Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kujtime / Lexim / Totalitarizëm

LIBRA TË NJË BOTE TJETËR

Pjesa e katërt e një serie auto-fictionale, kushtuar librit të ndaluar dhe leximit subversiv në Shqipërinë totalitare.

Shumë nga ne fëmijët në vitet 1960 rriteshim në shtëpi të rrethuar nga libra të vjetër – të botuar në vitet 1950 por edhe më herët, libra të epokës “tjetër”, që ndonjëherë i quanim edhe të “kohës së Zogut”. Brezi i shkolluar universitarisht në vendet e Lindjes, duke filluar nga Bashkimi Sovjetik, e kish ngritur institucionin e bibliotekës private me tulla e gurë të mbishkruar në gjuhë të tjera – në shtëpitë e shokëve të mi të shkollës e të lagjes gjeje rafte të rënduar me cirilicat e rusishtes, nga veprat e Leninit te tekstet universitare, me kapak të fortë dhe enciklopeditë, si ajo e madhja në pesëdhjetë e kusur vëllime, të cilën ca nga ne ende nuk kanë gjetur mënyrën për ta hequr qafe. Im atë i kishte pasion të madh librat madje përtej çdo leximi, i dukeshin si monumenti i dijes që kish akumuluar në vite, prandaj i adhuronte si të ishin idhuj të ngrirë. Veç enciklopedisë sovjetike, kish edhe një enciklopedi mjekësore shumë-vëllimesh në rusisht, të cilën e kish plotësuar, vite më pas, me një enciklopedi të psikiatrisë në frëngjishte. Mjaftonte një vështrim në bibliotekë për të kuptuar krejt itinerarin e studimeve të tij – nga manualet e kimisë e të fizikës, në vitet e hershme të shkollës në Moskë, te tekstet e rënda të sëmundjeve të brendshme dhe ato të neurologjisë. Kisha kuriozitet të madh për këta libra, por hyrjen atje ma pengonin gjithnjë shkronjat e rusishtes, telat me gjemba të alfabetit rus, një kufi në thelb i ngritur nga politika, pa më pyetur mua fare. Ashtu m’u bë rusishtja, në vite, si ai komshiu të cilin e sheh përditë, kur hyn e kur del, por ende nuk ke me të një përshëndetje.

Tek-tuk gjeje në Tiranë edhe libra të Paraluftës, më shumë letërsi “të verdhë”, romane detektivësh dhe krimesh, por edhe vepra autorësh shqiptarë. Për shkak të pamjes, por edhe të gjuhës që përdorej atje, mua më dukej sikur vinin nga një botë paralele me tonën; pse nuk e këqyrja dot të tashmen si vijim të asaj së shkuare. Por ndodhi që në vitet 1970 trashëguam bibliotekën e lënë nga tezja e sime mëje, një grua që kish përshkuar një itinerar intelektual të ndryshëm nga brezi i “Lindjes” europiane; ngaqë kish studiuar më parë në Tiranë, në një shkollë amerikane; dhe pastaj në Firenze të Italisë, për pedagogji. Biblioteka e saj, jo aq e madhe sa e tim eti, e solli me vete këtë histori në trajtë tekstesh shkollore amerikane, nga gjeometria në eugjenikë; dhe pastaj veprash të ndryshme filozofike dhe historike në italishte, të kombinuara me literaturë shpesh klasike greke dhe latine, me vepra të Platonit dhe të Seneca-s; dhe me libra të një kolane anglisht, me autorë nga Ralph Waldo Emerson-i te Robert Luis Stevenson-i dhe Conan Doyle-i, që ua kam parë edhe të tjerëve, prandaj besoj se do të jetë shitur nga një librari në Tiranë. Nuk kish në bibliotekën e Tetës (se kështu e quanim, Teta) libra të viteve të shkollës në Itali – besoj se i pat eliminuar njëfarësoj, fill pas 1945-ës, kur pati pasur ca telashe me sistemin policor të Koçi Xoxes.

Libra të tillë bartnin jo vetëm historinë e periudhës kur ishin shkruar dhe ishin bërë të njohur, por edhe një histori tjetër, më sekrete dhe mbase më të pasur me sugjerime marramendëse, të periudhës kur i kishin lënë libraritë, për të hyrë në një bibliotekë private. Tales of Sherlock Holmes, i Conan Doyle-it, ka qenë ndoshta nga librat e parë që kam lexuar anglisht, që pa mbaruar tetëvjeçaren; ngaqë nuk e kuptoja mirë, i plotësoja zgavrat e rrëfimit me mendje dhe ashtu kuturisesha në përjetime mahnitëse. Por nuk më shkonte mendja atëherë të përfytyroj si mund të ish lexuar Conan Doyle-i, në Shqipërinë e viteve 1930 – dhe nga kush. Mbaj mend edhe një libër tjetër të dashur, poemën Intermezzo lyrique të Heine-s, të përkthyer në prozë frëngjisht, me një tekst me shkronja mikroskopike; të cilën vendosa ta përkthej në vitet 1977-1978, kur mësoja frëngjishten me zell; sërish, si të kish përfunduar ajo poemë në Tiranë? Këto tekste më vinin në komunikim me diçka, por gjithsesi jo me botën nga kishin ardhur vërtet.

Njëlloj e kisha të vështirë të mbaj gjallë në mendje idenë se historia e rrëfyer në libra të tillë dhe nga libra të tillë mund të mos përkonte me historinë që më kishin rrëfyer mua; sepse ende s’e kisha marrë vesh se jetoja në një regjim ideologjik që e prodhonte vetë historinë dita-ditës; i rrethuar nga një botë orwelliane, ku e djeshmja nuk mund të ishte veçse pasojë logjike e së sotmes.

Një pasazh nga romani 1984 i George Orwell-it e ilustron këtë (cituar sipas përkthimit nga Sokol Çunga, në botimin nga Pegi, 2020, f. 40):

Jo më larg se shkurti i atij viti, Ministria e Bollëkut pati dhënë një premtim (një “betim kategorik” ishte formulimi zyrtar) se nuk do të kishte reduktim të racionit të çokollatës gjatë vitit 1984. Në fakt, siç edhe Uinstoni e dinte, në fund të asaj jave, racioni i çokollatës do të reduktohej nga tridhjetë, në njëzet gramë. Duhej ndryshuar premtimi i parë me paralajmërimin se ndoshta do të jetë e nevojshme të reduktohet racioni diku nga prilli.

Ndryshe nga e sotmja, shpesh rezultat i ndërveprimit të faktorëve kaotikë, mes të cilëve edhe vetë Lufta, e djeshmja mund të mbahej në harmoni me të sotmen, duke ndërhyrë në dokumentimin e saj. Regjimi e kish të lehtë të manipulonte arkivat dhe bibliotekat; por më të vështirë të bënte të njëjtën gjë me kujtesën – këtë mision të dytin ia kish besuar rigjuhës.

Sapo bashkoheshin dhe lidheshin korrigjimet e nevojshme të çdo numri të The Times-it, ky numër rishtypej, origjinali shkatërrohej, kurse kopja e korrigjuar vendosej në dosje në vend të së parës. Ky proces i ndryshimeve të vazhdueshme zbatohej jo vetëm për gazetat, por edhe për librat, revistat, pamfletet, pllakatet, fletëvolantet, filmat, kolonat zanore, filmat vizatimorë, fotografitë – për çdo lloj literature apo dokumenti që në koncept mund të përmbante çfarëdo rëndësie politike apo ideologjike. Ditë për ditë dhe pothuaj minutë për minutë, e shkuara azhurnohej. Kështu, çdo parashikim i Partisë mund të vërtetohej me fakte të shkruara se kishte qenë i saktë. Asnjë lloj lajmi apo opinion i shprehur, që binte në kundërshti me nevojat e çastit, nuk lejohej të mbetej i dokumentuar. Ky rishkrim, shpesh i përsëritur, i së shkuarës – që parakuptonte se kjo e shkuar nuk ish gjë tjetër veçse një rrëfim i mundshëm, mes shumë rrëfimesh të mundshme – bazohej në dy procese editimi: hartimi i së shkuarës së re dhe zhdukja e versionit që do të zëvendësohej.

Ky rishkrim, shpesh i përsëritur, i së shkuarës – që parakuptonte se kjo e shkuar nuk ish gjë tjetër veçse një rrëfim i mundshëm, mes shumë rrëfimesh të mundshme – bazohej në dy procese editimi: hartimi i së shkuarës së re dhe zhdukja e versionit që do të zëvendësohej.

Nga fillimvitet aq të zymta 1980, kujtoj edhe librin me kujtime Eight Hours from England, që pati tek unë një efekt destabilizues më të fortë se ç’e prisja. Autori Anthony Quayle, që kish qenë oficer i SOE-së (Special Operations Executive) britanike dhe gjatë Luftës II Botërore ish stacionuar ca kohë si liaison me forcat partizane në zonën e Vlorës. Së bashku me ushtarakë të tjerë anglezë dhe amerikanë, Quayle e kish ngritur bazën në një shpellë në gjirin e Gramës, në veri të Dhërmiut; një zonë e izoluar nga toka dhe nga deti, që komunikonte veç shumë pak me brendatokën, nëpërmjet Dukatit. Quayle i kish shkruar kujtimet e veta të letrarizuara; por bota shqiptare në libër nuk duhej të ketë qenë larg realitetit – sa kohë që faqe pas faqeje të dilnin përpara gjithfarë personazhesh historike e të mirënjohura të kohës, nga Hysni Kapo te Shefqet Peçi; nga Bilbil Klosi te Manush Myftiu; e më tej Skënder Muçoja dhe të tjerë eksponentë të rezistencës jo-komuniste, në zonën e Vlorës. Quayle rrëfente për Luftën II Botërore në Shqipëri – duke pikturuar një tablo ku të gjithë aktorët e asaj kohe gjenin vend: që nga partizanët e Brigadës V, te social-demokratët e Vlorës, te fshatarët e Dukatit dhe të zonave më të thella të Labërisë e deri te qindra ushtarë italianë të shpartalluar pas kapitullimit e të rrezikuar për t’u masakruar nga gjermanët; dhe që misioni i Quayle-it arriti, me shumë mundim, t’i përcillte për në Bari.

