Shteti, qytetarët apo kapitali global?
Në modernitetin global, territori ka dy kuptime, atë ontologjik, pra vendi si qenie, si identitet historik dhe ai ekonomik-liberal i vendit si produkt apo si mundësi investimi. Sazani është pikërisht përplasja e këtyre dy perceptimeve.
Në debatin bashkëkohor mbi zhvillimin dhe sovranitetin në Shqipëri, rasti i Sazanit ekspozon më tepër se sa thjesht një projekt turistik apo investim ekonomik. Ishulli i Sazanit nuk është thjesht një hapësirë gjeografike; është një nyje ku ndërthuren kujtesa ushtarake, pozicioni strategjik dhe tensioni aktual mes zhvillimit dhe kontrollit territorial. Në këtë kuptim, Sazani nuk është një “tokë për t’u zhvilluar”, por një territor që mbart kuptime të mbivendosura politike dhe simbolike. E kur në këtë hapësirë hyjnë aktorë të kapitalit global, përkatësisht Trump-Kushner, debati zhvendoset nga ekonomia drejt gjeopolitikës së influencës. Nuk kemi më thjesht një projekt investimi, por një pyetje më të thellë: kush e definon realisht hapësirën politike të një territori periferik në sistemin global? Shteti kombëtar, qytetarët, apo rrjetet transnacionale të kapitalit dhe imazhit? Në këtë pikë, protestat dhe reagimet shoqërore nuk duhen lexuar vetëm si kundërshtim ndaj një projekti konkret, por si shprehje e një ankthi më të gjerë politik ndaj frikës se sovraniteti po transformohet nga një kategori territoriale në një kategori ekonomike të negociueshme. Ajo që vihet në dyshim nuk është vetëm mënyra e zhvillimit, por vetë e drejta për të vendosur mbi hapësirën.
Nga një perspektivë gjeopolitike, Shqipëria ndodhet në një pozicion delikat, si vend i NATO-s dhe aspirant për integrim evropian; është njëkohësisht pjesë e një arkitekture sigurie perëndimore dhe hapësirë e hapur ndaj kapitalit global. Kjo e bën territorin shqiptar një “zonë ndërmjetëse”, ku vendimet ekonomike nuk janë kurrë plotësisht të ndara nga logjika e sigurisë dhe influencës ndërkombëtare. Kësisoj Sazani përfaqëson përplasjen midis dy mënyrave të kuptimit të territorit, si vend me kujtesë historike dhe identitet kolektiv, dhe si aset në qarkullimin global të investimeve. Moderniteti tenton ta reduktojë hapësirën në funksion ekonomik, ndërsa logjika e sovranitetit kombëtar e sheh atë si vazhdimësi të identitetit politik. Pikërisht në këtë tension lind konflikti. Në këtë kuptim, Sazani nuk është thjesht një ishull në hartë, por një metaforë e një dileme më të madhe, nëse në epokën e globalizimit territori mbetet shprehje e vullnetit politik të një shoqërie, apo shndërrohet në një pikë takimi midis kapitalit dhe strategjisë ndërkombëtare. Përgjigjja ndaj kësaj nuk përcakton vetëm fatin e një ishulli, por mënyrën se si një vend i vogël si Shqipëria e koncepton vetveten në rendin global.
Nga një perspektivë e Schmitt-it, debati mbi Sazanin sërish nuk do mund të lidhej vetëm me investimin, por me nomos-in e territorit, që nënkupton rendin politik që buron nga kontrolli mbi territorin. Si për t’u rikthyer tek fillimi referuar dilemës mbi sovranitetin, kur një territor integrohet në rrjetet e kapitalit global, është e paqartë nëse ai mbetet pjesë e sovranitetit kombëtar apo bëhet pjesë e një rendi të ri transnacional. Pra nëse Sazani hyn në këtë logjikë, kush e përcakton nomos-in e tij? Për Carl Schmitt-in, territori nuk është një element dytësor i politikës, por themeli mbi të cilin ndërtohet vetë rendi politik. Në veprën The Nomos of the Earth (1950),[1] ky autor argumenton se çdo rend fillon me organizimin dhe përcaktimin e hapësirës. Sazani bëhet kështu një rast studimor i marrëdhënies midis sovranitetit kombëtar dhe forcave të jashtme të kapitalit.
Nga ana tjetër këto dinamika rikthyen fuqimisht në qendër të debatit një çështje themelore, atë të modelit të zhvillimit që synon të ndjekë shteti shqiptar. Nëse legjitimiteti i ndërhyrjeve mbi territorin, ekosistemet natyrore dhe hapësirat me vlerë historike apo kulturore mbështetet ekskluzivisht në argumentin e investimeve të huaja, vendeve të reja të punës dhe rritjes së të ardhurave, atëherë kemi të bëjmë me një konceptim reduksionist të zhvillimit. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk do duhet të matet vetëm me ritmet e rritjes ekonomike, por me aftësinë për të harmonizuar prosperitetin ekonomik me mbrojtjen e interesit publik afatgjatë. Përndryshe, territori reduktohet në një aset tregtar, ndërsa natyra dhe memoria kolektive trajtohen si kosto të pranueshme të “progresit”. Logjika “investime-vende pune-paga më të larta”, nuk tregon gjë tjetër veçse varfërinë shqetësuese të imagjinatës shtetërore për zhvillimin. Një shtet nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e tij vetëm duke vënë në shitje territorin. Andaj indinjata vjen masive dhe tashmë i ka shtrirë edhe më gjerë objektivat e saj pasi aty ku dukshëm strategjia e zhvillimit e ndërtuar mbi komodifikimin e hapësirës publike dhe të pasurive të përbashkëta nuk kanë sjellë tjetër veç se tjetërsimin e territorit në funksion të kapitalit.
Në një botë ku fuqia ushtarake po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga fuqia ekonomike, territoret nuk pushtohen më domosdoshmërisht me ushtri, por integrohen në rrjete kapitali, ndikimi dhe interesi strategjik. Për këtë arsye, sfida e Shqipërisë nuk është të zgjedhë mes zhvillimit dhe sovranitetit, por të ndërtojë një model ku zhvillimi forcon sovranitetin në vend që ta zëvendësojë atë. Vetëm atëherë hapësira mbetet pjesë e vullnetit politik të një kombi dhe jo thjesht objekt i qarkullimit global. Hapësira nuk duhet kuptuar si një “kontejner” pasiv ku zhvillohen ngjarjet politike, por si një realitet që ndërtohet vazhdimisht nga marrëdhëniet e pushtetit. Globalizmi, demokracia dhe sovraniteti janë shpesh në tension me njëri-tjetrin dhe shoqëritë duhet vazhdimisht të negociojnë balancën mes tyre. Ndoshta dilema e Sazanit pasqyron atë që Arthur Stein e quan “trilema e madhe”[2] e botës bashkëkohore, pamundësinë për të maksimizuar njëkohësisht globalizimin, demokracinë dhe sovranitetin. Me rëndësi është tashmë se si Shqipëria zgjedh të balancojë këto tri parime në një epokë ku kufijtë ekonomikë janë më të depërtueshëm se kurrë.
Në fund, hapësira nuk zotërohet kurrë plotësisht nga askush. Shtetet ndryshojnë, investimet vijnë e ikin, brezat kalojnë. Ajo që mbetet është marrëdhënia që një komunitet ndërton me territorin e tij. Në këtë kuptim, mënyra se si një shoqëri i përgjigjet dilemave të mësipërme tregon jo vetëm si e sheh territorin e saj, por edhe si e kupton vetveten.
“Banimi është karakteristika themelore e qenies njerëzore.”[3] Sakaq njeriu nuk banon në botë sepse ndërton, ai ndërton sepse banon. Këtë na mëson Heidegger-i në një nga reflektimet e tij: Building, Dwelling, Thinking (1971). Ai argumenton se njeriu nuk lidhet me vendin vetëm përmes përdorimit të tij, por përmes banimit dhe kuptimit që ndërton në raport me të. Referuar Sazani në rastin tonë, nëse territori reduktohet vetëm në vlerën e tij ekonomike, atëherë humbet një pjesë e funksionit të tij si bartës i identitetit dhe kujtesës.
Pikërisht në këtë pikë kryqëzohen filozofia dhe gjeopolitika. Sazani nuk është vetëm një ishull dhe as vetëm një investim. Ai është një simbol i dilemës së shteteve të vogla në epokën e globalizimit se si të balancojnë nevojën për zhvillim ekonomik me ruajtjen e kontrollit politik dhe kulturor mbi territorin e tyre. Debati për Sazanin, në fund të fundit, është debat mbi vetë kuptimin e sovranitetit në shekullin XXI.
(c) 2026 Sindi Beqiri. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi ilustrues është realizuar me AI.
Referenca:
Schmitt, C. (2003 [1950]). The Nomos of the Earth in the International Law of the Jus Publicum Europaeum. New York: Telos Press.
Heidegger, M. (1971). Building, Dwelling, Thinking. In Poetry, Language, Thought. New York: Harper & Row.
Arthur A. Stein “The Great Trilemma: Are Globalization, Democracy, and Sovereignty Compatible?” International Theory (Cambridge University Press, 2016).
*Imazh ilustrues i propozuar: “Wanderer above the Sea of Fog” (1818), Caspar David Friedrich.

[1] Schmitt, C. (2003 [1950]). The Nomos of the Earth in the International Law of the Jus Publicum Europaeum. New York: Telos Press.
[2] Arthur A. Stein “The Great Trilemma: Are Globalization, Democracy, and Sovereignty Compatible?” International Theory (Cambridge University Press, 2016).
[3] Heidegger, M. (1971). Building, Dwelling, Thinking. In Poetry, Language, Thought. New York: Harper & Row.
Discover more from Peizazhe të fjalës
Subscribe to get the latest posts sent to your email.