1. Spileja dikur
Shtëpia e Meropit ishte e para ndër shtëpitë e pakta të radhës së parë në Spile të Himarës, kur niseshe më këmbë nga Rruga Nacionale që zbriste në rrëzë të Himarës së epërme e shkonte si rrëke drejt detit, duke u kthyer në fund, drejt molit të vogël. E bukur, e vjetër, si copë melodie e harruar që këndohej në iso me erën dhe valët, nga gjithë shtëpitë në krah. Ish ndërtuar mu përballë detit e veç pesë hapa prej tij. Shtëpi pa blu e të bardha të feksura turistike, por me ngjyrë guri e druri të rrëgjuar prej diellit. Por ama, kish gjithçka që i duhet një shtëpie. Nga përpara, oborr me lule e ashef guri me kuzhinë me disa zjarre, kopsht perimesh nga pas ku rriteshin nenat për sallatën e zonës e ku nisnin pyjet e ullinjve, arrave, agrumeve e frutave të tjera që s’e besoje dot dikush s’i paskësh mbjellë aty bazuar në një plan të hollë prej një tryezë gjigante eco-dizajni. E kish edhe një çati modeste që s’i pat shkuar kurrë në mend t’i bënte karshillëk as detit, as ishujve përballë. Aty rrinim një muaj gjithsej atyre verave të gjata që nuk i kam provuar më që kur isha shumë e re. Në kat të dytë. Në katin poshtë rrinte Meropi me familjen. Gatuhej me radhë në furnelën dhe zjarret e Meropit. Ajo mbaronte herët me të vetat që t’u linte prindërve të mi gjithë kohën e nevojshme pasi ngriheshin me nge si pushues. Një zorrë rrinte gati në oborr për t’u shpëlarë kur ktheheshim nga deti. Uji, herë kish ardhur, e herë e prisnim sa të vinte. Herë s’vinte fare. Mbushnin çfarë mundnim. As enë nuk kishim, as na duheshin atëherë. Uji për të pirë ishte gjithnjë me pakicë. Uji ku laheshin perimet e blera në të vetmin dyqan të kooperativës, ruhej që të shpëlahej me rast edhe ndonjë patëllxhan a domate e shtuar që Meropi na e jepte nga ato të kopshtit të vet. Flinim me ninananën e valëve e zgjoheshim nga përkundja e tyre kur dielli zbriste nga anë e malit prej të cilit përditë ngrija sytë e shihja Pilurin, e shihte drejt e te dritaret tona që mëngjeseve s’e lypnin, por netëve rrinin të hapura kanat më kanat të na fusnin brenda freskinë e detit. Që të gjëmonte freskinë e natës e t’i shpëtonte vapës së netëve në atë dhomën e vetme të Meropit, vëllai qëllonte që flinte me çunat e vegjël himariotë të lagjes në tendat bërë me dërrasa e shufra majë pemësh që për çati kishin kurora gjethesh arre. Për zili na thosh se natën kish ndier ftohtë. Ndërsa ne, ishim përvëluar për ujë që natën na qe mbaruar. Pastaj vinte mëngjesi. Bukë, gjalpë, reçel. Ndonjëherë, djathë e domate. Pastaj, det. Det. Nata e shkuar qe harruar tashmë dhe e ardhmja ishte larg.

Në korrik të 2026-s, kur hipi në barkën e kapiten Piro Pandos, himariot ndoshta në të 50-at e hershme, me pamje ende imponuese prej detari shtatlartë e muskulor tipik të Bregut malor të Jugut, i bëj një foto shtëpisë së Meropit siç e shihnim dikur kur shkonim me not, larg, në tufë. Tani… jo edhe aq larg nuk shkonim dot, se po të shkoje matanë një vije imagjinare që të gjithë e njihnim mirë, jo vetëm që të shtinte ushtari nga pika ushtarake te kodra sipër molit ku përgjohej ditë-natë, por edhe të priste një togë ushtarësh në breg kur dilje. Shtëpia ime e plazhit është e vetmja copëz në gjithë bregun e Spilesë që ka mbetur siç qe. Ndiej një borxh të thellë për fëmijët e Meropit që s’e kanë kthyer në një ndër ndërtesat shëmtaraqe që presin plazhistë sot. Se himariotë që s’e kanë provuar Greqinë s’ka. Fëmijët ngelën andej. Pleqtë u rikthyen të pleqërojnë në tokën e vjetër. Tani u erdhi radha atyre fëmijëve në buzë të pleqërisë, mes 60 e 70 vjeçëve, të kthehen e të merren me turizëm. “Dimrit vemë në Greqi, verës rrimë këndeja.” Nuk di ç’bëhen fëmijët e Meropit. Elvira ishte moshatare me mua. Gojëkyçur zakonisht, por po ta hapte, mos i dilje përpara. Ishte e fuqishme dhe e vrullshme si çun i marrë. Rrinte me ta. Ndihmonte nënën në punë bujqësie dhe vonë nga ora 4 a 5 kthehej e na bashkohej ne, tufës së kalamajve që rrinim nga ora 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës në ujë. Kishte një kostum banje si armaturë e lashtë. Kur zhytej në det e, si peshk, dilte prej ujit atje ku s’e prisje, nxirrte avull. Mbi ujë shpërndahej një erë e fortë njeriu, toke e lulesh të egra të Bregut. Nuk di sa duhet ta kish pasur temperaturën e trupit ajo gocë, por deti e shuante si farkëtari në ujë hekurin e nxehtë. E takova nga viti 2002 a 2003 në Himarë. Ish martuar, kish fëmijë e jetonte në Greqi. Këtu s’na donin se flisnim greqisht, atje s’na duan se flisnim shqip, më tha. Ishte po ajo Elvirë e gjallë dhe si shkëmb i fuqishëm. Ky ish deti ku laheshim. Dikur kristal, deti i Spilesë. Sot është pjesa më e qelbur e Himarës. Mbushur me peshq të vegjël shëmtaraqë që parazitojnë në copa ushqimesh njerëzish. Gurët e lëbyrur shquhen nën një të verdhë e të gjelbër të ujit që disa ende i thonë transparent. Është ende fillim korriku, por Spileja është plot me çadra, edhe pse deti është kaq i ndotur. Plot, plot. Dhjetë kalamaj dhe 2-3 familje që dilnin në plazh kish gjithsej Spileja e viteve 70-80. Një tufë çunash më të rritur Tirane bënin plazhin afër nesh. Njëri ishte lexues i thekur. Atij ia hidhja sytë më shpesh. Një tufë tjetër rrinin në çadra në Maraç, poshtë Spitalit para kthesës për Potam. Shiheshin më rrallë rrugës së vetme të xhiros së Himarës. Tufa jonë e kalamajve na përfshinte ne të treve të familjes sime, disa kalamaj të ardhur tek gjyshët apo tezet e dajot himariotë prej Tirane, dhe disa kalamaj lagjeje në Spile. Takoheshim vetëm atje, çdo vit. Në Tiranë qëllonte vetëm rrallë, në ndonjë aktivitet shkollash. Por koha ndalej krejt në vjeshtë, dimër e pranverë, dhe për ne riniste atje ku e kishim lënë verën e shkuar.
2. Një dhomë, një restorant e një plazh që s’qelbet
Është fillim korriku 2026 dhe erdha në Himarë pa bërë prenotim dhome, se mendova do gjeja kollaj. Jam me tim shoq dhe dy gocat. Një dhomë për katër ose dy dhoma dyshe do gjenden kollaj. Por s’qe aq kollaj. Dhomat në vijë të parë të gjithë bregut ishin të zëna. Njëra, një dhomë për 150.000 Lek, tha se e lironte pas orës 6pm sepse pushuesit ishin miq të pronarit dhe ua kish lejuar ta përdornin dhomën deri para darke që të shfrytëzonin ditën e plazhit. Shkova në recepsionin e një hoteli aty afër: 300.000 lek dhoma. Më rrofshi për verë – në katrahurën urbane të Himarës, 350 dollarë nata, më duken krejt të pajustifikuara. Më thonë të shkoj të pyes Herkulin që mban dhoma shumë të mira dhe jo shtrenjtë. E gjej Herkulin në restorantin që ka buzë detit në Spile: himariot i fisëm, me shqipe të bukur e sy krenarë. Keni makinën tuaj, më pyet. Jo i them. Erdhëm me taksi nga Tirana. Kam unë dhoma, më thotë. Pastaj më fton të ulem që të kontrollojë në Booking e të sigurohet që dhomat nuk ia kanë prenotuar sakaq. E kam një akoma të lirë, më thotë. “80.000 Lekë nata. Më të lirë s’do gjesh gjëkundi në Himarë. E ke poshtë ullinjve e gjelbërim gjithandej. Vetëm e ke ca larg… te rotonda. S’di a doni të ecni aq për të ardhur këtu.” E dija që më thoshte të vërtetën. I mora numrin e telefonit që t’ia konfirmoja më vonë nëse shkoja a jo. Shumica e dhomave kudo që pyeta ishin të zëna. Çmimet varionin mes 120 dhe 150 mijë lekë nata. Vazhdoja të kërkoja në vijën e parë apo të dytë por me akses imediat në rrugën kryesore. Ishim vetëm tre ditë, ndaj doja që gjithçka të ishte sa më e kapshme. Melpomenin, në zonën Stefanel, ma sugjeroi e kunata që dhomat e veta i kish plot. Melpoja, një grua e vjetër me bukuri rrezatuese si plakë himariote, por me sy dinakë e shpues, si dalë nga ndonjë pikturë baroke, e kish bosh një apartament. Në fillim korriku e mbaj 120 më tha. Por ta jap për 100 natën, se dua ta jap e mos e kem bosh. Më pas, nga fundi i korrikut, do e ngre çmimin, si të gjithë.” Të nesërmen në mëngjes, në 8:30 bie zilja. Melpoja më thotë “po zbrisja e thashë të të merrja paratë e apartamentit.” “Me kartë, ta paguaj, po deshe, po, nëse do të holla për të tri netët, nuk i kam për aq as bën.” E mirë, më vonë, më tha Melpoja. Pasi i mora në një bankomat në zbritje të rrugës së ish-Spitalit që sot rri si gërmadhë me vrima që shohin gojëhapura detin, gjeta një burrë që ujiste lulet në oborr. Je i biri i Melpos, e pyeta. Ku mund ta gjej se doja t’i jepja paratë e këtyre netëve që do jemi këtu. Mos të të dëgjojë ajo, më tha burri me zorrë uji në dorë, se na dogji të gjithëve. Jam i shoqi, shtoi pastaj, “hehehe”, bëri, dhe vazhdoi të ujiste me një buzëqeshje të ngazëllyer, por të mirë. Ia jep më vonë, tha, se këtu jemi. I kërkova falje dhe vazhdova për tek ashensori. Një bugenvilje e lulëzuar si çmenduri e bukur i është hedhur në qafë gjithë oborrit në pallatin ku Melpoja ka hyrjen. Apartamentin Melpoja e kish kapluar me rehati e freskllëk. Çarçafët që kanë qenë gjithnjë problem në Himarën e demokracisë se ishin rregullisht prej poliesteri, Melpoja jo vetëm i kish prej pambuku, por edhe të hekurosura paq. Dy ballkonet e apartamentit shohin detin poshtë Maraçit, ku vendosëm të paguanim shezlongët e të dilnim direkt në det. Ullishtja e bukur e Maraçit qe bërë parkim. Dhjetëra makina dukeshin si lodra vendosur me rregull nga ndonjë fëmijë i tipit A. Unë i këndoj gllu-gllu-gllu një gjeldeti që hallakatet nën ullinj, siç më ka mësuar nona. Ai më përgjigjet rregullisht për çdo gllu-gllu dhe ngref puplat e bishtit i bindur që është pallua. I japim jetë Maraçit – ne të dy – që në vapën e mesditës duket i vdekur. Poshtë tij çadrat me plazhistë janë gjysmë të zëna. Deti duket si më i pastër se ai i Spilesë, por lëbyrja e gurit dhe një si e verdhë e gjithgjendshme, edhe këtu shenjon pisllëk. Mezi pres të kthehem në dhomë e të bëj dush. Dikur rrinim edhe dy-tre ditë me ujë deti. Derisa na fusnim me zor të lanim kokat me ujë të ëmbël e sapun rrobash. Vendosim të marrim taksi e të shkojmë në Livadhe. Potami ishte pis po ashtu. Ose, së paku, më dukej pis mua, që krahasimet i bëja me 1980-n. Ora është katër. Marrim taksi për në Livadhe. Sa merr për në Livadhe, pyes taksistin. 1000, më thotë. Po, sapo më thanë se te 500-600-shi merret për në Livadhe, nuk durova unë. Kush të tha, o motra?! – m’u kthye taksisti duke ngritur zërin. Ai që më ka dhënë dhomën, iu përgjigja. Po ai, sa ta dha dhomën – ma ktheu taksisti me ironi labe. 500 ta dha? Duke parë që ngadalësonte kur nxehej, nuk ia ngava më muhabetin. Shkojmë, shkojmë, mendoj, se s’kemi kohë, se pas pak orësh dielli do perëndojë tutje në xhadenë e Jonit. Livadhet janë bërë një katrahurë! Pallate të shëmtuara ngado. Por së paku s’kalojnë 5 katet. Shkojmë në plazhin e xanun të fundit në Livadhe të quajtur Babilonia. Shkuam te i fundit, se menduam do të ishte më i qetë. Babilonia e heshtur. Shezlongjet nuk kishin kokërr njeriu, por të gjithë rreshtuar për bukuri. Kish kaluar ora katër e pasdites. Erdhëm për një orë, i them një goce të re që rrinte ulur pas barit me pamje shefeje – duam të marrim një çadër që të pimë diçka. 20000 lekë, ma ktheu goca. Por ka kaluar ora katër, dhe ne do rrimë vetëm sa të mbarojmë pijet e të bëjmë një banjë në det. Të paktën na bëj gjysmë çmimi – i them unë që s’lodhem së dhëni arsye pse në një plazh bosh një orë çadre duhet të jepet logjikshëm me gjysmë çmimi. Aq e mbajmë, ma kthen goca – s’ka rëndësi kur vjen. Prit mbas orës pesë, po e deshe më pak. Ish ngritur në këmbë e tani më dukej si një degë e thatë peme që e kish djegur e lënë pa jetë rrufeja e dimrit të shkuar. Por paratë që deshi, i mori. Bëmë qejfet tona dhe u kthyem në Himarë për darkën. Kishim prenotuar tek Mekur-Merkuri se donim të hanim në kopsht. Menyja ish e pasur në peshk: kishte edhe dy lloje qoftesh. Qoftet e peshkut ishin përkthyer “May it be fish”; ato të gaforres, “May it be cancer”. Peshku ish i freskët, por pjatat asgjë e jashtëzakonshme. Darka ku vetëm tre persona porositën nga një pjatë paste peshku secili, dy antipasto për tavolinën, e një shishe verë kishin hequr 150 dollarë nga karta ime e kreditit. Mendoj që një ditë e plotë plazhi e relaksuar në Jug të Shqipërisë, për familjen e kujt e merr rrogën brenda kufirit shtetëror dhe s’është as pasanik, as doktor, është një kafshatë që s’kapërdihet se duhet të shkojë dita tek 300-dollarëshi minimum bashkë me dhomën. Imagjino, dy javë! Në fakt, Himara, nga sa sheh e dëgjon në hapësira publike, është një babiloni gjuhësh prej turistëve, shumë syresh të rinj. Ka edhe tri kategori punëtorësh në turizmin e zonës: a) vendësit apo banorë qytetesh të tjera shqiptare – si pronarë, b) të rinj nga gjithë Shqipëria – si kamerierë të parë, dhe c) filipinë e të rinj nga bota e tretë e me ngjyrë – si punëtorë-kamerierë të kategorisë së dytë, pjatalarës dhe pastrues. Na rroftë pa-lufta e klasave në Shqipërinë neoliberale!

3. Nëpër det rreth Himarës me varkën e Piros dhe kujtimet: Filikur, Llaman, Livadhe…
Shëtitja me varkën e kompanisë Kaonia këtë ditë korriku është spektakolare. 15.000 lekë personi për një shëtitje dhe plazh në ujëra sirenash që të japin më të bukurën e Bregut. Vetëm një javë pas Himare bëra të njëjtën tour në Tropea të Kalabrisë italiane. Plazhe interesante pa dyshim, por qejfi me Kaonian ishte i pakrahasueshëm: më pak njerëz mbi barkë e nëpër plazhe, ujëra më të virgjëra e të pastra, pamje më spektakolare, shpjegime më të fisme, det të cilit ia fal trupin pa një pa dy dhe pa pushim. Dhe çmimi i shëtitjes në Tropea ish trefish. Një turiste italiane që qëlloi në Kaonian himariote me të shoqin dhe dy fëmijët u përsëriste të treve më zë të lartë (që të dëgjonte e gjithë barka): Avete visto? Tutto questo perché io ai pregiudizi non mi fermo mai. Quando sentivo dire: “Ma no, l’Albania ha tanti problemi…”, ho preferito guardare oltre. E oggi ci godiamo questa meraviglia.” Sepse kjo mamaja komunikonte me botën në dy dimensione të vetme performative: dhënies së mësimeve burrit dhe fëmijëve, dhe vetëlëvdimit para nesh. Gjithçka, lyer me shtirje shndritëse prej robi mendjehapur. U thosh fëmijëve si në konfidencë, por me zë që dëgjohej nga prova te pupa e varkës: Ragazzi, il nostro capitano albanese non solo ne sa una più del diavolo sul mare, ma parla anche un inglese da togliersi il cappello!
Ndalesa e parë e Piros ishte Filikuri, ndër plazhet më të dashura të adoleshencës sime të munguar. Dy gra ndër një duzinë njerëzish që janë në gji në këtë moment, afrohen sa munden me not që t’i flasin Piros kur ky afroi barkën drejt bregut: a na merrni dot deri në Himarë? Piro u tha jo, se nuk i lejohej. I pyeti si kishin mbërritur në Filikur. Zbritëm në këmbë nga rrëpira thonë gratë, por desh ramë disa herë, dhe nuk i ngjitemi dot më, por s’kemi si të kthehemi ndryshe. Kur ato largohen, Piro më shpjegon që para një jave kish shkarë duke zbritur dhe kish vdekur një turiste. Nga fundi i viteve 70 dhe vitet 80, e zbrisnim familjarisht. Nganjëherë edhe me grupe miqsh të prindërve ose me njerëz me të cilët miqësoheshim në plazh. Shtegu rrëpirë që zbret nga maja në breg ka ngelur krejt i paprekur, si atëherë. Nga deti duket njëlloj i rrezikshëm. Zbrisnim duke u mbajtur nëpër gurë e shkurre dhe duke i dhënë dorën njëri tjetrit. Me pantofla gome të vjetra me gisht, nga ku thuajse e gjithë këmba ishte jashtë mbi baltë e shkëmb në zbritje. Kur kish rënë shi ditën e shkuar, babi nuk lejonte të shkonim, se mund të rrëzoheshim. I pyes tani prindët, se si e merrnim guximin të bënim një gjë aq të rrezikshme. Ishim akoma kalamaj. Ke të drejtë, thotë babi, po ndoshta ishim edhe ne prindët një çikë kalamaj. E mbaj mend babin që ndonjëherë merrte me vete edhe një shalqi të madh që ta fusnim në burimin e shpellës në Filikur dhe ta hanim të ftohtë pas dreke. Ishte ai që mbante shalqirin në atë rrëpirë, që, po të mos vdisje, çonte në parajsë. Dreka ishte e thjeshtë: domate, djathë, speca të fërguar, bukë e shalqi. E mira e Filikurit ishte se nuk duhej të merrnim ujë me vete. Kishte më shumë se donim, dhe buronte prej gjithkahjes. Burimi kryesor gjendej në një shpellë, një nga vendet më argëtuese të Filikurit të ngushtë. Të gjitha torbat zbrisnin me ne, mbi pantofla të vjetra, nëpër gurët që na shkisnin nën këmbë. Mënyra si e ndalonim rënien e lirë tonën ishte duke u ulur në bythë mu aty ku sa kishim shkarë. Po meazallah se i lëshonim ushqimet apo çfarë na takonte të mbanim. Shalqini i takonte gjithnjë babit ta mbante. Kur shkonim me xhaxhi Mehdiun nga Shkodra, hanim edhe peshk që ai e vriste me pushkë deti të bërë vetë. Shpesh vinin edhe çuna Himare që na ngjiteshin nga qejfi që ishim nga Tirana. Taqon, për shembull, që hallakatej nëpër Himarë me vëllain tim të vogël, e kishim bërë mik për kokë. Çunat e Himarës ende gjuanin peshk me dinamit. Ndonjëherë na sillnin edhe ne peshk të freskët, herë të plotë e herë të copëtuar nga shpërthimi. Në fakt, aty mora vesh pse aq shumë prej tyre kishin duar e këmbë të cunguara. Në fakt, aty mora vesh pse aq shumë prej tyre kishin duar e këmbë të cunguara. Në Filikur një herë pati fat edhe xhaxhi Mehdiu, që zuri nja tre peshq të mëdhenj, por edhe një çun Himare që zuri me dinamit një tufë të madhe me sardele. Na ra edhe ne hise e mirë atë darkë. Mami i tiganisi, por me më shumë kripë se duhej. Hëngrëm darkë bukë me peshk (me pak pjata, e më shumë me duar se me pirunj) e pak sallatë me domate, sa u bëmë deng, e mbaruam muhabetet nga ora 1 pas mesnate. Pimë edhe atë ujë të kursyer që kishim ruajtur që në mëngjes nëpër shishet e çmuara të qumshtit. Një sasi më të vogël uji, e futëm në një tas të madh plastik dhe aty shpëlamë duart të gjithë që të mund të flinim pa qelbur çarçafët. Por nga ora 3 e mëngjesit u ngritëm të gjithë lugat nga etja. Kripa dhe peshku i fërguar donin ujë. Dhe ne ujë s’kishim. Të pinim ujë deti?! Ku të mbyteshim. Që thoni ju, iu futëm atij tasit me ujë duarsh me peshk, dhe lamë në fund vetëm disa copa të vogla peshku. Me gjithë ndotin dhe me gjithë etjen e pashuar, fjetëm ashtu, në pritje të mëngjesit dhe ujit të çezmës.
Ishim gjithnjë vetëm në Filikur. Vetëm ne. Mbretëronte aroma e egër e malit. Nga deti frynte ajo era e bukur e verës që gjithmonë të thotë në vesh “vu-vu-vu-vu”, me një ritëm të shpejtë dhe me goditje që të drithërojnë trupin. Lëkura na shtrëngonte trupat fort nga rrëgjimi prej kripe e dielli. Po kush ikte gjallë deri sa niste e ngrysej?! Kishim ardhur herët, kur mbusheshim me mornica, sepse dielli ende nuk kish nxjerrë kryet mbi kreshtën e malit që i rri mbi krye Filikurit. E prisnim mbi plazh të shfaqej e të lëvizte ngadalë drejt ujit duka na ngrohur trupat e na sjellë zemrat në vend. Mu aty, edhe ne kishim marrë sinjalin të sulmonim detin, edhe pse këmbët i kishim ndërkaq të lagura, se pa parë dielli kësaj ane, gurët e plazhit në Filikur ishin gjithnjë të lagura prej detit e burimeve të kudoshme.
Ishte më e thjeshtë dhe e parrezikshme shkuarja në Llaman, edhe pse pak më e gjatë. Se gjithçka, kuptohet, bëhej në këmbë. Llamani ka qenë një plazh i bekuar dikur kur kish veç një kasolle të një njeriu të çuditshëm dhe ca bagëti. Robi trupmadh që ne na dukej si egërsirë zbritur nga legjendat me ciklopë, na e bënte të vështirë bredhjen për fruta nëpër kopshtijet pa gardhe të Llamanit. Në njërin krah, rrasat e bukura të vendosura prerë njëra mbi tjetrën, janë e vetmja gjë që vazhdon ta zbukurojë atë gji edhe sot. Përndryshe, mizëria njerëzore dhe zënia cit me shtretër plazhi e bare ngjitur me njëri-tjetrin, e bëjnë atë copë parajse një segment të zakonshëm të përçudnimeve shqiptare të Jugut. Prej Llamanit, ndërruam drejtim e iu afruam Livadheve. Sa herë kthehem në Himarë, Livadhet janë plazhi që më vret më shumë. Nuk është aq i shkatërruar sa plazhe të tjera, si për shembull Palasa, Dhërmiu apo Jala. Ndërtesa ka shumë më shumë se do ishte një zhvillim i qëndrueshëm dhe në harmoni me natyrën, por të paktën kanë një lloj lartësie dhe çrregullimi jo-sfilitës, si fjala vjen Spileja dhe Potami. Më vret, sepse ai ishte plazhi kryesor ku shkonim kur ishim fëmijë, dhe ia njoh më mirë bukurinë me të cilën e krijoi perëndia. Sot ia kanë përdhosur. Niseshim që herët, nga Spileja, kuptohet; me drekë, çarçafë e shporta me vete. I ngjiteshim kodrës në jug të Spilesë deri lart te Fusha, dhe aty gjenim me marifet shtegun që ngjitej e zbriste për në Livadhe. Rruga ishte një bukuri e rrallë për pamjet që të hapeshin para syve nga pika të ndryshme, si edhe aromat e çajit, sherbelës, trumzës, dafinës e rigonit të egër dhe dhjetëra barnave e luleve që rriteshin për qejf të vet në atë tokë të bekuar. Lëshonim një ahhhh mrekullimi e qejfi kur arrinim poshtë e kalonim mes shkëmbinjve të parë që ne i quanim porta e Livadheve; tamam aty ku sot ishte Babilonia. Imagjinoni në gjithë ato Livadhe, ishim zakonisht një familje e vetme në plazh. Ndonjëherë dy a tre, dhe shumë larg, pa i bërë vapë njëra-tjetrës. Himariotët ndërtonin, mbi drushta drunjsh të trashë, tenda prej fierësh me shumë shtresa, normalisht disa metra të gjera e të gjata, me një hije aq ledhatuese sa ajo që duhet të kishin provuar perënditë greke. Aty endeshim si robinsonë për orë të tëra, pastaj dilnim “të mblidhnim” fruta nëpër kopshtet që nisnin pas plazhit me gurë që ish aq i gjerë sa s’mbaronte. Ishte plot me fruta, edhe pse të hedhura çrregullt, si i bën natyra punët e veta. Po t’u shpëtonim bekçinjve që ruanin pronat e kooperativës, ktheheshim me shporta me kumbulla, pjeshka, zerdeli, rrush, arra, sipas kohës. Jo edhe aq shumë në sasi, por ama mjaft për t’iu gëzuar. Pastaj, shalqirin që e blinim tek i vetmi dyqan fruta-perimesh, (si edhe qumështi, kripe, gjalpi, zahiresh, mielli apo gjithçkaje tjetër që atëherë lejohej të shitej) i Himarës. I varfër si Penia, ku shpesh edhe mblidheshin burrat e zonës për muhabet. Po se si na dilte ai i shkretë ushqim, nuk e kuptoj, kur mendoj çfarë konsiderohet e domosdoshme sot. Livadhet kishin gjithnjë dallgë, dhe pasditeve niste era. Prapë ajo poezi që thoshte vu-vu-vu të rrihte me ndërprerje të bukura lëkurën, dhe veshët s’kishin të ngopur nga ajo melodi. Ne, tre kalamajtë, rrallë qëllonte të shtriheshim në hijen e tendës, por edhe ndodhte pasi hanim. Që aty, shtypur nga marramendja e gjumit dhe trullosur pak nga zhurma monotone e dallgëve, hidhnim sytë nga Himara lart me gurët e shtëpive të braktisura që i rrinte si kurorë herë gri e herë e bardhë Livadheve blu e të gjelbra poshtë. Ua kërkoj profilin e hershëm sot maleve që përqafojnë këtë plazh, e më kap malli, si për ata që ikin e nuk kthehen më.
4. Darkë në Potam nga 1980-a
Potamin as e konsideronim si plazh që ia vlente të shkoje për të kaluar ditën, ato vite. Por lumin, Potamin pra, ia donim aq shumë. Para darkave, kish një xhiro të vogël të atyre pak plazhistëve në Himarën poshtë, nga Spitali lart deri në Spile poshtë, një malore e bukur ende gjallë edhe sot. Në të dy krahët, shtëpitë fisnike të himariotëve zbrisnin drejt xhadesë apo drejt detit, sipas krahut ku ishin ndërtuar, me një varg tarracash mbushur me lule e pemë si dinë t’i rregullojnë vetëm himariotët deri tek portat e drurit ku dilnin plakat e bukura kryezeza të Himarës. Mes shtëpive e lagjeve, rridhnin rrugicat e gjata prej guri të lyera anash me gëlqere, që lidhnin e ndanin mure e banesa të hijshme. Kur shkoje drejt Potamit, dilje në një zonë thuajse të egër e me më pak shtëpi, dhe që nuk dukej e fisme si Himara Poshtë mbi e nën Spital. Nganjëherë e bënim më të gjatë xhiron dhe shkonim të pestë, mami, babi e ne të tre, deri tek Klubi në fund të Potamit. Një klub i errët e i dhimbshëm si burrat jo të shumtë që e popullonin. Na prishej mendja e hanim darkë atje. Lehtshëm si të gjitha darkat e atyre viteve. Rrugës për te Klubi, bënim një ndalesë tek Fabrika e Marmelatës ku punonte mbrëmjeve të verës shoku ynë himariot, Taqoja, edhe pse ende shumë i ri. Ndoshta ishte roje, a ndoshta punëtor prodhues, nuk e di. Taqoja na thoshte ta prisnim pak në ndonjë qoshe dhe në letër ambalazhi na sillte marmelatën që i gjendej në prodhim. E dinte që na pëlqente ajo e fikut, por kur s’kish, na e zbukuronte darkën vetëm me marmelatë molle. Përshëndesnim Taqon, dhe me radion Iliria në sup, një termos kinez të madh me ujë të ftohtë, çapiteshim gjithë qejf shtegut me kallamishte e barishte Mesdheu që çonte te Klubi. Aty informoheshim se çfarë kishte. Qëllonte që kish meze me ullinj, qepë e domate. S’para kish ushqim të freskët. Por ama kish konserva peshku, që tek banaku, shitësi në klub na i hapte. Bukën e kishim marrë me vete nga shtëpia. Edhe nja dy pjata. Blinim ca birra dhe zbrisnim me gjithë pasurinë që kishim bërë bashkë, një copë këtu, një atje, për tek Potami që gurgullonte akull i ftohtë poshtë Klubit. Aty, në breg, shtroheshim për shtatë palë qejfe larg veshëve të botës, fusnim birrat në ujët brisk të Potamit dhe rregullonim gjithçka për darkë: bukë e zezë, meze me ullinj, qepë e domate, konserva peshku të tmerrshme si sardelet socialiste në ato mbajtëset metalike erën e të cilave nuk e harroj as sot, dhe ndonjë çapë bukë e lënë mënjanë për t’u ngrënë me marmelatë, në fund, në vend të ëmbëlsirës. Këngët greke të rádios i dëgjonim me një muzikë me volum diskret. Birrat ishin ftohur, dhe, edhe pse ato të dikurshmet e Korçës kanë qenë për ibret, na shijonin si të ishin ambrosia me pak alkool. Kur zbrisnim për në Spile, po ta gjenim plazhin pa njeri, shtriheshim direkt mbi gurë të dëgjonim Voice of America që herë vinte e herë ngatërrohej mes një lumi zhurmash e fjalësh. Ktheheshim për të fjetur me bindjen që atë ditë kishim bërë një qejf për të mos u harruar kurrë. E flinim të lumtur që të nesërmen të nisnim prapë ditën në plazh. Vapë e madhe, por ndonjë duf ere deti vinte herë pas here që ta treste magjishëm vuajtjen e vapës. Dhe dallgët që rrihnin qetësisht bregun sillnin një gjumë përrallash. Dritaret, po rrinin hapur, kanat më kanat, gjithë natën.
5. Pushimet socialiste dhe braktisja e Durrësit për Himarën
Duke e pasur mamin mësuese, pra me më shumë pushime verore se gruaja tipike, dhe babin që kryente shërbime filmimesh nëpër Shqipëri që e lejonin të punonte por edhe të kthehej dhe rrinte në plazh, ishim mësuar me një muaj vitit në plazh dhe së paku dy javë vitit në malet e Kolonjës së sime mëje. Me gjithë dashurinë e pamatë për malet rreth Ersekës dhe njerëzit tanë atje, dashuri që e kuptoj më mirë tani sesa kur qeshë fëmijë, plazhi ngelej qejfi më i madh veror për ne, si për shumicën e shqiptarëve. E adhuronim, e ëndërronim, e ripërtypnim dhe rishijonim dimrave të lagësht të Tiranës. I faleshim dhe përgjëroheshim detit dhe plazhit në ato kohë. Babi ndërtonte një qeskë kursimesh vjetore, dhe, çdo muaj, sado pak, duhej hequr një porcion nga totali i rrogave për të shkuar në qeskën e plazhit. Ajo arkë simbolike kursimesh ishte e shenjtë në familjen time, ashtu siç ishin edhe pushimet. Nuk kishim para dhe kursehej në gjithçka, bënim qejfe të vogla, që ndoshta njerëzve përreth u dukeshin si shumë, por që, parë nga sot, ishin pjesë e një varfërie të tejskajshme. Por nga plazhi nuk hiqnim dorë për qamet. Ndonjëherë edhe me borxhe. Ishte në mentalitetin e tim eti që kalamajtë duhet të argëtoheshin sa më shumë (kjo s’përjashtonte ndëshkimet e rrepta sipas rastit dhe arsyes), të udhëtonin, të provonin qejfe të veçanta, se ashtu do ishin më mirë në shkollë dhe në punë. Im atë nuk kish teorira komplekse, por bindje praktike shumë rrënjësore, dhe ne të tre, bashkë me mamin, e ndiqnim verbazi. Dhe, në fakt, nuk kishim fort zgjedhje. Babi mendonte që qejfi në jetë është themelor dhe jeta pa qejfe të herëpas’hershme s’kish kuptim. Ky parim iu forcua pas vizitës disamujore në Itali në 1973-shin, prej ku erdhi i pezmatuar që qejfet tona ishin aq të kufizuara e të vyshkura krahasuar me ato të botës. Pasi e hoqën nga Televizioni Shqiptar në 1973, bindja se liria dhe qejfi janë të çmuar dhe ia vlen të jetosh edhe duke i ëndërruar, iu forcua edhe më shumë. Edhe në vitet më të vështira gjente mundësitë të na çonte në plazh. Kursimet tona strikte zgjasnin gjithnjë 11 muaj: kursehej vetëm për të bërë qejfin e pushimeve. Pastaj zeronim rezultatin dhe nisnim nga e para. Kurrë “s’patëm një lek mënjanë”, veç atyre të qeskës së plazhit. Kuptohet që ne i adhuronim pushimet tona që s’ishin aq të zakonshme në Tiranë. Nga çfarë shihnim në shkollë, lagje e farefis, plot familje, sidomos punëtorët, shkonin rrallë ose hiç me pushime verore. Ata që shkonin, rrinin normalisht një dyjavor. Të rinjtë e Tiranës shkonin me tren fundjavave tona që i prisnim të lumturuar.
Nga fillimi i viteve ’70 tim eti i futet zekthi që duhej ikur me vrap prej plazhit të Durrësit, prej miletit të shumtë dhe papastërtisë në rritje të ujit dhe plazhit. (S’e imagjinonte dot atëherë im atë çfarë do sillte demokracia aq e ëndërruar, në gjithë bregun – sot mjeran e pa pemë – të gjirit të Durrësit!) Atëherë, gjithnjë me babin si krye-eksplorues, nisëm të aventurohemi nëpër plazhe të tjera. Provuam Shëngjinin, Patokun dhe Velipojën nja dy herë. Patokun unë s’e duroja dot. Për mua bukuria e peizazhit dhe bluja e ujit kishin rolin nr. 1 në plazh, dhe Patoku ishte një shkretëtirë me det bezhë nga një krah e kënetë nga tjetri, me atë rrugë të gjatë e të vetmuar mes të dyve si një shteg monoton e pa destinacion. Durrësit s’ia dalloja bukurinë natyrore, pra, as edhe ia kuptoja mungesën, sepse kisha nisur të shkoja që bebe, dhe përsëritja në jetën e hershme t’i mpin shqisat e vështrimit për së jashtmi. Durrësit i adhuroja erën e barishteve të rërës, përzier me erë deti e kripe (me ndërprerje, edhe me erë banjash publike me klor), si edhe pasdreket te plepat matanë rrugës. Bluja e detit që shfaqej nga larg pa arritur në plazh, më jepte gjithnjë po atë emocion: si kur vije me makinë me familjen me dengje e furnelë ngarkuar pas një kamioni dhe kalamajtë sheshuar paq mbi dengje, si kur vinim në tufa të gëzuara shkollore me tren. Ndër ato plazhe që provuam në vitet e braktisjes së Durrësit, Velipoja më tërhiqte shumë prej pyllit. Kur vinin kushërinj me bujt, endeshim me orë të tëra nëpër pyllin pa fund e pa udhë, duke zbuluar karkasa e kafka gjigante kuajsh mbetur natyrshëm kushedi që kur nëpër pyll, përzier me rrënjë e halat e mrekullueshme të pishave erëmira. E adhuroja atë pyll ku humbisnim pa tmerr e pa bujë dhe rigjendeshim duke u orientuar veç nga deti a zhurma e dallgëve. Një ditë, personi që i kish premtuar tim eti apartamentin e vogël në të vetmin pallat të Divjakës ku kishim qenë edhe më parë, i thotë që një epror i tij e kish kërkuar apartamentin në çastin e fundit, dhe ne pra kishim mbetur në tako. Trishtimi në shtëpi kur babi solli lajmin ishte krejt i pakontrolluar – ne kalamajtë ishim të bindur që bota qe thyer copash përgjithnjë dhe s’kish shanse të bëhej e jetueshme paskëtaj. Me një llaf dëgjuar në erë, babi që e merrte si dështim themeltar të vetin çdo pakënaqësi që mund të kishin kalamojt e shpisë, tha: po sikur të provojmë një plazh të Jugut; një çikë larg, po çfarë na nxiton?! Për qejf po shkojm! Kina kohë i muj; s’na pëlqeu, kthehemi! Ne, po gati!
Kështu nisën endjet tona verore në Himarë, një plazh që na krijoi një hapësirë jete paralele, pakrahasueshëm me ndonjë tjetër më parë. Adhurimi familjar për detin dhe zonën u ka hyrë në gjak edhe fëmijëve tanë: im shoq thotë se, si unë, si gocat, nuk vijmë dot në Shqipëri pa shkuar për t’u falur, sikur edhe një ditë, në Himarë. “Himara is your Mecca!”, thotë Jerry. Kollaj të shkosh sot atje. Por bukuria e plazhit dikur përfshinte edhe udhëtimin që për ne ish një peripeci që sot nuk konceptohet dot si reale. Zuk-u polak apo kamionët që porositeshin ose nga Komunalja ose nga Parku i Taksive, të çonin vërtet shëndoshë e mirë deri në Durrës me rimorkion – të mbuluar me mushama ose të pambuluar – dhe familjet që duhej secila të zinte një çerek të kubaturës së kamionit, ku duhet të hynin edhe familjarët. Por deri në Himarë kjo ishte e pamundur. Ndonjëherë, babi siguronte mjete prej shoferësh që njihte dhe që kishin udhë nga do shkonim e na çonin për të na lënë në pika pritjeje të një automjeti tjetër të rastit. Mbaj mend aventura të spërdredhura, rruge me copa deri në Fier e Vlorë, rrallë edhe me autostop që nga Tirana. Një herë të vetme patëm marrë me vete edhe frigoriferin, një Ariston i vogël(?!) Në një prej atyre udhëtimeve, shkuam me tren deri në Fier; aty morëm me autostop një makinë të rastit deri në Vlorë. Në Vlorë, babi, për të na bërë qejfin, mori një dhomë në Hotel Turizëm e kështu kaluam natën në Vlorë, e hëngrëm darkë në Kus Baba. Ishim të lumtur. I adhuroja hotel-turizmet e varfra shqiptare. Ishin pika të larta në mizerjen tonë atyre viteve. Unë e adhuroja Vlorën e kisha qenë shpesh që e vogël nëpër shërbimet e babit atje. Perëndimi i Vlorës dhe linja delikate e Sazanit dhe Karaburunit është ende për mua moment i thellë përhumbjeje në bukuri jotokësore. Në mëngjes gjetëm një taksi në miniaturë për Himarë, ku u futëm të gjithë si sardele, ndërsa valixhet hipën mbi taksi. E imagjinoj skenën e taksisë sonë raka-zhdraka që u prish disa herë rrugës, duke zbritur Llogaranë drejt Palasës e Dhërmiut! Nga frika se do binim dhe sikleti i deformimit fizik për të hyrë të gjithë në atë hapësirë të vogël, shpesh na kapte një e qeshur absurde që s’e ndërprisnim dot deri sa preknim tokë. Ime më sëmurej gjatë udhëtimeve të tilla. Nuk e duronte dot as pasigurinë, as ngeljen vetëm rrugëve, gjëra që mua, e mësuar në fëmijëri, ende sot më japin një kënaqësi të pamatë. Mamit i hipte ankthi, kur, teksa prisnim ndër rrugë Shqipërie, babi që zinte kryqëzime strategjike të kapte ndonjë makinë të rastit, shfaqej nga larg duke ardhur me vrap e i thosh, “Shpejt, shpejt! Luni komët se gjeta makinë, por ka vetëm dy vene; nisu ti me dy të vegjlit, dhe unë me nonën dhe Lilën vijm mrapa e ju kapim atje!” E gjitha, thënë me nxitim, sepse shoferi që kish ndalur për ndonjë pasagjer, nuk priste. Mami bëhej keq. “Po sikur mos gjeni makinë? Po sikur të mos na gjeni dot ne? Çfarë të bëj unë vetëm, grua në mes katër rrugëve! Po sikur Benin e Çilin të m’i zërë makina?! Ku ta di unë ku do më lërë shoferi?! A e pagove, të paktën? Unë s’di as ku jam, as ku do shkoj! Pupupupu! Për vit ky muhabet me ty!” Pastaj mërmëriste me vete: “Aman, aman! S’i duroj dot këto pushime kështu, me hip e zbrit rrugëve, si arixhinj! Nga hundët po na dalin këto pushime kështu! Hera e fundit që vij, ta dish! O gjej makinë tamam, o nuk nisemi fare!” Por, pastaj, mbërritja në Himarë na shkrinte gjakun të gjithëve, përfshirë mamit, dhe hynim në një fazë paqeje e blerimi shpirtëror – dashuri e pacak për veten, tjetrin dhe botën – që zgjaste sa gjiiiiiithë ai muaj i bekuar! Kuptohet, ne kalamajtë, edhe sikur të mbërrinim vonë, donim menjëherë rrobat e banjës që të hynim në det.
6. Himara ime sot
Deri nga 2010, akoma Bregu ruante një formë tradicionale. Ndërtimet kishin nisur, dhe, që atëherë, dukeshin qartë shëmtimet që avanconin dhe normalizoheshin, por kish më pak para që qarkullonte prepotente, më pak superstrukturë legale akomoduese, mafiet ndërtuese ishin më pak të organizuara dhe të institucionalizuara, dhe ndryshimi ish më i ngadalshëm e më njerëzor. Dalloheshin ende rrugët, ullinjtë apo arrat kryesore të fëmijërisë, ishte po ajo shtëpi ku duhej marrë kthesa, po ajo portë që rrinte hapur nga ku gjithnjë kishte një qen të bardhë (apo pasardhësin e tij) që të turrej po të kaloje afër, dhe ajo tjetra, ku kishte qen që lehte por ama nga veranda brenda, dhe s’dilte dot. Katrahura e përshpejtuar erdhi më pas, dhe liritë që u morën më pas, si ato të Jalës, Palasës dhe Dhërmiut, duhen parë si vepër kriminale sepse transformuan Bregun pakthyeshëm në diçka të shëmtuar. Himara, është katranosur edhe ajo, por jo aq sa këto fshatra që përmenda. Mbaj mend ngjyrat e vargjeve malore që më shfaqeshin mu nga bregu ku kisha pritur të binte dielli dhe soditja tashmë shtrirë për shtatë palë qejfe e me sytë lart e shpinë nga deti. Male e male madhështore pas njëri-tjetrit në muzg, si lyer secili nga ndonjë filtër epik filmi, secili me nuancë të ndryshme prej malit para e pas vetes. Një pikturë me një poezi që të mbushte kokën dhe zemrën! Dehje e ëmbël! Malet sot duken veç nëse ke hyrë thellë në det me barkë. Ende dallohen prej andej në ngjyra e nuanca të ndryshme sikur filtrojnë dritën e diellit në po atë laborator të vjetër poetik të ndonjë mendjeje gjeniale si ajo e grave dhe burrave të Bregut. Plazhet do zhvilloheshin, pa dyshim, e do prisnim qindra mijëra pushues. Argëtimi në bukuritë e vendit tënd (apo edhe jo tëndit) është e drejtë e kujtdo. Përdorimi i bukurisë natyrore është shenjë e zhvillimit, por ai duhet planifikuar e kontrolluar që të mos dëmtojë as natyrën as bukurinë e vendit, të mbetet jetëgjatë. Kjo është shenjë e një kulture dhe rendi të mençur qeverisës. Virgjëria e natyrës, e shenjtë dhe që nuk i takon vetëm një brezi, po shkatërrohet gjithkund e jo veç tek ne. Por nuk di tjetër vend që t’i ketë çrregulluar më pa kriter e më me makutëri se ne brigjet e veta, më pa kujdes e pa largpamësi, më pa kokëçarje për çfarë vjen nesër. Nuk e kam fjalën vetëm për Greqinë që ka një përkujdesje masive tradicionalisht inteligjente për bukuritë e brigjeve të veta, por edhe vende po aq të paligjshme dhe informale sa ne.

Krahasoj shpesh situatën e Himarës dhe përgjithësisht Bregut tonë me brigjet italiane që e kanë kaluar kalvarin tonë zhvillimtar shumë më herët: me Kalabrinë p.sh., që është e bukur dhe e egër, sa edhe e varfër dhe e nxituar në politika urbane, apo kriminale në shpërndarjen e mundësive dhe përfitimit. Shumë nga ndërtimet që shtrihen përgjatë gjithë brigjeve të të ashtuquajturave marina të katundeve e qyteteve kodrinore, që gjatë boom-it zhvillimor të investimeve për hotele masive, fshatra turistikë dhe qendra verore të viteve ’70, quajtur edhe boom-i i çimentos, që konsideroheshin atëherë moderne dhe tërheqëse për turizmin, janë sot një shëmti ulëritëse, shembuj për t’u studiuar në shkolla arkitekture që u mësojnë fillestarëve antishijen, karakatina që lyhen me bojë në sipërfaqe për të funksionuar pakëz në muajt e verës, dhe që më së shumti i kujtojnë kalimtarit se bukuria e natyrës nuk garanton asgjë për njeriun dhe shoqëritë e kriminalizuara. Përbindësha antijetësorë si resortet tona të Jugut – tipik është ai i Green Coast në Palasë (https://greencoast.al/Virtual-Tour2/GreenCoast2025.html) – tregojnë se ne nuk mësuam dot as prej arritjeve e as prej vetëshkatërrimit të fqinjëve tanë. Dihet se përgjigjja e zhvillimit të qëndrueshëm të një vendi nuk vjen kurrë nga turizmi, po kjo aq më shumë duhej të ish një shkak për ta ruajtur katundin nga shëmtia, siç ka bërë më së shumti Greqia, pa shkelmuar traditën e pa shkatërruar hapësirën natyrore.
Himara, për mua si individ, ende sot pas 50 vjetësh i ofron të dyja: si traumën e keqplanifikimit urban, si shërimin prej detit, gurit, aromave hyjnore. Të parën e gjej me shumicë e pa përpjekje në peizazhin e ndërtuar të cilit nuk i fshihem dot; për të dytën, vë në lëvizje kërkimin, kujtesën, shpirtin, shpresën. Dhe i mbaj sytë nga deti e jo nga mali. Aty, në horizont, treten në blu 50 vjet Himare.
(fund)
(c) 2026 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.