Presidenti i Republikës Portugeze, António José Seguro, ka nënshkruar këto ditë një ligj të miratuar muajin që shkoi nga Parlamenti i atij vendi, që e ndalon qarkullimin e grave me fytyrë të mbuluar në hapësirën publike; i njohur tani edhe si “ligji i burkës.”
Edhe pse vajzat dhe gratë zakonisht e mbajnë këtë lloj shamie të kokës për arsye fetare, ndalimi i saj duket se u frymëzua nga motive të sigurisë dhe të rendit publik. Kësisoj, debati artikulohet përmes dy koncepteve të ndryshme për të drejtat e njeriut – (1) e drejta për të pasur dhe shijuar një hapësirë publike ku të gjithë qarkullojnë me fytyrë të zbuluar, si shprehje e parimeve të barazisë dhe dinjitetit të njëllojtë për burra dhe gra dhe (2) e drejta e individit që të ndjekë rregullat që ia sugjeron ose imponon përkatësia fetare ose komuniteti fetar ku jeton, sidomos kur ato nuk janë të dhunshme për Tjetrin.
Për t’u shënuar se ndalimi në Portugali prek me siguri burkën dhe me gjasë edhe niqab-in, por jo hijab-in, ose shaminë e thjeshtë të kokës (për këtë ju referoj tek imazhi ilustrues).

Me sa kam lexuar, brenda komuniteteve myslimane, detyrimi i vajzave dhe grave për të mbajtur hijab është pranuar dhe zbatuar më gjerësisht se për shamitë e tjera; dhe mbulimi i fytyrës nga vajzat dhe gratë nuk shihet nga të gjitha autoritetet e asaj feje si detyrim, por më shumë si zgjedhje e këshilluar.
Kritikët e ligjit portugez dhe të ligjeve të ngjashme gjetiu në Perëndim kanë vënë në dukje se ndalime të tilla bien ndesh me të drejtën elementare subjektive të çdo gruaje myslimane për të mbuluar fytyrën në publik, nëse ajo e konsideron këtë si formë themelore të marrëdhënies që ka me fenë (si porosi të Allahut), me komunitetin dhe autoritetin familjar.
Si do të veprojnë këto gra, në hapësirën publike të një vendi që nuk e njeh formulën religjioze si autoritet? Nga pikëpamja e jurisprudencës islamike, ashtu si e kuptoj unë, fakti që një hapësirë është shekullare nuk e anulon vetvetiu detyrimin fetar. Megjithatë, tradita islamike i ka përpunuar instrumentet si duhet vepruar, në ato rrethana kur një akt specifik nuk mund të kryhet, edhe pse fetarisht i detyrueshëm. Edhe ligji i tanishëm portugez thotë se interpretimi fetar individual nuk ka fuqi të përcaktojë nëse një grua duhet ta mbulojë fytyrën në një hapësirë publike që ndan me të tjerë, përfshi edhe individë të një feje tjetër ose laikë.
Disa e kanë komentuar këtë konflikt si midis dy koncepteve të lirisë individuale: liria si emancipim ndaj një norme fetare, dhe liria për të ndjekur, me dëshirë, një normë fetare.
Që këtej, zgjidhja e dilemës së burkës ka të bëjë edhe me përcaktimin e saj si çështje që i përket marrëdhënieve të shtetit laik me fenë, apo si çështje të jurisprudencës islame.
Personalisht, mendoj se askush nuk ka arsye të qarkullojë me fytyrë të mbuluar në hapësirën publike të një vendi laik, pavarësisht nga bindjet fetare që ka; përveç atyre rasteve kur mbulimi i fytyrës bëhet për arsye të sigurisë individuale të personit vetë, ose të së tjerëve – si gjatë një epidemie (por edhe për detyrimin e maskës është debatuar), ose nga elementë të caktuar të forcave të rendit (të cilëve u mbrohet identiteti); sikurse mendoj që një ndalim i tillë nuk mund të realizohet pa mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e komunitetit përkatës – nuk e përfytyroj dot policin që të ndalojë dhe të gjobojë në rrugë një grua me burka. Gjithsesi, hapësira publike është e tillë pikërisht ngaqë personat tregojnë atje fytyrat e tyre për njëri-tjetrin dhe ashtu konstituohen, në publik, si persona.[1]
Ky diskutim – për marrëdhënien mes qytetarit si individ dhe identitetit të tij në hapësirën publike – prek tërthorazi edhe mënyrën si prezantohen përdoruesit në rrjetet sociale dhe gjetiu në hapësirën virtuale; ku disa mendojnë se përdorimi i pseudonimit është të paktën i pandershëm ndaj të tjerëve dhe ia heq personit të drejtën për t’u trajtuar si person, sa kohë që e përjashton nga përgjegjësia individuale, ndërsa të tjerë argumentojnë se pseudonimi ua garanton lirinë e shprehjes dhe i mbron nga pasojat që do të kishin, po të dilnin në publik me fytyrën dhe emrin e tyre. Ky argument i ngjan strukturalisht atij tjetrit, se gratë e fesë myslimane që mbajnë burka e kanë më të lehtë të dalin nga shtëpia dhe të frekuentojnë mjedise publike të cilat familjet ose autoritetet fetare përndryshe do t’ua ndalonin. Por ky argument i fundit më duket më shumë se i përket komunitetit fetar mysliman, jo autoritetit laik për ta ftilluar.
Sa i përket hapësirës publike shqiptare, kam përshtypjen se mbulimi i fytyrës, prej grave, nuk ka qenë thjesht i kufizuar me komunitetin fetar; por me një nevojë më të përgjithshme për ta mbrojtur vajzën dhe gruan në një mjedis ende të pakontrolluar potencialisht agresiv, si ai publik në qytetet ballkanike tradicionale. Ka foto të Marubit, ku paraqiten gra katolike me fytyrë të mbuluar. Nga ana tjetër, në familjen time nga Gjirokastra mbaj mend vetëm stërgjyshen që i lidhte flokët me një shami të zezë, ose më mirë, qe përdorte disa lloj shamish, një të thjeshtë për shtëpi dhe një tjetër, më të fisme (gjysmë-vello), për të dalë në qytet. Prandaj përvoja ime nuk mund të vlejë për shumë të tjerë, të rritur në kushte familjare dhe sociale të tjera. E kam të qartë edhe se shumë vajza dhe gra sot, sikurse edhe shumë djem e burra, e shohin mbulimin e fytyrës si një lloj diskriminimi gjinor dhe shkelje të drejtash elementare, veçanërisht kur ai imponohet nga autoriteti (familja), madje edhe atëherë kur ky bëhet me pëlqimin dhe vetëdijen e vetë personit që mbulohet; por edhe që shumë vajza dhe gra sot e konsiderojnë mbulimin e fytyrës në publik si të drejtën e tyre elementare.
Hapësira publike në Shqipëri u përket, të paktën, qytetarëve nga komunitetet fetare islamike dhe të krishtera, por edhe qytetarëve që i përkasin komunitetit laik. Me intuitë, mendoj se, po të vijë puna për ta rregulluar mbulimin e vajzave dhe të grave me ligj, shumica do të votonin kundër burkës dhe niqab-it; por nuk është vullneti i shumicës që e bën ndalimin vetvetiu të drejtë. Aq më tepër që, ndryshe nga vende të tjera të Europës, myslimanët në Shqipëri janë në vendin e tyre, jo mysafirë dhe as imigrantë a “pakica” religjioze. Paqja sociale, te ne, gjithnjë është kushtëzuar edhe nga vullneti i mirë i këtij komuniteti për të bashkëjetuar me të tjerët dhe për ta kuptuar se deri ku mund t’i imponojë, në publik, karakteristikat dhe rregullat e veta.
Jam kurioz të di si mendojnë kolegët e mi për këtë çështje kaq të koklavitur – por i ftoj të mbajnë parasysh se, duke u shprehur për temën, prezantojnë para së gjithash vetveten, paçka se në një hapësirë që është vetëm “virtualisht” publike. Lutem informohuni para se të komentoni dhe mos u largoni nga tema – komentet e papërshtatshme do të hiqen. Le të mos i lejojmë trollët me burka konceptuale që të kushtëzojnë mënyrën si diskutojmë dhe nivelin e diskutimit – madje edhe duke ua shkelur haptazi të drejtën e fjalës.
(c) 2026 Peizazhe të fjalës & Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
[1] Episodi “White Christmas” i serialit Black Mirror bazohet në një sajim narrativ që do ta quaja kundër-burka; atje njerëzit përdorin implante elektronike (“Z-Eyes”), të cilat i lejojnë që “ta bllokojnë” dikë në jetën reale (njëlloj siç e bllokojmë sot dikë në Facebook). Kur një person është bllokuar, fytyra e tyre shndërrohet në një njollë, fjala e tyre shndërrohet në zhurmë dhe, efektivisht, ai dëbohet nga jeta jote.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.