tjetrit, gënjejnë haptazi, parashikojnë të ardhmen si fallxhorët, hedhin kërcënime edhe të hapura edhe të fshehura dhe pastaj ngrihen dhe ikin në protestë, për t’u kthyer pas pak. Televizioni madje po e shfrytëzon këtë lloj komunikimi për të dëfryer shikuesit, si të ishte American Wrestling, por jo vetëm.

Këtë teknikë të dialogut, ose më gjerë të diskutimit të qetë nuk e gjen tani më as në hapësirat e komenteve në mediat online dhe në rrjetet sociale, ku palët duket se nuk kanë as gatishmëri që të binden nga kundërshtari, as ndonjë gatishmëri që ta bindin ato vetë kundërshtarin; por veç rreken ta poshtërojnë tjetrin, ta mbulojnë me turp dhe ta asgjësojnë.

Për të mësuar teknikën e dialogut, ose të kuvendimit të shtruar, palët e kuvendit të Ramës duhej të kishin kaluar ca kohë me dialogët e Platonit – por kjo nuk ka gjasë të ketë ndodhur.

Madje as kryeministri vetë nuk duket të jetë thelluar, të paktën kohët e fundit, në artin e vështirë të kuvendimit dhe këmbimit të mendimeve me të barabartët e vet; gjithë këto vite në detyrën e kryeministrit ia kanë rehatuar, përkundrazi, rolin e të zotit të shtëpisë, madje edhe në ato tryeza ku i tillë, zot shtëpie, nuk mund të jetë.

Në daljet e fundit televizive, Rama nuk është dukur i hapur për biseda dhe dialog me tjetrin, veçanërisht kur i duhet të japë shpjegime për dështimet e politikave të tij – nga fiaskot e projekteve të mëdha, tek arbitrariteti, zgjedhjet e gabuara të kuadrove drejtuese, subjektivizmi prej amatori dhe autoritarizmi. Në situata të tilla, Rama zakonisht i përdor minutat e veta (dhe shpesh edhe të tjetrit që ka përballë) për të shpjeguar, me nervozizëm teatral, se premisat e argumentit që i sjellin a të pyetjes që po i bëjnë – për shembull informacioni në dispozicion – janë të rreme, të gabuara ose keqdashëse.

Kryeministri i vendit më është dukur më i qetë dhe i artikuluar në monologët e tij dhe në podkastet me persona që ai vetë i zgjedh për muhabet, të cilat ndoshta i kanë shërbyer edhe si një lloj terapie; ose në shoqëri gazmore shtetarësh dhe dinjitarësh dhe miliarderësh të huaj.

Fakt është që protestuesit, studentët ose “studentët” nuk po kërkojnë gjë as dialog, as kuvendim, as debat me kryeministrin Rama; sepse gjykojnë që ky duhet të largohet, por edhe ngaqë janë të bindur se ky lloj kontakti nuk ka shans të prodhojë ndonjë gjë me interes për protestën dhe synimet e saj.

Kontaktit produktiv me kryeministrin i mungon një ingredient kritik: besimi. Protestuesit, studentët, madje edhe një masë e madhe e atyre që nuk kanë dalë në protestë fare, e kanë humbur besimin te kryeministri, te qeveria e tij, te synimet e tij politike, tek institucionet e ekzekutivit dhe te të zgjedhurit e vet.

Nëse besimi është themeli i gjuhës së përbashkët morale që do të mundësonte kontaktin dhe komunikimin, atëherë do të themi se palët nuk do të merreshin dot vesh edhe sikur të uleshin me orë e me ditë në skenën e selitur me aq kujdes, para kryeministrisë.

Në një bisedë çfarëdo – madje edhe nga një dialog, po të duam të ushtrohemi me fjalë të mëdha – palët të dyja së bashku ose veçmas mund të zgjedhin ose të bashkëpunojnë mes tyre, ose tregohen kompetitive, duke e ndërprerë tjetrin ose duke sjellë në tryezë ankime dhe argumente kundërshtuese.

Vetë ulja në tryezë tregon një vullnet fillestar për bashkëpunim, por kjo nuk mjafton – sa kohë që njëra nga palët, ose të dyja, mund të kenë për synim që t’i imponohen tjetrës.

Nëse të dyja palët janë haptazi kompetitive dhe i qasen tjetrës me paranojë, atëherë komunikimi dështon. Edhe kur në fillim vetëm njëra palë zgjedh opsionin agresiv, me kohë këtë do ta bëjë edhe pala tjetër, për ta rivendosur ekuilibrin, çfarë edhe do ta bllokojë produktivitetin e komunikimit.[1]

Siç e tregon edhe modeli i mirënjohur i “dilemës së të burgosurit”, rezultati optimal në rrethana të tilla arrihet nëse të dyja palët të tregojnë mirëbesim dhe gatishmëri për kompromis (positive-sum game); por pala që hyn në bisedë me mirëbesim gjithnjë rrezikon të humbasë rëndë dhe të fundoset, nëse pala tjetër është kompetitive.

Vetëm mirëbesimi nuk mjafton; duhet besimi që edhe pala tjetër do të veprojë në mirëbesim.[2]

Në momentin e tanishëm, duket sikur Rama synon që t’i bindë protestuesit se largimi i tij nga posti i kryeministrit nuk do të ishte zgjidhja optimale për qeverisjen e vendit, programin politik të palës që ka fituar zgjedhjet dhe për vetë qytetarët; teksa protestuesit vetë largimin e Ramës e kanë caktuar si kushtin paraprak për “bisedimet”.

Nëse Rama, sidomos në daljet e fundit publike, duket sikur e ka konfirmuar sikletin që i shpifet në biseda, kontakte dhe dialogë, kundërshtarët e tij kanë treguar një paaftësi shqetësuese për ta artikuluar vullnetin e tyre në ligjërim.

Shkollimi i çalë, televizioni dhe rrjetet sociale kanë bërë që sot protesta ta ketë të vështirë të prodhojë një diskurs kritik të tillë që të përfaqësojë argumentin e saj të plotë, në një tryezë dialogu. “Rama jepe dorëheqjen” mund të jetë një dëshirë, një ftesë, një kërkesë a një urdhër, por jo pjesë e një komunikimi mes palëve – madje largimi i Ramës, me ose pa dorëheqje, do t’i jepte fund edhe tryezës së kontaktit.

Kjo mangësi mua më duket po aq serioze sa edhe ajo tjetra, që protesta nuk arrin të nxjerrë një leadership serioz dhe të stabilizuar, të tillë që të konstituohet jo nëpërmjet gjesteve, simboleve, flamujve dhe emocionit, por nëpërmjet fjalës.

Në kuptimin që protesta e ka treguar më mirë se çfarë nuk do ose refuzon, se çfarë do ose kërkon. Dhe kjo duhet parë si një arritje e regjimit të Ramës, meqë ky ia ka dalë ta narkotizojë kundërshtimin e argumentuar (të artikuluar) jo nëpërmjet censurës, por duke ia varfëruar ligjërimin deri në folklor e belbëzim; teksa analiza kritike në forumet publike, në TV e në media (nga subjekte që jo rrallë nuk kuptohet si dhe pse u kualifikuan për t’iu drejtuar publikut çdo mbrëmje), shpesh ua lë vendin aluzioneve, akuzave të pagatuara, halucinacioneve, kërcënimeve të kamufluara, paranojave prej prokurori, parafrazimeve të artikujve të Daily Mail, vajtimeve populiste, rapsodive, shpjegimit të ëndrrave, teorive të komplotit, informacioneve të paverifikueshme, leximit të filxhanit, thashethemeve dhe thjesht gjepurave.

Paradoksalisht, për ta shëruar këtë zgjebe të ligjërimit politik kura më e mirë do të ishte pikërisht dialogu – jo për të prodhuar lëvizje kuadri dhe vendime konkrete, por për të kultivuar mendimin e denjë politik, që është edhe thelbi i dialogut vetë.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Nash Equilibrium Explained: Key Concepts and the Prisoner’s Dilemma.

[2] Kur e shkrova këtë, dyshova se po thoja një tautologji; por tani nuk më duket kështu. Besimi në tjetrin nuk është detyrimisht besim se tjetri, në këtë moment, po të qaset në mirëbesim.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading