Një turist 20-vjeçar portugez, Luis Miguel Varela Mendes, i cili kishte shkuar në Ksamil për pushime, përfundoi në një përleshje në një lokal nate; konflikti u zhvendos në plazh, ku ai u godit fillimisht me grushte dhe më pas disa herë me thikë. Vdiq në vend, ndërsa policia arrestoi 11 persona dhe shpalli dy të tjerë në kërkim. Hetimi dhe procesi gjyqësor do të duhet të përcaktojnë përgjegjësinë individuale të secilit[1]. Sokrat Vata, 29 vjeç, u arrestua disa orë pas ngjarjes në Levan të Fierit. Sipas Policisë, ai po përpiqej të largohej drejt Tiranës dhe ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Në makinë ndodheshin dy shtetas turq, të cilët dyshohet se e kishin fshehur për ta ndihmuar të largohej[2].
Po të ndiqte dikush komentet deri në momentin kur u bënë publike fotot dhe të dhënat e viktimës, ndoshta nuk do t’i bënin edhe aq përshtypje nga ato që lexonte. Por në momentin që gjithçka u bë publike, komentet në faqet shqiptare poshtë lajmit u shndërruan në një shpërthim të papërmbajtur racizmi.
Qindra, mijëra komente kam lexuar personalisht për “racën e zezë” të keqe dhe “racën e bardhë” të mirë. Meqë viktima ishte i zi, sipas këtyre komenteve, ai e kishte “në gjak” ngacmimin e femrave dhe mosrespektimin e traditave shqiptare. Shumë prej tyre e kishin marrë si të mirëqenë se viktima kishte ngacmuar një femër shqiptare, të bardhë, të “racës ariane”.
Të tjerë, pa e marrë parasysh këtë, meqë versioni përfundimtar i ngjarjes ende nuk dihet, ishin të bindur se viktima me siguri kishte bërë diçka që të çonte një shqiptar të bardhë deri aty sa ta vriste. Sepse, në fund të fundit, sipas kësaj logjike, ai i përkiste “racës së zezë”.
“Doli fotoja e portugezit.
Per “fatin e mire” te shqiptarëve, ishte i zi.
U qetesuan direkt dhe thane: “vete e kishte fajin se ne kulturen e tyre ngacmimi i gruas te tjetrit eshte normal”.
Keto komente vijne nga kjo raca superiore, e cila ne vitet ‘90 nxirrte kusherirat neper trotuaret e Milanos, Torinos dhe Firences”[3]
Në tetor të vitit 2024 shkrova një artikull[4] me të njëjtin titull, por duke vendosur një pikëpyetje në fund. Atëherë, shkak për shkrimin nuk ishte një vrasje, por një video e publikuar në faqen e gazetës “Koha Jonë”[5]. Shqetësimi im ishte se gjuha dhe retorika e përdorur në atë video nuk duhej të normalizoheshin. Ja çfar shkruaja për videon në fjalë:
“Më erdhi turp, nga mënyra si përmendej fjala ‘racë’. “Europa është kthyer në një mozaik, ku racat dhe ngjyrat janë përzier”. Dhe në fund dëgjohet “Nuk kemi asgjë kundër afrikanëve, por…”. Me këtë ‘por‘ është shënuar e gjithë jeta e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë në vende si Greqia dhe Italia, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, vitet e fundit. Retorika e videos në fjalë, duke u përqendruar te shpërfytyrimi i Europës së bardhë nga ngjyrat e zeza dhe të verdha, siç ka ndodhur tashmë në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, të kujtonte delirin nazist të Gjermanisë së viteve ‘30”.
E njëjta retorikë, madje pothuajse të njëjtat shprehje, u përdorën nga kaq shumë komentues shqiptarë nën lajmet për vrasjen e Luis Miguel Varela Mendes nga Sokrat Vata. Sikur jeta e viktimës do të kishte më shumë vlerë po të mos ishte i zi.
Ky rast më solli në mendje një ngjarje të ndodhur në Greqi, të publikuar nga gazeta Ta Nea më 6 shkurt 1993, kur Georgios Tzortzopoulos vrau dy emigrantë shqiptarë dhe, pas arrestimit nga policia, deklaroi: “Pas të gjithave, ata ishin shqiptarë”[6].
Ngjashmëria nuk ka të bëjë me motivin apo rrethanat e vrasjeve. Ka të bëjë me diçka tjetër, shumë më të frikshme: me idenë se jeta e një njeriu mund të ketë më pak vlerë për shkak të asaj që është. Në rastin e turistit portugez, për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij; në rastin e dy shqiptarëve në Greqi, për shkak të kombësisë së tyre. Madje komenti nuk vjen nga vetë Sokrat Vata por na njerëz që nuk dinë shumë detaja për ngjarjen.
Në të dyja rastet, njeriu zhduket pas etiketës që i vendoset. Dhe bashkë me të, zhduket edhe vlera e jetës së tij.
Në mbështetje të kësaj retorike të “racave të këqija” dhe “racave të mira”, pas vrasjes në Ksamil filluan të qarkullojnë edhe lajme për turistë afrikanë që kryejnë krime në Shqipëri, me logjikën se kështu janë ata[7]. Pra, turisti me ngjyrë, pikërisht ai nga Afrika, i cili në narrativën e gazetës “Koha Jonë” lidhet me emigrantët që po “sulmojnë Evropën”, nuk mund të jetë thjesht turist, sepse “e ka krimin në gjak”. Kështu shprehen në komente njerëz që pretendojnë se e njohin “këtë racë”, sepse kanë jetuar disa vite në Perëndim.
Kur e njëjta retorikë përdorej për shqiptarët në Greqi, anekdota më e famshme ishte ajo e “turistit shqiptar”[8]. Në atë kohë, shqiptarët ishin aq të varfër, aq “kriminelë nga natyra”, sa dukej e pamundur që ndonjë prej tyre të shkonte në Greqi për turizëm.
Ja që memoria jonë paska qenë shumë e shkurtër. E njëjta retorikë që dikur përdorej për ne në Greqi, por edhe në shumë vende perëndimore, vazhdon të përdoret edhe prej nesh. Në Britani madje po ndodh ende; ambasadori shqiptar në 2026 i drejtohet The Guardian për tu ankuar për stigmatizimin e shqiptarëve atje[9]. Thekson Uran Ferizi: shqiptarët në Britani po paguajnë çmimin e stigmatizimit në shkolla dhe vende pune, dhe përmend rastin e një shqiptari të cilit, kur tha kombësinë e tij, iu përgjigjën: “Mendova se të gjithë shqiptarët ishin kriminelë”. Pra, me sa duket, kemi arritur në një moment kur një përqindje e mirëfilltë e shoqërisë shqiptare, dhe jo vetëm ajo që jeton në Shqipëri por edhe njerëz që janë momentalisht emigrantë, shprehet hapur dhe pa asnjë kufizim me një retorikë që, në vendet perëndimore, do të identifikohej qartësisht me ekstremizmin e djathtë, me retorikën me raciste të ekstremit të djathtë.
Prandaj edhe heqja e pikëpyetjes nga titulli vjen thjesht si rezultat i realitetit, të paktën ashtu siç shfaqet në mediat sociale.
Fatmirësisht, krahas komenteve raciste, kishte edhe shumë të tjera që i dënonin ato. Komente që ua kujtonin të gjithëve se e njëjta gjë na është bërë edhe neve, jo shumë vite më parë, dhe se, në forma të ndryshme, ende na bëhet. Kishte edhe reagime publike që bënin thirrje për vlerat dhe traditat e mikpritjes që, teorikisht, pretendojmë se i kemi si popull.
Shpresoj që këto zëra t’u hapin sytë atyre që sot flasin për “raca” të mira dhe të këqija. Shpresa vdes e fundit, dhe ndoshta pikërisht fakti që ka ende kaq shumë njerëz që reagojnë kundër kësaj retorike është arsye për të mos e humbur atë. Por shenjat janë thellësisht dekurajuese.
Sepse kur racizmi ka rrënjë të forta, është e vështirë ta ndalosh. Dhe kur mediat e portalet shqiptare i japin hapësirë një retorike që në vendet perëndimore do të identifikohej qartësisht me ekstremizmin e djathtë, ndërsa mijëra njerëz e përqafojnë dhe e përsërisin pa asnjë rezervë, atëherë duhet të shqetësohemi seriozisht për drejtimin në të cilin po shkojmë.
Kam frikë se, nëse kjo vazhdon, në të ardhmen mund të ndodhin edhe krime të motivuara nga e njëjta logjikë çnjerëzore që pamë në rastin e Tzortzopoulos në vitin 1993 në Greqi (jo i vetmi rast atje).
Dhe nëse një ditë ndodh diçka e tillë, nuk mund të themi se na erdhi si surprizë. Shenjat do t’i kemi parë shumë më herët.
Prandaj nuk duhet të heshtim: as përballë mediave dhe portaleve shqiptare, as përballë komenteve raciste që shfaqen në raste të ndryshme. Nuk duhen normalizuar as shakatë me përmbajtje raciste, as shprehjet që ushqejnë urrejtjen. Le të mos i lëmë pa përgjigje këto qëndrime, pavarësisht nëse vijnë nga qytetarë në rrjetet sociale, nga gazetarë e analistë të shumtë në televizionet tona apo nga politikanë. Mosreagimi i pjesës së shëndetshme të shoqërisë u jep hapësirë këtyre njerëzve të shkojnë gjithnjë e më tej në ekstremizmin e tyre.
(c) 2026 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me AI.
Referencat
- https://gazetashqiptare.al/2026/08/18/vrasja-e-turistit-policia-zbardh-dinamiken-20-vjecari-u-godit-me-grushte-dhe-me-pas-me-thike-11-ne-pranga-dy-ne-kerkim-i-pranishem-ne-vendngjarje-ishte-edhe-pronari-i-principote/
- https://noa.al/lajmi/2026/08/2609348.html
- https://www.facebook.com/100083364375759/posts/1037276219061181/?rdid=9oMvtuwC1M3fNuTM#
- https://peizazhe.com/2024/10/18/koha-jone-per-racizem/
- https://www.facebook.com/reel/458304483754329
- https://peizazhe.com/wp-content/uploads/2025/01/Picture2.png
- https://www.instagram.com/p/DcWNfv0DdKn/?igsi=dHZ5bnJvbnQwOGls&img_index=1
- https://www.efsyn.gr/politiki/paraskinia/206182_albanos-toyristas/
- https://www.theguardian.com/politics/2026/apr/21/albanians-uk-scapegoated-rightwing-ambassador-uran-ferizi
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.