Pjesa e dhjetë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.
Me shumë gjasë, Orwell-i e krijoi Big Brother-in si një sintezë simbolike të Stalinit dhe të Hitlerit, që ishin dy figura qendrore në përfytyrimin kolektiv të Perëndimit, në vitet 1930 dhe 1940, kur propaganda ende mbështetej në ikonat dhe, në përgjithësi, në imazhet statike, të cilat ende nuk ua kishin dorëzuar rolin manipulues filmit dhe videos. Imazhi statik i liderit e ushtron magnetizmin e tij ndryshe nga ligjërimi i folur dhe i shkruar, por ndryshe edhe nga filmi. Vetë staticiteti, dhe riprodhueshmëria e saktë e të njëjtit imazh, i shërbejnë projeksionit të permanencës në pushtet teksa u ofrojnë qytetarëve një suport të besueshëm për autoritetin e këtij personi, që mbajnë në mendjen e tyre.
Unë isha rritur në një Tiranë politike të sunduar sa nga parullat politike dhe posterët, aq edhe nga ikonat e adhurueshme të “katër klasikëve” (Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit), portretet e kudondodhura të Enver Hoxhës dhe, në ditë festash, edhe të anëtarëve të Byrosë Politike, që “stolisnin” Bulevardin e Madh dhe ndërtesat e institucioneve. Këto portrete duhej t’u konformoheshin shabllonëve të rreptë, të miratuar në nivelet më të larta – një foto e Enver Hoxhës duhej ta përcillte autoritetin e tij po aq fort dhe qëndrueshëm sa edhe firma e tij në një libër a në një kryeartikull, dhe zëri i tij në një fjalim të transmetuar në radio (dhe më pas edhe në televizion). Busti zyrtarisht i miratuar i Hoxhës, i bardhë verbues, ishte vendosur në mjediset e përbashkëta në çdo institucion dhe në dhomat e miqve të shumë banesave anembanë vendit (edhe në shtëpinë time e kishim një të tillë).
Në Tiranë banoja fare afër ndërmarrjes së Dekorit – ateljesë ku “pikturoheshin” gjigandografitë e udhëheqjes, që ish vendosur në mjediset e xhamisë te Rruga e Kavajës. Pëlhurat e mëdha me portretet i linin ndonjëherë për t’u tharë edhe në trotuaret përjashta; mbaj mend që, të para nga afër, më kujtonin figurat e Ishullit të Pashkëve, siç i kisha përfytyruar falë një libri të Thor Heyerdahl-it që ishte popullor në Shqipëri në ato vite (“Aku-Aku dhe ishulli i gjigandëve”). Ndryshe nga portreti i Enver Hoxhës, të cilin e mbaj mend në dy-tre versione sipas dekadës, të tjerët mbeteshin aq solidë e inoks sa edhe vetë doktrina. Falë tyre qendra e Tiranës merrte pamjen e një katedraleje groteske të totalitarizmit; edhe pse fytyrat më pak të njohura, të polit-byroistëve të vjetër e të rinj, dukeshin gjithnjë si outsiders, me aq pak merita, sa të amplifikonin – paradoksalisht – monumentalitetin e të tjerëve.
Një gjë që regjimi i Enverit e bënte ndryshe nga ai në romanin e Orwell-it, ishte që fotot e armiqve, përfshi edhe krye-armiqtë e kalibrit të Goldstein-it, hiqeshin nga qarkullimi me t’u shpallur këta armiq. Unë nuk mbaj mend, sa për të sjellë një shembull, se ç’pamje kish Koçi Xoxja, aq i përfolur në tekstet e Historisë së PPSH-së, të cilat i studionim në shkollë të mesme dhe në Universitet. Këtë praktikë të zhdukjes së ikonave, për shenjtorët “tradhtarë”, Tirana e kish trashëguar nga Moska. Rrëfehet, në librat e historisë, për rastin e çuditshëm të ish kreut të NKVD-së (policisë sekrete) Nikolai Jezhov, i cili ishte fotografuar në 1937 duke shëtitur, me Stalinin, në bregun e kanalit Moskë-Vollga, por që pastaj, me t’u arrestuar dhe ekzekutuar në 1939, u hoq me mjeshtëri nga botimet e mëpasme të fotos – në një kohë kur të gjitha këto operacione “editimi” duheshin bërë me rrugë artizanale. Ka studiues që këtë dukuri e shohin si vazhdim të praktikës romake të damnatio memoriae, gjatë së cilës senati romak kujdesej për të zhdukur çdo gjurmë fizike të një personi të padëshiruar nga regjimi, qoftë ky edhe Perandor; duke ia shkatërruar statujat, duke ia hequr emrin nga dokumentet e arkivuara, madje edhe duke ua ndaluar qytetarëve përdorimin e emrit.
Në fakt, historiografisë manikeiste të atyre viteve i kanë munguar sistematikisht imazhet e të ligjve: fotografitë e tyre. Që nuk i gjen jo vetëm në tekstet zyrtare të shkollave dhe ato të Akademisë, por as në botime me natyrë enciklopedike, si Fjalori Enciklopedik; as në muzetë që i kushtohen periudhës; dhe as në materiale filmike të kohës, të përcjella si dokumente. Edhe pse me rol historik të pamohueshëm dhe të pamohuar, këta njerëz kanë mbetur të pranishëm si emra dhe si linja narrative në historiografitë zyrtare, por jo si fytyra.
Eliminimi i fotografive të “armiqve” të zbuluar rishtas ka qenë politikë zyrtare, sado që e paformuluar publikisht: qytetarët madje këshilloheshin deri edhe që të hiqnin nga albumet familjare dhe të asgjësonin fotografitë private të personave të dënuar politikisht: jo rrallë duke i prerë këta me gërshërë, duke ua prishur fytyrën ose duke ua djegur (me cigare). Edhe fotografitë zyrtare, kur kishin vlerë të posaçme historike, retushoheshin në laborator, për të larguar që andej pranitë e padëshiruara. Por sa kohë që ky dëbim i imazhit nuk shoqërohej me ndonjë dëbim të personit vetë a të personazhit nga narrativat historike, meriton vëmendje përtej praktikës mirëfilli orwelliane të likuidimit të personit, ose të shpersonizimit.
Kjo ndodhte në një kontekst kur portretet fotografike ose të pikturuara të udhëheqësve, në veçanti ato të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut, i gjeje njëlloj kudo sa edhe citatet e tyre; dhe kur hapësirat publike, në ditë festash, zbukuroheshin me gjigandografitë e anëtarëve të Byrosë Politike dhe vetë “punëtorët” viheshin të parakalonin duke i mbajtur në krahë; dhe ku fotoja e miratuar e Enver Hoxhës duhej ekspozuar jo vetëm në çdo hapësirë të brendshme publike, por edhe në çdo dhomë pritjeje në shtëpitë private. Në një Shqipëri ende të paekspozuar ndaj bombardimit vizual prej televizionit dhe imazhit në përgjithësi, fotografitë e liderëve politikë kishin edhe funksionin praktik që t’i familiarizonin qytetarët me udhëheqjen, duke i dhënë kësaj një fytyrë specifike, ose për të nxjerrë nga rrafshi abstrakt i emrit.
Likuidimi i imazhit të armikut të brendshëm duhet kuptuar, pra, në këtë kontekst, ose në krahasim me përdorimin ideologjik dhe propagandistik të imazhit të udhëheqësit politik. Një fotografi zyrtare e Enver Hoxhës, e kuruar deri në detaj, nuk përfaqësonte thjesht njeriun Enver, por edhe imazhin që duhej të projektonte ai në popull – duke u shndërruar kështu në ikonë, të ngjashme me ikonën siç përdoret në praktikat dhe traditat kishtare të krishtera. Në këto fotografi të studiuara, lideri del gjithnjë në pozë identifikuese, zakonisht me fytyrë nga shikuesi; në mënyrë të tillë që imazhi të shërbejë si suport vizual i emrit. Ngjashëm me ikonat religjioze, edhe fotografitë e liderëve konfirmojnë jo vetëm praninë e tyre në jetën e shtetit, por edhe rrezatojnë e amplifikojnë virtytin suprem; dhe ndryshe nga fotografitë në përgjithësi, të cilat fiksojnë një realitet që ka qenë para kamerës, imazhe të tilla si ato të Enver Hoxhës dhe të kolegëve të tij, të ekspozuara përhershëm në vende publike a private, ose të vendosura atje përkohësisht si shenja të festës, shërbejnë si konfirmim i një realiteti që është. Portretet e anëtarëve të Byrosë Politike, të varura në fasadat e ministrive në Tiranë, nuk dokumentojnë asgjë, përveçse legjitimojnë një klasë politike, duke e individualizuar. Dhe në këtë kuptim, ose për shkak të përdorimit të tyre haptazi hagjiografik, portretet fotografike të liderëve politikë dhe në përgjithësi fotografitë e tyre kërkojnë që të perceptohen nga publiku dhe të funksionojnë solemnisht si piktura.
Kjo ndoshta shpjegon edhe heqjen e shpejtë nga qarkullimi të imazheve të së gjithë atyre liderëve dhe eksponentëve të lartë të pushtetit, që kanë rezultuar pastaj armiq dhe janë dënuar – këtë masë asgjësuese e kërkon vetë natyra e fotografive, ose mënyra si janë përdorur ato deri atëherë. Kësisoj, heqja me vërtik e një portreti të Mehmet Shehut nga një vend publik pas vetëvrasjes së tij dhe “demaskimit” të tij si poliagjent lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e deriatëhershëm të atij portreti, si të ishte ikonë, nga organet e propagandës. Sa kohë që fotografitë politike lidhen me kremtimin dhe madje adhurimin e personit dhe të gjesteve të tij, në mos me kultin e personalitetit, në hagjiografinë puniste nuk do të ketë vend për heretikët dhe disidentët dhe të gjithë ata që i janë shmangur vijës politike ose i janë shitur a gjunjëzuar armikut. Fotografia politike, siç praktikohej dhe përdorej në Shqipërinë totalitare, nuk shërbente si dokumentim i realitetit, por si licencë për të hyrë në histori.
Ka edhe një arsye të dytë për përndjekjen e imazheve në fjalë – e cila i referohet natyrës primare, semiotike, të fotografisë: certifikimit të realitetit si ka qenë. Një fotografi e Koçi Xoxes, në krye të punëve, përkrah Enver Hoxhës dhe liderëve të tjerë të kohës, do të evokojë në sytë e shikuesit një periudhë kur ky nuk ishte shpallur ende armik, por mbetej bashkëpunëtor i Enverit dhe shok i tij i armëve. Nëse ligjërata refleksive e lejon shpërbërjen e një karakterizimi të vjetër për ta zëvendësuar a përditësuar me të riun; dhe përdoruesit të tekstit historik i prezantohet tani me fjalë një Koçi Xoxe që ka qenë gjithnjë tradhtar, agjent i jugosllavëve, trockist dhe armik i Partisë dhe i popullit, fotografia nuk mund ta bëjë këtë. Një fotografi e Koçit me Enverin do të interpretohet si njollë në biografinë fotografike të Enverit, çfarë do ta neutralizonte pastërtinë totale të këtij të fundit.
Për t’u shënuar se këtë praktikë të eliminimit të imazhit regjimi stalinist i Enverit nuk e kopjoi verbërisht nga çfarë ndodhte në Bashkimin Sovjetik. Nëse edhe atje fotot me natyrë historike që tregonin udhëheqjen e dalë nga Revolucioni retushoheshin rëndom, për të hequr që andej figurat e padëshiruara, sërish portretet e armiqve të zbuluar rishtas nuk hiqeshin krejt nga qarkullimi – duke mbijetuar gjerësisht, të paktën, në karikaturat. Ndryshe nga si vepronte Moska në vitet e errëta të spastrimeve (1934-1938), regjimi në Tiranë nuk e bëri zakon të tallej me armiqtë e vet, duke u mjaftuar me të vetmin ndëshkim semiotik të heqjes së lirisë së imazhit. Përkundrazi, armiqtë e jashtëm – që nga Presidentët e SHBA dhe liderët sovjetikë (Hrushovi, Brezhnjevi), ata jugosllavë (Titoja) e kështu me radhë portretizoheshin rregullisht në karikatura. Nga ana tjetër, lajmet e RAI-t që transmetoheshin për Tiranën nga ripetitori në Dajt do të ndërpriteshin rregullisht sa herë që binte fjala për Papën dhe shfaqej portrteti i tij.
Ky ngërç i regjimit të Hoxhës me imazhin e kundërshtarit të brendshëm, i lidhur siç ishte me rishkrimin e historisë së Shqipërisë edhe para se të shfaqej atje ideja dhe lëvizja komuniste, do të prekte edhe të gjithë ata eksponentë dhe figura historike të së shkuarës së afërt, të cilët kishin përfunduar në krahun tjetër: që nga Ahmet Zogu dhe mbretëresha, tek oborri i tij dhe ministrat e tij; por edhe eksponentët e elitave fetare, duke filluar nga ato katoliket; dhe nga figura të shquara të kulturës kombëtare të cilat propaganda shtetërore i stigmatizonte, të tilla si Gjergj Fishta. Breza të tërë në Shqipëri mësonin diçka për këto personalitete dhe personazhe historike, qoftë edhe në prizmin ideologjik zyrtar; por nuk lejoheshin që konsideratave dhe portreteve abstrakte t’u bashkëlidhnin një suport material njerëzues a individualizues, në trajtën e imazhit fotografik. E vetmja fytyrë që i lejohej këtij lloj armiku ishte vula e reputacionit negativ, që përcillej nëpërmjet emrit; ose një lloj burgosjeje e biografisë së tij në gjuhë, nëpërmjet magjisë. Një damnatio memoriae u zbatua, në Shqipëri, me gjurmët e shumta që kishin mbetur, nga ish-kryeministri Mehmet Shehu, pas “vetëvrasjes” së këtij të fundit dhe shpalljes së tij armik, poli-agjent dhe rrënja e së keqes në gjirin e Partisë. Deri sa nuk kish vrarë veten, Mehmeti gëzonte një status të afërt me atë të Hoxhës, madje kish kultin e vet të personalizuar, mes ushtarakëve dhe njerëzve “të fortë”; në parullat emri i tij përmendej shpesh krahas atij të Enverit. Prandaj damnatio, në rastin e Shehut, kërkonte një spastrim të plotë jo vetëm të mjeteve të propagandës dhe portreteve të shumta që qarkullonin, por edhe të literaturës, përfshi këtu librat që kish shkruar ai vetë dhe librat ku flitej për të. Brenda një kohe rekord, aparatçikët rishkruan krejt historinë e Luftës Na-Çl, ku më parë Mehmeti kish luajtur rol qendror, si komandant sypatrembur dhe arkitekt i çlirimit të Tiranës; të gjitha këto u zëvendësuan me rrëfime të tjera, pjesërisht të fabrikuara sipas dëshirës. Pas vitit 1982, njerëzit duhej të kishin kujdes dhe t’i referoheshin ish-kryeministrit si “armiku Mehmet Shehu”. Ky proces sterilizues nuk e zhduku ish-kryeministrin nga kujtesa kolektive, por vetëm sa krijoi dy versione të historisë të Shqipërisë, njëri me Mehmetin hero, dhe tjetri me Mehmetin antihero; dhe qytetarët ishin njëfarësoj të detyruar të përdornin të dytin në publik, por pa mundur dot ta zhduknin nga kujtesa të parin. Përkundrazi, për shkak të bujës që shkaktoi vetëvrasja e tij, Mehmet Shehu mbeti figurë politike kyçe në Shqipëri gjatë viteve 1980, duke ia tejkaluar mbase edhe Enver Hoxhës vetë, i cili tashmë ishte mumifikuar vite para se të vdiste në 1985.
Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.