U fol shumë këto ditë, dhe në kontekste potencialisht shpërthyese, për një letër të hapur që një arkitekt holandez, Reinier de Graaf, ia ka dërguar shkëlqesisë së tij, “dear Edi”, për t’ia lëvduar mbështetjen që u jep atij dhe kolegëve të tij dhe për t’i uruar që të mos e lëshojë kurrë postin, madje edhe me kusht që një ditë të bëhet Mbret.
Letra është botuar në broshurën The Albanian Files (2026, Lars Müller Publishers), e cila hapet me një parathënie të vetë kryeministrit.
De Graaf është arkitekt i njohur anembanë rruzullimit; vështirë të besojë njeriu se dëshira e tij, e shprehur kështu në publik, është që miku “Edi” një ditë të gdhihet vërtet mbret i Shqipërisë dhe autokrat dashamirës i arkitektëve. Vetë kryeministri i Shqipërisë e quajti letrën “satirike” dhe “auto-ironike”. Megjithatë, mishërimi i ironisë së De Graaf-it, në urimin për ta parë një ditë Ramën autokrat, nuk më duket kaq i pafajshëm.
Të kish qenë letra private, do ta kisha likuiduar si një shkëmbim intim dhe indiosinkratik mes dy miqsh, që me kohë mund të kenë përpunuar një kod të posaçëm komunikimi; dhe nuk do ta merrja mundimin të komentoja më tutje. Por letra është e hapur. Atje De Graaf shpreh – pa ironi – admirimin e tij për gjithçka që Rama ka arritur qëkur u bë kryeministër. Nën sundimin tënd, i thotë arkitekti holandez bashkëfolësit, Shqipëria ka fituar një status pothuajse model; dhe mes meritave për këtë status model numërohet edhe ajo e shijes së shkëlqyer që po tregon Shqipëria në arkitekturë.
De Graaf shpreh pastaj shqetësimin se mos zgjedhjet e ardhshme sjellin në pushtet një regjim të ri, që nuk do të kujdesej për arkitektët kaq mirë sa i tanishmi. Dhe meqë profesioni ka qenë historikisht i varur nga patronazhi politik, çfarë do të ndodhë sikur “kjo mekë e arkitekturës bashkëkohore” një ditë të ndërrojë derëtar dhe të mos pranojë më haxhilerë?
Më e mira për ne arkitektët, shton ai, do të ishte sikur zgjedhjet e ardhshme të anuloheshin (!).
Ndoshta kur arrin te ky pasazh, lexuesi fillon ta kuptojë se ka ndodhur ndërkohë edhe kalimi nga jo-ironia në ironi; por me kusht që autori i letrës, maestroja De Graaf, të jetë njeri me mend, në kontroll të gjërave që thotë e që shkruan.
Me fantazinë e tij epistolare për “mbretin Ed”, De Graaf me gjasë ka parasysh një regjim autokratik, ku gjërat t’i vendosë “i pari i vendit” sipas dëshirës; duke u dhënë – mes të tjerash – fushë të lirë veprimi arkitektëve. Unë këtë e lexoj kështu: prej këtij mbreti, sado ironik dhe retorik, pritet që ta manipulojë ose edhe fare ta injorojë ligjin, nëse këtë e kërkojnë ambiciet dhe vizionet e arkitektëve.
Meqë De Graaf-i qëllon të jetë holandez, më shkon mendja që edhe vetë Holanda është mbretëri kushtetuese parlamentare, që operon si demokraci përfaqësuese ku mbreti shërben si kryetar ceremonial i shtetit me fuqi politike të kufizuar, ndërsa qeverinë përkatëse e drejton një kryeministër i zgjedhur nga parlamenti, në bazë negociatash mes partive.
Nuk ka gjasa që De Graaf-i, kur e sendërton Edin e tij mbret, të ketë pasur parasysh modelin e monarkisë në Vendet e Ulëta; sepse arkitektët atje nuk i lë kush të livadhisin… si në Shqipëri.
Në fakt, një nga arsyet pse arkitektët dhe starkitektët po tërhiqen pas Shqipërisë – përveç magnetizmit të liderit të saj – është edhe statusi i saj si vend legjislativisht i papjekur, ende jashtë Europës, dhe ku një lider simpatik e mirëdashës i ka ende mundësitë për t’u treguar kreativ me ligjin, njëlloj siç është treguar kreativ me artin, duke u dhënë klientëve të vet sqimatarë shkas të mjaftueshëm që të kultivojnë egot në hava.
Marrëdhënia që kërkon të vendosë letërshkruesi me kryeministrin Rama duket si ajo mes dy elitarëve që gjithnjë arrijnë të merren vesh mes tyre, mbi premisën solide se i përkasin një soji të rrallë, një klubi ekskluziv. Në atë nivel, madje mund të bien dakord se ligji nuk mund të veprojë ndaj tyre as t’ua gardhojë ambiciet; sepse ligji parakupton atë lloj barazie (égalité), që këta duhet ta shpërnjohin a priori, për t’u ndier të afërt mes tyre.
Ironia dhe hiperbola, në letrën e De Graaf-it, të lënë shije të keqe; në fakt, nëse ligji priret t’i kufizojë, t’i frenojë, t’i asfiksojë fantazitë dhe fantazmagoritë e arkitektëve, atëherë mbase këto e meritojnë të trajtohen kështu, në emër të së mirës publike.
Jam i bindur që Rama e kupton këtë më mirë se unë.
De Graaf-i shkruan, në letër, për ngjarjet historike që po shpalosen, gjatë kohës që këta të dy bisedojnë. Autokracia, thotë ai, po fiton terren si forma përfundimtare e qeverisjes në shekullin XXI, teksa shpresat për një alternativë produktive po thyhen e shkërmoqen përditë. Duket se jemi dëshmitarë, thotë, të fundit të Fundit të Historisë.
Letra është e 3 marsit 2025; dhe letërshkruesi atje kushedi ka parasysh Putinin, Xi-në dhe Trump-in, por edhe ndonjë tjetër (me siguri jo mbretin e Holandës); hija, veçanërisht e Trump-it, ia turbullon, ose alternativisht – dhe ironikisht – ia ndriçon imagjinatën. Ndoshta varësia e mega-projekteve arkitektonike nga vullneti politik dhe qytetar e bën holandezin të dyshojë se sa të nevojshme janë ato vërtet për këta qytetarë dhe komunitete, në krahasim me sa të nevojshme janë për porositësit pushtetarë lokalë.
Këtu më intereson veçanërisht premisa me të cilën njerëz të kalibrit të De Graaf-it u qasen liderëve politikë të kalibrit të Ramës: çfarë presin pikërisht prej tyre? Do të ishte tejet banale, të supozohej se duan të bëjnë emër dhe para; sepse këto tashmë i kanë. Sikurse kanë në dispozicion edhe arrogancën, që u siguron mundësia për të ndërhyrë me projekte të tilla në jetën e njerëzve. Dhjetëra e qindra mijëra njerëzve, anembanë botës.
Më vjen ndërmend romani The Fountainhead, i Ayn Rand-it (në shqip botuar si Burimi i jetës); ku vizioni dhe ambicia krijuese e një mendjeje individuale superiore përballet me rezistencën dhe inercinë nga konformistët dhe parazitët, që kanë nevojë të vazhdueshme për opinionin e “të tjerëve”.
Kur del në gjyq për t’u mbrojtur ndaj akuzës se ka hedhur në erë projektin e vet madhështor të Cortland Homes ngaqë nuk mundi të pranojë modifikimet që i kishin bërë, arkitekti krye-hero Howard Roark shpjegon se egoja është burim i krejt progresit njerëzor dhe se krijuesit duhet të lihen të lirë të kërkojnë risinë, pa u detyruar të bëjnë kompromise.
Mbasi fiton pafajësinë, Roark fillon të merret me projektin e një kulle; ku ambicia metaforizohet – mërzitshëm – në kacavarrjen e pritshme pas dimensionit të tretë; për të replikuar të njëjtin totem (falik) që pat shokuar autoren e romanit, hebrejen-ruse Ayn Rand, të emigruar rishtas nga Bashkimi Sovjetik, gjatë kontaktit të saj të parë me skyline-n e Manhattan-it në 1926.
Njëqind vjet kanë kaluar që atëherë, dhe ja ku jemi prapë, duke u marrë me kullat dhe trashëgiminë e gjymtë urbane post-sovjetike.
Pa u futur në temën aq serioze, dhe njëherazi delikate, të financimit të projekteve qiklopike – temë e cila duhet diskutuar në instancat dhe institucionet përkatëse, jo në rrjetet sociale dhe në bulevard – nevoja reale për këto eksperimente urbane në shkallë të gjerë mbetet për t’u sqaruar.
Sipas një artikulli brutalisht miklues në The Observer, botuar në 22 maj 2026 (The man behind Albania’s architectural revolution), kryeministri Rama paska thënë se Shqipëria “është bërë vendi me koncentrimin më të lartë të arkitektëve në botë.”
Edhe ky është vizion – por nuk di sa mund t’i entuziazmojë ata që ia kanë dhënë votën Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, duke i siguruar, praktikisht, pushtet legjislativ dhe ekzekutiv të pakufizuar.
I njëjti artikull thekson se:
From a rooftop terrace, you can see how the skyline is taking shape under Rama’s influence. The towers, in what was formerly a low-rise city, are strikingly varied.
Ky variacion mbresues në arkitekturën e kullave (“a communion of intentions,” e quan kryeministri), që unë e lexoj si eufemizëm për kakofoninë urbane, mund ta shndërrojë vërtet Tiranën në një park të harlisur egosh arkitektonike; por njëherazi kryeqyteti i Shqipërisë do të vijë duke i ngjarë edhe një karikature të Las Vegas-it, për nga sintaksa aq e përçudnuar e ndërtesave bri njëra-tjetrës, të cilat nuk kuvendojnë as dinë të kuvendojnë mes tyre, sepse flasin gjuhë të ndryshme. Nuk duhet të jetë njeriu arkitekt, që t’i duket kombinimi i kullave të llojeve dhe stileve të ndryshme i shëmtuar. An eyesore, për ta thënë me anglishten, gjuhën ndërkombëtare të arkitektëve. Po aq i shëmtuar, sa edhe vendosja e tyre në kontekstin e Tiranës neoklasike të mbetur trashëgim nga periudha e Paraluftës.
Tirana dhe qytete të tjera në Shqipëri përndryshe do të kishin nevojë ngutshëm për transport urban, gjelbërim, ujë të pishëm 24 orë në ditë, stacion europian trenash, shërbim shëndetësor publik e të tjera që janë vënë në dukje prej kohësh; fatkeqësisht kullat nuk plotësojnë asnjë nga këto nevoja. Paratë e “diasporës”, të cilat sipas Ramës kanë shërbyer për të financuar projektet e mëdha spekulative të ndërtimit dhe ambiciet kozmike të arkitektëve përkatës, mund të ishin përdorur për synime shoqërisht më të dobishme. Sa për kullat, gjithnjë mund të ngrihej, simbolikisht në çdo qendër urbane, me shpenzime të përmbajtura, një simotër hollake e asaj që hijeshon Korçën.
Prandaj jam habitur që nuk më kanë zënë sytë, në pamjet e protestës, ndonjë parullë si STARCHITECTS GO HOME. Të tillë që të ishte, vetëkuptohet, edhe ajo ironike (sa kohë që do t’i ftonte këta zotërinj që t’i banonin krijimet e tyre në amshim).
(c) 2026 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Të interesuarit për ta riprodhuar artikullin janë të lutur të kontaktojnë redaksinë te peizazhe@gmail.com. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
Shënim: Vincent Yūsui van Gerven Oei e ka komentuar letrën e De Graaf-it dhe marrëdhëniet e starkitektëve me kryeministrin Rama në substack-un e tij The Albanian Mechanism. Njohës i mirë i temës, por perspektiva e tij ndryshon nga imja.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.