Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

THJESHT “ATA”

“E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, është indiferenca.” – Elie Wiesel

Dua të rrëfej dy episode që s’i harroj dot, sepse në to pashë diçka që më vonë do ta njihja fort mirë: indiferencën, apatinë, cinizmin, atë kalbje të ngadaltë të shpirtit që nis pa u ndier.

Ishte 9 janari i vitit 2004. Në ujërat e Otrantos u mbyt një gomone: nga tridhjetë e gjashtë vetë në bord, njëzet e tetë nuk u kthyen kurrë. Kuptohet që ishim të gjithë të tronditur dhe pa gjumë, pasi kishim pritur para TV-së lajme për shpëtimin e tyre. Të nesërmen, në klasë, çdo gjë dukej pa kuptim; kaq e parëndësishme ishte të bëje mësim. Ishin vitet e fundit të kalbjes së qeverisjes së asaj kohe, qeverisë “Nano”. Çuditërisht, fundet e qeverive tek ne vijnë gjithmonë me tragjedi. Uroj të mos përsëritet.

Thënë kjo, vendosëm të mbanim një minutë heshtje për të humburit. Kur u çuam, pashë disa fytyra të përtuara e disi cinike. Iu drejtova një studenteje që e njihja si militante partie: “Ke diçka për të thënë?” Përgjigjja ishte: “S’i dërgoi njeri në det të hapur”, duke nënkuptuar se qeveria s’kishte asnjë faj; e kishin kërkuar vetë. Aty, në atë çast, humba qetësinë, por kuptova gjithashtu sa lehtë mund të tjetërsohet njeriu e mësohet ta shohë humbjen e tjetrit si diçka që s’e prek.

Episodi i dytë erdhi me 21 janarin e 2011-ës, një tragjedi tjetër që i parapriu fundit të qeverisë “Berisha”, por, siç po shohim, jo fundit të tij politik. Atë kohë s’jetoja në Shqipëri. E ndoqa nga larg, si shumë të tjerë në emigrim. Ajo që më tronditi përsëri ishin statuset e një shoku të afërt, i cili kishte zgjedhur t’i vërsulej protestuesve të vrarë. Në fillim tha se demonstruesit qenkëshin “armatosur” me vegla vdekjeprurëse: çadra e stilolapsa. Pastaj, se e kishin fajin vetë, sepse ndoqën Ramën dhe ai i përdori si mish për top. Ishte një nga ato çaste kur s’u beson dot as veshëve as syve. Aty, përsëri diçka u thye, e më pas kuptova se s’mund të jemi më shokë.

Dhe ja ku jemi sërish, përballë të njëjtit skenar. Vetëm se këtë radhë në krye të pushtetit është Rama, ai që dikur udhëhiqte protestat e që tashmë është kthyer në atë ndaj të cilit protestohet, kurse në shesh është një lëvizje qytetare, më e gjera që nga fillimi i viteve ’90. Nisi për një lagunë, për flamingot e Nartës, për një bregdet që po shitet, dhe u bë diçka shumë më e madhe. Jam i sigurt se disa prej njerëzve që i shohin pamjet e përplasjeve mes policisë dhe njerëzve mendojnë me vete, ose e thonë me zë:

“Nuk i detyroi njeri të shkojnë atje. Si guxojnë të qëllojnë me vezë apo të fyejnë?”

Kushdo që e thotë këtë, në atë çast bëhet njësh me pushtetin, me palën që në mënyrë krejt disproporcionale mban forcën. Dhe këta rrallë janë njerëz të këqij. Mund të jenë të shkolluar, të kulturuar, madje empatikë. Njerëz që dinë të pikëllohen për padrejtësi të largëta, për viktima që s’i kanë parë kurrë, në vende ku s’do të shkelin kurrë. Por kur padrejtësia troket te dera e tyre, kur prek klanin, interesin apo rehatinë, empatia u shteret befas. Atje protestuesi pushon së qeni bashkëqytetar. Bëhet thjesht “ai”. Bëhet thjesht “ata”.

Ky është çelësi i gjithçkaje. Dehumanizimi nuk nis me urrejtje; nis me indiferencë. Nis me atë hap të vogël të përtacisë morale ku vendos se dhimbja e tjetrit nuk të përket, se ai “e kërkoi vetë”, se “s’i dërgoi njeri atje”.

Tri qeveri, tri dekada, i njëjti refleks. Ndërrohen vetëm zotërit. Nano, Berisha, Rama: emra të ndryshëm mbi të njëjtën gramatikë pushteti, ku qytetari që ngre zërin nuk trajtohet si zot i këtij vendi, por si lypës i bezdisshëm që s’di ku e ka vendin. Dhe sa herë që ne, qytetarët, e pranojmë këtë gramatikë, sa herë që themi “e kërkoi vetë” për atë që guxoi të dalë në shesh, ne vetë e legjitimojmë. E ushqejmë. E bëjmë të pavdekshme.

Sepse rrethi vicioz i demokracisë sonë nuk mbahet gjallë vetëm nga ata që sundojnë. Mbahet gjallë njëlloj nga ata që, përballë pamjeve të dhunës, kthejnë kokën nga ana tjetër dhe pëshpërisin: “s’më takon mua”.

Elie Wiesel, që e dinte fare mirë se ku të çon indiferenca, tha se e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por indiferenca. Dhe shtoi, nga një përvojë që askush prej nesh s’do ta dëshironte, se neutraliteti ndihmon përherë shtypësin, kurrë viktimën; se heshtja e inkurajon torturuesin, kurrë të torturuarin.

S’po kërkoj që të gjithë të dalin në shesh. Po kërkoj diçka më të vogël, e njëkohësisht më të vështirë: të mos e kthejmë kokën. Të mos themi “ata”. Sepse ai që sot është “ata” për ty, nesër je ti për dikë tjetër. Dhe atë ditë, heshtja që ke ushqyer do të kthehet e do të të gjejë, të vetëm.

© 2026 Ilir L. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading