Për 135 ditë me radhë, në Sheshin Skënderbej dhe bulevardin Dëshmorët e Kombit protestuan si kurrë më parë në historinë e Shqipërisë prindër me fëmijët përdore, të rinj e të reja dhe të moshuar, me flamurë hedhur supeve, me një kulturë qytetare të pashembullt, duke mbajtur në duar flamingo prej kartoni dhe parulla të bëra secili në mënyrën e tij. Njëra syresh ishte Shqipëria digjet. Qeveria krihet,[1] parullë e cila aktualizon kuptimin metaforik të një shprehjeje frazeologjike në kontekstin e protestës qytetare, që ditët e fundit u shndërrua në një revoltë të dhunshme. Metaforizimi i krizës përmes imazhit të zjarrit në parullën e mësipërme evokon rrezikun, shkatërrimin dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes së menjëhershme, në kundërvënie me indiferencën dhe shpërfilljen e pushtetit, të shprehura përmes foljes krihet. Për fat të keq metafora e krizës aktualisht përkon me realitetin, sepse qysh prej pesë ditësh Shqipëria po digjet vërtet (metafora po ashtu). Aktualizimi i njëkohshëm i kuptimit të figurshëm dhe të drejtpërdrejtë të foljes digjet e përthellon forcën shprehëse dhe kritike të parullës, duke i dhënë mllefit dhe indinjatës ndaj indiferencës së pushtetit një përmasë të re dramatike, sepse zjarri nuk është më vetëm metaforë e krizës, por edhe shfaqje konkrete e përshkallëzimit të saj.
Kalimi nga metafora e krizës te flakët reale që po shoqërojnë përshkallëzimin e protestës merr një domethënie të veçantë në kontekstin e tensionit të grumbulluar gjatë më shumë se katër muajve të një proteste paqësore dhe të kulturuar, në të cilën pakënaqësia qytetare u artikulua përmes një larmie të jashtëzakonshme parullash, simbolesh dhe formash të shprehjes publike. Përshkallëzimi i protestës nuk mund të shihet i shkëputur nga mllefi dhe indinjata e grumbulluar ditë pas dite në shesh, ndërkohë që protestuesve nuk iu ofrua një dëgjesë e mirëfilltë institucionale për kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Përpjekja për të kuptuar revoltën qytetare nuk është kurrsesi përligjje e dhunës. Flakët mund ta bëjnë krizën më të dukshme, por nuk mund ta zgjidhin atë.
Protesta është një formë e veprimit kolektiv dhe publik, përmes së cilës qytetarët shprehin kundërshtimin ose pakënaqësinë e tyre dhe kërkojnë ndryshime shoqërore apo politike.[2] Në kushtet e komunikimit digjital ajo konceptohet si një aktivizëm hibrid, duke pasur parasysh që hapësira digjitale dhe ajo fizike ndërthuren, plotësojnë dhe bashkëndërtojnë njëra-tjetrën.[3] Parullat e protestës përbëjnë një nga mjetet kryesore të artikulimit të pakënaqësisë dhe zemërimit qytetar ndaj një situate të caktuar në vend. Të lidhura ngushtë me rrethanat konkrete politike dhe shoqërore, ato verbalizojnë kundërshtimin paqësor dhe shprehin publikisht qëndrimin kritik të protestuesve.[4] Tekstet e parullave të protestës janë relevante (së paku duhet të jenë) për politikanët, sepse ata fajësohen direkt dhe bëhen përgjegjës për situatën aktuale.
Për fat të keq parulla e protestës si kategori tekstore është trajtuar fare pak në politolinguistikë.[5] Në bazë të kritereve formale, funksionale dhe situative (dhe jo vetëm të përmbajtjes politike që përcjell), Ula Fiks (Ulla Fix) e klasifikon parullën e protestës si një nënlloj të kategorisë tekstore formulë e shkurtër (Spruch), në të cilën ajo përfshin gjithashtu sloganin dheparullën si forma të afërta me të. Sipas saj parullat e protestës karakterizohen nga shkurtësia dhe konciziteti, aktualiteti i përmbajtjes politike dhe lidhja e ngushtë me situatën konkrete të komunikimit. Të prodhuara nga protestuesit apo grupet protestuese ato realizohen në hapësirën publike si në formë të shkruar ashtu edhe gojarisht përmes thirrjeve kolektive. Funksioni i tyre është kryesisht apelues, me karakter persuasiv (bindës) dhe mobilizues, ndërsa në rrafshin gjuhësor ato dallohen për përdorimin e mjeteve retoriko-stilistike, lojërave të fjalëve dhe elementeve humoristike. Një tipar i rëndësishëm është edhe intertekstualiteti, i cili manifestohet, ndër të tjera përmes rimarrjes dhe modifikimit të formulimeve tashmë të njohura, gjë që favorizon ripërdorimin dhe përshtatjen e tyre në kontekste të ndryshme proteste. [6]
Protestuesit nuk kanë për qëllim të informojnë. Funksioni dominant i parullës së protestës si kategori tekstore është ai apelativ,[7] ndërsa funksioni informues, megjithëse i pranishëm, mbetet dytësor. Protestuesit nuk synojnë thjesht të përcjellin informacione objektive, por të shprehin pakënaqësinë, të artikulojnë qëndrime kritike ndaj problematikave të caktuara dhe të identifikojnë përgjegjësit për situatën e krijuar. Parullat e protestës karakterizohen nga adresimi i shumëfishtë, pasi u drejtohen njëkohësisht protestuesve, kalimtarëve, aktorëve politikë (para së gjithash këtyre) dhe publikut të gjerë, duke synuar të depërtojnë në një hapësirë sa më të madhe publike, potencial ky që në epokën digjitale përfton një karakter ambivalent, sepse mediat sociale dhe inteligjenca artificiale i zgjerojnë mundësitë e përhapjes dhe të mobilizimit, ndërsa algoritmet, dezinformimi dhe manipulimi digjital mund ta kufizojnë ose shtrembërojnë dukshmërinë e mesazhit.
Protesta qytetare që mori emrin Revolucioni i Flamingove nisi si një revoltë për mbrojtjen e mjedisit dhe të pronës, për t’u shndërruar më pas në një protestë masive kundër korrupsionit, oligarkisë dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit. Vetë shpendi dhe ngjyra e tij u bënë në vijim një shenjë dalluese e identitetit kolektiv dhe mobilizimit protestues. Qysh nga fillimi i viteve 2000 ngjyrat dhe simbolet vizuale u bënë elemente të rëndësishme identifikuese të lëvizjeve protestuese, për shembull ngjyra portokalli në Revolucionin Portokalli në Ukrainë, trëndafili në Revolucionin e Trëndafilave në Gjeorgji apo e gjelbra në Lëvizjen e Gjelbër në Iran. Parullat e manifestuara konkretisht gjatë Revolucionit të Flamingove përçojnë një larmi të gjerë tematike, gjuhësore dhe stilistike, duke pasqyruar forma të ndryshme në artikulimin e pakënaqësisë dhe kundërshtimit qytetar. Për shembull: Kujdes mos e sheh Ivanka liqenin e Shkodrës, se na e merr edhe krapin;[8] Albania is not for sale;[9] Rama në burg, Berisha në burg;[10] Shite vendin copa-copa, në Zvërnec t’u bë gropa;[11] Ivanka! Ivanka! Keep your hands away from Narta!;[12] Koha është e maskarenjve, por atdheu i shqiptarëve;[13] Vetëm hona t’ka ngel pa vjedh;[14] Panem et circenses. Roma e lashtë Shqipëria 2026;[15] Për shajtonin kam një kosh, për Hasonin s’kam një grosh;[16] Le spectacle n’est pas le problème. Le silence du pouvoire l’est[17]etj. Nga ana tjetër protesta përfshin në parullat e saj edhe elemente të një diskursi teorik demokratik lidhur me llogaridhënien, transparencën në vendimmarrje, përgjegjshmërinë institucionale, kontrollin dhe balancimin e pushteteve. Për shembull: Pelenat dhe politikanët duhen ndërruar për të njëjtën arsye,[18] Duam shtet, jo pushtet[19]ose Një komb që shet natyrën shet të ardhmen.[20]
Në përdorimin e mjeteve retoriko-stilistike kryet e vendit e zë metafora, e cila është veçanërisht e përshtatshme për parullat e protestës, sepse mundëson përcjelljen e mesazheve komplekse politike me pak fjalë, në mënyrë të figurshme, të kuptueshme dhe emocionalisht të fuqishme. Koncepte të tilla abstrakte si pushteti, korrupsioni apo padrejtësia bëhen më të rrokshme për publikun, duke synuar kësisoj mobilizimin e tij. Nga këndvështrimi i gjuhësisë konjitive, metaforat përbëjnë mekanizma njohës dhe gjuhësorë, përmes të cilëve një fushë konceptuale kuptohet dhe interpretohet nëpërmjet një fushe tjetër.[21] Kjo marrëdhënie mbështetet në bartjen e tipareve të caktuara nga fusha burimore te fusha e synuar,[22] duke ndikuar në mënyrën se si konceptualizohet kjo e fundit. Pra metafora nuk është thjesht një mjet stilistik, por pjesë e mënyrës sonë të zakonshme të të menduarit dhe të të shprehurit. Askujt nuk i shkon më ndër mend gjatë përdorimit se këmba e tryezës apo qafa e malit, janë metafora. Metafora të tilla të leksikalizuara janë ngulitur në përdorimin gjuhësor dhe janë bërë pjesë e leksikut tonë të përditshëm. Megjithatë zbehja e karakterit të tyre figurativ nuk nënkupton domosdoshmërisht humbjen e funksionit konceptual, pasi ato mund të vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e konceptualizojmë dhe interpretojmë realitetin.
Në një artikull të botuar online tek Pogradeci Press (01.2025) shkruhet ndër të tjera: Pogradec, dy ndërtime marrin dritë jeshile nga KKT-ja. Lidhja e ngjyrës së gjelbër me lejimin e lëvizjes (ashtu si ajo e së kuqes me ndalimin dhe e së verdhës me paralajmërimin), përbën një konvencion të rrënjosur në përvojën kolektive. Nëpërmjet transferimit të kësaj skeme në fushën e vendimmarrjes institucionale, drita jeshile shpreh miratimin e një projekti. Përdorimi i vazhdueshëm e ka stabilizuar këtë kuptim metaforik në gjuhë, aq sa sot perceptohet pothuajse si i vetëkuptueshëm. Në ligjërimin protestues mekanizma të tillë konceptualë marrin rëndësi të veçantë, pasi metaforat nuk shërbejnë vetëm për të paraqitur realitetin politik, por edhe për ta vlerësuar atë, për të ndërtuar kundërvënie dhe për të ndikuar kësisoj në qëndrimet e marrësve. Krahas metaforave konvencionale, të cilat mbështeten në lidhje konceptuale tashmë të njohura,[23] në parullat e protestës ndeshen shumë përdorime krijuese, që i riorganizojnë këto lidhje ose ndërtojnë marrëdhënie të pazakonta ndërmjet fushave konceptuale, duke prodhuar efekte të veçanta emocionale dhe vlerësuese. Në njërën nga parullat e Revolucionit të Flamingove thuhet: Po ndërtoni aq shumë, sa dhe zogjtë po kërkojnë leje ndërtimi.[24] Në këtë rast nuk kemi të bëjmë thjesht me riprodhimin e një skeme të gatshme konvencionale. Parulla krijon një skenar të ri dhe qëllimisht absurd, koncepti i lejes së ndërtimit, që i përket fushës institucionale dhe veprimtarisë njerëzore, bartet në botën e zogjve dhe të ndërtimit të foleve të tyre. Përfytyrimi se edhe zogjtë duhet t’u nënshtrohen procedurave për leje ndërtimi krijon një situatë absurde, përmes së cilës hiperbolizohet shtrirja e ndërtimeve pa fre dhe kritikohet makutëria e ndërhyrjes në hapësirën natyrore. Efekti shprehës i parullës lind kështu nga ndërthurja e bartjes metaforike me personifikimin, hiperbolën dhe ironinë.
Ky shembull dëshmon se krahas funksionit njohës metaforat përmbushin edhe funksione emocionale, vlerësuese dhe persuasive, në varësi të kontekstit të përdorimit.[25] Tekstet e parullave të protestës shoqërohen shpesh me elemente pamore, të cilat jo vetëm e përforcojnë mesazhin verbal dhe fuqinë e tij bindëse, por kontribuojnë edhe në ndërtimin e kuptimit metaforik. Nëpërmjet ndërthurjes së fjalës me imazhin, metaforat konkretizohen, intensifikohen dhe fitojnë ngarkesa të reja kuptimore. Kjo ndërthurje përbën një tipar të rëndësishëm të komunikimit multimodal te parullat e protestës.[26]
Larmia e metaforave te parullat e Revolucionit të Flamingove dëshmon përdorimin krijues të mjeteve shprehëse, duke pasqyruar njëkohësisht gjerësinë e tematikës. Të ndërthurura shpesh me ironi, humor, referenca kulturore dhe elemente pamore, parullat i dhanë shprehje një pakënaqësie që shumë shpejt i kapërceu kufijtë e çështjes fillestare të protestës. Ndonëse mbrojtja e natyrës dhe e mjedisit mbeti boshti simbolik i lëvizjes, parullat pasqyruan tematikisht gjithnjë e më qartë krizën politike në vend dhe kërkesën për ndryshim të menjëhershëm. Një tjetër tipar dallues i kësaj proteste u bë kritika ndaj klasës politike në tërësi, si të majtë ashtu edhe të djathtë, të cilën protestuesit e bëjnë përgjegjëse për keqqeverisjen e vendit gjatë 36 viteve të fundit në riprodhimin e mendësive të trashëguara nga komunizmi dhe shfrytëzimin e pushtetit për pasurim personal.
Vetë emërtimi Revolucioni i Flamingove përbën një ndërthurje metaforike konceptuale. Përmes bashkimit të koncepteve revolucion dhe flamingo ndërthuren fusha e politikës, e revoltës dhe e ndryshimit shoqëror me atë të natyrës, të shpendëve dhe mbrojtjes së mjedisit. Në përgjithësi ndërthurja e diskursit politik dhe ekologjik e përshkon fund e krye simbolikën e Revolucionit të Flamingove. Kjo ndërthurje shfaqet jo vetëm në emërtimin e protestës, por edhe në simbolikën e saj vizuale, ku elementet e natyrës kombinohen me simbolet kombëtare, për shembull në ri-interpretimin e shqiponjës dykrenare, simbolit të flamurit, përmes figurës së dy flamingove, të vendosur në mënyrë të tillë që së bashku të krijojnë siluetën e shqiponjës me dy krerë.[27]
Edhe identiteti kolektiv i protestuesve afirmohet brenda ndërthurjes së diskursit politik me atë ekologjik. Në parullën e datës 30 qershor Mund të na quani korba, laraska apo harabela. Historia do na kujtojë si qytetarët që nuk heshtën[28] (shoqëruar dhe me figurat e shpendëve), metafora ornitologjike rimerret në dialog duke përmbysur ngarkesën vlerësuese të saj. Kjo parullë e protestës rimerr cilësimin zhvlerësues të kryeministrit[29] duke e zhvendosur vëmendjen nga simbolika negative kulturore e këtyre shpendëve (së paku për korbat: në pyet se ç’krushq i vanë, sorrat dhe korbat e hanë) tek identiteti qytetar i protestuesve dhe e shndërron metaforën stigmatizuese në një mjet kundërvënieje dhe vetëpohimi. Kundërvënia mund të na quani / historia do të na kujtojë e shndërron kështu metaforën stigmatizuese në një mjet vetëpohimi, duke e lidhur identitetin e protestuesve me kujtesën historike dhe legjitimimin moral të qëndresës së tyre.
Në protestën e 17 qershorit parulla Jemi protestues strategjikë[30] shoqërohet me praninë e një tufe bagëtish në shesh. Ndërthurja e elementit verbal me atë vizual krijon një kontrast ironik ndërmjet konceptit politik të protestuesit strategjik dhe figurës së kafshëve. Atributi strategjik shfaq aludimin ironik ndaj Ligjit nr. 55/2015 Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë, një ligj i shumëkritikuar për favorizimin e interesave ekonomike private në dëm të mbrojtjes së mjedisit, shfuqizimi i të cilit u kërkua me këmbëngulje nga protestuesit. Përmes antropomorfizmit, kafshëve u atribuohet simbolikisht roli i protestuesve, duke i paraqitur si pjesëmarrës aktivë në protestë dhe si mbrojtës të habitatit të tyre natyror. Ky antropomorfizëm zgjerohet më tej në nivelin e ekosistemit përmes parullës Dhitë janë me flamingot,[31] në të cilën kafshët paraqiten simbolikisht si aktorë të solidarizuar për një kauzë të përbashkët. Prania e bariut me kopenë e tij në ditën e 18-të të protestës e përforcon këtë simbolikë, duke i atribuuar botës shtazore aftësinë për të shprehur mbështetje dhe për t’u mobilizuar kolektivisht. [Po të kujtojmë dhitë që prishin gurët e parullës socialiste në tregimin Parullat me gurë të Ylljet Aliçkës (në një parantezë të shkurtër intertekstuale), duket sikur kjo specie ka prirje të theksuar për të shprehur një qëndrim politik (!!!).] Solidariteti politik në parullën e mësipërme projektohet mbi marrëdhëniet ndërmjet specieve, ndërsa protesta paraqitet si një mobilizim që i kapërcen kufijtë e shoqërisë njerëzore dhe përfshin simbolikisht ekosistemin në mbrojtje të natyrës. Krahas parullës Jemi protestues strategjikë, përpara tufës së bagëtive në të njëjtën ditë vendoset edhe parulla Zegjine moj Zegjine, thuj sa keca jemi ne,[32] e cila i adresohet deputetes Zegjine Çaushi. Përmes antropomorfizmit metaforik bagëtitë paraqiten si subjekte që marrin pjesë në diskursin politik, madje me një ironi therëse në thjeshtësinë e inskenimit, duke aktivizuar referencën ndërtekstuale të përrallës Ujku dhe shtatë kecat.
Megjithatë kritika e artikuluar përmes metaforave të botës shtazore nuk kufizohet vetëm te mbrojtja e mjedisit. Një ndër parullat më të shpeshta të protestës është Albania is not for sale,[33] e cila shfaqet dhe në variantet Atdheu nuk është në shitje[34]apo Nuk privatizohet atdheu.[35] Ndërthurja e fushave konceptuale të përkatësisë kombëtare (përmes atdheut, Shqipërisë) dhe asaj të ekonomisë apo tregtisë (të nënkuptuara përmes mallit), në këtë rast nuk shërben vetëm për ndërtimin e kuptimit, por edhe për ngarkesën emocionale dhe qëndrimin kritik, duke i mëshuar aspektit vlerësues se atdheu është një vlerë kolektive që nuk mund të reduktohet në një objekt tregtar, një pasuri e përbashkët që nuk mund të shitet apo të tjetërsohet. Pikërisht qëndrimi kritik synon mobilizimin për ta ndryshuar këtë situatë. Veçanërisht parulla në anglisht Albania is not for sale shpërfaq emocionalisht një përmasë historike, duke evokuar qëndresën ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Kjo përmasë bëhet më e dukshme në intertekstualitetin e parullave të tilla si Prizren 1878 u bënë bashkë shqiptarët e 5 vilajeteve, Tiranë 2026 bëhen bashkë shqiptarët e 5 kontinenteve[36] apo Shqipërinë e mori Rama i vu zjarr, shqiptar mos rri po duku shqiptar,[37] të cilat marrin një karakter apelues dhe mobilizues për të vepruar bashkërisht.
Në rastin e kritikave të drejtpërdrejta ndaj pushtetit metaforat bëhen më të mprehta dhe ngarkesa e tyre emocionale më e dukshme, duke artikuluar jo vetëm pakënaqësinë ndaj situatës së krijuar dhe mënyrës së ushtrimit të pushtetit, por edhe kërkesën imediate për ndryshim politik. Parulla e datës 15 korrik New rooster species, found in Albania …[38] shoqërohet me paraqitjen vizuale të një gjeli me fytyrën e kryeministrit. Në këtë rast, metafora multimodale realizohet përmes ndërthurjes së elementeve verbale dhe vizuale. Figura hibride e krijuar nga bashkimi i trupit të gjelit me fytyrën e kryeministrit aktivizon konotacionet simbolike që lidhen me gjelin (krekosja dhe fodullëku), të cilat projektohen mbi figurën politike, duke aluduar për një mënyrë arrogante të ushtrimit të pushtetit. Ndërkohë formulimi që imiton ligjërimin shkencor të zbulimit të një specieje të re përforcon efektin ironik dhe satirik, duke e paraqitur figurën politike si objekt të klasifikimit zoologjik. Në parullën Edi Rama, produkt politik. Prodhuar më 15.09.2013, skaduar në 2026. Edi Rama ka skadu![39] figura e kryeministrit paraqitet si produkt me afat skadence. Kjo paraqitje krijon një metaforë multimodale, në të cilën elementet gjuhësore dhe vizuale ndërveprojnë për të shprehur një vlerësim negativ. Metafora e skadimit shpreh në mënyrë ironike bindjen e protestuesve se pushtetit i ka ardhur fundi dhe ndryshimi politik është i pashmangshëm. E njëjta ide përforcohet në parullën e 20 qershorit Ju erdhi fundi! Albania is not for sale[40] ku adresimi në numrin shumës e zgjeron kritikën përtej figurës së kryeministrit, ndërsa formulimi i drejtpërdrejtë merr karakterin e një paralajmërimi këmbëngulës, duke e paraqitur përfundimin e pushtetit përmes arritjes në pikën fundore të një procesi.
Për katër muaj me radhë, parulla të tilla dhe shumë të tjera artikuluan në mënyrë paqësore, përmes një larmie të spikatur tematike, gjuhësore dhe stilistike, shqetësimet e protestuesve, qëndrimin e tyre kritik ndaj zhvillimeve politike e shoqërore në vend dhe mbi të gjitha kërkesën këmbëngulëse për ndryshim. Përshkallëzimi i protestës në dhunë nuk mund të përligjet si formë e veprimit qytetar, por as të shihet i shkëputur nga pakënaqësia e akumuluar dhe mungesa e dëgjesës institucionale. Revolucioni i Flamingove dëshmoi një kulturë të rrallë qytetare, e cila nuk duhet të humbasë në zjarrin e ditëve të fundit. Zjarri që po djeg Tiranën nuk ishte një përfundim i pashmangshëm, por as një shpërthim pa paralajmërim. Kronika e këtij zjarri, i cili metaforikisht është mungesë dhe ngopje (Herakliti), u shkrua ditë pas dite në gjuhën e protestës. Sfida për shuarjen e tij qëndron jo te dhuna, por te marrja e përgjegjësisë politike dhe ruajtja e kulturës qytetare.
(c) 2026 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.
[1] https://www.cna.al/aktualitet/fotolajm-pankartat-pikante-ne-diten-e-39-te-protestes-para-kryeminist-i468869?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:11)
[2] Rucht, Dieter; Hocke, Peter; Ohlemacher, Thomas (1992) Dokumentation und Analyse von Protestereignissen in der Bundesrepublik Deutschland (Prodat). Codebuch. WZB, Berlin, f. 4.
[3] https://www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/14742837.2023.2171387 (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:16)
[4] Fix, Ulla (2008) Texte und Textsorten – sprachliche, kommunikative und kulturelle Phänomene. Frank & Timme, Berlin, f. 57.
[5] Klein, Josef (2010) Sprache und Macht. Në: APuZ. Aus Politik und Zeitgeschichte 8, f. 7-13.
[6] Fix, f. 47-64.
[7] Brinker, Klaus (2010) Linguistische Textanalyse. Eine Einführung in Grundbegriffe und Me-
thoden. Schmidt (Grundlagen der Germanistik 29), Berlin, f. 101.
[8] https://www.reporter.al/2026/06/08/ishte-pika-e-fundit-dhuna-ne-zvernec-ndezi-revolucionin-e-flamingove/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:24)
[9] https://www.reutersconnect.com/item/chants-of-revolution-as-albania-protests-enter-third-week/dGFnOnJldXRlcnMuY29tLDIwMjY6bmV3c21sX1ZBODgzNzE0MDYyMDI2UlAx?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:29)
[10] https://citizens.al/en/2026/06/12/Rama-resigns–Flamingo-Revolution-on-the-13th-of/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:35)
[11] Po aty (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:39)
[12] https://dosja.al/aktualitet/protesta-kunder-projektit-te-zvernecit-protestesit-mesazh-ivanka-trum-i498488?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:43)
[13] https://www.syri.net/politike/894959/3-mije-e-700-mije-e-514-mije-pankartat-pikante-nga-protesta-e-10-te-perpara-kryeministrise/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:48)
[14] Po aty (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:53)
[15] https://www.panorama.com.al/i-kendoi-hoxha-ne-vesh-i-kendoi-dhe-kanye-west-pankartat-therese-te-protestes-se-43-te-ne-kundershtojme-spektaklin-qe-i-ze-vendin-llogaridhenies/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 10:58)
[16] Po aty (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:03)
[17] Po aty (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:07)
[18] https://gazetasi.al/dita-e-6-te-e-protestes-qindra-qytetare-ne-shesh-kunder-projektit-per-zvernecin-foto/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:11)
[19] https://www.balkanweb.com/live-prizren-1878-tirane-2026-tubimi-madheshtor-ne-kryeqytet-protestuesit-te-vendosur-rama-jep-doreheqjen-poshte-qeveria/#gsc.tab=0 (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:16)
[20] https://www.panorama.com.al/fotolajm-shqiperine-e-mori-rama-i-vu-zjarr-pankartat-epike-ne-proteste-5-mije-euro-kushtojne-dy-cica-ti-jep-me-1-euro-m%C2%B2-e-tokes-tak-tak-hape-deren-se-jam-spak/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:20)
[21] Metaforat nuk janë thjesht mjete zbukuruese të gjuhës, por struktura të të menduarit që organizojnë në mënyrë të pavetëdijshme përvojën tonë të përditshme. Të rrënjosura në përvojën trupore dhe kulturore, ato ndikojnë në mënyrën se si e perceptojmë realitetin dhe veprojmë në të, duke hapur njëkohësisht perspektiva të reja interpretimi dhe duke kufizuar të tjera. Shih më gjerë: Lakoff, George & Johnson, Mark (1980). Metaphors we live by. University of Chicago Press. Chicago, London, f. 5.
[22] Kjo marrëdhënie vihet në dukje qysh në përkufizimin e Aristotelit, i cili e cilëson metaforën si bartje të një fjale nga kuptimi i saj i zakonshëm në një kuptim tjetër figurativ.
[23] Lakoff & Johnson, f. 70-75.
[24] https://gazetasi.al/dita-e-6-te-e-protestes-qindra-qytetare-ne-shesh-kunder-projektit-per-zvernecin-foto/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:24)
[25] Skirl, Helge & Schwarz-Friesel Monika (2013) Metapher. Zweite, aktualisierte Auflage. Universitätsverlag Winter (Kurze Einführung in die germanistische Linguistik, Band 4), Heidelberg, f. 7.
[26] Parullat e protestës mund të përmbajnë elemente memetike, por nuk duhen identifikuar domosdoshmërisht me memet. Sipas Dawkins (1976) memet janë njësi të transmetimit kulturor që përhapen përmes imitimit, ndërsa Shifman e zhvillon këtë koncept në kontekstin e komunikimit digjital, duke theksuar riprodhimin dhe transformimin e përmbajtjeve nga përdoruesit. Prandaj prania e elementeve humoristike, satirike ose metaforike në një parullë nuk mjafton për ta cilësuar atë si meme. Figura e flamingos si simbol identifikues i protestës, po shërben tashmë si element qendror i memeve digjitale të krijuara përmes riprodhimit, transformimit dhe ndërthurjes së kësaj figure me mesazhe të ndryshme verbale e pamore. Shih më gjerë: Dawkins, Richard Clinton (1976) The Selfish Gene. Oxford University Press, Oxford, kapitulli 11 dhe Shifman, Limor (2014) Memes in Digital Culture. MIT Press, Cambridge MA, f. 41.
[27] https://theflamingorevolution.com/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:27)
[28] https://www.bulevardnews.com/2026/07/26/foto-lajm-empati-me-fjale-arrogance-me-vepra-protestuesit-i-pergjigjen-rames-me-pankarta-mund-te-na-quash-korba/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:31)
[29] Në një postim të kryeministrit në facebook (30.06.26.) thuhet: “Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën! Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk… Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste, do marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat.”
[30] https://www.cna.al/aktualitet/fotot-jemi-protesues-strategjike-ne-proteste-edhe-kafshet-i466904?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:35)
[31] https://www.syri.net/politike/896891/dhite-jane-me-flamingot-surpriza-e-dites-se-18-te-te-protestes-bariu-hyn-mes-turmes-me-kopene-e-tij/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:39)
[32] https://www.cna.al/aktualitet/fotot-jemi-protesues-strategjike-ne-proteste-edhe-kafshet-i466904?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:42)
[33] https://www.nst.com.my/amp/world/world/2026/06/1475345/albania-protesters-keep-pressure-over-trump-linked-project (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:48)
[34] https://amp.dw.com/sq/tiran%C3%AB-s%C3%ABrish-protest%C3%AB-kund%C3%ABr-projekteve-n%C3%AB-zv%C3%ABrnec-dhe-rrjoll/a-77383071?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:51)
[35] https://amp.dw.com/sq/tiran%C3%AB-s%C3%ABrish-protest%C3%AB-kund%C3%ABr-projekteve-n%C3%AB-zv%C3%ABrnec-dhe-rrjoll/a-77383071?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:53)
[36] https://www.balkanweb.com/live-prizren-1878-tirane-2026-tubimi-madheshtor-ne-kryeqytet-protestuesit-te-vendosur-rama-jep-doreheqjen-poshte-qeveria/#gsc.tab=0 (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:55)
[37] https://www.panorama.com.al/fotolajm-shqiperine-e-mori-rama-i-vu-zjarr-pankartat-epike-ne-proteste-5-mije-euro-kushtojne-dy-cica-ti-jep-me-1-euro-m%C2%B2-e-tokes-tak-tak-hape-deren-se-jam-spak/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 11:58)
[38] https://boldnews.al/2026/07/15/pankartat-ironike-te-qytetareve-buke-nuk-ka-spektakel-ka-plot/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 12:01)
[39] https://albeu.com/lajme/fotot-protestuesit-pushtuan-mbreme-tiranen-pankartat-pikante-te-revoltes-cdo-lamtumire-ne-aeroport-me-copetoi-zemren-rama-ik-shqiperia-spret-me/890283/?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 12:04)
[40] https://versus.al/live-updates/protesta-e-30-te-ne-tirane-tensione-mes-policise-dhe-studenteve-per-i42865?utm (vjelja e fundit: 17.10.26, 12:08)
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.