Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kinema / Kritikë

PROPAGANDA, PERFORMANCA DHE PUSHTETI

Film di Stato (2025)
Regjia: Roland Sejko
Shteti i prodhimit: Italia
Produksioni: Instituti Luce Cinecittà
Kohëzgjatja: 78 minuta
Premiera botërore: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Venecia, shtator 2025.
Premiera shqiptare: Festivali Ekrani i Artit në Shkodër, maj 2026.

Kur shteti bëhet regjisor i vetes, çdo kuadër shndërrohet në një skenë. Çdo paradë, çdo vizitë shtetërore, çdo duartrokitje, çdo valle e organizuar për aleatët e radhës merr trajtën e një shfaqjeje të koreografuar me kujdes. Pikërisht këtë mekanizëm të përhershëm të vënies në skenë shqyrton Roland Sejko në dokumentarin Film di Stato, një vepër e ndërtuar krejtësisht mbi imazhe dhe kronika arkivore që rikthejnë para syve katër dekada të Shqipërisë komuniste. Sejko i qaset arkivit si një terren hetimi. Pamjet e prodhuara dikur për të madhëruar regjimin riorganizohen në mënyrë të tillë që fillojnë të rrëfejnë përtej funksionit të tyre fillestar, duke zbuluar çarjet, heshtjet, madje edhe kontradiktat e ngulitura në vetë materialin filmik.

Filmi hapet me fundin: vajza të reja që vendosin lule mbi varrin e Enver Hoxhës, vajtojnë dhe puthin mermerin. Shikuesi e di se këto pamje zie paraprijnë një kthesë dhe se vetëm pak vite më vonë turma do të rrëzojë monumentin e tij në qendër të Tiranës, ndaj çdo lot, çdo gjest adhurimi dhe çdo shenjë pikëllimi fiton një kuptim të dyfishtë dhe ngre pyetjen se deri ku shtrihej besimi i vërtetë dhe ku fillonte performanca politike e ushqyer për katër dekada nga aparati i pushtetit.

1. Vajtim mbi varrin e Enver Hoxhës, prill 1985.

Nga triumfi i viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore, dokumentari ndjek ndërtimin gradual të një shteti që e koncepton veten përmes figurës së udhëheqësit. Të rinjtë paraqiten në kantierë pune, në fusha bujqësore, në aksione industriale,  krah parullash që e bëjnë shtetin si përfituesin e drejtpërdrejtë të sakrificës së tyre. Treni që kalon në hekurudhën e sapondërtuar Durrës-Tiranë mban në lokomotivë portretet e Enver Hoxhës dhe Stalinit, ndërsa turmat valëvisin flamuj në një atmosferë entuziazmi si të orkestruar. Teksa vendi ngre hekurudha e uzina, merr trajtë ngadalë edhe një ritual bindjeje, i përsëritur në tribuna, ceremoni, aksione pune dhe festa shtetërore, derisa bëhet pjesë e natyrshme e peizazhit shoqëror.

Në këtë aspekt, Film di Stato shndërrohet edhe në një studim antropologjik mbi transformimin e identitetit kolektiv nën diktaturë. Takimet e Hoxhës me Titon, e Stalinin, si dhe vizitat e Hrushovit dhe Çu Enlait mund të lexohen fillimisht si episode të historisë diplomatike të regjimit, por gradualisht shpalosen si momente kur një populli të tërë i kërkohet të rikonfigurojë gjuhën e vet simbolike. Ndryshojnë pankartat, këngët, dedikimet, repertorët artistikë. Nëse dje festohej vëllazëria me Jugosllavinë, sot shpallet tradhtia jugosllave. Aty ku Stalini paraqitej si figura e pakapërcyeshme e komunizmit botëror, pasardhësi i tij Hrushovi shpallet revizionist. E kështu, në vend të sovjetikëve, skenat mbushen me delegacione dhe artistë kinezë. Rrëfimi i Sejkos e bën të dukshëm këtë mekanizëm të përsëritur rreshtimi politik, ku ndryshimi i aleancave gjen shprehje të menjëhershme në hapësirën publike. Miqtë e përjetshëm shndërrohen në armiq të përjetshëm me të njëjtën shpejtësi me të cilën ndërrohen parullat në fasada.

Një nga meritat e këtij dokumentari qëndron tek montazhi i materialit arkivor për të ekspozuar mekanizmat e kontrollit. Sejko nuk është i interesuar për narracionin shpjegues, përkundrazi, ai e ndërton kuptimin përmes përplasjes së imazheve. Ai vetë e pranon që natyra e tij e punës bazohet në kërkimin e pafundim në arkiva dhe më pas në montim, duke bërë dhe ribërë derisa ta lidhë në sintaksë lëndën vizuale, që të rezonojë po aq ritmikisht. Montazhi nuk shërben për të ilustruar një tezë të parapërgatitur, por për të zbuluar domethënie të fshehura brenda vetë materialit. Kjo filozofi ndihet vazhdimisht në strukturën e filmit.  

Kulmi i këtij leximi kritik të arkivit vjen në sekuencat e tribunës së 1 Majit: Koreografi masive, lëvizje të sinkronizuara pothuaj ushtarakisht, ky është momenti kur regjimi sheh të ekspozuar fuqinë e vet të estetizuar në qindra mijë trupa njerëzorë. Mirëpo pikërisht aty Sejko zbulon çarjen e vogël që rrënon iluzionin: “Tribuna e 1 Majit (1979) ka një element brenda që kamera zyrtare e fsheh menjëherë, që është një personazh duke i treguar tjerëve si duhet të duartrokasin. Atë kamera zyrtare nuk e jep.” Brenda pak sekondash shembet spontaniteti i gjithë spektaklit, duke zbuluar një masë që nuk reagon, por mëson në vendngjarje mënyrën se si duhet të duket reagimi.

Ky motiv i performancës së detyruar rikthehet në dokumentar me fizkulturën kolektive, maratonat dhe manifestimet sportive, simulimet e sulmeve bërthamore, evakuimet masive sipas një skenari lufte, që parashikon maskimin kundër gazit, vrapimin me alarm dhe strehimin në bunkerë e tunele të një shoqërie që jeton nën paranojën shtetërore. Kufiri ndërmjet edukimit politik dhe disiplinimit trupor bëhet gjithnjë e më i paqartë dhe trupi njerëzor shndërrohet në mjetin përmes të cilit pushteti demonstron forcën e vet.

2. Koreografia e festimeve të 1 Majit, 1979.

Po aq domethënëse është prania e numrit dy të regjimit, Mehmet Shehut. Sërish përmes ontazhit, në sekuencat vetëm në gjueti të kryeministrit ose bashkë me Enver Hoxhën, Sejko krijon një ndjenjë largësie dhe shkëputjeje progresive ndërmjet dy figurave që për dekada kishin ndarë të njëjtin pushtet. Më pas vjen mbledhja famëkeqe e dhjetorit 1981. Partia e përjashton post-mortem dhe kërkon miratimin e sallës. Janë  pro, askush nuk heziton. Kur kërkohet kundërshtim, salla nuk reagon. Skena mund të duket absurde në shikim të parë, por pikërisht në atë absurditet zbulohet natyra e aparatit intimidues. Në një sistem të tillë, edhe njeriu i dytë më i fuqishëm në vend mund të zhduket nga historia brenda natës.

Një nga linjat më prekëse të filmit është transformimi gradual i vetë Enver Hoxhës. Fillimisht është paraqitur si qendra gravitacionale e sistemit, turma që brohoret emrin e tij, delegacione të huaja që vijnë për ta takuar, mirëpo, me kalimin e kohës, kjo figurë monumentale fillon të tkurret, dhe në vend të tribunave e mitingjeve, paralelisht me vetizolimin e shtetit shqiptar në planin politik shfaqet izolimi i Hoxhës në trupin e tij biologjik: ecë ngadal, bën lëvizje të kufizuara dhe heshtjet i ka të gjata. Kemi arritur një momentet më të rafinuara të dokumentarit. Sejko ka përdorur materiale të panjohura më parë nga arkivat familjare të diktatorit, xhiruar nga shefi i rojeve të sigurisë. Megjithatë, regjisori ka bërë një përzgjedhje shumë të vetëdijshme. Nga arkivat familjare ka marrë vetëm pjesët ku janë Enver dhe Nexhmije Hoxha, vetëm skena ku ata nuk flasin fare me njëri-tjetrin, si skena ku ajo lexon gazetën dhe ai shikon në humbëtirë.

Këto pamje krijojnë një kontrast tronditës me ikonografinë triumfaliste të dekadave të mëhershme, ku njeriu që dikur komandonte ritmin e një shteti të tërë shfaqet tashmë i zhvendosur në një tjetër gjendje ekzistence, ndërsa pushteti mbetet i pranishëm, por trupi që e mishëron atë bart shenjat e lodhjes, plakjes dhe rrënimit, duke i dhënë dokumentarit një dimension pothuaj tragjik, sepse na kujton se edhe regjimet që projektojnë përjetësi mbeten të lidhura me përkohshmërinë e njeriut.

Enver dhe Nexhmije Hoxha në pamje nga vitet e fundit të regjimit.

Në fund filmi kthehet aty ku kishte nisur. Nga vajtimi kolektiv për vdekjen e Hoxhës te rrëzimi i monumentit të tij në vitin 1991. Rrethi mbyllet. Katër dekada me survejim, internime, burgime, censurë dhe frikë kanë lënë gjurmën e tyre. Turma që dikur ishte stërvitur të duartrokiste sipas komandës refuzon më në fund të luajë rolin e caktuar. Kamera regjistron fundin e një rendi që për vite me radhë kishte kërkuar bindje dhe performancë. Dhe me shembjen e monumentit shembet edhe vetë skena mbi të cilën ishte luajtur për dyzet vjet drama e pushtetit. Një popull i lodhur nga detyrimi për të interpretuar besnikërinë e vet refuzon të performojë më. Koha e shfaqjes ka mbaruar.

Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, Tiranë, 20 shkurt 1991.

© 2026 Bleart Thaçi . Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading