Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjekësi / Psikiatri

FUNDI I DËSHIRËS, STATISTIKA E PULSIONIT

Dëshira, pulsioni dhe ekonomia libidinale

Çfarë quajmë dëshirë nuk është mbyllja me ngut e një mungese. Dëshira është një orientim që nuk e lë njeriun në vend, një orientim që lyp kohë. Për shembull, të mësosh një gjuhë, të ushtrosh me muaj e vite një instrument muzikor, t’i rrish besnik një miqësie në kohë të mira e të këqija, të duash. Me asnjërën përfundimi nuk vjen menjëherë, ndonjëherë nuk vjen fare. Megjithatë njeriu qëndron, përpiqet, ndryshon veten. Sepse dëshira e ka një të ardhme, hapet drejt diçkaje që ende nuk është.

Pulsioni vepron ndryshe, objekti i tij ndryshon, por lëvizja jo fort: tension, një veprim i vogël, një shkarkim i shkurtër, pastaj sërish tension. Po ta themi nga shtegu që hapi Bernard Stiegler-i, ajo që quajmë pulsion është një qark i shkurtër që bëhet mbi dëshirën. Anashkalohet koha e dëshirës, pritja dhe lidhja që ajo ndërton me objektin, mbetet rruga e shkurtër mes shkarkimit dhe përsëritjes. Ka diçka prej kësaj kur vazhdojmë të shohim ekranin edhe pasi kemi harruar përse e morëm telefonin në dorë. Rrëshqit, kliko, reago, bli, rrëshqit sërish. Shumë lëvizje, udhëtim s’ka.

Ekonomia libidinale ka të bëjë pikërisht me mënyrën si organizohet kjo energji. Jo vetëm ekonomia e mallrave, por edhe ajo e vëmendjes dhe e pritjes. Bernard Stiegler-i e ka treguar prej vitesh se industria nuk mjaftohet me oferta objektesh dëshire, ajo ndërton edhe mënyrën tonë të të dëshiruarit. Sot këtë e quajmë ekonomia e vëmendjes. As ato pak sekonda që hapen në vështrimin e njeriut që bën scrolling nuk lihen bosh, gjuhen, maten, shiten. Njeriu i ngopur nuk është klient i mirë për këtë rend. Klienti i mirë është pak i trazuar, pak i mangët, i gatshëm për ngacmimin pasues.

Parë në këtë mënyrë, konsumi nuk është më çështje e zotërimit të diçkaje. Hyjmë në rendin e ringacmimit; produkti mbaron, pamja kalon, lajmi vjetrohet. Qarku mbetet. Nuk humbasim vetëm kohëzgjatjen e vëmendjes, gërryhet aftësia për t’u thelluar në një punë, për t’u lidhur me një njeri, për të qëndruar mjaftueshëm gjatë pranë një ideje. Kalimi nga dëshira te pulsioni është pjesërisht edhe kjo.

Me cilën pjesë të trurit merret vendimi?

Me këtë ekonomi të re qarkullon edhe një përfytyrim i përshtatshëm për njeriun. Kujtojmë se vendosim përmes mendimit, por në të vërtetë vendimin e marrkan pjesët më të vjetra, më të errëta, më « primitive » të trurit. Në prezantime kjo shpjegohet në pak sekonda. Mirëpo kjo skemë, që e vendos vendimmarrjen në një cep të vetëm të trurit, nuk e shpjegon neuroshkencën, por e kthen atë në karikaturë.

Ta parcelizosh pjesën e pëparme të trurit si arsye dhe si instinkt atë prapa ose atë në thellësi do të thotë të shesësh me ngjyra të reja një dualizëm të vjetër. Neuroshkenca bashkëkohore na thotë se vendimi nuk del nga një qendër e vetme. Rrjetet shqisore, kujtesa, sinjalet që vijnë nga brendësia e trupit, pritja e shpërblimit, përvoja e kaluar dhe konteksti punojnë së bashku. Edhe emocioni nuk është një aksident që ndodh arsyes. Pa të nuk mund ta dimë se çfarë ka rëndësi, çfarë është kërcënim, humbje apo vlerë. As ajo që quajmë arsye nuk është një administrator steril i ulur përballë në një dhomë qelqi.

Procese të pavetëdijshme marrin pjesë në vendimet tona, por kjo nuk do të thotë se subjekti i vetëdijshëm është fantazmë. Lëvizja e gishtit matur në eksperimentet e Libet-it nuk është i njëjti vendim me vazhdimin e një martese, ndryshimin e profesionit apo kundërshtimin e një padrejtësie. Asnjë parashikim i bërë sekonda më herët nga modelet e fMRI-së, me saktësi sidoqoftë të kufizuar, nuk mund të shpallë vdekjen e vullnetit të lirë. Eksperimenti thotë atë që ka matur, asgjë më shumë. Fakti që përgatitja nervore nis para raportimit nuk tregon se truri vendos pavarësisht njeriut. Tregon se njeriu, kur vendos, ekziston së bashku me trurin e vet. E si tjetër mund të ishte?

 

Nga neuroimazheria te mendja: si ndërtohet hype-i?

Neuromarketingu e bën bindëse me pajisje këtë tablo të trashë. Sapo në ekran shfaqet një imazh i ngjyrosur i trurit, kundërshtimi bëhet më i vështirë. Nëse sinjali BOLD është rritur në një zonë, mbi të mund të shkruhet menjëherë « besim », « besnikëri », « dëshirë për të blerë ». Por e njëjta zonë e trurit mund të aktivizohet gjatë një morie procesesh të ndryshme. Të kalosh nga një aktivizim te një gjendje e caktuar mendore është ajo që quajmë inferencë e kundërt, një punë mjaft delikate; varet nga dizajni i eksperimentit, kushti i krahasimit, probabilitetet dhe përsëritja e pavarur. Prezantimi tregtar nuk e do këtë maturi. Pikëpyetja e prish shitjen.

As EEG-ja nuk është shumë ndryshe. Sinjali i marrë nga skalpi ndikohet nga shumë faktorë, që prej lëvizjes së syrit dhe muskujve të fytyrës deri te vendosja e elektrodës dhe zgjedhja e filtrit. Një model që mund të ketë kuptim në nivel grupi në kushte të caktuara, nuk mund të paraqitet si radiografi psikologjike që tregon përse një individ do të zgjedhë një produkt. Por ja që paraqitet. Mostrat e vogla, dallimet metodologjike dhe eksperimentet që nuk kalojnë dot në jetën reale përbëjnë shënime në fund të faqes; në krye të faqes del titulli « truri e mori vendimin ».

Këto matje ndonjëherë funksionojnë. Mund t’u shtojnë të dhënave të sjelljes një fuqi sado të vogël parashikuese. Mund të tregojnë në cilin çast të një reklame shpërndahet vëmendja. Këtu nuk ka problem. Problemi është të hamendësosh se një parashikim që funksionon përbën një teori të vërtetë njerëzore. Dhimbja e gjurit mund të lajmërojë shiun, por prej saj nuk lind meteorologjia. Algoritmi mund ta gjejë klikimin tim të ardhshëm, por prej saj nuk del se e ka zgjidhur sekretin e dëshirës. Ka saktësi, po. Por çfarë provon kjo saktësi? Kjo është pyetja.

 

Gjuetia e Vëmendjes dhe Fabrikimi i Konsumatorit

Jo të gjitha të dhënat që mbledhin firmat e reja të konsulencës janë të sajuara. Klikimi është real, koha e qëndrimit është reale, edhe historia e blerjeve. Të dhënat e ruajnë mirë gjurmën e veprimit. Por nuk na thonë vetiu përse e kryem dhe çfarë vendi ka ai veprim në jetën tonë. Të njëjtën palë këpucë dikush mund ta blejë nga nevoja, një tjetër për t’u dukur, dikush si dhuratë për fëmijën, një tjetër nga frika se po mbaron ulja. Në ekran të gjitha janë i njëjti rresht blerjeje. Interpretimi vendoset pa zhurmë brenda matjes, pastaj paraqitet si gjetje.

Fakti që rezultatet dalin të sakta nuk provon se çështja e trurit është zgjidhur apo se njeriu mund të reduktohet vetëm aty. Njeriu që matet nuk është njeriu universal i rritur në zbrazëti. Është konsumatori i formuar mes rrjedhës së pafundme të njoftimeve, dëshirës për pëlqim, zgjedhjeve të gatshme, ikonave të njëjta dhe intervaleve të njëjta të shpërblimit. Kur miliona njerëz thirren në të njëjtën ndërfaqe për të bërë të njëjtat lëvizje, sjelljet ngjajnë. Modeli e kap këtë ngjashmëri jo sepse e ka zgjidhur njeriun, por sepse mjedisi i njeriut është standardizuar më parë.

Suksesi i neuromarketingut nuk është zbulimi i natyrës njerëzore, por qëndrueshmëria e reagimeve të komodifikuara të njeriut brenda një teknosfere të caktuar. Nuk matet njeriu universal, matet shkumëzimi kulturor i formuar brenda të njëjtave shenja, ndërfaqe dhe qarqe shpërblimi. Sistemi fillimisht ngushton rrugët e vëmendjes, pastaj e parashikon me sukses befasues turmën që ecën në ato rrugë. Këtu profecia e ka ndërtuar disi vetë botën e saj.

Konsumatori nuk shfaqet, fabrikohet. Sa më shumë një njeri drejtohet drejt sjelljes pulsionale, aq më lehtë matet; dhe sa më lehtë matet, aq më të ngushta bëhen zgjedhjet që i vendosen përpara. Saktësia në rritje e parashikimit duhet lexuar me kujdes para se të shpallet si fitore e njohjes së njeriut. Ajo që shohim është statistika e një sipërfaqësie të përbashkët që bëhet gjithnjë e më e rregullt.

Ekonomia pulsionale e shëndetit

Këtë shndërrim në mjekësi e kam trajtuar nga një aspekt tjetër në një sprovë mbi premtimin e jetëgjatësisë, e cila  jetën e kthen në projekt optimizimi dhe trupin në objekt performance që kërkon mirëmbajtje të pandërprerë. Pa dashur të përsërit të njëjtin diskutim, duhet thënë se në heshtje edhe të qëndruarit i shëndetshëm po shndërrohet në një qark pulsional. Rezultati i gjumit, kurba e glukozës, mosha biologjike, ndryshueshmëria e ritmit kardiak, paketat e zgjeruara të check-up-it, etj. Matja jep një siguri të shkurtër; pastaj lind një devijim i ri, një ankth i ri dhe nevoja për një matje tjetër. Dëshira për shëndet shkëputet nga horizonti i vet kuptimor dhe lidhet në qark të shkurtër ndërmjet testit dhe qetësimit.

Mjekësia nuk ushtrohet pa matje. Tensioni arterial, funksionimi i veshkës, madhësia e tumorit duhen matur. Por vlera e një ekzaminimi nuk vjen vetëm nga saktësia teknike. Vjen nga arsyeja përse kërkohet, nga pyetja klinike së cilës do t’i përgjigjet rezultati dhe nga çfarë do të bëhet me përgjigjet. Sot humbet shpesh pikërisht ky zinxhir arsyetimi. Biomarkeri matet sepse mund të matet. Imazheria kryhet sepse dija e hershme konsiderohet vetiu si më mirë. Kur numri ndahet nga qëllimi, matjet shtohen, por drejtimi mjekësor humbet. Humbja e orientimit në shëndetësi nuk vjen nga mungesa e të dhënave, por nga paaftësia jonë për të pyetur se për cilën jetë i duam të dhënat.

 

Emokracia

I njëjti rend shfaqet në politikë si emokraci. Këtu « emo » nuk shenjon një jetë të pasur emocionale, shenjon reagimin e shpejtë, të matshëm e të qarkullueshëm. Po aq sa vetë zemërimi, frika apo poshtërimi, rëndësi ka shpejtësia e përhapjes. Fjala politike ndërtohet gjithnjë e më pak për të hapur një çështje e për t’i ftuar njerëzit të mendojnë, dhe gjithnjë e më shumë për të prekur mbaresën nervore të agjendës e për të nxjerrë një valë të re. Brenda pak orësh rritet, shkumëzon, ia lë vendin tjetrës. Nuk mbetet kohë të formohet që ajo çfarë quajmë opinion publik.

Konsumatori i ekonomisë pulsionale dhe qytetari i emokracisë ngjajnë, të dy janë vazhdimisht në reagim, por larg ndërtimit të botës së përbashkët. Pjesëmarrja duket e madhe, komenti, pëlqimi, zemërimi, shpërndarja nuk mungojnë. Por ana e vështirë e politikës – pritja, ndërtimi i arsyes, dëgjimi deri në fund i fjalës së tjetrit, mbartja e përgjegjësisë së një vendimi – tretet brenda shpejtësisë.

Ky është një shumëzim që i ngjan universit të shenjave të Baudrillard-it. Prodhimi nuk mbaron me plotësimin e nevojave; për të vazhduar, ai nxjerr nevoja të reja. Komunikimi nuk e arrin mirëkuptim, prodhon komunikim të ri. Dija, në vend që ta bëjë botën të kuptueshme, shndërrohet në grumbull informacioni. Seksualiteti shkëputet nga intimja, largësia dhe takimi, dhe hyn në qarkullimin e shenjave të ekspozuara. Trupi nuk është më vetëm trup i jetuar, është objekt performance që matet, imazhohet, optimizohet, shfaqet. Madje, Baudrillard-i mendonte se edhe dëshira qe prishur dhe përballë saj vendoste « joshjen ». Ndërsa dëshira mbetet ende e lidhur me gjuhën e mungesës, prodhimit dhe zotërimit, joshja ruan takimin dhe lojën që prishin llogarinë e këtij rendi. Gjithçka shumëzohet, por bota nuk zgjerohet.

 

Harari dhe vulgarizimi i humanizmit

E gjitha kjo e del shumë qartë në diskursin e Hararit të lexuar dhe dëgjuar nga miliona njerëz, sidomos  atë mbi humanizmin. Harari e ndërton humanizmin përafërsisht si një besim sipas të cilit i gjithë kuptimi dhe vlera burojnë nga ndjenjat dhe dëshirat e njeriut. Një reduktim vulgar i skajshëm. Humanizmi nuk është ta quash të drejtë çfarëdo që ndien njeriu. Arsyeja kritike, autonomia morale, dinjiteti njerëzor dhe ideja e përgjegjësisë për veprimin janë pjesë e kësaj tradite. Kur shpalos Sokratin, Erasmusin, Kantin dhe diskutimin e gjatë etik, dhe e ngjesh humanizmin në fjalinë « besoji zërit tënd të brendshëm », bëhet më e lehtë të shpallësh rënien e humanizmit.  

Gabimi qëndron te ideja se nteligjenca artificiale do të marrë vendime më të sakta se ne, pra humanizmi do ta humbasë vlefshmërinë. Humanizmi nuk është makinë vendimmarrjeje që vjetrohet sapo del një më e shpejtë. Është një horizont etik që mbart pyetjet se çfarë është e mirë, çfarë është e drejtë dhe cila jetë vlen të jetohet. Nuk e përjashton teknologjinë, kundërshton atë kuptim të teknologjisë që e redukton njeriun në rrjedhë të dhënash.

Pa dyshim, Harari flet edhe për rreziqet e regjimit të të dhënave, por në njëjtën kohë normalizon fjalorin e botës që kritikon: njeriu si mekanizëm biologjik « i hakueshëm », kultura si rrjedhë të dhënash, vendimi si problem parashikimi. Qartësia i përshtatatet skenës TED, gjithçka kuptohet shpejt, sepse ashpërsitë e historisë dhe pyetjet e vështira të filozofisë janë pastruar më parë. Në fund, njeriu nuk mbetet një qenie historike që duhet kuptuar me brishtësinë dhe përgjegjësinë e vet, por një sistem që do të zgjidhet sapo të mblidhen të dhëna të mjaftueshme. Sipërfaqësia e mendimtarit tekno-mediatik nuk mjaftohet me përshkrimin e sipërfaqësisë së teknosferës, por e bën atë të arsyeshme.

 

Rënia

Kjo sipërfaqësi është në veprim prej një kohe të gjatë. Nuk bëhet fjalë për gjëra të thjeshta si ndryshimi i shijeve apo për rininë që shpenzon kohë para telefonit. Por për kalimin nga dëshira te pulsioni, nga koha te qarku, nga marrëdhënia te ndërveprimi, nga ngjarja te përmbajtja, nga përvoja te të dhënat, nga politika te emokracia. Ndërkohë, dija bëhet e dhënë, kurse bota teknosferë.

Ndaj është i rëndësishëm kundërshtimi i Yuk Hui-t se zhvillimi teknologjik nuk ka një rrugë të vetme dhe universale. Teknosfera e sotme nuk ishte as përfundim i detyrueshëm i historisë, as fundi natyror ku teknika do të mbërrinte vetvetiu. Doli nga një marrëdhënie e caktuar midis shkencës, pushtetit, kapitalit dhe rendimentit. Më pas, duke fshirë historinë e vet, u vendos si e vetmja botë e mundshme. « Kjo është shndërrimi i aksidentales në domosdoshmëri » shprehet Yuk Hui. Kështu mbërritëm te e gjithë teknosfera. Rendi që dikur zgjidhej u bë gradualisht i pazgjedhshëm; historikja mori pamjen e të natyrshmes, mjeti të fatit. Mundësia e kulturave të tjera teknike, e mënyrave të tjera të jetesës e lidhjes, u mbyll ende pa u menduar. Duket sikur e vetmja alternativë ishte përshpejtimi, matjet, optimizimi. Kurse njerëzit, janë thjesht një komponent biologjik njëfarësoj i gabuar i këtij sistemi.

Nuk mohohet vendi i emocionit dhe të pavetëdijshmes në vendimet që marrim. Përkundrazi, rigoroziteti shkencor kërkon t’i mendojmë së bashku, pa e ndarë njeriun në copa: trupin, sistemin nervor, të kaluarën, kulturën, gjuhën, marrëdhënien dhe përgjegjësinë. Fjalia « nuk vendosni ju, vendos truri juaj » nuk është një fjali e pafajshme shkencore. Fillimisht, ajo e ndan njeriun nga truri i vet, e pastaj ia heq veprimit kuptimin dhe zgjedhjes përgjegjësinë. Mbetet një njeri që ka humbur drejtimin dhe që, sa më shumë i shtohen kontaktet, aq më shumë i pakësohen lidhjet. Sheh gjithçka, shquan fare pak.

Rënia nuk është zbritje nga një vend i lartë, por zhdukja e dallimit ndërmjet lartësisë dhe thellësisë. Më e rënda nuk është vetëm humbja e dëshirës. Është ta pandehësh për liri pulsionin në vend të dëshirës së humbur. Të besosh se ke zgjedhje sepse mund të prekësh çdo mundësi që të del përpara, të pandehësh se di sepse mund të konsultosh çdo të dhënë, të mendosh se jeton sepse reagon ndaj gjithçkaje.

Kur humbjen e sotme të orientimit e mendojmë në vijën fenomenologjike, çështja bëhet edhe më e qartë. Orientimi nuk është një koordinatë që gjendet në hartë, është hapja e botës për njeriun si horizont kuptimor, shfaqja e disa gjërave si të afërta, e disave si të largëta dhe e disa të tjerave si të denja për t’u jetuar për to. Pikërisht ky ishte trualli që Husserl-i e quante bota-e-jetës: bota e jetuar para matjes, e njohur me afërsi para dijes, bota ku njeriu zë vend me trupin, kujtesën dhe të tjerët. Kur arsyeja tekno-shkencore pushon së qeni një mundësi që i shërben këtij trualli dhe shndërrohet në masën e gjithë realitetit, bota nuk shfaqet më si vendi ku jetojmë, por si një tërësi objektesh që llogariten, parashikohen dhe operohen. Këtu qëndron edhe rreziku që shihte Patočka kur fliste për reduktimin e mendësisë në një aftësi analitike të brendshme ndaj mënyrave të prodhimit. Njeriu nxirret nga qenia që pyet se drejt çfarë orientohet dhe kthehet në një mekanizëm që jep reagime të përzgjedhshme ndaj ngacmimeve përpara tij.

Ekonomia e vëmendjes nuk na shpërndan vetëm vëmendjen, na pushton qëllimësinë. E kaluara ngushtohet në një arkiv të dhënash të rikthyeshme, e ardhmja në sjelljen e ardhshme të parashikueshme, e tashmja në një ekran që rinovohet pareshtur. Kur shembet horizonti kohor ku mund të ndërtohet dëshira, mbetet qarku i shkurtër i pulsionit. Kjo është arsyja e humbjes së drejtimit: dallimet Lindje–Perëndim, afër–larg, lartësi–thellësi, mjet–qëllim fshihen mbi të njëjtën sipërfaqe të llogaritshme. Nuk kemi zgjedhur thjesht drejtimin e gabuar. Jetojmë brenda një teknosfere që na bën të harrojmë ç’është drejtimi.

Bota e njeriut nuk ndërtohet me shpejtësi, por nganjëherë me vonesë, përmes viteve që i kushtohen një mjeshtërie, peshës së një miqësisë, pasigurisë së një dashurisë, anës së mendimit që nuk i ka përgjigjet e lehta. Teknika nuk është armike. Siç thotë Bernard Stiegler-i për pharmakon-in, ajo është njëherësh mundësi dhe rrezik. Çfarë do ta largojë nga të qenit fat nuk është një algoritëm më i fuqishëm, por qëndrimi kritik që do t’i lidhë sërish mjetet me idenë e jetës. Pulsioni këtë lidhje dhe këtë vonesë i quan humbje. Por dëshira nis pikërisht këtu, ashtu si edhe të qëndruarit njeri.

(c) 2026 Bilgin Sait. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading