Sot krizën e plastikës nuk e gjen në titujt kryesorë të lajmeve edhe pse ajo ka mbytur e zaptuar mjedisin anekënd globit. Plastika mbyt mjedisin tonë detar. Gëlltitet nga gjallesat ujore, zogjtë e detit dhe madje bagëtia. Djegia e plastikës çliron toksina të fuqishme. Edhe pse depozitimi i saj në tokë është më pak i rrezikshëm e më i sigurt në krahasim me mënyrat e tjera të eliminimit, plastika bllokon tokën me substanca sintetike që nuk shpërbëhen për shumë vjet, duke jetuar për shekuj të tërë.
Që nga viti 1950 e deri më tani janë prodhuar rreth 8 miliardë tonë plastikë, e ndërkaq as 9% e saj nuk është ricikluar. Efektet e përdorimit të këtij materiali në mënyrë të paqëndrueshme për dekada të tëra, kanë kohë që ndihen. Nils Simoni, një prej autorëve të publikimit shkencor lidhur me efektet e plastikës në jetën tonë, shprehet se plastika gjendet kudo, e kjo vetëm sa vjen e rritet në të gjithë botën, jo vetëm në ambientin përreth, por edhe brenda trupit të njeriut. Kësisoj nuk ka më dyshime se pjesë e dietës sonë ushqimore janë bërë edhe copëza të vogla plastike.
Sipas hulumtimeve, shkencëtarët kanë dalë në përfundimin se ushqimi ynë përmban mbi 4.000 substanca kimike, një pjesë e të cilave janë tejet të rrezikshme për shëndetin. Dhe vlerësohet se një njeri me moshë mesatare 79-vjeçare, gjatë jetës konsumon rreth 20 kg mikroplastikë bashkë me ushqimin, pasi mbetjet plastike janë me përmasa më pak se 5 mm. Kështu ato futen në zinxhirin ushqimor përmes procesit të biogrumbullimit. Duke qenë kaq të vogla, e kanë të lehtë të përfundojnë në burime ujore, që i shpërbëjnë në grimca më të vogla që kalojnë filtrat e rubineteve e përfundojnë në gotën tonë.
Fakti më dëshpërues në gjithë hulumtimin e të dhënave statistikore është se gjysma e sendeve plastike të prodhuara janë njëpërdorimshe. Për shembull, një qese plastike përdoret mesatarisht vetëm 15 minuta para se të hidhet në kosh e ndërkaq i duhet rreth 1.000 vite të degradohet plotësisht. Për sa u përket produkteve plastike, qeset kanë konsumin më të lartë në botë. Vlerësohet se rreth dy milionë qese plastike përdoren çdo minutë, rreth 1 milion shishe plastike uji në minutë apo 1,3 miliardë shishe në ditë që peshojnë sa gjysma e Kullës Eiffel.
Pas viteve 50, kur plastika filloi të përdorej gjerësisht, u mendua si produkti i një mijë e një përdorimeve, me kosto të ulët, e përdorshme dhe e nevojshme për çdo gjë: nga më e thjeshta te më kompleksja. Pak u mendua për menaxhimin e mbetjeve plastike. Sot 47% të ndotjes nga plastika e shkakton industria e paketimit; 14% ajo tekstile dhe 6% transporti. Çdo vit rreth 3% e plastikës përfundon në oqeane. Besohet se në to gjenden 5,25 trilionë copë mbeturina plastike. Nga kjo sasi, 269.000 tonë notojnë në sipërfaqe. Vetëm në vitin 2010 u shkarkuan 8 milionë tonë. E nëse vazhdojmë me këto ritme, në vitin 2050 në oqeane do të ketë më shumë plastikë sesa peshq.
Gjithashtu, statistikat tregojnë se përgjegjësit kryesorë të mbetjeve plastike janë shtetet e pasura. Edhe pse përbëjnë vetëm 16% të popullsisë botërore, janë përgjegjëse për 34% të mbetjeve plastike. Ndërsa vendet me të ardhura të ulëta prodhojnë vetëm 5% të sasisë. Kompanitë shumëkombëshe përgjithësisht në vendet e zhvilluara, prodhojnë më tepër plastikë dhe mbetje të tjera të këtij lloji. Konkretisht, Coca-Cola, PepsiCo, Nestlé and Unilever janë përgjegjëse për gjysmën e sasisë së plastikës çdo vit, një sasi e tillë që do të mjaftonte të mbushte çdo ditë 83 fusha futbolli.
Për sa i përket menaxhimit të mbetjeve në mbarë botën, sipas statistikave situata mbetet e frikshme dhe kërcënuese. Konkretisht, 3,5 miliardë njerëz në botë nuk arrijnë të menaxhojnë mbetjet plastike. Këta njerëz e kanë të pamundur ndarjen e diferencuar të mbetjeve si dhe ripërdorimin ose riciklimin e tyre. Përgjithësisht 93% e mbetjeve të ngurta, ku përfshihen 300 milionë tonë plastikë, përfundojnë te vendet e varfra.
Nga ana tjetër, në të gjithë botën, 15 milionë njerëz, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë nga 5 vjeç e lart, nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të fitojnë jetesën nga mbeturinat që ndotin mjedisin e tyre. Shpesh punojnë në kushte të rrezikshme për shëndetin, në rrethana tejet të vështira, pa asnjë pretendim për kushtet e punës me të cilat përballen çdo ditë.
Hapësira ka gjithashtu të njëjtin fat. Kështu, rreth 20.000 objekte dhe më shumë se një milion pjesëza me gjatësi nën 1 cm, vijnë rreth e qark orbitës së planetit. Disa janë satelitë në funksion e sipër. Disa janë satelitë që kanë ndaluar së punuari. Të tjerë janë mbetje të mekanizmave që kanë transportuar satelitët në orbitë e që tashmë s’kanë asnjë funksion. Dhe të tjera akoma, të shumta në numër, janë mbetura nga shpërthimet ose përplasjet midis objekteve që notojnë në hapësirë.
Këto mbetje sa vijnë e shtohen për shkak të rritjes së numrit të satelitëve. Në planin afatgjatë, ky akumulim i hedhurinave mund të çojë në një reaksion zinxhir, të njohur si sindroma Kesler, që do t’i bënte të papërdorshme disa orbita. Por, në gjithë këtë katrahurë mjedisore tej kufijve tokësorë.
Sipas studiuesve të kësaj fushe, është e pamundur që vetëm teknologjia të zgjidhë krizën e ndotjes nga plastika. Zgjidhja është e mundur, por kërkon një sërë nismash serioze që funksionojnë njëkohësisht. Është më se i nevojshëm një rregullim ligjor në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar për menaxhimin e mbetjeve të ngurta dhe atyre organike. Po ashtu është i nevojshëm investimi në projekte serioze për ndërgjegjësimin qytetar lidhur me konsumizmin, promovimin e sipërmarrjeve inovative që prodhojnë materiale zëvendësuese siç është polimeri i biodegradueshëm.
Me lakmi e grykësi, njeriu dëshiron t’i shtrijë zotërimet tej kufijve tokësorë. T’i dalësh për zot hapësirës, pa dyshim që krahas krenarisë, sjell një përgjegjësi të madhe. Po njerëzit gjithmonë kanë treguar se kanë ambicie të pafre e zakone të këqija egoje kudo që shkel këmbë. E ky është problemi. Ne jemi mbetës të vetë historisë sonë që kësaj here këndellet në kundërmimin e majave të mbetjeve urbane.
(c) 2026 Marcela Tringaj. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.