Deri atëherë Luftën e kisha njohur nga librat, letrarë dhe të historisë; por edhe nga filmat, teatri, muzetë, dhe propaganda e gjithëmbarshme. Të gjitha këto mund t’i qortoje për shumëçka, por jo për mungesë koherence. Të mirët dhe të pamirët u përkisnin gjithnjë grupeve të përkundërta; trimat shpërbleheshin dhe tradhtarët ndëshkoheshin; populli kish gjithnjë të drejtë, ndërsa klasat sunduese mendonin vetëm si të fshihnin thasët me para dhe pastaj t’ia mbathnin me bisht në shalë; partizanët ishin sypatrembur, “të merrnin gjak në vetull” (po si bëhej kjo xhanëm?) dhe veç numëronin fitoret, njëlloj sikurse armiku numëronte të vrarët dhe ballistët numëronin pulat e pjekura. Edhe pse isha aq i kthjellët sa ta kuptoja se ky “ungjill” i Luftës me të cilin ishim katekizuar të gjithë ne të brezit tim nuk i përgjigjej doemos së vërtetës, sërish nuk kisha qenë i përgatitur, për çfarë do të zbuloja, në faqet e librit të Quayle-it.

Shqiptarë gjysmë të egër, mizorë dhe të pabesë, gënjeshtarë dhe hajdutë; partizanë të strukur në mal, larg çdo veprimi luftarak dhe në pritje që t’u parashutoheshin ndihma prej anglezëve dhe pastaj që ta gjenin rrugën hapur drejt pushtetit pas Luftës; dhe alter-egoja i Quayle-it, i deprimuar dhe në krizë ekzistenciale, që arrinte të komunikonte me fare pak njerëz, mes të cilëve ndonjë italian, por edhe Skënder Muçoja nga Vlora dhe Besniku i Brigadës V, që nuk ish tjetër, veç Hysni Kapoja.

Vetë autori e përshkruan kështu misionin e tij në Shqipëri: to kill Germans; por në fakt gjermanët në libër nuk shfaqen kurrë gjëkundi, përveçse si prani e largët, e frikshme dhe vdekjeprurëse; ose si forcë e një ylli neutronik, që organizon krejt universin përreth, pa çka se vetë mbetet i padukshëm.

Përpjekjet e këtij anglezi për t’u marrë vesh me partizanët dështojnë; marrëdhëniet me popullsinë lokale janë të një lundërthyeri, të cilit i vërtiten rrotull indigjenët, duke pritur që ta lënë forcat; ose si të një prospektori ari nga ata të Jack London-it, të rrethuar nga ujqit në Clondike të Alaskës; vetë Lufta II Botërore, e parë nga ky cep i humbur i Ilirisë së Poshtme, vjen dhe e humbet kuptimin.

Deri atëherë, e kisha parë Luftën Nacional-Çlirimtare në Shqipëri si një rimarrje a reflektim, në shkallë të reduktuar, të konfliktit botëror; ose si ngjarjen që e kish rreshtuar vendin tim në radhën e fitimtarëve, duke na dhënë të gjithëve ne, qytetarëve, rezerva entuziazmi për të paktën edhe një shekull akoma.

Teksti i Quayle-it ma përmbysi këtë vizion: Lufta ishte e njëjtë, me gjermanët nazistë nga njëra anë, partizanët e Frontit nga ana tjetër; teatri ishte i njëjtë, malet (malet) e Shqipërisë së Jugut; por perspektiva ishte krejt tjetër.

Nëse më parë isha mësuar ta shihja Luftën me dylbinë mbrapsht, ose të inkapsuluar në qelq, Eight Hours from England m’i ktheu dylbitë mbarë, duke më detyruar të shoh atë çfarë kisha humbur deri atëherë, me hollësitë e gërditshme.

Një lloj revolucioni kopernikan ndodhi kështu brenda meje; një ri-përmasim dramatik i perspektivës – dhe zëvendësim i krenarisë naïve prej pionieri me shall të kuq që bën roje nderi pranë bustit të heroit, me vetëdijen e të jetuarit jo në qendër, por në periferi. Eight hours from England: vetë titulli i librit shpallte një distancë, një largesë, një zbrazëti, që e ndante Shqipërinë – me gjithë konfliktet e saj, mjerimin material dhe shpirtëror, dëshpërimin dhe maskarallëkun – nga Anglia e qytetëruar.

Dhe e lajmëronte këtë distancë në kohë jo në hapësirë, si për të më kujtuar mua lexuesin se diferenca nuk mund të anulohej në gjeografi.

Librin e kisha gjetur, edhe atë, në bibliotekën e Tetës; të autografuar nga një personalitet politik dhe diplomat i lartë i shtetit të Hoxhës, që me gjasë e kish blerë në Londër, në vitin 1945 – që ishte edhe viti i botimit. Kjo gjetje kaq fatlume më bëri të mendoja për një rrjet gjysmë sekret shkëmbimesh të tilla mes intelektualëve të sapodalë nga Lufta.

Pas leximit të parë të librit të Quayle-it – do t’i kthehesha edhe të paktën dy herë të tjera vite më pas – m’u duk sikur kisha hedhur në dorë një kod që do të më lejonte, tash e tutje, të shihja përtej propagandës, versioneve zyrtare, retorikës dhe teksteve të gdhendura në lapidarët.

Dhe sakaq do më trokiste në derë edhe ankthi, ngaqë tashmë e dija se kisha në bibliotekë një libër të ndaluar; një material subversiv; një virus që mund ta dëmtonte rëndë ndërgjegjen revolucionare, po t’i shpëtonte karantinës, të merrte dhenë dhe të fillonte të infektonte mendjet e njerëzve.

Po strehoja në shtëpi një armik të betuar të “këtij pushteti”.

Ngaqë na kishin mësuar atëherë me kodet e së vërtetës, kur lexova rrëfimin e Quayle-it pandeha, për shumë vjet, se ajo e tija kish qenë e vërteta; ndërsa kjo tjetra, e shkruar dhe e shumëfishuar në mijëra libra, revista, filma, stenda muzeumi, vepra, përmendore, memuaristikë, kantata, autobiografi, pjesë teatrale, pllaka përkujtimore, tablo kompozicionale, biseda veteranësh me publikun, nuk ishte veçse një gënjeshtër e madhe, ose një perde që mbulonte skenën e vërtetë të ngjarjeve.

Por më pas, shumë më pas, do të kuptoja se çfarë më kish tronditur, pas leximit të atij libri, nuk ishte tamam shpërbërja e së vërtetës zyrtare, shkrifëtimi dhe shembja e statujave dhe lapidarëve dhe rrokopuja e kalendarit; as rishpërndarja e roleve dhe ndërrimi i vendeve mes të bardhës dhe të zezës; por mundësia, thjesht mundësia, se kjo “e vërtetë” – dhe tani më duhet ta shkruaj në thonjëza – për Luftën Na-Çl, sikurse për çdo ngjarje tjetër historike, mund të mishërohej në shumë trajta njëherësh, madje në kundërti mes tyre; ose e përthyer në qindra, në mos mijëra qelqe, si në një labirint pasqyrash.

Po të kisha qenë Jean Baudrillard-i[1], kushedi do të kisha thënë, atëbotë, se Luftë Nacional-Çlirimtare nuk kishte pasur ndonjëherë, me përjashtim të asaj që kishim rindërtuar, me copëza puzzle-i që kushedi nuk i përkisnin të njëjtit puzzle. Dhe kjo pavarësisht të vrarëve, të rënëve, të djegurve, fitimtarëve dhe të mundurve, të burgosurve dhe të pushkatuarve, atyre që e kishin varrin dhe atyre që kishin mbetur pa varr dhe atyre që nga varret i kishin nxjerrë; pavarësisht gjeneralëve të ushtrive të vdekura; pavarësisht 28 mijë kilometrave katrorë të Shqipërisë me nga një lapidar martiri në mes, dhe kalendarit të festave dhe përvjetorëve, dhe radhës së familjarëve të dëshmorëve ditën e 5 majit, për të marrë 1 kg mollë safí në dyqanet e shtetit.

Pasi e kisha çuar dëm gati krejt fëmininë si dëshmitar i mesazheve të deshifruara njëri pas tjetrit, në bazë të kodit që kish në zotërim regjimi, tash e tutje do të isha i dënuar të përpiqesha, edhe pse më kot, të rindërtoja një kod çfarëdo, edhe fare të cunguar dhe të pamjaftueshëm, i nisur nga mijërat, në mos milionat e mesazheve të pazbërthyeshme që më rrethonin.

(c) 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.

Kjo ese është pjesë e projektit “Leximi subversiv: Librat e ndaluar dhe formimi i vetëdijes në Shqipërinë totalitare (1968-1990)”, të mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading