Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Përkthim / Totalitarizëm

ZHDOGANIME

Pjesa e dymbëdhjetë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Kufiri që ndante Shqipërinë nga bota, në vitet e izolimit të madh 1960-1980, nuk ishte vetëm gjeografik. Vërtet njerëzit nuk udhëtonin dot lirisht në vende të tjera dhe as emigronin, siç nuk hynin dot të huajt lirisht në Shqipëri dhe aq më pak të zgjidhnin për të jetuar këtu; vërtet edhe mallrat njëlloj si njerëzit nuk lëviznin dot lirisht dhe tregu i lirë këqyrej si ndonjë marifet i armikut për të na vënë ne shqiptarëve në zgjedhë; dhe, në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtën arsye, produktet e mendjes – nga librat tek arti dhe shkenca – i nënshtroheshin një filtrimi të rreptë ideologjik, para se të kapërcenin kufirin. Dhe kjo ndërprerje artificiale e qarkullimit në hapësirë dhe në ide kish sjellë me vete desinkronizimin; në kuptimin që Shqipëria dhe bota filluan, dora-dorës, të jetojnë në faza kohe të ndryshme, shpesh të pabashkëmatshme. Nuk ishte fjala më për prapambetje, siç thuhej rëndom, por për dalje nga faza; për botën, fakti që në Tiranë Kongresi VI i PPSH-së u mbajt pas Kongresit V nuk kish asnjë kuptim, veç kronologjisë mekanike – njëlloj siç nuk kish kuptim, për ne në Tiranë, që albumi Abbey Road i Beatles-ave u pat hedhur në treg pas albumit Pet Sounds, të Beach Boys.

Ky desinkronizim u ndie veçanërisht në ato fusha të jetës që shtrihen kryesisht në rrjedhë të kohës – si arti. Për shembull, në Shqipëri shumë njerëz kishin dëgjuar për artin modernist, abstraksionizmin, surrealizmin dhe kubizmin, Salvador Dali-në dhe Picasso-n, por i mendonin këto rryma si entitete statike, prej të cilave vinte herë pas here ndonjë informacion; dhe fakti esencial, që këto lidheshin organikisht mes tyre me mijëra fije ndikimesh, birësish dhe intertekstualiteti, nga ne nuk perceptohej dot. Ne e dinim që edhe Baudelaire-i edhe Eluard-i ishin poetë francezë njëfarësoj modernë; por diferencën mes tyre nuk e përjetonim dot si kohore. Për ne Majakovski ishte “yni”, ndërsa Ezra Pound-i, përveçse fashist, përshëndeste nga një galaktike tjetër, e largët, moderniste dhe dekadente. Njëlloj, për filmdashësit në Tiranë Helena e Trojës, Trimëritë e Herkulit dhe Beteja për Romën i përkisnin të njëjtit zhanër, paçka se i pari ishte produkt i Hollywood-it (Warner Bros. Pictures 1956), i dyti film italian i vitit 1964, ndërsa i treti një produksion gjermano-rumun i viteve 1968-1969 – kinefilëve në Tiranën e fundviteve 1960 nuk do t’u ketë shpëtuar fakti që rolin e Justinianit, në këtë film të fundit, e luante Orson Welles.

Në Shqipërinë e atyre viteve lexohej shumë – dhe në masë të madhe, lexohej letërsi e shekullit XIX. Nga letërsia frënge, parapëlqehej Balzac-u, Victor Hugo-i, Stendhal-i, Flaubert-i, Jules Verne-i, Alexandre Dumas-i, Guy de Maupassant-i, Anatole France-i, Emile Zola-i; nga letërsia angleze Dickens-i dhe Walter Scott-i; nga letërsia amerikane Jack London-i, Mark Twain-i, James Fenimore Cooper-i dhe Theodor Dreiser-i; nga letërsia ruse Tolstoi, Lermontovi, Çehovi, Turgenjevi, Gogoli, Pushkini, e kështu me radhë. Nuk duhet ndonjë ekspertizë në letërsinë botërore, për të vënë re se lexuesi shqip i letërsisë së huaj i atyre viteve jepte e merrte me një botë letrare praktikisht të një shekulli më parë ose, gjithsesi, të metodës realiste (kritike).[1]

Regjimi totalitar kish kontroll të plotë në botimin e çdo teksti të shkruar shqip; kontroll që ushtrohej rreptësisht me letërsinë e huaj të përkthyer rishtas. Çdo vendim për të botuar një autor ose një vepër të caktuar ishte vendim politik dhe merrej me përgjegjësi politike. Veçanërisht delikate ishte zgjedhja e autorit që do të përkthehej, sa kohë që ata pak njerëz që mund t’ia njihnin veprën në Tiranë nuk ishin gjithnjë nga më të besuarit. Në vitet 1950 dhe 1960, praktikisht të gjithë autorët e huaj të përkthyer në shqip dhe të gjitha veprat e përkthyera prej tyre rimerrnin, deri në hollësi, titujt e botuar tashmë në Bashkimin Sovjetik – edhe kur veprat përktheheshin nga rusishtja si gjuhë e ndërmjetme, edhe kur përktheheshin nga origjinali. Shpresohej se, duke vepruar kështu, do të mund të kapërcehej edhe mundimi, edhe përgjegjësia, në zgjedhjen e titujve; me arsyetimin se, sa kohë që një vepër të caktuar e kish miratuar censura sovjetike, atëherë ajo do të ishte e përshtatshme edhe për t’u botuar në Tiranë. Përndryshe, asnjë shtëpi botuese, katedër letrare ose institucion tjetër kulturor në Shqipëri nuk i kishin as mundësitë, as kompetencat, që të merrnin përsipër përzgjedhjen e titujve për t’u përkthyer.

Kjo qasje ndaj letërsisë së huaj të përkthyer nuk duket të ketë ndryshuar edhe pas shkëputjes së Shqipërisë nga sfera e influencës sovjetike, në vitet 1960; edhe pse numri i titujve të përkthyer rishtas erdhi duke rënë ndjeshëm.

Të dhënat e shumta të studimin monografik të Maurice Friedberg, A Decade of Euphoria – Western Literature in Post-Stalin Russia, 1954-1964 (1977, Indiana University Press), më sugjerojnë se shumica e titujve të veprave të letërsisë së huaj të përkthyer nga gjuhët Perëndimore në Shqipërinë e pasluftës – ose në periudhën totalitare – ishin zgjedhur në bazë të zgjedhjeve sovjetike; në kuptimin që shtëpitë botuese shtetërore në Tiranë përkthenin dhe botonin ata autorë perëndimorë që tashmë e kishin kaluar filtrin e madh të censurës sovjetike, me arsyetimin se, nëse një titull ishte gjykuar si i përshtatshëm për lexuesin sovjetik, atëherë do të ishte i përshtatshëm edhe për atë në Shqipëri. Ky kopjim i praktikave sovjetike artikulohej në dy rrafshe: në zgjedhjen e autorëve dhe të titujve (p.sh. Dickens-i, ose Jules Verne-i, ose Dumas-i); dhe në praktikën e të përkthyerit të veprave përkatëse jo nga gjuha origjinale, por nga rusishtja. Veçanërisht duke filluar nga gjysma e dytë e viteve 1950, u rrit shumë numri i njerëzve të letrave në Shqipëri që e zotëronin rrjedhshëm rusishten, këtë lingua franca të universit komunist, sidomos ngaqë kishin studiuar në universitetet sovjetike. Këta do ta kishin më të lehtë dhe më të natyrshme të përkthenin nga rusishtja, edhe kur e njihnin gjuhën origjinale; por kjo sot është tejet e vështirë të provohet. Për raste të caktuara, si novelat Gavroshi dhe Kozeta, të Victor Hugo-it, gjasat janë që të jenë përkthyer nga rusishtja, meqë këto pjesë të shkëputura nga romani Të mjerët kanë dalë si vepra më vete vetëm në Bashkimin Sovjetik, jo në Francën e Hugo-it.

Që një pjesë e veprave dhe kryeveprave të letërsisë botërore kanë ardhur në shqip nëpërmjet rusishtes si gjuhë ndërmjetësimi, kjo mundëson edhe hipotezën që këto përkthime janë bazuar në versione tashmë të censuruara (tekstualisht) të veprave “origjinale”[2]; në kuptimin që përkthyesi, të themi, i John Steinbeck-ut në shqip, e ka gjetur tekstin përkthyer në rusisht të Steinbeck-ut tashmë të censuruar. Në fakt, autoritetet ideologjike në kulturën totalitare në Shqipëri patën gjithnjë besim të patundur në virtytet censuruese të kolegëve të tyre sovjetikë. Unë dyshoj edhe se versioni më i hershëm i Shtrigave të Salemit nga Arthur Miller, që ka qarkulluar si dorëshkrim i përkthyer në Shqipëri, të jetë bazuar në versionin rusisht (në një kohë që titulli i pjesës në shqip rimerr titullin e filmit franko-gjermanolindor Les Sorcières de Salem (1957), me skenar të Jean-Paul Sartre, i cili qarkulloi edhe në kinematë shqiptare). Me gjasë, disa regjisorë të teatrit që vinin në skenë pjesë klasike mbështeteshin jo vetëm në tekstet, por edhe në shënimet regjisoriale dhe në materialet e tjera shoqëruese të produksionit.

Mundimet dhe tundimet e censorëve të përkthimeve u shtuan veçanërisht në vitet 1980, kur lidhjet e referencës me Bashkimin Sovjetik po vinin duke u dobësuar, krahas uljes së numrit të përkthyesve nga rusishtja dhe njohësve të kulturës sovjetike. Megjithatë, dhe pavarësisht nga politikat e përzgjedhjes, letërsia e huaj e përkthyer mbetej problematike, qoftë edhe vetëm për faktin që autorët e asaj letërsie nuk mund të pritej që t’u nënshtroheshin precepteve të kulturës totalitare dhe as mund të kërcënoheshin nga shteti. Shteti, në bashkëpunim me organet partiake të ideologjisë dhe të propagandës, vendoste se çfarë do të përkthehej; duke marrë parasysh jo vetëm pritjen e një vepre të caktuar në Bashkimin Sovjetik, por edhe qëndrimet politike të autorit, sidomos pas vitit 1961 (vitit të shkëputjes së Shqipërisë nga sfera sovjetike), prejardhjen e tij (duke u dhënë një farë përparësie autorëve jo-europianë) dhe dobinë ideologjike të shpërndarjes së veprës.

Në masën dërrmuese, titujt nga letërsia e huaj që qarkullonin në ato vite ishin të nivelit më të lartë; e veçanta e tyre ishte se veprat nuk lexoheshin as përjetoheshin në përmasën e tyre historiko-letrare, ose si të një epoke të kaluar; por thjesht si “përfaqësuese” të një kulture tjetër. Siç ua ndalonte shtetasve të vizitonin vende të tjera dhe të njiheshin me realitetet bashkëkohore në Europë e gjetiu në botë, regjimi totalitar në Tiranë njëlloj e ndalonte edhe modernitetin, duke e njësuar këtë arbitrarisht me modernizmin.

Kjo që ndodhte me letërsinë nuk ishte veçse instancë e çfarë ndodhte me kulturën në tërësi – e cila ish kyçur në qeli ideologjikisht sterile. Edhe më fort ndihej steriliteti, kur vinte puna për filozofinë dhe dijen humane në përgjithësi – ku asnjë filozof nuk lejohej t’u bënte hije Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, dhe breza të tërë njerëzish të mësuar u rritën pa dëgjuar kurrë gjë për Russell-in dhe Wittgenstein-in, pa folur pastaj për Heidegger-in. Të paktën për Kantin, Hegelin dhe iluministët mund të mësonim aq sa ç’kishin folur për ta “klasikët”; por kurioziteti për Nietzsche-n mund edhe të të shpinte në burg. Freud-i mbretëronte në errësirën e subversionit, ndërsa për Sartre-in thuhej se e kish përmendur – për keq – Enver Hoxha, si ndikim molepsës ndaj poetit tonë Xhevahir Spahiu. Regjimi përpiqej ta mbante në kontroll trysninë nga jashtë nëpërmjet censurës – e cila ishte gjithnjë e pranishme, si sy vëzhgues, herë miratues e herë jo. Natyrisht, të qëmtoje detaje të censurueshme në një roman të shekullit XIX ishte shumë e vështirë se të rrekeshe të pastroje një vepër letrare, një film a një pjesë teatrale nga seksi ose religjioziteti; prandaj edhe mbikëqyrja do të merrte rregullisht trajtat groteske të seksofobisë, madje jo vetëm; sa kohë që seksofobia erdhi duke u shndërruar në karakteristikë stabël të politikave sociale dhe artistike; dhe shoqëria shqiptare rrezikoi të shndërrohej në trashëgimtare të shoqërisë viktoriane, me gjithë hipokrizinë shoqëruese. Puthja e parë në një film shqiptar, dikur vonë në vitet 1980, u kremtua si arritje e guximshme dhe shenjë se regjimi “po e lironte dorën”.[3]

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


[1] Nga lista më lart, Theodore Dreiser-i ishte i shekullit XX, bashkë me Feuchtwanger-in; por këtyre mund t’u shtohen edhe autorë të tjerë pak a shumë tradicionalistë të shekullit XX, si Stephen Zweig-u, Erich-Maria Remarque, John Steinbeck-u, e të tjerë të ngjashëm. Vetëm falë përkthimeve nga letërsia latino-amerikane, dhe autorë si Cortázar, Gabriel Garcia Márquez, Miguel Ángel Asturias filluan të hynë në Shqipëri tekste dhe ndjeshmëri letrare bashkëkohore.

[2] Mënyrat si zbatohej censura në përkthimet e letërsisë Perëndimore në Bashkimin Sovjetik i analizon Friedberg në monografinë e lartcituar.

[3] Përndryshe, sa kohë që regjimi përjetohej si seksofobik, për shumë të rinj, djem dhe vajza, liria si e tillë nuk dallonte dhe aq prej lirisë seksuale; derisa erdhi zhgënjimi, në trajtat e një imazhi të përmbysur të lirisë, edhe asaj seksuale, në vitet 1990; veçanërisht për ata që e kapërcyen tashmë kufirin si refugjatë dhe imigrantë.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading