Ndoshta gjithë gabimi nis që në themel, te mënyra si na është mësuar ta kuptojmë “zhvillimin” apo “suksesin” dhe si ta masim atë.
Zhvillimi, sidomos në varfëri kolektive, ngjan si e mira absolute dhe e vërteta e vetme. Në varfëri, premtimi për zhvillim nuk lë vend për të kundërshtuar apo për të vënë në pikëpyetje se si do të arrihet aty. Madje fjala “zhvillim” ka marrë mantelin e shenjtë të paprekshmërisë, aq sa e përmendim me të njëjtin kujdes sikur të ishim duke thënë një lutje që e kemi mësuar përmendësh dhe të cilën nuk duhet kurrsesi ta ngatërrojmë me fraza spontane tonat.
Nëse premtimi që i bëhet një shoqërie të varfër është zhvillimi, askush nuk ka të drejtë dhe askush nuk mundet, pasi përndryshe do të dukej e përbindshme dhe absurde, të ndalojë turravrapin për të marrë pak kohë e për të pyetur veten, shokun përbri, institucionet apo dhe qeverinë se me çfarë kostosh po shkojmë drejt zhvillimit.
Çfarë humbim kur shkatërrojmë teatrin, pallatin historik apo pastiçerinë e vjetër të lagjes, dhe zvogëlojmë rrugët e hapësirat për të ndërtuar dhjetëra kulla në një vend në shpopullim? Çfarë humbim kur gërryejmë dhe sheshojmë natyrën e biodiversitetin e zonave të mbrojtura për t’i hapur vend turizmit elitar, përmes resorteve madhështore e luksoze? Çfarë komprometojmë kur blejmë, me paratë e fondit rezervë të emergjencave, një koncert privat të një këngëtari ndërkombëtar jo fort të dashur apo kultivuar në kontekstin politik të sotëm, vetëm e vetëm për të ruajtur imazhin e një vendi joshës për investitorët e huaj?
Kushdo që guxon t’i ngrejë këto pyetje, kushdo që pyet për çmimin e vërtetë që paguhet për këtë “përparim”, shpallet menjëherë kundërshtar i përbetuar i vetë zhvillimit.
Na kanë thënë gjithashtu se suksesi shihet te shifrat dhe matet me sasinë që kemi mbledhur, sa para kemi bërë, sa shtëpi kemi blerë, çfarë titujsh pune zotërojmë, sa vota kemi marrë, sa kulla ngremë, sa resorte ndërtojmë, sa turistë vijnë apo sa investime të huaja sjellim.
Nëse sasia është e konsiderueshme, nuk ka më rëndësi se si u arritën apo çfarë sollën në jetën tonë të përditshme. Shifrat tregojnë bollëk, tregojnë sukses, ndaj çdo gjë tjetër bëhet jo relevante. Nuk ka më rëndësi nëse këto shifra përkthehen në përfitime të vërteta që lehtësojnë jetën dhe pasurojnë shpirtin e njeriut. E rëndësishme është sa llamburitës është numri i sendeve të grumbulluara.
John Perkins, në librin e tij Rrëfime të një vrasësi ekonomik (Confessions of an Economic Hit Man), tregon një histori që, për fat të keq, tingëllon shumë e ngjashme me atë që po ndodh sot në Shqipëri.
Ai rrëfen se si, gjatë punës së tij si një “vrasës ekonomik”, një prej detyrave që i ishin caktuar ishte të përpilonte studime ekonomike të sofistikuara për vendet në zhvillim. Këto studime hartoheshin në mënyrë të tillë që të krijonin bindjen se duke pranuar hua të majme, duke shitur apo vënë në dispozicion pasuri publike, si dhe duke kontraktuar kompani amerikane për ndërtimin e sistemeve energjetike të mëdha apo të projekteve të tjera infrastrukturore, këto vende do të përparonin.
Në rrëfimin e tij, Perkins pranon se në shkollë e kishin mësuar të besonte se kjo ishte rruga e duhur drejt zhvillimit. Mirëpo koha do t’i mësonte krejt ndryshe. Gjatë përvojës së tij me vendet në zhvillim, ai kuptoi se këto projekte, të cilat në letër dukeshin si zgjidhja e vetme dhe e padiskutueshme drejt suksesit, në të vërtetë nuk shpërblenin tjetër veçse bizneset në pronësi të disa familjeve të fuqishme.
Pak nga pak, Perkins zbuloi se gjatë punës së tij, në vend që të kishte ndihmuar në zhvillimin e vendeve në zhvillim, ai kishte ndihmuar një pakicë njerëzish të pasurohej edhe më shumë dhe i kishte hapur rrugën korporatave amerikane që të gjeneronin fitime marramendëse. Ndërkohë, vendi, në fund të kësaj rruge, që dukej aq e përndritur drejt zhvillimit të premtuar, kishte humbur jo vetëm kontrollin mbi burimet e veta natyrore, por kishte thelluar edhe varësinë ndaj të tjerëve.
Prej këtej, Perkins arriti në përfundimin se ka ardhur koha të ndryshojmë rrënjësisht mënyrën se si e masim suksesin ekonomik.
Me sa duket, premtimi për një zhvillim ekonomik të padiskutuar dhe të pavënë në dyshim është kurth për vendin në zhvillim.
Shqipëria sot gjendet në të njëjtin kurth, të ngritur me një saktësi që të lë pa frymë kur e krahason me rrëfimin e Perkins.
Ne jemi një vend i varfër dhe pikërisht kjo varfëri duhet të ishte arsyeja për të qenë më të kujdesshëm në shkëmbimet që bëjmë, për të vlerësuar më mirë atë që na ka mbetur. Ndërkohë, paradoksalisht, pikërisht ajo që na ka mbetur po përdoret si argumenti mbi të cilin mbështetet logjika ekonomike e dorëzimit të gjithçkaje që kemi më të çmuar: natyrës, tokës, detit, identitetit.
Shoqëria shqiptare ka mësuar të mendojë se paratë e thata, sendet, titujt, kullat, resortet dhe koncertet do të na nxjerrin nga varfëria dhe do të na çojnë drejt zhvillimit. Përndryshe, na kanë paralajmëruar, do të mbetemi përgjithmonë të varfër.
Dhe kështu, hap pas hapi, shoqëria i ka hapur rrugën të huajit që vjen për të marrë tokën; ka toleruar oligarkun vendas të ndërtojë pa pushim mbi të; ka mbyllur sytë që paraja e pistë të përshkojë qetësisht dhe lirisht tejpërtej betonit që shtrohet gjerë e gjatë dhe ngrihet përherë e më lart.
Shoqëria ka gëlltitur prej kohësh një kafshatë edhe më të pagëlltitshme se vetë mjerimi: mashtrimin se Shqipëria do të pasurohet duke hequr dorë pikërisht nga ajo pasuri që e identifikon: natyra e saj.
Në termat e suksesit të gënjeshtërt, natyra zbërthehet duke i ndryshuar emrin: kështu toka quhet aset dhe deti potencial, pyjet quhen zona zhvillimi, kurse zonat e mbrojtura quhen investime strategjike dhe çdo gjë tashmë ka një çmim.
Pothuaj pa e kuptuar, duke e copëtuar pasurinë publike në matës suksesi dhe zhvillimi, nis tjetërsimi i natyrës. Një tjetërsim që ka fuqinë e pakthyeshme të ndryshojë, deri në zhdukje, edhe vetë identitetin e njeriut që i përket asaj natyre.
Është pikërisht këtu ku John Perkins takohet me idetë e psikoanalistit Erich Fromm.
Erich Fromm shkroi librin Të jesh apo të kesh? në vitet 70, në një kohë kur vetë Perëndimi po zbulonte, me njëfarë habie të hidhur, se prodhimi i pafund dhe konsumi i pafund nuk po prodhonin domosdoshmërisht një jetë më të mirë, siç ishte premtuar.
Sigurisht, Fromm nuk predikonte varfërinë si virtyt. Ai i njihte mirë të dyja gjendjet e të jetuarit: të pasurit dhe të qenit. Mirëpo Fromm ngrinte një pyetje më të thellë: çfarë i ndodh njeriut kur fillon ta matë veten vetëm me atë që zotëron, me atë që mund t’ua tregojë të tjerëve, me atë që arrin të grumbullojë dhe shumëfishojë? A mbetet ende vetvetja, apo shpërbëhet ngadalë në sendet dhe titujt që ai zotëron?
Fromm mendonte se shoqëria e zënë në maninë-kurth e të pasurit sa më shumë është një tufë njerëzish të palumtur, të vetmuar, nervozë, depresivë, shkatërrues, të cilët kënaqen duke vrarë kohën që përpiqen të kursejnë.
Pyetja e tij e famshme, “Nëse jam ajo që kam dhe e humbas atë që kam, atëherë kush jam?”, e zhvendosur tashmë nga individi te një komb, mund t’i drejtohet sot vetë Shqipërisë.
Nëse vendi ynë fillon ta matë veten vetëm me numrin e turistëve që vijnë e ikin, me metrat katrorë të betonizuar përgjatë bregut, me çmimin e tokës që rritet pa kuptim dhe me paranë që hyn pa u pyetur se nga vjen, çfarë do të na mbetet kur toka të mos u përkasë më shqiptarëve? Kur bregdeti të mbyllet plotësisht pas mureve e kangjellave private? Kur natyra të shndërrohet në një bezdi, një pengesë që duhet hequr qafe në emër të zhvillimit, e kur qytetari të mbetet thjesht një fuqi punëtore shumë e lirë dhe lehtësisht e zëvendësueshme?
Ajo çfarë na shpëton shpesh, kur përpiqemi të kuptojmë se çfarë po shkon kaq keq në Shqipëri, është se nuk bëhet fjalë thjesht për korrupsion.
Korrupsioni është pjesa e dukshme e problemit.
Nën koracën e korrupsionit qëndron një anomali më e thellë dhe më e rrezikshme: mendësia sipas së cilës çdo gjë mund të shitet, për sa kohë dikush me pushtet arrin ta veshë me një emër të pranueshëm e premtues dhe të përdorë fjalëkalimin “zhvillim” apo “sukses”.
Sepse një shoqëri që mëson të mendojë vetëm si të ketë më shumë, pa ngritur asnjë pyetje, pa vendosur asnjë kufi, rrezikon të harrojë krejtësisht si të jetë.
Revolucioni Flamingo lindi ndoshta pikërisht nga nevoja e natyrshme njerëzore për ta kundërshtuar këtë lloj zhvillimi tjetërsues. Lindi si një pikëtakim i papritur, por krejt i natyrshëm, i ndërgjegjeve individuale që deri atëherë kishin ndjerë të njëjtin shqetësim në vetmi dhe që, befas, e zbuluan njëra-tjetrën në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend, duke u shkrirë në një ndërgjegje të vetme kolektive kundër humbjes së vetvetes.
Një përplasje e tillë mes suksesit të mësuar dhe gjendjes fillestare të të qenit i përngjan përplasjes së dy pllakave tektonike, nga e cila njëra zhytet nën tjetrën dhe pikërisht prej kësaj tronditjeje lind një ishull i ri.
Tanimë kjo ndërgjegje e re kolektive nuk pyet më sa shitëm, sa ndërtuam apo sa fituam, pasi matësit e vjetër të suksesit nuk mjaftojnë më për t’i dhënë kuptim asaj që ndiejmë, asaj që jemi dhe duam të bëhemi.
Pyetja e vërtetë, ajo që Perkins ua drejtonte ekonomive, kurse Fromm shpirtit njerëzor, është në fakt një e vetme, krejt e thjeshtë dhe e pashmangshme:
Çfarë njerëzish po bëhemi teksa rendim pas zhvillimit dhe suksesit?
E më tutje, çfarë shkatërrohet në mënyrë të pakthyeshme dhe çfarë do të mbetet në fund, kur pluhuri i ndërtim-shkatërrimit të jetë ulur dhe zhurma e fadromave të ketë pushuar?
Kur Shqipëria të vlejë më shumë, siç thuhet vazhdimisht se do të ndodhë, kujt do t’i vlejë ajo në të vërtetë dhe kujt do t’i kushtojë?
(c) 2026 Anisa Kuqi. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.