Pjesa e pestë e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.
Në fund të viteve 1960 kish filluar, në Shqipëri, botimi i veprave të plota të Enver Hoxhës, një ndërmarrje me një ambicie dhe impakt të tillë që shkonte përtej çdo përfytyrimit tim prej fëmije. Duke filluar nga fakti i thjeshtë dhe elementar që historia e PPSH-së dhe e periudhës nga viti 1941 e këtej, përcjellë nga këto vepra, e shkruar e zezë mbi të bardhë në faqet me letër të cilësisë më të lartë, të tillë që t’i rezistonte vjetrimit, po merrte për herë të parë formë të qëndrueshme, duke e humbur fluiditetin që kish pasur deri atëherë. Gjithë duke mbajtur parasysh se dokumentet e botuara në vepra, shumica për herë të parë, nuk e rrëfenin aq vetë historinë e periudhës përkatëse, sa ç’e sillnin në jetë. Në të njëjtën kohë – pak a shumë – u botua edhe Historia e PPSH-së, si tekst “shoqërues” i veprave, me pretendimin për të kthjelluar mjegullën që kish rrethuar deri atëherë rrugëtimin e një organizate si PPSH-ja, që kontrollonte çdo hallkë të regjimit politik, ideologjik, ekonomik dhe kulturor në Shqipëri. E kotë të shtoj se ambicia e kësaj ndërmarrjeje të dyfishtë – veprat e Enverit dhe Historia e PPSH-së – patën një impakt në vetëdijen shtetërore, publike dhe institucionale, të krahasueshëm me atë që mund t’i ndodhte një organizmi të gjallë, po t’ia rishkruanin kodin gjenetik.
Nëse ky proces rishkrimi i së shkuarës nuk ndeshi në ndonjë rezistencë, kjo ndodhi edhe ngaqë kultura shqiptare mbetej kulturë orale, ku historia shpesh nuk ishte më shumë se një projeksion i së tashmes; dhe në këtë kuptim, e vetmja rezistencë do të vinte nga ajo elitë – e vogël në numër dhe e pasigurt – që kish mësuar ta vështronte të shkuarën në bazë të logjikës së shkrimit, të dokumentacionit, të arkivit, të provës materiale; një elitë ku bashkëjetonin ata pak intelektualë të formuar në Perëndim që i kishin mbijetuar luftës së klasave, plus brezi i inteligjencies që kish studiuar në Lindje në vitet 1950, i mbrujtur me frymë pozitiviste. Jo më kot, vitet kur zunë të botohen Veprat e Hoxhës dhe Historia e PPSH-së përkuan me vitet e “revolucionarizimit” të jetës në vend, gjatë të cilave u resetua, jo pa dhunë, edhe autoriteti i elitës intelektuale, krahas me kurrikulumet e shkollave dhe frymën ideologjike të teksteve shkollore dhe akademike.
Në historiografi, e cila operon me tekste non-fiction, autori i jep tekstit të vet vërtetësi duke ia ruajtur koherencën dhe duke e shoqëruar me aparatin përkatës (dokumente, citime, etj.), por edhe nëpërmjet autoritetit të vet si historian ase autoritetit të entit botues; kjo edhe sepse jo çdo lexues mund ta verifikojë vetë besueshmërinë e një teksti historiografik me rrugë “akademike”. Çfarë nuk përjashton edhe që çdo historian t’i shtojë rrëfimit historiografik subjektivitetin e vet, në kuptimin që Historia e Skënderbeut do të tregohet ndryshe nga Barleti, ndryshe nga Noli, ndryshe nga Kristo Frashëri, ndryshe nga Aurel Plasari dhe ndryshe nga O.J. Schmitt-i. Mund të themi se autori historian shfaqet në rrëfim pikërisht te këto diferenca në qasje; gjithë duke supozuar se nuk është nisur ta gënjejë lexuesin ose përdoruesin e tekstit. Kur unë marr në dorë një libër historiko-letrar të Arshi Pipës, e bëj këtë me pritje të caktuara, sa kohë që ia kam lexuar këtij edhe vepra të tjera dhe ia njoh pak a shumë profilin; dhe këto pritje që kam krijuar, në rrjedhë të viteve, ia rritin besueshmërinë (vërtetshmërinë) tekstit përkatës, madje edhe sikur unë lexuesi të mos bie dakord me qasjen (ideologjike, metodologjike) të autorit; meqë ky, duke e nënshkruar veprën, u del zot gjërave që rrëfen atje dhe frymës së rrëfimit.
Të ndryshme janë rrethanat e pritjes së veprës historiografike, kur kjo botohet pa autor. I tillë ka qenë, pa autor, teksti “zyrtar” i Historisë së Partisë së Punës të Shqipërisë i botuar disa herë në Shqipërinë e viteve 1960-1980 (botimi i parë në vitin 1968) dhe që ka shërbyer si bazë, ndër të tjera, për historiografinë e periudhës së Luftës NAÇL dhe më pas, të viteve të regjimit të Hoxhës (1945-1990); sikurse ka shërbyer si bazë për gjithfarë tekstesh shkollore të historisë, gjatë asaj periudhe.
Në faqet e para të tekstit, lexuesit i jepej sqarimi se “Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë është përgatitur nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste dhe botohet me vendim të Komitetit Qendror të PPSH”; emri i Institutit të Studimeve M-L “pranë KQ të PPSH” dilte edhe në footer-in e faqes së 3-të të kopertinës, pa çka se botimi i atribuohej “Shtëpisë botuese 8 Nëntori”. Emrat e autorëve të kapitujve nuk i sheh gjëkundi; por jo për modesti. Gati-gati, sikur i kërkohet lexuesit të besojë se teksti nuk është rrëfim, por vendim (akt performativ); ose më mirë, rezultat i një vendimi që përcakton të vërtetat historike. Përmendja e autorëve, në këto rrethana, do të ishte koncesion ndaj subjektivitetit.
Jo çdo tekst për përdorim publik e shpall haptazi autorin e vet. Orari i trenave ose numëratori telefonik nuk kanë autor. Tabela “NDALOHET DUHANI” nuk ka autor. Mbishkrimi në një pllakë përkujtimore nuk ka zakonisht autor. Parullat në fasadat e Shqipërisë totalitare, të tipit “LAVDI PPSH” ose “RROFTË SHOKU ENVER HOXHA” nuk kanë autor (njëlloj sikurse shpesh janë pa autor eksplicit reklamat që ato parulla i kanë zëvendësuar). E megjithatë, funksioni ligjërimor i këtyre teksteve “botore” është cilësisht i ndryshëm nga ai i tabelës ARTIKUJ TË PËRZIER, në një dyqan fshati; sepse kjo e fundit thjesht përshkruan destinacionin e një objekti shërbimi, ndërsa një tabelë si NDALOHET DUHANI paravendon si autor shtetin, ose autoritetin që ka juridiksion ndaj asaj hapësire dhe që i jep urdhrit përkatës performativitetin e duhur. Në rastin e mbishkrimeve me natyrë historiografike – si një pllakë përkujtimore ose një lapidar – mungesa e autorit pritet ta fuqizojë besueshmërinë (vërtetshmërinë dhe vërtetësinë), sepse largon madje përjashton subjektivitetin, duke e gdhendur tekstin në gur. Kur shteti është totalitar (monist), mungesa e autorit duket sikur sanksionon edhe formalisht vërtetësinë e çfarë thuhet në tekst.
Por permanenca e një teksti të tillë, sado e dëshiruar, mbetet e brishtë: në tekstin e Historisë së PPSH-së që përmendëm, të vërtetat duheshin riformuluar, pas çdo “zhvillimi” politik të rëndësishëm: mjaft të krahasosh rrëfimin për Konferencën e Tiranës (të vitit 1956) në botimin e parë të vitit 1968, kur Beqir Balluku ishte akoma “shoku Beqir Balluku” (anëtar i Byrosë Politike dhe Ministër i Mbrojtjes), në botimin pasi i njëjti Beqir u bë “armiku Beqir Balluku” dhe u pushkatua; dhe më tej akoma, pas vitit 1982, kur grupit të armiqve iu shtua edhe ish “shoqja Fiqirete Shehu”, që kish luajtur edhe ajo rolin e vet në atë Konferencë. Për t’u shënuar që rrëfimi i Konferencës së Tiranës, si ngjarje, duke ndryshuar nga një botim në tjetrin, lejon edhe një rrëfim paralel, të ngjarjeve “dramatike” në udhëheqjen e PPSH shumë vjet më pas – duke qenë çdo version i ri pasqyrë e çfarë kish ndodhur rishtas. E megjithatë, në fund të parathënies së botimit të dytë, lexuesit veç i thuhet, si pa të keq, se “botimit të parë i janë bërë një varg redaktimesh, që nuk prekin strukturën, as përmbajtjen në tërësi të tij. Redaktimet kanë lidhje me shkurtime e me disa saktësime, në bazë të dokumenteve.” Mirëpo një tekst si “Elementët antiparti, duke shpërdoruar demokracinë e brendshme të partisë e duke përfituar nga qëndrimi pasiv i të deleguarit të Komitetit Qendror, Beqir Ballukut […]”, në seksionin kushtuar Konferencës së Tiranës, qartazi është shtuar pas vitit 1975 (pas pushkatimit të Ballukut; meqë, kur ky ishte ende ministër dhe byroist, kjo shprehje as mund të imagjinohej në një historiografi zyrtare). Në fakt, studimi krahasimtar sistematik i dy botimeve, atij të 1968-ës dhe atij të 1981-shit, do të tregonte masën dhe natyrën e ndërhyrjeve, gjithë duke konfirmuar raportin e brishtë të këtij teksti me vërtetësinë historike.
Këtë model të botimit të një vepre kaq themelore pa i dhënë rëndësi autorit (autorëve) regjimi i Hoxhës e pat kopjuar nga Bashkimi Sovjetik i periudhës staliniste, dhe pikërisht nga praktika e botimit të Historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (Bolshevikëve): Kurs i shkurtër (История Всесоюзной Коммунистической Партии (Большевиков): Краткий курс), në vitin 1938 (në atë rast emrat e autorëve të kapitujve nuk mbetën krejt të panjohur; mbase ngaqë Stalini vetë pat shkruar kapitullin për materializmin dialektik dhe historik). Por si edhe për Historinë e PPSH-së, rëndësi të veçantë kish pasur jo aq hartimi i tekstit, sa performativi i miratimit, që do të kryhej nga Stalini vetë, me ndihmën e udhëheqësve të tjerë të lartë të shtetit sovjetik dhe të PK të BRSS. Në analizë të fundit, nga një tekst i tillë pritej që “t’i jepte fund çdo arbitrariteti dhe konfuzioni në prezantimin e Historisë së Partisë” (nga rezoluta e Komitetit Qendror të PK të BRSS që shoqëronte botimin); si me thënë, qëllimi nuk ishte rrëfimi i së shkuarës, por sanksionimi i një versioni të së shkuarës si “i vërtetë”, përkundrejt përjashtimit të versioneve të tjera. Me fjalë të tjera, vërtetshmëria e tekstit (reliability) ishte sanksionuar me vendim të instancave më të larta të shtetit dhe të pushtetit; dhe prej historiografisë pritej jo të ndriçonte të vërtetën, por të stabilizonte. Për këtë arsye, edhe teksti u përfshi si lexim i detyruar në programet universitare dhe të shkollave të partisë (në Shqipëri, Historia e PPSH u fut edhe në shkollat e mesme).
Ndryshe nga çfarë kish ndodhur në Bashkimin Sovjetik të viteve 1917-1938 (vitet që i paraprinë botimit të Kursit të shkurtër), në Shqipëri nuk kish pasur shumë tentativa të mëhershme për ta shkruar historinë e PPSH-së, veç atyre zyrtare (p.sh. Raporti i Enver Hoxhës në Kongresin I të PPSH), prandaj edhe synimi i botimit nuk ish aq të stabilizonte, sa t’i jepte lexuesit një version stabël (të qëndrueshëm) të asaj historie, i cili të merrte parasysh dhe të shpjegonte – në mënyrë prapavajtëse – ndryshimet e mëdha në vijën politike dhe në kupolën e PPSH dhe të shtetit totalitar. Duke mos pasur autor, teksti u ofrua të përdorej si një lloj skripture e fesë së re enveriste: mjaft të shohësh sa herë përmendet atje emri i Enver Hoxhës, në vetvete, dhe në raport me emrat e tjerë të udhëheqësve. Kjo, pa çka se vetë figura e Enverit do të duhej ripërkufizuar, sa herë që modifikohej vija politike dhe ideologjike: miku i madh i Titos do të shndërrohej në denonciator të tij; miku i madh i Hrushovit gjithashtu dhe më tej me Maon & Co.; pa llogaritur armiqtë brenda Partisë, grupet komplotiste dhe puçiste, agjentët dhe poli-agjentët. Përballë këtij kaosi mjeran, historiografit (anonim) nuk i mbetej veçse ta (ri)shkruante historinë si të ishte “rregullore (policy) e kujtesës kolektive”, për t’u dhënë masave një tekst koherent, pa çka se të gjitha versionet kontradiktore të ngjarjeve do të vazhdonin të bashkëjetonin në kujtesën e protagonistëve, duke filluar nga Enveri vetë; madje jo vetëm – sepse edhe do t’i përkufizonin këta protagonistë në rrjedhë të viteve.
Rishkrimet e përsëritura të një teksti kanonik, si ky i Historisë së PPSH-së, kishin për efekt anësor “degradimin” e versionit të mëparshëm, i cili si rregull duhej asgjësuar; dhe ashtu ndodhte, në bibliotekat publike, libraritë, dhe kudo gjetiu ku shteti kish kontroll të drejtpërdrejtë ndaj tekstit. Por kjo nuk mund të realizohej me tekstet në bibliotekat private, të cilat – mu për shkak se e kishin humbur statusin zyrtar – përfundonin në libra të ndaluar. Në parim, nëse një anëtari të PPSH-së i gjenin në bibliotekën private një tekst të Historisë së PPSH-së, ku i thureshin lavde ish-kryeministrit Mehmet Shehu, ky duhet të jepte shpjegime se pse e kish ruajtur një libër që, në parim, nuk duhej të ekzistonte, sepse ishte dëbuar nga arkivi kolektiv (nga kujtesa). Aq më keq, nëse dy versionet e tekstit të Historisë së PPSH-së lejoheshin të bashkëjetonin në ndonjë farë mënyre – ashtu do të krijohej një kontradiktë, një e çarë serioze në fasadën monolitike të vetëdijes historike, e cila mund të lëkundte vetë mënyrën si e përjetonin qytetarët pushtetin. Për të shmangur këtë krizë potenciale, aparati i propagandës kujdesej për rishikimin dhe ribotimin e të gjitha atyre materialeve, të cilat prekeshin nga dënimet dhe spastrimet në radhët e PPSH-së dhe të pushtetit; nëpërmjet një fushate zëvendësimesh që prekte jo vetëm tekstet (si Historia e PPSH-së, tekstet shkollore, veprat e Enver Hoxhës, botimet e tjera politike) por edhe fotot në muzetë dhe gjetiu, kudo ku ruhej dhe ekspozohej simbolikisht kujtesa historike. Nëse Mehmet Shehu kish qenë komandant i Brigadës së Parë Sulmuese gjatë luftës Na-Çl, atëherë krejt historia e atij formacioni luftarak do të tregohej ndryshe, në surdinë, pa përmendur emra, ose duke u dhënë rëndësi emrave të tjerë. Ashtu ndodhi edhe në rrëfimet konvencionale dhe rituale, të Betejës për Çlirimin e Tiranës, që deri atëherë kishin në qendër Mehmet Shehun dhe bazoheshin në një vepër të tijën historike për temën. Pas “vetëvrasjes”, libri u hoq nga qarkullimi, u ndalua, u çua në karton, u zhduk nga çdo referencë historiografike, teksa lindi ngutshëm nevoja që Beteja në fjalë të ritregohej, duke i dhënë përparësi rolit komandues të Hysni Kapos.
Kjo do të thotë edhe që çdo ndryshim madhor i vijës politike, çdo “grup armiqësor” që zbulohej në kokë të Partisë dhe të shtetit, do të krijonte edhe një numër vështirë të llogaritshëm me libra të ndaluar, tituj që nuk do të ekzistonin më, sepse nuk mund të ekzistonin. Nga asgjësimi kaq tipik orwellian nuk shpëtonin as librat e Enver Hoxhës vetë, të cilat madje duhet të ishin të parat, që do të rishikoheshin nga ekspertët e rishkrimit të historisë. Në përgjithësi, për shkak të vetë mënyrës si operonte shteti totalitar, përftimi i vijueshëm i librave të ndaluar ishte efekt anësor i propagandës dhe indoktrinimit dhe i nevojës për ta prodhuar historinë si projeksion prapavajtës të së tashmes.
(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.