Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antikitet / Narratologji

KOMPLEKSI I EPIGONIT

Përfundimisht, asgjë

Kisha mbaruar së lexuari ciklin teban, i ndjekur pothuajse me disiplinën e një filologu dhe me ngulmimin e dikujt që beson se një cikël, për t’u kuptuar, duhet ndjekur në rendin e vet të brendshëm dhe jo në atë të antologjive: Edipi mbret te Sofokliu, i shtyrë deri te qetësimi paradoksal i Kolonës; Të Shtatë kundër Tebës te Eskili, Fenikaset, Antigona, e më pas vijimi me nënat e të rënëve tek Lutëset e Euripidit — dhe pikërisht atje, brenda vetë Lutëseve, në një përmendje kalimtare, e gjeta emrin e Epigonëve, bijve të të Shtatëve. Nga kjo përmendje e vetme lindi dëshira për të lexuar vazhdimin e ciklit: doja të dija a ekzistonte, diku, një tekst që ta tregonte këtë vazhdim, që ta mbyllte rrethin e dytë të mitit ashtu siç Lutëset e kishin mbyllur, provizorisht, rrethin e parë. Kërkova, pra, Epigonoi-n: poemën e tretë të ciklit teban, atë që — sipas çdo logjike letrare — do të duhej të më tregonte se çfarë u bë me këta bij, me këtë brez të dytë, me këtë përsëritje të luftës që etërit e tyre e kishin humbur.

Por gjeta vetëm një varg, atë të parin. Prej gjithë asaj çka duhej të kishte qenë — poema në formën e saj epike, apo ndonjë version i mëvonshëm për skenë — nuk kishte mbetur më asgjë tjetër: vepra ishte zhdukur, tërësisht dhe pa kompensim.

Nga ky konstatim i thatë, pothuajse bibliografik, lindi tek unë një ndjesi që nuk e prisja dhe që në fillim s’dija ta emërtoja: jo trishtimi i zakonshëm për diçka që kisha lexuar dhe pastaj kisha humbur — sepse unë asnjëherë s’e kisha zotëruar këtë poemë — por një përmallje pa kujtesë, një mall për një libër që nuk e kam njohur kurrë por që e di, me siguri filologjike, se ka ekzistuar. Është pikërisht ky hendek mes dijes së ekzistencës dhe pamundësisë së njohjes që kërkon një emër të vetin, sepse asnjë nga kategoritë tradicionale të mungesës letrare — as fundi i hapur, as vepra e papërfunduar, as thjesht harresa — nuk e mbulon plotësisht atë. Këtë ndjesi vendosa ta quaj kompleksi i Epigonit. Me “kompleks” nuk nënkuptoj këtu një çrregullim psikologjik, por një nyjë të veçantë të përvojës së leximit: një gjendje në të cilën mungesa e veprës prodhon një përvojë që vetë vepra nuk mund ta prodhojë më.

Kompleksi i Epigonit është përvoja paradoksale e atij që ndien mungesën e një vepre të cilën nuk ka mundur kurrë ta njohë, sepse ajo është zhdukur përpara se ai të mund të kishte qasje tek ajo. Nuk bëhet fjalë, pra, as për keqardhjen për një objekt që e kemi pasur, as për nostalgjinë ndaj një të shkuare të përjetuar, por për ndjesinë e humbjes së një mundësie njohjeje të cilën koha e ka bërë përfundimisht të paarritshme.

Epigoni vjen pas humbjes. Ai trashëgon gjurmët e një vepre që nuk mund ta njohë më — gjurmët, fragmentet, dëshmitë, ndonjëherë edhe send-ndërtimin imagjinar të saj, por jo vetë përvojën. Ajo që i mungon nuk është vetëm libri i zhdukur: është ajo që ky libër mund të kishte prodhuar brenda tij — mendimet që mund t’i kishte ngjallur, imazhet që mund t’i kishte krijuar, pyetjet që mund t’i kishte hapur, vazhdimin që mund t’i kishte dhënë një historie.

Kompleksi i Epigonit është kështu një formë nostalgjie pa kujtim: dëshiron atë që nuk e ke pasur kurrë, vajton atë që nuk e ke lexuar kurrë dhe përjeton si humbje personale diçka që, historikisht, nuk të ka përkitur asnjëherë.

Në formën e tij më radikale, ai shfaqet kur një vepër e zhdukur zinte një vend përcaktues në një varg narrativ: lexuesi njeh atë që vjen para saj dhe atë që vjen pas saj, por teksti ndërmjet tyre mbetet përgjithmonë i munguar. Epigonoi nuk është thjesht një tekst që mungon; është një mungesë e vendosur brenda një vargu tekstesh që ende ekziston — ai mungon midis asaj që na ka mbetur përpara tij, tek Lutëset, ku dëshmia e ekzistencës së tij ka mbijetuar si përmendje, dhe tradita fragmentare që na lejon të dimë, në mënyrë indirekte, se çfarë vinte më pas. Dhe pikërisht ky boshllëk ndërmjet dy pranive krijon një lloj plage në vetë kohën narrative: vepra e humbur nuk është thjesht një boshllëk në bibliotekë, ajo bëhet një boshllëk në vetë arkitekturën e asaj që ka mbijetuar. Historia atëherë nuk ka mbetur thjesht pa një fund; asaj i mungon dëshmia e vazhdimit të vet.

Ka një lloj mungese që nuk vjen nga përfundimi i diçkaje, por nga humbja e vetë vazhdimit të saj. Fundi, në kuptimin e tij të zakonshëm, i përket asaj që ka ndodhur brenda veprës dhe vendos, qoftë edhe në mënyrë të pamëshirshme, kufirin e vet legjitim. Mungesa për të cilën po flas këtu është krejt tjetër: nuk është mungesa e një përfundimi që vepra e ka zgjedhur, por mungesa e një vazhdimi që ka ekzistuar në mënyrë të dëshmuar, historikisht e verifikueshme, diku jashtë meje — dhe që tani, për arsye që nuk i përkasin fare veprës, po vetëm historisë materiale të transmetimit të saj, nuk mund të arrijë deri tek unë. Nuk kam përballë vetes një boshllëk të lënë qëllimisht nga vepra, por një boshllëk të prodhuar nga historia — nga zjarret, nga kopjuesit që nuk e riprodhuan, nga zgjedhjet arbitrare të asaj çfarë mbijetoi dhe çfarë jo.

U gjenda kështu, papritmas, në një marrëdhënie të veçantë me kohën: përballem njëkohësisht me një të kaluar që e ka pasur tekstin e vet të plotë dhe që tani nuk e ka më, dhe me një të ardhme leximi që, për mua, nuk ka ardhur kurrë. Kjo dyfishtësi e zhvendos problemin nga statusi i objektit te vetë përvoja ime si lexues: nuk më mungon thjesht një tekst, si informacion që mund të kompensohet me erudicion, por mundësia vetë e një takimi me të. Mungesa, në këtë kuptim, nuk është më vetëm boshllëku i një objekti të jashtëm; ajo bëhet një boshllëk i brendshëm, i gërvishtur në vetë horizontin e asaj që mund ta kisha lexuar, kuptuar dhe përjetuar.

Kjo është, në fund, arsyeja pse Epigonoi mund të prodhojë tek unë një ndjenjë të ngjashme me mallin, pa qenë nostalgji në kuptimin e plotë të fjalës. Nostalgjia presupozon domosdo një të kaluar të përjetuar realisht: ka jo vetëm një objekt të humbur, por edhe një kujtim të pranisë së tij. Përballë Epigonoi-t, kjo strukturë prishet radikalisht. Nuk kam kujtim të leximit, sepse nuk e kam lexuar kurrë; kam vetëm dijen abstrakte se ajo përvojë ka qenë e mundur për të tjerë, dikur, dhe se tani nuk është më e mundur, në asnjë formë, për mua.

Objekti i këtij malli nuk është, pra, thjesht poema si tekst; jam edhe unë, lexuesi që nuk arrita kurrë të bëhesha i tillë përballë saj, viktimë e një aksidenti kronologjik që më ka vendosur në anën e gabuar të historisë së transmetimit tekstual. Humbja prek, kështu, jo vetëm të kaluarën e objektit, por një mundësi konkrete të vetes sime si lexues i mundshëm. Në këtë kuptim të thellë, libri i zhdukur është një nga ato objekte të rralla që mund të mbeten psikikisht aktivë pikërisht sepse nuk mund të verifikohen më empirikisht. Leximi i veprës nuk mund të më zhgënjejë, sepse s’ka ballafaqim të mundshëm me të; nuk mund të korrigjojë apo të kufizojë imazhin që unë vetë krijoj për të; nuk mund ta mbyll kurrë me gjykimin e zakonshëm, të thjeshtë, të lexuesit të përditshëm: ishte kryevepër apo ishte i dobët dhe nuk më pëlqeu. Mungesa e mban përjetësisht pezull gjykimin, në një gjendje potenciale që asnjë lexim aktual nuk mund ta shterojë.

Ajo që ka humbur, pra, nuk është vetëm një vepër, por një version i mundshëm i vetes sime si lexues.

I. Kompleksi i Epigonit dhe format e mungesës

a) Teoria e Fundit të dokumentuar

Katër forma të mundshme të mungesës lindin nga kryqëzimi i dy pyetjeve të thjeshta: a ekziston teksti dhe a ekziston fundi i tij? Kur të dyja ekzistojnë, kemi veprën e mbyllur: Odiseja, për shembull, na jep si tekstin ashtu edhe përfundimin e tij — kthimin e Odisesë në Itakë — pa një boshllëk thelbësor midis veprës dhe mbylljes së saj. Kur teksti ekziston, por fundi mungon, shfaqen dy mundësi krejt të ndryshme:

E para është fundi i hapur: mungesa e përgjigjes është e qëllimshme dhe pjesë e vetë veprës. Kështu ndodh te Murtaja e Albert Camus-së, ku fundi lë të kuptohet se murtaja mund të rikthehet, por nuk thotë as kur, as si. Mungesa këtu nuk është një dështim i veprës për të arritur fundin; ajo është vetë forma që autori i ka dhënë fundit. Mungesa pra i përket vetë veprës si strukturë; ajo është prodhuar nga brendia e saj estetike, nga vendimi i ndërgjegjshëm i autorit ose nga logjika e brendshme e formës që vepra ka zgjedhur për vete. Autori mund të refuzojë të japë një përgjigje të plotë, të lërë një fat personazhesh pezull, të mos e zgjidhë konfliktin qendror — dhe në secilin nga këto raste, ajo që nuk thuhet mbetet, paradoksalisht, ende pjesë e asaj që është thënë. Heshtja, në fundin e hapur, është vetë një element konstruktiv i veprës, jo mungesa e saj.

E dyta është vepra e papërfunduar, ku mungesa nuk është e zgjedhur, por e imponuar nga ndërprerja e procesit krijues: Bouvard et Pécuchet i Flaubert-it mbeti i pambaruar nga vdekja e autorit, ndërsa Kështjella e Kafkës nuk e kishte arritur ende përfundimin e saj të brendshëm kur procesi krijues u ndërpre.

Së treti, kur as teksti, as fundi nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, por ka ekzistuar vetëm një projekt i shpallur, kemi veprën e premtuar. Rasti i Virgjilit është paradigmatik: ai premtoi një poemë mbi Augustin, por nuk e shkroi kurrë. Këtu mungesa nuk lind nga humbja e një vepre të përfunduar, por nga fakti se vepra nuk kaloi kurrë nga premtimi në ekzistencë.

Mbetet forma e katërt, më paradoksalja: fundi ekziston, i dëshmuar historikisht, ndërsa teksti nuk ekziston. Është rasti i Epigonoi-t: ne e dimë se vepra ka pasur një përfundim dhe dimë diçka për përmbajtjen e saj, por vetë teksti ka humbur. Këtu kemi një marrëdhënie të përmbysur me veprën e papërfunduar: atje kemi tekst pa fund; këtu kemi gjurmën e fundit pa tekstin që e çoi deri tek ai.

Në ndërprerjen e vijimësisë ndodh saktësisht e kundërta strukturore. Heshtja këtu nuk është një formë e zgjedhur nga vepra si pjesë e strategjisë së saj retorike apo estetike; është, në vend të kësaj, pasoja e drejtpërdrejtë e zhdukjes materiale të vetë veprës. Vepra nuk ka vendosur vetë të ndalet në atë pikë; është ndalur, në mënyrë të dhunshme dhe krejt të jashtme ndaj çdo logjike të brendshme letrare, nga koha që gërryen çdo gjurmë materiale të tekstit, nga humbja fizike e kopjeve, nga shkatërrimi i bibliotekave, nga harresa institucionale ose thjesht nga aksidenti i pastër historik që vendos, në mënyrë krejt të rastësishme, se cilat tekste mbijetojnë dhe cilat jo.

Përballë një fundi të hapur, unë, si lexues, interpretoj: e vë veprën në lëvizje hermeneutike, e them atë çka vepra vetë më lejon ta them përmes heshtjes së saj të vendosur. Përballë Epigonoi-t, në vend të kësaj, unë imagjinoj — dhe kjo diferencë terminologjike nuk është thjesht stilistike, por strukturore. Interpretimi, çfarëdo qoftë liria hermeneutike që ai lejon, punon gjithmonë mbi një prani tekstuale, sado të pjesshme apo fragmentare qoftë ajo; imagjinata ime, në rastin e tekstit tërësisht të humbur, punon vetëm mbi gjurmët e jashtme të një mungese absolute — një titull, një atributim i diskutueshëm, një varg i vetëm. Prandaj ajo nuk e plotëson kurrë tekstin, sado e sofistikuar apo e informuar filologjikisht qoftë; vetëm e rrethon atë nga jashtë, si një hark që nuk mbyllet kurrë në rreth.

Kjo është, besoj, edhe arsyeja pse ai varg i vetëm që na ka mbetur nga EpigonoiΝῦν αὖθ᾽ ὁπλοτέρων ἀνδρῶν ἀρχώμεθα, Μοῦσαι, “Dhe tani, o Muzë, le t’ia nisim me ata që vijnë më pas” — mund të jetë njëkohësisht ngushëllim dhe torturë intelektuale, dy gjendje që në rrethana normale do të dukeshin të papajtueshme. Ai më tregon, me forcën e prekshme të një dëshmie filologjike, se poema ka qenë realisht aty, e plotë, e qarkulluar; dhe pikërisht kjo dëshmi e prekshme ma bën edhe më të dhimbshme, më të dukshme dhe më të pamohueshme faktin se, sot, ajo nuk është më askund ku unë mund ta arrij.

b) Disavantazhi i lexuesit që mbërrin shumë vonë

Cikli teban e bën këtë mekanizëm epistemologjik pothuajse fizikisht të prekshëm, sepse na ofron jo thjesht një tekst i vetëm i humbur, por një zinxhir narrativ të plotë, të koherent, në të cilin mungesa e një hallke bëhet aq më e dhimbshme sa më qartë shihen hallkat përreth saj.

Te Lutëset e Euripidit, historia ndodhet në një pikë specifike, të mirëpërcaktuar, pas katastrofës së ekspeditës së parë kundër Tebës: nënat e të rënëve i kërkojnë Tezeut, mbretit athinas, që t’u rikthehen trupat e të Shtatëve, në mënyrë që të mund t’i varrosin sipas rendit fetar dhe qytetar. Vepra merret, pra, me pasojën e menjëhershme — me trupin e mbetur pas luftës, me detyrimin sakral ndaj të vdekurve, me pamundësinë morale për ta mbyllur katastrofën thjesht duke e lënë pas, pa rit, pa varrim, pa pranim publik.

Por përtej kësaj pike të caktuar, unë e di — jo si hipotezë personale, por si fakt i dokumentuar filologjikisht — se historia tebane vazhdonte në traditën e njëjtë mitologjike dhe letrare. Brezat nuk kishin mbaruar me vdekjen e të Shtatëve. Bijtë e tyre, të njohur pikërisht si Epigonoi, do të ktheheshin dhjetë vjet më vonë për të përmbushur atë që etërit nuk mundën ta përfundonin: pushtimin e vetë Tebës. Kjo ishte, saktësisht, bota narrative e Epigonoi-t, poema e tretë e ciklit teban, e ardhur pas Thebaid-ës në rendin tradicional të transmetimit.

Vetë emri, në këtë kontekst, bëhet domethënës në një mënyrë që tejkalon funksionin e tij thjesht përshkrues: Ἐπίγονοι — ata që vijnë pas, ata që lindin pas një ngjarjeje, pasardhësit e një brezi që ka dështuar. Dhe pikërisht këtu emri fillon të pasqyrojë strukturën e humbjes sime si lexues: Epigonoi janë ata që vijnë pas të Shtatëve, pas luftës së tyre dhe pas dështimit të tyre; unë jam lexuesi që vjen pas Epigonoi-t, aq pas sa nuk mund ta arrij më tekstin që rrëfente ardhjen e tyre. Ata janë bijtë që erdhën pas të Shtatëve, pas luftës së tyre të humbur; unë jam lexuesi që vjen pas tyre. Epigoni i epigonëve.

Dhe këtu humbja bëhet, në mënyrë të pashmangshme, më shumë se thjesht bibliografike, më shumë se një zbrazëti në një katalog filologjik. Nuk kam humbur vetëm një tekst të vetëm midis mijërave të tjerëve që nuk kanë mbijetuar nga Antikiteti; kam humbur një kalim narrativ specifik dhe të domosdoshëm — nga etërit te bijtë, nga një katastrofë e parë te pasojat e saj të dyta, nga një luftë e humbur te lufta tjetër që kërkon ta shlyejë atë, nga një brez i mundur te brezi që trashëgon detyrën e tij. Epigonoi do të duhej të ishte pikërisht ura e lexueshme midis këtyre dy kohëve narrative dhe morale. Unë, sot, kam vetëm dy anët e kësaj ure, pa vetë strukturën që i lidh: kam Lutëset, që tregojnë pasojën e parë; e di, nga burime të jashtme, se ekziston edhe një pasojë e dytë, tashmë e kryer; por vetë hapësira narrative që do të më kalonte nga njëra te tjetra më mungon tërësisht.

Di, pra, me siguri filologjike, se poema ekzistonte realisht si tekst i qarkullueshëm; di se në Antikitet qarkullonte si vepër më vete, jo si thjesht një aluzion apo variant gojor; di se i atribuohej Homerit, megjithëse ky atribuim ishte vënë në dyshim që herët nga vetë kritikët e lashtë; di se burimet antike e lidhnin drejtpërdrejt me Thebaid-ën si vazhdim i saj i natyrshëm, duke trajtuar pikërisht ekspeditën e dytë kundër Tebës. Vetë tradita, në një ironi të hollë, na ka ruajtur vetëm vargun e parë të saj. Ky varg i vetëm qëndron si një prag: na çon deri te porta, na lejon të shohim se pas saj duhet të ketë diçka — dhe pastaj, menjëherë, ajo portë mbyllet.  Pas saj nis mungesa: e plotë, e pandërprerë, përfundimtare.

Dhe kjo mjafton plotësisht për të lindur tek lexuesi kompleksin e Epigonit, si përvojë specifike e ndryshme nga kurioziteti thjesht filologjik: jo vetëm sepse dua të di, në nivel informacioni, çfarë ndodhi më pas në ngjarje, gjë që një përmbledhje akademike mund të ma jepte pjesërisht; por sepse dua ta përjetoj vetë ngjarjen siç përjetohet një vepër letrare autentike — brenda rendit të saj të brendshëm, në kohën e vet ritmike, pa pasur ende, para leximit, dijen paraprake të asaj që vjen më pas. Një përmbledhje mund të ma tregojë historinë si skelet faktesh. Një fragment mund të ma tregojë një varg të vetëm, si gjurmë materiale. Një dëshmi indirekte, nga një skoliast apo nga një referencë e mëvonshme, mund të ma konfirmojë vetë faktin se poema ka ekzistuar. Por asnjëra nga këto — as bashkërisht, as veç e veç — nuk më jep atë që kam humbur vërtet, në thelbin e tij më intim: vazhdimësinë e vetë leximit si përvojë kohore e papërsëritshme.

Sepse unë, si lexues, nuk kërkoj thjesht fundin faktik të një historie, si të ishte një informacion enciklopedik që mund të konsumohet në një fjali. Kërkoj të jem, për pak kohë, brenda së ardhmes narrative të asaj historie — brenda pritjes së saj, brenda pasigurisë së saj të brendshme, brenda vetë kohës që vepra e krijon për lexuesin e saj dhe që asnjë përmbledhje, sado e saktë, nuk mund ta zëvendësojë.

II. Kushtet e një dëshire me objekt të pamundur

a) Mall për atë që nuk kam njohur

Malli është zakonisht një emocion retrospektiv: lind pasi diçka konkrete ka qenë e pranishme dhe pastaj ka pushuar së qeni e tillë. Kujtesa i jep objektit të vet një lloj pranie të dytë, zëvendësuese.

Por Epigonoi, pikërisht sepse s’e kam lexuar kurrë, e prish këtë mekanizëm nga rrënjët. Nuk kam çfarë të kujtoj; kam ardhur pas vetë mundësisë së kujtesës. E megjithatë diçka konkrete më mungon, në mënyrë po aq të prekshme sa çdo mall i zakonshëm.

Ky është paradoksi konstitutiv i kompleksit të Epigonit: ndiej mungesën e një përvoje që kurrë nuk e kam pasur. Sa më pak di për tekstin, aq më lehtë ai merr formë të lirë në imagjinatën time; sa më shumë dëshmi indirekte kam se ka qenë realisht, aq më e fortë bëhet ndjenja se diçka konkrete më është hequr nga duart. Dhe ndoshta pikërisht këtu libri i humbur prek strukturën më të thellë të vetë dëshirës: ajo që nuk mund të arrihet kurrë nuk konsumohet nga përvoja, mbetet përjetësisht e hapur. Epigonoi nuk mund të më zhgënjejë kurrë, sepse s’ka asnjë ballafaqim të mundshëm mes imazhit tim mendor dhe faktit tekstual.

Mbetet, kështu, në një gjendje ontologjike të pazakontë: real historikisht, në të kaluarën; por krejtësisht imagjinar në të tashmen e leximit tim aktual. Nuk po vajtoj, në fund të fundit, vetëm poemën. Po vajtoj njëkohësisht edhe lexuesin që unë vetë nuk arrita kurrë të bëhesha përballë saj.

b) Anti-entropi apo hipoteza e një rikthimi

Kompleksi i Epigonit nuk shtrihet vetëm mbi të kaluarën. Ka dy drejtime kohore. E para: diçka konkrete ka qenë dhe është zhdukur materialisht — dikush e ka hapur pikërisht atë faqe që unë kurrë nuk do ta hap. E dyta, më e thellë: humbja e vetë të ardhmes së leximit tim. Leximi është një marrëdhënie me të panjohurën; Epigonoi ma heq krejtësisht këtë të ardhme të mundshme. Padija mund të kapërcehet me kërkim; humbja materiale e një teksti, në shumicën e rasteve, jo.

Në këtë pikë, kompleksi i Epigonit ndahet nga nostalgjia klasike. Nostalgjia thotë: dua të kthehem te ajo që kam përjetuar. Kompleksi i Epigonit thotë: do të doja të kisha mundur ta përjetoja.

Dhe them “në shumicën e rasteve”, jo kurrë, sepse historia e fundit ka njohur edhe mrekulli. Në gusht të vitit 2022, gazetari francez Jean-Pierre Thibaudat zbuloi se dorëshkrimet e humbura të Louis-Ferdinand Céline-it — mbi gjashtë mijë fletë, ku përfshihen romanet e panjohur Guerre dhe Londres — nuk kishin humbur në kuptimin absolut, por ishin ruajtur në heshtje, për dhjetëra vjet, nga familja e rezistentit Yvon Morandat, që i kishte shpëtuar nga apartamenti i braktisur i shkrimtarit në vitin 1944. Tetëdhjetë vjet heshtje, dhe pastaj, papritur, kthimi.

Diçka e ngjashme, në shkallë edhe më të madhe, po ndodh tani me papirusët e karbonizuar të Vilës së Papiruseve në Herkulanum, të groposur nga shpërthimi i Vezuvit në vitin 79 pas Krishtit. Për shekuj, ata mbetën cilindra të thyer, të pahapshëm pa i shkatërruar. Sot, falë tomografisë me rreze X dhe algoritmeve të mësimit të thelluar — Vesuvius Challenge, që që prej vitit 2023 ka arritur të deshifrojë faqe të para të tyre pa i hapur fare — po dalin në dritë tekste filozofike që kanë qenë të fshehura që nga shekulli i parë. Studiuesit besojnë se në atë bibliotekë mund të gjenden edhe vepra të humbura të Aristotelit, apo poema të Safos.

Nuk e di nëse Epigonoi pret diku, i karbonizuar por i plotë, nën hirin e ndonjë biblioteke antike të pazbuluar ende. Por shembujt e Céline-it dhe të Herkulanumit më kujtojnë se mungesa letrare, sado përfundimtare të duket, nuk është gjithmonë e pakthyeshme. Ndoshta jo çdo derë e mbyllur është e mbyllur përgjithmonë.

Interval

Te Lutëset, historia e të shtatë kundër Tebës na lejon të shohim vetëm fillimin e pasojave. Konflikti ka ndodhur, por historia nuk përfundon aty. Pas etërve vijnë bijtë; pas të mundurve vjen brezi që do të përpiqet të përfundojë atë që etërit e nisën. Pikërisht këtë vazhdim, megjithatë, nuk e kemi më. Vepra që do ta tregonte ka humbur.

Ky nuk është fund i hapur. Në fundin e hapur, ajo që mungon i përket vetë veprës: teksti përfundon duke lënë diçka pezull. Këtu ndodh e kundërta. Nuk ka një heshtje të krijuar nga vepra, por një heshtje të krijuar nga humbja e saj. Nuk kam një përfundim të papërcaktuar për ta interpretuar; kam mungesën e vetë përfundimit.

Pikërisht aty merr formë kompleksi i Epigonit: vetëdija e të ardhurit pas një historie që dikur kishte ende një vazhdim. Të tjerë e kanë parë atë histori të shpalosej deri në fund; për brezat e mëvonshëm kanë mbetur vetëm disa fragmente, disa emra, disa gjurmë.

Nuk kam kujtim të asaj që ka qenë përtej. Kam vetëm vetëdijen se dikur ka ekzistuar diçka që tani mungon — dhe, bashkë me të, një shpresë të hollë, të ushqyer nga dorëshkrimet e rigjetura dhe papirusët që ende deshifrohen: se ajo që është humbur nuk është gjithmonë e humbur përgjithmonë.

Pas vargut të parë dhe të vetëm ku kam mbetur, të tjerë janë rreshtuar. Dikush i ka lexuar. Unë jo — të paktën jo ende.

Dhe në këtë hapësirë të pamundësisë, ku bashkëjetojnë humbja e dokumentuar dhe shpresa e brishtë e rizbulimit, poema e zhdukur vazhdon të ekzistojë në mënyrën e vet më të çuditshme:

si mungesë që pret.

Kompleksi i Epigonit.

(c) 2026 Arbër Shtëmbari. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është krijuar me AI.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading