Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë

ARKITEKTURA SI ÇËSHTJE KLASASH

nga Xhulian Valensi

Nuk ka dyshim se mënyra se si operuan arkitektët e huaj në Shqipëri gjatë dekadës së fundit nuk ishte krejt e pafajshme dhe e çiltër. Në kushte të tjera politikash ekonomike dhe sociale, ftesa ndaj Boerëve, Bigërve, MVRDVëve, 51N4Esë, etj., mbase dhe mund të kishte qenë e pranueshme. Problematika vlen paralelisht edhe për rolin që shumë prej këtyre arkitektëve kanë luajtur në bashkëpunim me politikat imobiliare të qyteteve si Brukseli, Milanoja, Roterdami, Kopenhaga apo Roma. Madje, për jo pak prej tyre, kryeqyteti shqiptar u kthye në “modelin Tirana”, si shembull i zhvillimit ekonomik, përmes injektimit të kapitalit privat në estetikë. Paralelisht me kullat, u ngrit edhe një ekonomi eventesh dhe artesh kreative. Të paktën mund të mburremi me rolin pionier të Tiranës në xhentrifikimin e disa prej kryeqyteteve të Evropës Veriore.

Fig. 1 “Nën gurë, ndodhet plazhi.” Grafiti në rrugët e Parisit gjatë përleshjeve studentore të Majit 1968.

Në historinë e ndërtimeve në Tiranë ka dy momente kyçe: së pari, rënia e moratoriumit të ndërtimeve, të vendosur nga qeverisja e djathtë në Bashki, e cili i hapi digën bumit ndërtimor spekulativ; së dyti, inaugurimi i sheshit Skënderbej më 2017 i cili inauguroi fazën e kullave. Duhej një hapësirë publike e gjelbëruar, e shoqëruar me pompim mediatik, që të shërbente si atraksion për kullat e firmosura nga archistars. Problemi kryesor, sidomos në periudhën para arrestimit të Veliajt, ishte vëmendja ideologjike që iu kushtua këtyre big-ëve, për të lënë në hije aspekte të tjera thelbësore të prodhimit të arkitekturës në Shqipëri.

Vlen të përmendet se, në fazën e parë të pushtetit të Ramës, u lanë në harresë  profesionistë të rinj, të huaj dhe vendas, me agjenda sociale pozitive, si ata që morën pjesë në konkurset e vitevet 2014-2016 dhe propozonin shkolla të reja, konvikte, parqe dhe banesa sociale. Nuk duhet harruar as roli i disa studiove vendase në krijimin e skelave ideologjike për një sezon projektesh që çuan te The Albanian Files. Dihet mirë se, prapa spektaklit të kullave në rendera, Tirana dendësohej me pallate të reja banimi dhe zyrash, në stilin e ndërtimeve të viteve 2000, të projektuara nga studio vendase, shpesh të preferuarat e pushtetit. Këto ndërtoheshin edhe më shpejt se kullat, nëpër ato pak hapësira të lira të qytetit, mes pallateve, oborreve, dhe rrugicave të qendrës.

Heshtja e profesionistëve dhe deklasimi i tyre nga projektues e planifikues në organizatorë dhe pjesëmarrës në evente i bëjnë ata po aq të përfshirë në rrugën drejt The Albanian Files sa dhe letra makiaveliane e arkitektit Reinier de Graaf, ku ai i uron kryeministrit një karrierë prej monarku, sikur të ishte Lorenzo Il Magnifico në Firencen e Rinascimentos. Është i pamohueshëm frustracioni i arkitektëve vendas ndaj të huajve, që i ka kthyer në nëpunës dhe i ka shtyrë të pranojnë ujdi për t’i mbijetuar tregut. Në këtë situatë, nuk ka si të na çudisë që opozitarizmi ndaj pushtetit të vijë nga universitetet e arkitekturës, publike dhe private, nga këto të fundit ca më shumë, duke qenë produkt i reformave arsimore të djathta të Berishës. Madje, pika më e dobët e pushtetit në vitet e fundit ka qenë militantizmi shkencor i universiteteve private, që kanë përgatitur plane alternative ose thjesht janë ngujuar te problemet e ngushta të disiplinës së arkitekturës. Mbase jo pa arsye, studentët që dalin prej andej janë gati të përjashtuar nga disa sektorë në tregun dominues.

Fig. 2 “MikeViktorViktor”, pamje nga projekti jo-fitues, për konkursin Osumi River Island, nga AKPT, Berat, mars–maj 2015.

Institucionet universitare private në Shqipëri nuk ndjekin të njëjtën ndarje klasore si universitetet private jashtë, të cila frekuentohen kryesisht nga studentë të klasave të larta të shoqërisë dhe të klasave të mesme. Në Shqipëri përthithin studentë dhe mësues edhe nga klasat e ulëta, nga ata që borgjezia e Tiranës i quan “të ardhurit”, sepse qoftë studenti i elitës së ngushtë, qoftë ai i zonave më të largëta, dëshiron të ndjekë shkollën e lartë. Studimet jashtë kanë qenë deri më sot e vetmja formë e shprehjes së konfliktit klasor ndaj elitës pronare të bizneseve të mëdha, por edhe ndaj elitizmit tregtar dhe sipërmarrës të shtresës së mesme që ka mbetur në kryeqytet, edhe kjo e fundit drejt varfërimit.

Mund të thuhet se e gjithë klasa studentore në Shqipëri është klasë punëtore. Studentët punojnë dhe studiojnë, dhe, me gjasa, janë të gatshëm ta shesin jashtë shtetit forcën e tyre të punës (dijen apo duart).

Revolta ndaj dyqaneve gjatë Rrugës së Durrësit, mes të tjerash, nuk mundet të interpretohet veç si reagim i kësaj klase punëtore ndaj mentalitetit sipërmarrës të Tiranës, ekonomia e së cilës është përqendruar kryesisht tek biznesi i vogël, i mesëm, dhe tek qiraja e përfituar nga pronat e dyta. Studentët si qira-pagues janë furnizuesit kryesorë të ekonomisë imobiliare, në luftë dhe me Airbnb-të afatshkurtra dhe me ekonomitë e reja oligarke që vitet e fundit po hanë edhe vetë pronat dhe ekonomitë e vogla shtëpiake. Xhentrifikimi i këtyre lagjeve do të thotë se studentët po largohen gjithmonë e më në periferi, apo në pallatet e socializmit. Në lagjet historike të qendrës, borgjezia me trashëgiminë e vet të periudhës paraosmane, pasurohej deri para disa vitesh thjesht duke vënë në ekonomi rentiere apartamentet e dyta e të treta dhe pronat private, si vilat apo shtëpitë përdhese, të cilat një pjesë e ideologjisë së arkitektëve i mbron ende me statusin më famëkeq të prodhuar në Shqipëri, atë të monumentit të kulturës.

Studentët e mbetur, si një klasë e re punëtore – pavarësisht se ky term e bën këtë shkrim anakronik në kushtet e vendit më antikomunist në Evropë – janë kritikët më të ashpër të ekonomisë rentiere dhe sipërmarrëse të Tiranës. Si mund ta shpjegosh ndryshe zjarrvënien në dyqane, por edhe në oborret e vilave të ambasadave, relike të borgjezisë së qytetit-kopsht të viteve tridhjetë?

Mes gjithë problematikave, rrethanave dhe kontekstit, për një gjë arkitektët e huaj kishin të drejtë: pjesa dërrmuese e tyre, kur i prezantonte publikisht projektet apo dhe brenda librit The Albanian Files, vendoste shpesh imazhin e piktorit italian Ambrogio Lorenzetti, Gli effetti del cattivo e buon governo (Efektet e qeverisjes së mirë dhe asaj të keqe), afresku i famshëm i ekspozuar në Bashkinë e Sienës në shekullin e XIV. Në këtë pikturë, artisti italian vinte në pah, në sallën kryesore të komunës – bashkisë mesjetare të qytetit – se si do të dukej Siena nëse qytetarët e saj do të kishin pranuar t’i nënshtroheshin Rilindjes Urbane, ose Rinascimento-s, duke imituar Firencen e familjes Medici. Efektet e “qeverisjes së mirë” (buon governo) pasqyronin një qytet me fasada plot ngjyra, godina të rregullta, të barabarta dhe të mirëprojektuara, sheshin e rregullt, katedralen e sistemuar, etj. E gjitha kjo ndodhte në një kohë kur Siena qeverisej nga Governo dei Nove (Qeveria e të Nëntëve), e përbërë nga nëntë anëtarë të klasës tregtare, e cila po pasurohej dhe investonte në projekte publike e private në qytet.

Fig. 3 Ambrogio Lorenzetti, Gli effetti del buono e cattivo governo (sipër: Efektet e qeverisjes së mirë, poshtë: efektet e qeverisjes së keqe), 1338-1339, Palazzo Pubblico, Siena.

Ana tjetër e medaljes, versioni paralel i “qeverisjes së keqe” (cattivo governo), pasqyronte një Sienë të udhëhequr, mbase, nga Governo dei Dodici, që erdhi më pas dhe përbëhej nga dymbëdhjetë (dodici) pjesëmarrës të popullit me një mentalitet më “populist” në krahasim me tregtarët “me mendje të hapur” të rendit postfeudal. Në këto rrethana, qyteti i keqqeverisur ishte, natyrisht, më gri në sytë e Lorenzetti-t, me konflikte vende-vende, me objekte të rrënuara dhe në kaos. Në Buon Governo, përkundrazi, paraqiteshin dhe aspekte emancipuese të “drejtësisë sociale”: mësues që u japin mësim nxënësve të varfër në katet e para të ndërtesave, mes dyqaneve të shitësve. Diku, madje, një grua punon në një kantier ndërtimi, në majë të skelave, duke paraprirë kështu edhe betejat gjinore, arritja e të cilave në industrinë e ndërtimit do kërkonte shekuj. Pra, qytetit i ri postfeudal kishte, sipas ideologëve të Rinascimento-s, të gjitha të mirat: ngjyra, emancipim social e gjinor, lagje me aktivitet krijues dhe sipërmarrje të klasave të mesme, e kështu me radhë. Jashtë mureve të qytetit të mirëqeverisur, Lorenzetti nuk kursente as paraqitjen e vilave të reja të klasës sunduese, e cila, pasi kishte hequr qafe feudalizmin, sapo kishte blerë tokat e feudalëve të vjetër dhe të fshatarëve për të qeverisur Sienën nga larg, pa u përzier në punët e brendshme të qytetit të emancipuar.

Nëse arkitektët e huaj kanë një meritë, duke përdorur këtë imazh në prezantimet e çdo konkursi, ajo është pikërisht aftësia profetike për të parashikuar se si qeverisja e keqe do të shndërronte qytetin në një hapësirë konfliktesh. Analogjia është po aq befasuese, sa edhe ironike, por edhe absurde, pasi Shqipërisë iu imponua dhunshëm ideali i një bote tjetër, pa u lënë kohë gjërave të maturoheshin gradualisht, edhe në kushtet e ekonomisë kapitaliste. Rilindja Urbane dhe Rinascimento Italiano përbëjnë mbase imitimin më grotesk në një vend ku arkitektura groteske është po aq produkt i nevojës së brendshme për Perëndim, sa edhe i përpjekjes gjeopolitike të Perëndimit për t’u zgjeruar drejt Lindje. Për këtë dialektikë fliste Dante tek Komedia Hyjnore: dialektikën mes pushtetit dhe vulgut, gjuhës letrare dhe dialektit, dhe, si në rastin e Tiranës, qeveritarëve me gusto dhe popullit injorant. Kur dy gjërat janë në harmoni me njera-tjetrën, do të thotë se pushteti ka çdo gjë nën kontroll, përfshirë dhe “kulturën popullore”. Madje një pushtet i tillë i prodhon vetë format e kritikës ndaj vetes duke injektuar mes publikut estetika të reja, si në rastin e afreskut rilindas të Lorenzettit, e pikturuar vetëm pak vite pas Komedisë “mesjetare” së Dantes. Në rastin e Sienës, vetë pushteti i ofronte kritikës material për ta krikuar. Ideja ishte se edhe gjuha duhej berë upgrade falë estetikës së Governo dei Nove. Tranzicioni si upgrade nga mesjeta në rilindje nuk qe kurrë i paqtë.

Si përfundim, groteskja e kësaj ideologjie po zbërthehet sot përmes së panjohurës së lëvizjeve gjimnaziste, rinore, dhe studentore analoge nëpër botë. Nuk dihet si do të shkojnë gjërat, por intuita na thotë se, ndryshe nga pushteti, i cili për nga natyra është gjithëpërfshirës, konflikti është përjashtues: nga këto protesta mund të fillojnë të largohen, mbase, elementë të borgjezisë dhe të pushtetit të vjetër. Klasa punëtore dhe studentore si klasë, në kuptimin që i jepte këtij termi shekulli i kaluar, merr kuptim vetëm nëse ndodh ky përjashtim, nëse lëvizja përjashton nga politika këdo që ka marrë një kafshatë nga pushteti i vjetër. Vështirë të ketë vend për sipërmarrjen, nëse mentaliteti i konfliktit të muajve të fundit ruhet edhe më tej.

Busulla duket e orientuar drejt një ideologjie tjetër, një ideologjie ku institucionet mund të zëvendësohen me të tjera, të udhëhequra nga shumësia që përbën këtë klase të re, klasën e periferisë, të pallateve të vjetër, të rretheve, të qiraxhinjve. Se sa dhe a do t’i duhet borgjezia e vjetër, intelektualët apo analistët, mbetet për t’u parë.

Një pikënisje mund të jetë rrjeti i universiteteve ekzistuese, por në një kontekst të radikalizuar, ku pronarët e tyre të lejojnë hyrjen falas në auditore dhe biblioteka dhe ku kritika ndaj çdo gjëje, veçanërisht ndaj planifikimit dhe arkitekturës, të bëhet programi i ri pedagogjik i revolucionit të radhës.

© 2026 Xhulian Valensi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading