Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjedis

NATYRA E VIRGJËR SI POTENCIAL I AKTUALIZUAR

Në shkrimin pararendës[1] shtruam pyetjen: po sikur të kishte transparencë, kompetencë e ndershmëri në investimet e premtuara në Nartë, e më tej, a do të duhej të lejohej shfrytëzimi i zonave të mbrojtura natyrore? A është e mundur të ketë përfitim nga “aktualizimi i potencialit” të natyrës së virgjër? Kjo është një pyetje që u takon të gjithëve e jo vetëm çështje e ekologjistëve e dashamirësve të natyrës, siç do ta shohim më poshtë. Në rastin tonë do të ndjekim një itinerar me shembuj nga kontinenti afrikan dhe ai amerikanoverior, për të bërë lidhjen me çështjen e natyrës në trojet shqiptare dhe rëndësisë së saj. Shtojmë se, në këtë shkrim, me fjalën “natyrë” kuptojmë kafshët, bimët, dheun e ujërat si një tërësi e ndërlidhur e ndërvepruese.

Për herë të parë në histori të njerëzimit, shumica e popullsisë botërore jeton në qytet, jo në fshat e zona rurale. Kjo do të thotë që, për shumicën e banorëve të këtyre qyteteve, natyra e gjëja e gjallë është bërë më abstrakte se asnjëherë. Sipas disa anketave të kohëve të fundit, mbi 20% e fëmijëve anglezë nga mosha 6-11 vjeç kujtojnë se perimet rriten në dyqane.[2] Për të parandaluar diçka të ngjashme, një herë në vit, në shkolla fillore në Tokio, kryeqytet i Japonisë me mbi 30 milionë banorë, sjellin lopë e dele për t’u treguar nxënësve se qumështi vërtet vjen nga gjëja e gjallë e nuk gufon vetvetiu nga shishet në supermarkete.[3] Njerëzit që rriten e jetojnë në hapësira të tilla urbane kanë shumë më pak mundësi të bëjnë lidhjen mes ushqimit, marketit dhe natyrës, dhe nuk mund t’u vihet krejtësisht faj për këtë divorc nga realiteti. Përkundrazi, ata që kanë jetuar e jetojnë pranë natyrës s’e kanë harruar asnjëherë se ajo, kudoqoftë, është themeli, çerdhja dhe mëkuesja e jetës njerëzore. Sidoqoftë, ky sentiment është universal, dhe nuk është rastësi që ende në shumë gjuhë ruhet shprehja “nëna natyrë” (dhe jo, bie fjala, “njerka natyrë” apo “mbretëresha natyrë”).

Shqetësimi kryesor nuk qëndron tek mundësia se fëmijët shqiptarë do të fillojnë të imagjinojnë perime të rrënjosura në vitrinat e dyqaneve e qingja që blegërojnë në ambalazhe marketesh, por tek mungesa e vetëdijes se natyra nuk mund të shkatërrohet pa pasur pasoja serioze. Natyra e paprekur nuk thjesht një burim material duke pritur në mënyrë pasive që dikush t’ia “aktualizojë potencialin”,[4] një Borëbardhë e fjetur që pret princ Kushnerin e radhës ta puthë e zgjojë nga gjumi. Përkundrazi, ashtu siç është, natyra vepron në mënyrë të pandërprerë dhe me shumë efektshmëri; potenciali i saj është plotësisht i aktualizuar. Përveç se burimi i pazëvendësueshëm i ushqimit, ka studime që dëshmojnë se natyra – larmia e bimëve e kafshëve – ka ndikim mbi cilësinë e ajrit, të dheut e ujit, shpeshtësinë e reshjeve…, jo vetëm afër nesh, por edhe të vendeve me qindra e mijëra km larg. Ka pasur raste, madje, kur zhdukja e një specieje të vetme nga një ekosistem është ndjekur me pasoja të paparashikueshme për bimët, zogjtë, kafshët e madje edhe lumejtë.

Një nga shembujt më të njohur është ai i ujqve të parkut të parë kombëtar të SHBA-së, atë të Yellowstone-it (Jellouston).[5] Ky i fundit u themelua si i tillë në vitin 1872, pas shpërnguljes me forcë të fiseve të indianëve indigjenë që kishin banuar aty brez pas brezi, dhe u mor nën kontrollin e ushtrisë. Nën ndikimit e lobit të fermerëve, për arsye se kishte raste që ujqit sulmonin bagëtitë, qeveria amerikane vendosi që të zhdukte ujkun gri si kafshë e dëmshme për blegtorinë.[6] Brenda viteve 1914-1926, ushtria amerikane së bashku me gjahtarë të paguar, asgjësuan të gjithë ujqit – 136, sipas regjistrave – nga parku Yellowstone, streha e tyre e fundit natyrore në SHBA në atë kohë. Për dekada me radhë, në të gjithë territoret e SHBA-së, përveç Alaskës, nuk kishte më ujq; ata mund të gjendeshin vetëm në kopshte zoologjike.

Brenda tre viteve, punonjësit e parkut vunë re ndryshime drastike, jo vetëm në rënien e larmisë së kafshëve e zogjve e bimësisë, por edhe në shkallën e paparë deri atëherë të erozionit të tokës. Zhdukja e ujqve çoi në rritjen e shpejtë të popullsisë së drerëve, të cilët tani mund të kullotnin ku të dëshironin. Për dekada me radhë pati përpjekje për të kontrolluar popullatën e drerëve duke zgjatur sezonet e gjuetisë dhe paguar gjahtarët, por suksesi ishte shumë i kufizuar. Gjahtarët nuk mund të kontrollonin shtegtimin e drerëve e as të parandalonin brerjen e filizave nga ana e tyre. Si rrjedhojë ata dëmtuan rëndë lëvoret dhe filizat e plepave e shelgjeve, veçanërisht të atyre që rriteshin buzë brigjeve të lumenjve. Pa pemë të mjaftueshme, ose edhe krejt në mungesë të tyre, brigjet u bënë të paqëndrueshëm e kësisoj rrjedha e lumenjve më e rrëmbyeshme. Popullatat e kastorëve, specie që njihen edhe si “inxhinierë ekosistemi”, u detyruar të largoheshin sepse digat e tyre nuk mund të përballonin rrjedhën dhe, si pasojë, bashkë me ta, shumë amfibë e peshq që strehohen në digat që ata ndërtojnë u zhdukën nga parku. Largimi i ujqve i dha hov numrit të kojotëve, një kafshë grabitqare më e vogël se ujku, gjë që çoi në pakësimin dhe me raste zhdukjen e antilopave dhe gjitarëve të vegjël, pretë e tyre të preferuara. Pakësimi i këtyre të fundit çoi në largimin e shqiponjave e skifterëve nga parku, sepse nuk mund të gjenin pré të mjaftueshme.

Zinxhiri i pasojave është më i gjatë, por këta shembuj duhet të mjaftojnë për të kuptuar se pse, veçanërisht në fillim të viteve 70’, filloi një nismë nga biologë, ekologjistë e dashamirës të natyrës, të cilët në mënyra të ndryshme, përfshirë ato legjislative, kërkuan risjelljen e ujqve në Yellowstone dhe në disa parqe të tjera kombëtare amerikane, duke vënë në pah rolin e ujkut gri si “specie gurkyç” (keystone species), term që u sajua nga ekologjisti Robert Paine.[7] Veçantia e specieve të tilla është shtrirja e skajshme e ndikimit të tyre përtej zonave ku jetojnë – qoftë mbi popullsitë e kafshëve të tjera, bimësinë, e gjer edhe relievin e vendeve – dhe ky ndikim është tejet i madh në krahasim me numrin e popullsisë së vogël që kanë.

Gjatë viteve 1995-1997, pas një mungese prej mëse shtatë dekadash, 31 ujq gri u sollën nga Kanadaja dhe u lëshuan në Yellowstone. Edhe pse të paktë në numër, ndikimi i tyre u ndie pa shumë vonesë. Ata vranë disa drerë, por më i rëndësishëm ishte fakti se prania e tyre solli ndryshimin e lëvizjes dhe kullotave të tyre. Tashmë, drerët shmangnin brigjet e lumenjve, sepse mund të kapeshin më lehtë prej ujqve, e në këtë mënyrë pemët mund të rriteshin aty – veçanërisht shelgjet dhe plepat e egër – duke i forcuar e stabilizuar ato. Kjo u ndoq nga ngadalësimi i rrjedhës së lumenjve, çka solli kthimin e kastorëve, të cilët filluan të ndërtonin digat e tyre, e bashkë me ta erdhën një morí speciesh të tjera. Prania e ujqve shtyu në periferi kojotët, gjë që i dha shtysë rritjes së popullsisë së gjitarëve të vegjël në pyjet e parkut, dhe rritja e numrit të tyre risolli shqiponjat e skifterët. Gjithashtu, në pyjet e parkut u rikthyen zogjtë këngëtarë, pasi rrallimi i lëvizjes së drerëve u dha kohë filizave të pemëve të ndryshme të rriten e të bëhen strehë për ta. Megjithatë, mbase ndryshimi më i papritur qe ndryshimi i gjeografisë fizike së parkut, duke filluar me stabilizimin, e si rrjedhojë thellimin, e shtratit të lumenjve, ngadalësimin, apo edhe ndalimin e erozionit, përmirësimin e cilësisë së dheut, gjë që u përshpejtua me rritjen e larmisë së specieve të tjera që ndoqi risjelljen e ujqve në Yellowstone.[8] Veçanërisht, kjo ishte diçka që asnjë natyralist, ekologjist apo biolog nuk mund ta kishte imagjinuar, dhe ky eksperiment i pavullnetshëm në natyrë të hapur, në një territor rreth 10 mijë km2, bëri të mundur që shkencëtarët të ndërgjegjësoheshin mbi përmasat e ndikimit që kafshët e bimët mund të kenë, jo vetëm në natyrën përreth, por në shkallë kontinentale, e madje edhe globale.

Për shembull, edhe elefantët e xhunglave afrikane tashmë njihen si “specie gurkyç” (keystone species),[9] sepse duke lëvizur nëpër pyjet e dendur tropikalë ata hapin shtigje e korridore për shtegtimin e kafshëve të tjera, krijojnë kanale të natyrshme ajrimi, të domosdoshme në katin më të ulët të xhunglës,[10] dhe duke ngrënë fruta nga më të ndryshme ata çojnë farat e pemëve anekënd pyjeve e kështu mirëmbajnë larminë e bimësisë dhe të gjallesave të tjera.[11] Kjo e fundit, është e nevojshme për rezistencën e pyjeve ndaj infeksioneve, qoftë nga viruse, baktere apo kërpudha. Gjithashtu, larmia bimore rrit në maksimum ritmin e fotosintezës në rang pyjor, reaksion që është burim për prodhimin e oksigjenit dhe avujve të ujit që kthehen në re.[12] Dihet se si oksigjeni, ashtu edhe retë, që burojnë nga pyjet tropikalë, nuk janë të kufizuara në rrethinat e tyre, por shtrihen e përhapen anembanë globit. Për këtë arsye, xhunglat e Afrikës Qendrore, të Azisë Juglindore dhe ato të Amazonës njihen edhe si “mushkëritë e botës”. Edhe pse pyjet tropikalë përbëjnë vetëm rreth 3% të territorit të globit, ato janë përgjegjëse për rreth 50% të prodhimit të oksigjenit.[13] Njëkohësisht, mbase edhe më e  rëndësishme është se pyjet tropikalë fiksojnë dioksidin e karbonit, ajrin që ne dhe të gjitha gjallesat e tjera lëshojnë, dhe shërbejnë si depo stërmadhe e tij. Pra, prania e elefantëve garanton mirëmbajtjen e tyre – e si rrjedhojë cilësinë e ajrit në Afrikë e përtej – dhe për këtë ata quhen edhe “kopshtarët e xhunglave.”[14]

Kujtojmë se, përsa i përket njerëzve e shumicës së kafshëve, fryma që japim, dioksidi i karbonit, është mbeturinë e reaksionit të frymëmarrjes qelizore. Kështu, prania e tepërt e këtij gazi në atmosferë ndikon në ngritjen e temperaturës në rang global, e si rrjedhojë ndikon drejtpërdrejt në klimën globale. Gjithashtu, rritja e dendësisë së dioksidit të karbonit në atmosferë është ndotje e ajrit, dhe pikërisht për këtë arsye, si antidot ndaj kësaj, pyllëzimi shihet shpesh si zgjidhja më e përshtatshme.[15] Vetëm kjo do të ishte e mjaftueshme për të dëshmuar se pyetja me të cilën nisëm shkrimin i përket të gjithëve, jo veç në Shqipëri, të paktën për sa kohë që marrin e japin frymë.

Çështja e parë është se natyra e çdo ekosistemi, përfshirë bimët, kafshët, shpendët, peshqit, ujërat e dheun, formon një tërësi, e cila është më e madhe se shuma e të gjithë pjesëve përbërëse të saj të marra veç e veç. Si e tillë, potenciali i saj është maksimalisht i aktualizuar, edhe pse njëkohësisht mund të shërbejë si themel për nevojat njerëzore: ajër e ujë i pastër, ushqim, lëndë e parë, bimë mjekësore, etj. Çdo orvatje për ta “zhvilluar” atë më tej është një shfrytëzim nën maksimumin e potencialit që ajo gjithmonë e ka të aktualizuar. Një kartëmonedhë 100 dollarëshe mund të përdoret për të ndezur një cigare, por nëse e bëjmë diçka të tillë, kjo nuk do të thotë se po përmbushim potencialin e vlerës së kartëmonedhës. Mësymja për të kthyer çdo truall të natyrës së paprekur në minierë përfitimesh monetare është e ngjashme me përdorimin e kartëmonedhës në mënyrën e lartpërmendur; të ardhurat financiare rriten në dëm të shërbimeve thelbësore që natyra ofron falas për jetën njerëzore.

Kjo nuk do të thotë se njeriu kategorikisht nuk duhet të presë pemë, gjuajë peshk, apo të nxjerrë minerale nga toka. Por, – dhe kjo është çështja e dytë – duhet të merret parasysh se ekonomia e natyrës është ciklike, dhe jo lineare, si ajo moderne. Me një fjalë, në natyrë, mbeturina e një gjallese është burim e ushqim i një tjetre. Miliona ton gjethe që bien çdo vjeshtë, si edhe kërmat e shumë kafshëve, dekompozohen nga baktere e kërpudha duke qarkulluar kështu lëndën organike, nga njëqelizorët tek balenat blu, kafshët më të mëdha që kanë jetuar në këtë tokë. Natyra nuk ka pasur asnjëherë nevojë për kazanë plehrash. Deri para industrializimit masiv, shoqëritë paramoderne nuk e kanë ndier asnjëherë çështjen e rrënimit të mjedisit natyror sepse kanë jetuar, e ka që ende jetojnë, në harmoni me të, duke e lejuar ripërtëritjen e burimeve të saj. Bota moderne e prodhimit dhe konsumit në masë e sheh natyrën kryesisht si lëndë e parë, dhe për të rritur përfitimet kërkohet rritja e konsumit, gjë që kërkon shfrytëzimin e mëtejshëm të natyrës. Problemi, nëse mund ta shtrojmë në terma matematikore, është i thjeshtë; njeriu nuk mund të nxjerrë pafundësisht përfitime financiare nga burime natyrore që nuk janë të pashtershme. Siç shprehet Noam Chomsky:

Qytetërimi modern industrial është zhvilluar brenda një sistemi mitesh që i shkojnë për shtat. Shtysa e qytetërimit modern industrial ka qenë leverdia materiale vetjake, e cila pranohet si legjitime, madje e lëvdueshme, me arsyen se veset private prodhojnë përfitime publike. Tani, është kuptuar me kohë se një shoqëri që mbështetet mbi këtë parim, me kalimin e kohës do të vetëshkatërrohet. Me gjithë vuajtjen dhe padrejtësinë që sjell, ajo mund të vazhdojë (ta mbajë këtë parim) për sa kohë është e mundur të hiqet sikur forcat shkatërruese, që njerëzit krijojnë, janë të kufizuara, se bota është rezervë e pafund pasurish dhe se bota është një kazan i pafund plehrash.[16]

Deri tani folëm për ujqit gri të Amerikës së Veriut, apo për xhunglat e elefantët në Afrikë, ngaqë nuk jemi në dijeni të studimeve të këtij lloji për kafshët e bimësinë në Shqipëri. Sidoqoftë, nuk ka dyshim se kudo natyra e virgjër është tejet vepruese e ndikuese në mënyra që ende nuk e dimë. Përsa i përket Lagunës së Nartës, që u bë shkas për protestat, është e vërtetë se aty nuk gjenden ujq apo elefantë, zhdukja e të cilëve do të ndiqet nga kolapsi i ekosistemit. Sidoqoftë, parimisht, ujku, elefanti, flamingoja apo pelikani janë pjesë e pandashme e banesës së tyre natyrore; ato nuk duhet të trajtohen në izolim, por si një tërësi e plotë, sepse ndikojnë e latojnë mjedisin ku jetojnë, dhe anasjelltas. Laguna e Nartës është, gjithashtu, një zonë ku ndërthuren ekosistemet tokësore me ato ujore, gjë që i bën unike për nga larmia e llojeve të kafshëve, zogjve e bimëve,  si edhe një vendndalim shumë i rëndësishëm për disa qindra lloje shpendësh shtegtarë. Kjo do të thotë se dëmtimi i një zone të tillë natyrore është e garantuar të ketë një ndikim të skajshëm, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe ato të Mesdheut. Ky ndikim nuk do të jetë i kufizuar në rënien e shumëllojshmërisë së florës e faunës, por do të sjellë edhe rënien e prodhimit primar (primary productivity) të oksigjenit, të ajrit që marrim, dhe depozitimit të dioksidit të karbonit, të ajrit që japim, gjë për të cilën lagunat e zonat bregdetare ujore njihen si ekosistemet me prodhimin më të lartë, pas pyjeve tropikalë.[17] 

Nuk mund ta dimë se çfarë pasojash do të ndjekin ndërprerjen e shtegtimit të mijëra zogjve, si do të ndikohet flora detare e tokësore, apo nëse ajri që marrim do të na bëhet më i rëndë. E vetmja mënyrë për ta parë gamën e plotë të ndikimit të natyrës është dëmtimi apo shkatërrimi i saj dhe vëzhgimi i pasojave në vijim. Është e qartë se diçka e tillë nuk është një qasje e mençur për arsye që janë të tepërta të përmenden. Nëse ia arrijmë të shndërrojmë zonat e paprekura natyrore – qoftë të vendit apo anembanë botës – në lëndë materiale apo burim të ardhurash, duke realizuar kështu “potencialin e tyre”, kjo arritje do të ishte si ajo e dikujt që sharroi degën mbi të cilën rrinte. Të çuditur nga mënyra si një pjesë e madhe e kolonëve europianë zaptonin dhe trajtonin natyrën, indianët e Amerikës u patën shprehur, “Kur pema e fundit të jetë prerë, peshku i fundit të zënë, përroi i fundit të jetë helmuar, vetëm atëherë njeriu do ta kuptojë se paraja nuk mund të hahet.”[18] Ndoshta disi më lakonike e më e drejtpërdrejtë, edhe në shqip ka një shprehje që kumton një ide të ngjashme: “paranë edhe qenit t’ia hedhësh, nuk e ha.”

Nuk është e thënë që dëmtimi i natyrës së Nartës të rezultojë aty për aty në katastrofë me përmasa kozmike, një shpërthim bërthamor që kthen vendin në djerrinë. Por, prirja pa fré për pronë e pushtet, siç e pamë në shkrimet pararendëse, është tashmë një dukuri globale e jo vetëm lokale, dhe marrja pjesë në këtë valle ndërkombëtare të proletariatit konsumator të dëmtimit e shkatërrimit të natyrës në emër të progresit apo mirëqenies, çdo ditë e më tepër po i ngjan një vdekjeje të ngadaltë, një laku, që edhe pse është stolisur e po na shitet si gjerdan nga farkëtarët e “fjalëve plastike”,[19] vjen e ngushtohet avash-avash rreth qafës sonë. Mbase, siç thotë poeti T. S. Eliot, … kështu botës i vjen fundi, jo me një krismë, por me angullimë.[20]

Po sikur, bashkë me Eliot-in e të tjerë si ai, të jemi gabim (urojmë që po!), e nuk jemi ende të vetëdijshëm se natyra ka aftësi të ripërtërihet e të lulëzojë në mënyra që ne mund të mos imagjinojmë? Nëse po, a do të kishim ende të drejtë të vinim dorë në të e ta shfrytëzonim si ta shihnim të arsyeshme? Kjo do të jetë tema e shkrimit të ardhshëm.

(c) 2026 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[1] Fatos A. Kopliku, Shoshë dhe investim në “toka te zbuluara”, Peizazhe të Fjalës, 13 shtator, 2026.

[2] https://www.express.co.uk/news/uk/2233405/one-five-children-mistakenly-believe

[3] ‘Elementary school children in Tokyo experience dairy farming on World Milk Day’, Japan AgriNews, June 1, 2013; http://english.agrinews.co.jp/?p=411

[4] Kjo është shprehja që Ivanka Trump përdori për ishullin e pashfrytëzuar të Sazanit, që e “zbuloi” kohët e fundit. Për më hollësi shih Klejda Rrapaj, ‘Ishulli “privat” i Sazanit dhe çudi të tjera’, Peizazhe të Fjalës, 26 qershor, 2026.

[5] Sipërfaqja e parkut është rreth 9,000 km2, rreth një e treta e territorit të Shqipërisë.

[6] Ka një paralel këtu me mënyrën se si përshkruheshin kafshët në librat shkollorë gjatë kohës së komunizmit; kafshë të dëmshme ose të dobishme për bujqësinë e blegtorinë.

[7] https://daily.jstor.org/how-the-keystone-species-concept-transformed-ecology/; Paine, Robert T. “Food Web Complexity and Species Diversity.” The American Naturalist, vol. 100, no. 910 (1966), ff. 65–75.

[8] Për më hollësi shih Allison G. Kelley, The Ecological and Human-Centered Benefits of Wolf Reintroduction to Yellowstone National Park, Sloth, Vol. 4, no.1, 2018.

[9] Elefantët e xhunglës ndryshojnë nga ata të savanës për nga madhësia, vendbanimi, shtegtimi, preferenca e bimëve që ushqehen, etj.

[10] Xhungla ka katër “kate”: atë të dyshemesë, të nënkurorës, të kurorës dhe të çatisë. Secili ka veçori unike përsa i përket gjallesave që jetojnë. Ai i dyshemesë është pothuajse në errësirë, pasi edhe gjatë ditës rrezet e diellit depërtojnë shumë pak.

[11] Psh, në një prej studimeve më të fundit, tregohet se heqja e elefantëve nga ekosistemet ku banojnë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në popullatat e brumbujve të plehut (Coleoptera: Scarabaeinae, Aphodiinae), të cilët janë shpërndarësit kryesore të farëve të bimëve. Si rrjedhojë, me zhdukjen e tyre larmia bimore do të merrte tatëpjetën, gjë që do të ndikonte ritmet e fotosintezës. Finote Gijsman et al., Importance of elephants for dung beetle biodiversity and ecosystem functions. Science 392, eaeb7062 (2026).

[12] Shih psh., Berzaghi, F., Longo, M., Ciais, P. et al. Carbon stocks in central African forests enhanced by elephant disturbance. Nat. Geosci. 12, 725–729 (2019); https://www.bbc.com/future/article/20140114-elephants-the-forest-gardeners

[13] 3% të territorit tokësor, dhe rreth 7% nëse përfshihet edhe sipërfaqja e oqeaneve. Shifrat ndryshojnë dhe duket sikur nuk ka konsensus në lidhje me përqindjen e oksigjenit të prodhuar nga pyjet tropikalë, por ajo për të cilën të gjithë bien dakord është roli vendimtar që ato përmbushin në depozitimin efikas dhe të vazhdueshëm të dioksidit të karbonit. Fig. 1: Shkalla e fotosintezës në rang global (pa përfshirë oqeanet). Ngjyra e kuqe dhe e verdhë tregon se pyjet tropikale janë zonat që kanë ritmet më të larta të fotosintezës, ose ritmet më të larta të prodhimit të oksigjenit dhe njëkohësisht të depozitimit të dioksidit të karbonit [marrë nga Malhi 2019].

[14] Ahimsa Campos-Arceiz, Steve Blake, Megagardeners of the forest – the role of elephants in seed dispersal,

Acta Oecologica, Volume 37, Issue 6, 2011, ff. 542-553.

[15] Shih psh., Jean-Francois Bastin et al., The global tree restoration potential. Science 365, 76-79(2019).

[16] Cituar nga Manufacturing Consent: Noam Chomsky and the Media, dirs. Mark Achbar, Peter Wintorick (Zeitgeist Video, 1992) Documentary.

[17] Ky është një artikull teknik, që, mes të tjerave, thekson se një nga arsyet e larmisë e prodhimtarisë së lagunave është përqendrimi i lartë i klorofilit, pigmentit kryesor që mundëson fotosintezën, e si rrjedhojë prodhimin e oksigjenit të domosdoshëm për gjallesat tokësore dhe ujore. Angel Pérez-Ruzafa, Gregorio José Molina-Cuberos, Miriam García-Oliva, Georg Umgiesser, Concepción Marcos, Why coastal lagoons are so productive? Physical bases of fishing productivity in coastal lagoons, Science of The Total Environment, Vol. 922, 2024.

[18] Cituar në “Conversations with North American Indians” nga Ted Poole në Who is the Chairman of This Meeting? : A Collection of Essays (1972), f. 43.

[19] Shih Fatos A. Kopliku, Fjalët plastike (apo magjike) dhe kahu i progresit, Peizazhe të Fjalës, 31 gusht, 2026.

[20] The Hollow Men, 1925.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading