Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arkitekturë

JETA DHE VDEKJA E SHESHIT SKËNDERBEJ

Kronikë e një zhbërjeje të paralajmëruar, në njëqind vjet

SHËNIM MBI PËRKTHIMIN NË SHQIP

Edhe pse jo në të njëjtën “ligë” me kryeqytetet europiane përsa i përket vjetërsisë, shkallës, dhe monumentalitetit, Tirana ka thellësinë, shumëtrajtshmërinë dhe kompleksitetin e saj, cilësi këto që nuk janë soditur sa dhe si duhet. Me të “soditur” nuk nënkuptohet thjesht të shikuarit dhe të postuarit, por të lexuarit nga afër, me një qëllimshmëri dhe lakmi të kthjellët autoriale. Mungesa e kësaj soditjeje ka rezultuar po aq shkatërruese sa dhe lobotomitë urbane që ka pësuar (dhe po pëson) Tirana nga dyndjet imobiliare të pafundme të grimuara me fasada të sfazuara,[1] bashkë me ideo-polito-logjitë e tyre shoqëruese. Botuar për herë të parë në Future Anterior, në 2024, ky artikull ofron një lexim nga afër të Tiranës në përgjithësi dhe Sheshit “Skënderbej” në veçanti, përgjatë njëqind viteve të fundit. Ndër të tjera, artikulli parashtron se:

  • forma aktuale e Sheshit “Skënderbej” i ka rrënjët në planet e të ashtuquajturës Koha e Italisë, në vitet ‘20 dhe ‘30;
  • ndryshe nga ç’mendohet dhe propagandohet, Koha e Italisë përmban nuanca dhe prirje të ndryshme arkitekturore dhe urbanistike, shpesh në konflikt me njëra-tjetrën;
  • këto prirje përkojnë me prirjet moderniste të kohës, përkim ky që e bën Tiranën një rast studimor me vlerë për njohjen e modernizmit në përgjithësi, përtej Shqipërisë;
  • dhe se forma aktuale e Tiranës, dhe e Sheshit “Skënderbej” në veçanti, nuk është një “fat historik”, por rezultat i zgjedhjeve të ndryshme politiko-urbanistike në histori.

            Një mendim i shprehur në gjuhë të ndryshme nuk është identik me vetveten. Gjithmonë-ndërkohë e lidhur me një kontekst ligjërues specifik, gjuha ka një performativitet që e përkul dhe nuancon mendimin, apo kuptishmërinë dhe përcjellshmërinë universale të supozuar të tij. Duke qenë se ky artikull nuk është thjesht shkruar, por edhe menduar në anglisht, përkthimi i tij në shqip ka paraqitur vështirësitë e veta në përputhjen e fjalëve (shqip) me kuptimshmërinë e tyre ligjërimore (të menduar dhe të shkruar në anglisht). Për këtë arsye, disa fjalë janë shoqëruar me termin përkatës në anglisht në kllapa [….]. Një nga këta terma është ”match point”, i cili, në kuptimin e parë, i referohet një momenti vendimtar të një loje si tenisi, kur një lojtar ka nevojë për vetëm një pikë për të fituar ndeshjen. Këtu është shqipëruar si ”moment kyç” dhe afrohet më tepër me kuptimshmërinë që Woody Allen i jep këtij termi në filmin me të njëjtin titull—pra, jo si një moment përfundimtar, por si një pikë e ndërmjetme, udhëkryq, apo moment papërcaktueshmërie, kur gjërat mund ndërrojnë shenjë ose drejtim, ashtu si topi i tenisit që për një moment “ngec”, duke kërcyer disa herë mbi rrjetë, përpara se të bjerë në njërën anë apo tjetrën—për ty, ose kundër teje… Këto momente kyçe nuk gjenden vetëm në jetën e njeriut, por edhe në atë të qyteteve, madje edhe të kombeve. Sheshi “Skënderbej” është një metonimi e Shqipërisë, sepse ndajnë të njëjtat momente kyçe [match points] në histori.

            Koha që rrodhi që prej artikullit të botuar në anglisht dhe këtij përkthimi, në të cilën  përfshihet prezantimi i artikullit në konferencën ndërkombëtare “60 Years of Study and Conservation,” organizuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në kuadër të 60-vjetorit të themelimit të tij, në 21-22 Tetor, 2025, si dhe botimi i tij në shqip në revistën Monumentet (64, 2025), i imponoi autorit të bëjë disa ndryshime të vogla në tekst nga origjinali i shkruar (dhe i menduar) në anglisht, të shtojë disa fjalë dhe të heqë të tjera, si dhe të qartësojë dhe zgjerojë disa referenca arkivale. Distancat kohore ndërmjet ngjarjeve historike dhe kohës së rrëfimit në versionin aktual të artikullit janë përditësuar gjithashtu në referencë me të tashmen.

HYRJE (ABSTRAKT)

Ky artikull kronikon transformimin urban të Sheshit “Skënderbej” — qendrës së Tiranës — gjatë njëqind viteve të fundit. Ai gjurmon një seri fshirjesh urbane në shesh dhe rreth tij, të cilat e shkëputën, e larguan, dhe ia “vodhën” sheshin qytetit. Edhe pse ka pasur shumë arsye pas këtyre fshirjeve, përfshirë ato politike dhe ekonomike, kanë ekzistuar edhe zgjedhje disiplinare dhe ligjërimore [discursive] që i kanë mbështetur dhe forcuar ato, ashtu siç kanë ekzistuar edhe zgjedhje të tjera që mund të ishin bërë kundër këtyre fshirjeve. Transformimi i Sheshit “Skënderbej” u parapri që në fillim, në projektet e të ashtuquajturës Koha e Italisë, ndërmjet dy luftërave botërore. Motivi metodologjik më i gjerë i këtij artikulli është pikërisht kjo paraprirje: të treguarit e një historie përmes lentes kritike dhe spekulative të kohës së ardhshme të përparme [future anterior]: si dhe pse një ngjarje “zgjedh” në mënyrë prapavepruese [retroactive] shkaqet pse ndodhi, dhe çka po aq rëndësi, cilat transformime të tjera potenciale mund të kishin ndodhur në momente të tjera kyçe nëse do të ishin bërë të tjera zgjedhje. Artikulli tregon se kanë ekzistuar dy prirje urbane në formësimin e Tiranës në vitet ‘20 dhe ‘30: njëra e prirur të angazhonte dhe asimilonte qytetin ekzistues, dhe tjetra për ta fshirë plotësisht atë. Ndërsa prirja e dytë ka mbizotëruar historikisht, dhe është duke dominuar edhe sot, kanë ekzistuar disa “momente vendimtare” [match points] në histori, kur këto dy prirje ishin në konkurrencë me njëra-tjetrën. Të tregosh se mbizotërimi i njërës prej tyre nuk ishte e pashmangshme, dhe se tjetra gjithashtu mund të kishte fituar, nuk është fantazi apo dëshirë e kotë: vetëm duke e parë të kaluarën si gjithmonë-ndërkohë të shumëfishtë, mund të shohim edhe të tashmen si të tillë, pra të detyrohemi të zgjedhim mes kësaj shumësie, dhe në këtë mënyrë të ndikojmë mbi të ardhmen.

SHËNIM PËRMBYLLËS [POSTSCRIPT] I NJË ZHBËRJEJE 

Sheshi i vjetër Skënderbej është zhdukur përfundimisht. Zhbërja e tij u krye me ndërprerje, përmes fazave të ndryshme ose “momenteve kyçe” [match points] gjatë historisë së tij njëqindvjeçare (Figurat 1a–f). Mbetje të Tiranës së vjetër që ende mund të arrinin deri aty ku dikur ndodhej sheshi u zhdukën me një blitzkrieg shtatë vjet më parë, në 2019, saktësisht njëqind vjet pasi Tirana u bë kryeqyteti i Shqipërisë.[2] Një zhdukje e tillë duket e vulosur përgjithmonë nga sheshi i ri, i cili ka formën e një piramide të madhe të rrafshët të bardhë, me një bazë që mat 165 × 147 metra dhe majën që ngrihet vetëm rreth 1.8 metra mbi bazën. Projektuar për një konkurs ndërkombëtar nga firma belge e arkitekturës 51N4E në bashkëpunim me artistin shqiptar Anri Sala në 2008, projekti u lëshua në vend në 2017. 

Figurat 1a–1f. Zhdukja e plotit [poché-së] gri (të errët) tregon fshirjet e Sheshit Skënderbej gjatë 100 viteve të fundit, 1921-2021. Vizatimi nga autori.

1.   Pazari i Vjetër 

2.   Xhamia Et’hem Bej me Kullën e Sahatit 

3.   Kompleksi i ministrive në formë patkoi me kopshtin e fundosur në mes 

4.   Ndërtesa e Bankës Kombëtare 

5.   Café Kursal 

6.   Bashkia e Vjetër 

7.   Pallati i Kulturës 

8.   Hoteli “Tirana International” (më parë “Hotel Tirana”) 

9.   Muzeu Historik Kombëtar 

10. Ndërtesat e banimit, të ashtuquajturat “nëntëkatëshe” 

11. Ndërtesa e Librit 

12. Kulla e Hotelit Tirana International 

13. Kulla “Eyes of Tirana” 

            Ndërsa ngjitesh drejt majës së piramidës së rrafshët, duke kaluar përmes sheshit, rrethohesh nga ndërtesa dhe monumente—por vetëm disa prej tyre datojnë nga koha kur sheshi filloi të marrë formë në vitet ‘30; pjesa tjetër e ndërtesave janë përfshirë në fshirje urbane në momente të ndryshme gjatë historisë së kohëve të fundit të Tiranës. Në jug të piramidës së rrafshët dhe në aks me Bulevardin Dëshmorët e Kombit ndodhet statuja kalorësiake e Skënderbeut, Heroit Kombëtar Shqiptar që luftoi kundër Perandorisë Osmane në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe një figurë qendrore e identitetit modern kombëtar shqiptar. Pas statujës, bulevardi përfundon në formë patkoi me ndërtesat e ministrive në të dyja anët e një kopshti të zhytur, projektuar nga arkitektë austriakë, italianë dhe shqiptarë në fund të viteve ‘20 dhe fillim të ‘30-ave, por i riprojektuar, ose më saktë, i modifikuar në mënyrë radikale dhe—do të shtoja—krejt të panevojshme dhe të pakuptimtë rreth shtatë vjet më parë në kontekstin e “rehabilitimeve” të sheshit. Ndërtesat e ministrive ndiqen në të djathtë nga Teatri i Kukullave, ish-Parlamenti shqiptar (i ndërtuar nga arkitektë austriakë në 1920), dhe ndërtesa e parë moderne në Sheshin “Skënderbej” përpara se ai të ekzistonte si shesh. Ngjitur me Teatrin e Kukullave ndodhet Banka Kombëtare, një ndërtesë elegante e projektuar nga Vittorio Ballio Morpurgo në 1938. Në anën tjetër të aksit të bulevardit, dhe menjëherë pas asaj që aktualisht është godina e Bashkisë, ndodhet Xhamia Et’hem Beut me Kullën e Sahatit pas saj, e ndërtuar në 1830. 

            Duke filluar nga xhamia dhe duke vazhduar në drejtim të kundërt me akrepat e orës (duke shkuar kundër kohës…? Anti-kronologjikisht…? Ana-kronikisht?), ndodhet Pallati i Kulturës, i ndërtuar në fillim të viteve 1960, pasuar nga Hotel “Tirana” (sot “Tirana International”) në fund të viteve ‘70, ndërsa përballë këtij të fundit, në anën tjetër të Bulevardit “Zogu I”, ndodhet Muzeu Historik Kombëtar, i ndërtuar në fillim të viteve ‘80. Këto tre ndërtesa fshinë pjesë të mëdha të Tiranës historike. Në hapësirat ndërmjet, ngjitur dhe pas këtyre ndërtesave, aktualisht po ngrihen një sërë kullash shumëkatëshe. Rreth jo më shumë se pesë metra pas Xhamisë së Et’hem Beut dhe Bashkisë së Tiranës ndodhet Ndërtesa e Librit [Book Building] nga studioja belge 51N4E — një kompleks prej tre ndërtesash të një lloj stili neo-racionalist postmodern, dy prej të cilave janë kulla shumëkatëshe. Pas hotelit ndodhet një kullë tridhjetëkatëshe e studios Bolles+Wilson, e cila është fizikisht e ngjitur me hotelin, duke e mpakur këtë të fundit në një tambur të thjeshtë. Midis kësaj kulle dhe Pallatit të Kulturës, në pikën më veriore-lindore ku Tirana dikur prekte sheshin deri gjashtë vite më parë, po ngrihet një kullë e studios MVRDV në formën e bustit të Skënderbeut (një tjetër kullë e MVRDV-së, me hartën 3D të Shqipërisë në fasadë, është gjithashtu në përfundim jo shumë larg). Në perëndim të sheshit, në kryqëzimin e rrugës së ”Kavajës” dhe asaj të “Durrësit”, është në përfundim një kullë shumëkatëshe me volume që dalin konsol çrreshtueshëm, projektuar nga Henning Larsen. Vetëm nga piramida e sheshtë mund të lexohen këto kulla, dhe të tjera të shpërndara nëpër qytet, të formojnë një projekt më të gjerë (Figura 2).

Figura 2. Pamje ajrore nga veriperëndimi i Sheshit “Skënderbej”, me sheshin e rrafshët në formë piramide, siç është projektuar nga 51N4E, e marrë me dron më 2021. Sipas legjendës së Figurës 1: Në pjesën e poshtme majtas ndodhet blloku i ministrive nga vitet 1930 (3). Menjëherë pas ndërtesës së ministrisë në anën e majtë (siç shihet në foto) është Teatri i Kukullave, ndjekur nga ndërtesa e lakuar e Bankës Kombëtare (4). Në anën tjetër të boshtit të bllokut të ministrive ndodhet Xhamia e Et’hem Beut me Kullën e Sahatit pas saj (2), kjo e fundit e bllokuar pjesërisht nga Ndërtesa e Librit me formë pentagonale e studios 51N4E (11), e cila aktualisht është në ndërtim. Duke vazhduar në drejtim të kundërt me akrepat e orës ndodhet Pallati i Kulturës (7), i ndërtuar në fillim të viteve 1960, pasuar nga kulla në ndërtim “Tirana’s Rock” nga MVRDV, dhe Hotel Tirana International, i ndërtuar në fillim të viteve 1970, me kullën e Bolles and Wilson (12) menjëherë pas tij, gjithashtu në ndërtim. Në anën tjetër të bulevardit ndodhet Muzeu Historik Kombëtar (9), pasuar nga kulla “Sytë e Tiranës” e Henning Larsen, në perëndim të sheshit (13), gjithashtu në ndërtim.

              Kam argumentuar edhe më parë se piramida e sheshtë nuk lidhet as me qytetin ekzistues dhe as me atë që dikur ishte Sheshi “Skënderbej”, por me këto vertikalizime imobiliare që po ngrihen rreth e qark dhe në distancë prej tij.[3] Si e tillë, piramida e sheshtë i përket prirjes së dytë urbane të përmendur më parë: asaj të fshirjes së qytetit ekzistues. Ajo që deri më tani është quajtur në mënyra të ndryshme si “e vjetra”, “historikja” apo “qyteti ekzistues”, shpesh ngatërrohet me të ashtuquajturën Tiranë otomane ose “orientale”, por kjo nuk është plotësisht e saktë. Tirana “ekzistuese” nuk është ajo që ka mbetur e ngrirë në kohë, por ajo që ka marrë formë në mënyrë dinamike në histori, në një mori shtresash dhe gjurmësh.

            Tirana u shfaq si qytet në fillim të shekullit XVII. Harta e saj e parë, e hartuar në vitin 1917 nga inxhinierë austriakë, tregon një qytet në dukje të çrregullt dhe kaotik, pa një strukturë të qartë (Figura 3). Megjithatë, një lexim i kujdesshëm tregon se qyteti para vitit 1917, siç e përshkruan mprehtësisht Koço Miho te Profili Urbanistik i Tiranës, ishte i organizuar rreth “bërthamave të pavarura ishullore”, të përcaktuara nga ndërtime fetare, si xhamitë.[4] Mes këtyre bërthamave ndodheshin zonat rezidenciale dhe pazari, i cili sillej “në mënyrë centrifugale nga bërthamat drejt periferisë dhe përsëri mbrapsht”.[5] Në këtë fazë, qyteti shfaqte tashmë një strukturë rrezore, me disa rrugë kryesore që e përshkonin dhe e ndanin qytetin në fragmente që i ngjanin thelave të picës. Strukturat urbane ishin të tërhequra nga rruga dhe nuk kufizoheshin drejtpërdrejt me të.[6] Kjo situatë ndryshoi në mënyrë të theksuar në njëzet vitet e ardhshme, siç tregohet qartë në hartën e vitit 1937 (Figura 4). Ndërtesat filluan të kapnin rrugën; segmentet urbane në formë piceje u bashkuan dhe arritën deri në Sheshin “Skënderbej”; shumë prej rrugëve ekzistuese u drejtuan; u hapën sheshe të reja; u ndërtuan godina të reja. Qyteti vazhdoi të formësohej edhe gjatë epokës komuniste, edhe pse disa plane urbane — siç do të tregohet më tej — filluan të ”mbjellin farat” e fshirjes, të cilat do të ”korreshin” në dy dekadat e fundit.

Figura 3. Harta e Tiranës e vitit 1917. Arkivi Teknik Qendror i Ndërtimit.

Figura 4. Harta e Tiranës e vitit 1937. Arkivi personal i autorit.

            Është pikërisht ky qytet ekzistues, një përbërje e dendur urbane e formuar në histori, që piramida e sheshtë e 51N4E-së formalisht e injoron, dhe kështu praktikisht e fshin, ndërsa janë kullat përreth dhe ato më larg që piramida e sheshtë formalisht i strukturon dhe i mbështet. Sheshi “Skënderbej” i 51N4E-së është i destinuar të jetë kontrovers dhe polemik, cilësi që burojnë sa nga vendi ku ndodhet, po aq edhe nga cilësitë e tij formale, në veçanti nga forma e tij piramidale e rrafshët. Projekti ka fituar një numër të madh çmimesh ndërkombëtare nga shoqata dhe rrjete profesionale ndërkombëtare, si për shembull, nga Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë [Royal Institute of British Architects (RIBA)] dhe revista Dezeen, ndër të tjera.[7] Në të njëjtën kohë, ai ka nxitur reagime të ndryshme, si nga publiku ashtu edhe nga arkitektët. Disa e lavdërojnë projektin për rehabilitimin e Sheshit “Skënderbej”. Të tjerë e kritikojnë për anulimin e historisë dhe kujtesës së tij. Në fakt, projekti i bën të dyja: e rehabiliton sheshin duke e kthyer në një hapësirë këmbësorësh, me kopshte dhe parkim nëntokësor; por e bën këtë duke varrosur çka kishte mbetur nga historia e shtresëzuar e sheshit – edhe pse e copëtuar dhunshëm ndërkohë, ose më saktë, gjurmët dhe shenjat urbane përmes të cilave sheshi mund të ishte riangazhuar dhe të kishte rivendosur një marrëdhënie me qytetin ekzistues. Mund të kundërshtohet duke thënë se sheshi iu kthye qytetit kur u shndërrua në një hapësirë këmbësorësh. Por, fakti që një hapësirë është vetëm për këmbësorët, nuk garanton që ajo t’u përkasë atyre, urbanistikisht, të themi. Një hapësirë që u përket këmbësorëve nënkupton që ajo u përket këmbësorëve të një qyteti, që do të thotë që i përket qytetit të atyre këmbësorëve. Qëllimi këtu nuk është thjesht të shprehet një opinion apo të debatohet mbi vlerat e Sheshit “Skënderbej” të projektuar nga 51N4E, por për të treguar objektivisht se si ky projekt ndjek prirjen e dytë urbane në historinë njëqindvjeçare të sheshit — atë të fshirjes së qytetit ekzistues, si dhe se si paraprin fshirje të tjera në të ardhmen. Gjithashtu, lypset të pyetet nëse ka pasur një lidhje të domosdoshme midis rehabilitimit të sheshit dhe fshirjes së lidhjes së tij urbane — edhe pse e dëmtuar ndërkohë – me qytetin ekzistues, hipotezë kjo që do të hidhet poshtë në këtë analizë.

            Prirja drejt fshirjes nënkuptohet qartazi edhe në vetë përshkrimet dhe paraqitjet vizuale të projektit të 51N4E. Arkitektët e lavdërojnë projektin e tyre për përdorimin e ”materialeve lokale, si për arsye logjistike ashtu edhe simbolike”, si dhe për përdorimin e ”specieve lokale […] pemë, shkurre dhe bimë shumëvjeçare […] të kombinuara për të nxitur biodiversitetin urban dhe për të kontrolluar mikroklimën e qendrës së qytetit.”[8] Sikur gjithçka që Shqipëria ka për të ofruar të ishin materiale dhe bimësi lokale por jo formëtokë por jo hapësirë, klimë por jo atmosferë; natyrë por jo kulturë, mite por jo histori, emblema por jo tekste. Është domethënëse që e vetmja lidhje mes qytetit ekzistues dhe sheshit realizohet përmes pemëve, pra përmes formacioneve bimore dhe jo atyre urbane. Nga qyteti ekzistues futesh në një zonë të ndërmjetme [buffer zone] bimore amnezike, për të përfunduar papritmas mbi një piramidë të bardhë të rrafshët gjigante. Prirja për të shpërfillur qytetin ekzistues dhe gjurmët urbane të lidhjes së tij me sheshin — pra ekzistencën ose mundësinë që të kenë ekzistuar gjurmë mes qytetit dhe sheshit të tij — zbulohet në diagramet planimetrike të 51N4E-së, të vendosura përgjatë gardhit të ndërtimit të Sheshit “Skënderbej”. Këto diagrame paraqesin sheshin si një ”bosh”[9], të rrethuar nga një grumbull kubesh të vegjël me përmasa dhe ngjyra të ndryshme, të vendosur qëllimisht çrregullisht, mbi një sfond ngjyrë të kuqërremtë (Figura 5). Çfarë përfaqësojnë këto kube? Sigurisht, jo Tiranën. Ky imazh nuk paraqet në asnjë mënyrë këtë qytet. Kubet e shpërndarë rastësisht nuk kanë asnjë marrëdhënie mimetike, abstrakte apo treguese me format e qytetit ekzistues. Kjo është një paraqitje e një sheshi pa qytet — koncept ky që, siç do të shpjegohet më vonë në këtë artikull, ka një histori të gjatë. Piramida e bardhë, formalisht, e “zbardh” qytetin ekzistues, duke shërbyer si një ndërmjetës ”midis lobotomive të kujtesës urbane dhe një turme amnezike që konsumon imazhin e vet përmes kopshteve me bimë vendase dhe pasqyrave reflektuese ujore që burojnë në heshtje nga sipërfaqet e piramidës së mbuluar me gurë ‘lokalë’.”[10]

Figura 5. Poster i vendosur në gardhin e ndërtimit të Sheshit “Skënderbej”, që tregon diagramin e sheshit nga 51N4E (në të majtë), dhe diagramin e Anri Salës (në të djathtë). Foto nga autori.

            As ndërtesat origjinale përreth sheshit dhe as ato të ndërtuara gjatë periudhës komuniste nuk ndihen më si pjesë e sheshitpiramida e sheshtë, përmes pjerrësisë së saj të lehtë dhe me ndihmën e një “ushtrie” pemësh përreth, i “stakon” këto ndërtesa si nga qyteti ashtu edhe nga kujtesa jonë për sheshin, duke i bërë ato të duken si ”të skaduara” dhe, për pasojë, në pritje për t’u fshirë. Ky “stakim” theksohet më tej përmes heqjes së trotuarit të dikurshëm që rrethonte ndërtesat ekzistuese rreth sheshit, si Banka KombëtarePallati i Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar, që rezulton, në këtë mënyrë, me bardhësinë e piramidës “përplasur” këtyre ndërtesave. Kjo shkëputje është e qëllimshme. Qëllimi i piramidës së sheshtë të bardhë, siç e shprehin vetë arkitektët, është ti ”kundërvihet monumentalitetit shtypës të arkitekturës komuniste […]”: “[…] kur qytetarët qëndrojnë në majë të saj, ata sodisin ndërtesat që përkufizojnë të shkuarën e Shqipërisë, tashmë e hapur ndaj leximeve të reja, dhe i përqafojnë ato si një histori mbi të cilën mund të ndërtohet.”[11] Por ”ç’e shkuar”, “ç’histori”, nëse qyteti ekzistues nuk është veçse “kaos” — siç e quajnë arkitektët?[12] Çfarë e dallon kaosin nga jo-kaosi është pikërisht historia, kujtesa, e kaluara. Kaosi nuk ka kohë. Kaosi nuk mund të hapet ndaj leximeve të reja. Nëse do të hapej, atëherë nuk është më kaos, atëherë ka një histori, një të kaluar, një kujtesë; ka gjurmë. Por janë pikërisht këto të shkuara, këto gjurmë, që injorohen nga piramida e bardhë, si konceptualisht — siç zbulohet qartazi nga diagramet me kube të shpërndarë çrregullisht — ashtu edhe fenomenologjikisht, duke përjetuar se si forma e ndërtuar në terren nuk pajtohet dhe nuk lidhet me kontekstin përreth. Ky artikull mbivendos piramidën e bardhë mbi të shkuarat e sheshit, për të treguar se vetë piramida e bardhë ishte paraprirë nga një seri planesh urbane dhe fshirjesh para Luftës, pasuar bash nga ato arkitektura “komuniste” të sheshit që piramida synon të çmonumentalizojë, “çarmatosë” apo “kundërshtojë.” Dhe vetë piramida, nga ana tjetër, parashikon fshirje të tjera bashkëkohore përreth saj, veçanërisht nëpërmjet kullave imobiliare. Këtu, këto paraprirje dokumentohen përmes një leximi nga afër të fshirjeve dhe transformimeve të Sheshit “Skënderbej” gjatë ekzistencës së tij njëqindvjeçare, nga planet urbane të Kohës së Italisë, një periudhë që shtrihet për gati njëzet vjet, nga 1925 deri në 1943, tek epoka komuniste, nga 1944 deri në 1991, dhe së fundi, nga fillimi i viteve 1990 deri më sot.

            Çfarë do të thotë që forma urbane të paraprijë?Origjinat e Urbanistikës Moderne [The Origins of Modern Town Planning], Leonardo Benevolo ka argumentuar se format urbane paraindustriale ishin “paraprirje mbresëlënëse të përmasës hapësinore të qytetit modern (mund të imagjinohet që bulevardet e Versajës të transformoheshin në ‘bulevardet’ e një qyteti të vonë të shekullit XIX, ashtu si rrugët rrezore të Champs-Élysées u bënë model për Yllin [Etoile] e Haussmann-it), ndërkohë që faktori kohor, i cili do të kishte qenë thelbësor për shoqërinë e re urbane, mbeti tërësisht i huaj për to.”[13] Megjithatë, kjo nuk do të thotë, se forma e qytetit modern ishte “e paracaktuar dhe e pashmangshme”, apo se u zhvillua “organikisht” nga qyteti paraindustrial. Përkundrazi: kjo formë u kushtëzua nga bashkëveprime të qëllimshme të vullnetit njerëzor dhe teknikave, ose, siç shprehet Benevolo, nga ”fuqia shpikëse e njeriut dhe forca e makinave.”[14] Kjo mos-natyrshmëri e qytetit modern lidhet drejtpërdrejt me atë që Benevolo e identifikon si hendekun mes dijeve mbi planifikimin urban dhe politikës emancipuese. Ndërsa Benevolo argumenton për kapërcimin e hendekut mes politikes dhe teknikes si një kusht themelor për planifikimin përparimtar, ai gjithashtu paralajmëron kundër trajtimit të këtij kapërcimi si diçka të mirëqenë, apo si një kusht a priori me të cilin aktiviteti konkret i planifikimit duhet medoemos të përputhet. Ai dallon, për shembull, midis potencialit revolucionar të teknikave e planifikimit të Haussmann-i në Paris dhe regjimit politik konservativ që ai i shërbente.[15] Siç do të shihet më poshtë, e njëjta ndarje mes teknikes dhe politikes ishte e pranishme edhe në disa prej planifikimeve të Sheshit “Skënderbej” gjatë Kohës së Italisë, konkretisht, atje ku zgjidhjet teknike nuk pasqyronin, simbolizonin, apo reduktoheshin domosdoshmërisht në politikën kolonialiste. Të diskutosh se si forma urbane paraprin, do të thotë të dallosh tekniken nga politiken nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të zbulosh prerjen ose bashkëveprimin e tyre në pika kyçe, përmes një leximi retrospektiv të asaj që nuk ishte e domosdoshme të ndodhte — të udhëkryqeve nga të cilat mund të kishin dalë në pah bashkëveprime të tjera tekniko-politike, ose çka janë quajtur këtu “momente kyçe” [match points], ku dhe kur mund të ishin bërë zgjedhje të tjera dhe rrjedhimisht, gjërat të kishin shkuar ndryshe. Bazuar mbi këtë premisë metodologjike, më poshtë vijohet me një hartësim të këtyre “momenteve kyçe” apo pikave potencialisht vendimtare në ekzistencën njëqindvjeçare të Sheshit “Skënderbej”. Fillojmë, natyrisht, me Kohën e Italisë, periudhën kur lindi Sheshi “Skënderbej”.

KOHA E ITALISË 

“Koha e Italisë” është më shumë sesa një projekt urbanistik apo një periudhë historike si të tjera, me një fillim dhe një fund: ajo është, mbi të gjitha, një imagjinim [imaginary] i periodizimit historik, i rëndësisë apo i markimit [branding], i cili, në funksionalitetin e tij, e tejkalon dhe i mbijeton vetë periudhës historike që i jep emrin dhe, në rastin konkret të trajtuar në këtë artikull, në mënyrë enigmatike i bën të gjitha projektet e ndërtuara (ose të pandërtuara) gjatë kësaj kohe të perceptohen si ”italiane”, sikur të ishin ”Made in Italy”, edhe pse shumë prej tyre janë projektuar nga arkitektë shqiptarë.

            Koha e Italisë fillon me ardhjen në pushtet të Ahmet Zogut – fillimisht si president në 1925 e më pas si mbret në 1928, pak më shumë se një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, dhe përfundon me kapitullimin e Italisë Fashiste në vitin 1943. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria pa realizimin e projekteve arkitekturore dhe urbane në shkallë të ndryshme, të financuara përmes ndihmës ekonomike që Italia i jepte Shqipërisë.[16] Këto projekte, si pjesë të projektit më të gjerë italian Oltremare, të nisur që në vitin 1870, i shërbyen aspiratave imperialiste dhe kolonialiste të Italisë Fashiste, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë ideologjik.[17] Një nga objektivat e këtyre planeve ishte pikërisht të krijonin hapësirë për një numër të madh kolonësh italianë — administratorë dhe qytetarë që do të banonin përgjithmonë në Shqipëri.[18] Projektet dhe ndërhyrjet urbane më të mëdha ishin ato të Tiranës, e cila qe shpallur kryeqytet në vitin 1920. Këto plane përfshinin modernizimin dhe riorganizimin e qytetit ekzistues, si edhe zgjerimin e tij në jug dhe jugperëndim. Planet morën forma dhe përmasa të ndryshme, që nga drejtimi dhe zgjerimi i rrugëve në fund të viteve ‘20 dhe fillim të viteve ‘30, e deri te fshirja thuajse e plotë e strukturës urbane ekzistuese në Planin e Përgjithshëm Rregullues të viteve 1939–1943. Modernizimi dhe riorganizimi i planifikuar i qytetit ekzistues dhe zgjerimit të ri u ndërmjetësuan nga bulevardi i ri, me Sheshin “Skënderbej” si pikë përfundimtare në planet e hershme, dhe më pas si pikë qendrore, pasi bulevardi çau qytetin ekzistues në veri.

            Format e ndryshme që mori Sheshi “Skënderbej”, si në letër, ashtu edhe në realitet, lidheshin me mënyrat e ndryshme se si perceptohej dhe ndërmjetësohej qyteti ekzistues me zgjerimin e ri. Lidhur me planifikimin e Tiranës gjatë Kohës së Italisë, Adrián Guma, figura letrare në romanin e Ismail Kadaresë Nëntori i një Kryeqyteti: “Kam parë qytete pa bulevarde, por s’kam parë bulevarde pa qytete,”[19] duke injoruar plotësisht qytetin ekzistues të Tiranës, apo nevojën për ndërmjetësim mes të resë dhe të vjetrës. Pavarësisht nëse Guma është një personazh historik apo thjesht një figurë letrare që përfaqëson intelektualin shqiptar që fshihej prapa ekzistencializmit intelektual për të shmangur zgjedhjen politike gjatë luftës, ai jo vetëm që parashikon çka do të pasonte dhe influencohej nga planet e Kohës së Italisë, por gjithashtu dëshmon edhe një njëanshmëri kolonialiste që favorizonte një prirje të tillë duke e pranuar atë si një fat të paracaktuar. Përtej elegancës retorike, pretendimi i Gumës bazohet mbi një gënjeshtër: që para bulevardit nuk kishte asgjë. Megjithëse ka prova të shumta që tregojnë të kundërtën (Figura 6), njëanshmëria e tij u ngulit në mitologjinë popullore dhe në ideologjitë zyrtare të kohës, pavarësisht profilive të tyre politike — dhe në njëfarë mënyre punon ende sot. Të shikosh përmes lentes kolonialiste të Gumës do të thotë të nënshtrosh një Tiranë (të servirur dhe perceptuar si) “orientale” nën një drejtim të ri linear progresiv, dhe ta mendosh bulevardin si paraardhës të qytetit, pa histori ose përpara historisë. Bulevardi-si-plan, funksionon jo sepse nga sipër duket si Sëpata e Liktorit,[20] por sepse është trajtuar si ajo që mundëson dhe mbështet një lexim të tillë ahistorik. Më shumë se një rrugë, bulevardi është një bosht ideologjik që strukturon perceptimin tonë të së shkuarës dhe imagjinimin tonë të së ardhmes. Kjo kohësi e unifikuar ripërjetohet në histori fenomenologjikisht nëpërmjet bulevardit si bosht hapësinor, në mënyrë mjaft efektive, thjesht duke shëtitur përgjatë tij një të diel pasdite. Megjithatë, parë nga afër, del se një bosht i tillë nuk ka qenë kurrë një gjest i pastër në një peizazh bosh dhe homogjen, por një montazh kontekstesh të ndryshme. Në vend të një “bulevardi pa qytet,” bulevardi është vendi ku ndërthuren dy qasje të ndryshme planifikimi: njëra absolutiste, e imponuar mbi territorin, dhe tjetra më dialogjike, që angazhon shtresa, kontekste dhe aktorë të shumtë. Sheshi “Skënderbej” është nyja përgjatë bulevardit ku kjo divergjencë shfaqet më shumë.

Figura 6. Pamje ajrore e Tiranës, rreth vitit 1939. Fotoja tregon bulevardin që përshkon qytetin ekzistues në veri, kalon përmes Sheshit “Skënderbej” dhe rreth kopshtit të fundosur në jug të sheshit, për të vazhduar më tej në drejtim të Tiranës së Re. Kjo foto hedh poshtë në mënyrë të qartë tezën e bulevardit pa qytet të Adrian Gumës. Imazhi nga Gazmend Bakiu.

PROJEKTIMI I ZHBËRJES 

Plani i parë i Tiranës u hartua nga arkitektë dhe inxhinierë austriakë në vitin 1923, por ishte plani i Armando Brasinit i vitit 1925 që hapi i pari një hapësirë për ndërhyrje dhe konceptualizoi qendrën (Figura 7). Ky projekt është, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, një qytet i rrethuar me mure, i organizuar rreth një aksi qëndror me ndërtesa monumentale në të dyja anët, që lidhin Pallatin e Mbretit në jug me Piazza dei Ministeri — Sheshi i ardhshëm “Skënderbej” — në veri. Ndërsa pasqyron Malin e Dajtit në lindje, plani i Brasinit e shpërfill në masë të madhe qytetin ekzistues. Piazza dei Ministeri (në këndin e poshtëm të majtë të Figurës 7) ishte konceptuar qendërsisht, si Bazilika e Shën Pjetrit në Romë, dhe po ashtu e rrethuar me ndërtesa në stilin neo-rilindas [neo-Renaissance]. Këto ndërtesa ishin të kompozuara rreth qendrës së sheshit, e cila u përkiste atyre dhe vetëm atyre, dhe jo qytetit. Edhe kur Brasini e përputh xhaminë ekzistuese Karapici me qendrën e sheshit, xhamia nuk është më shumë se një alibi kontekstuale – e kapur nga kompozimi, por jo pjesë përbërëse e tij. Plani realisht duket si një bulevard pa qytet. Është thënë se ky plan nuk u çua përpara për shkak të vonesave në zbatim dhe buxhet,[21] por mund të spekulohet gjithashtu se arsyeja e vërtetë ishte karakteri i tij i izoluar, në kuptimin që nuk e parashikonte qytetin ekzistues dhe ndërhyrjet e reja në të si një tërësi të bashkuar. Megjithatë, bulevardi mbeti, si elementi kryesor aksial i të gjitha planeve që pasuan.

Figura 7. Armando Brasini, pamje ajrore e boshtit kryesor të Tiranës, 1925. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, siç është publikuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

            Ndërsa planet e mëvonshme ndoqën projektin e qendërzuar të Brasinit, kishte ndryshime të thella në mënyrën se si format urbane ndërvepronin me kontekstin. Planet midis viteve 1926 dhe 1932, nga të cilat ka disa versione të ndryshme, përmbajnë një tension midis ndërhyrjeve të reja dhe ruajtjes së qytetit ekzistues, si edhe midis aktorëve teknicienë dhe atyre politikë të përfshirë në zbatimin e këtyre planeve. Në librin Tirana: Qyteti i munguar, theksohet se planet, të cilat u hartuan nga Komisioni Teknik i Ministrisë së Ndërtimit, shpesh kundërshtoheshin ose ndryshoheshin nga Bashkia e Tiranës. Një nga shqetësimet e bashkisë ishte shkalla e prishjeve të propozuara të strukturave ekzistuese, për shkak të ndërtesave të reja dhe zgjerimit të rrugëve. Bashkia kërkonte që qendra të mos u kushtohej vetëm funksioneve administrative, por të linte hapësirë edhe për ndërtesa, dyqane dhe shërbime tregtare në përdorim të qytetarëve.[22] Në retrospektivë, këto shqetësime teknike dhe politike shërbejnë si paralajmërim i mosmarrjes së tyre në konsideratë në Planin e Përgjithshëm Rregullator të viteve 1939–43, dhe më pas. 

            Këto çështje me natyrë teknike dhe politike mishërohen në kompozimet formale të Sheshit “Skënderbej” në planet e viteve 1926–1930. Plani i vitit 1926, i hartuar nga Frashëri, Castellani dhe Weiss, ruante ende një kompozim të qendërzuar si ai i Brasinit, por tani forma ishte zgjatur, duke e bërë atë më të pranueshëm ndaj akseve urbane ekzistuese dhe të reja, të cilat nuk konvergonin domosdoshmërisht në një qendër gjeometrike të vetme (Figura 8). Nuk ka një simetri të pastër dypalëshe përgjatë boshtit verior. Në vend të saj, plani karakterizohet formalisht nga një ”gjerdan” ndërtesash të radhitura rreth sheshit, forma dhe pozicioni i të cilave përcaktohen si nga  gjeometria e qendërzuar e sheshit, ashtu edhe nga fqinjësitë ekzistuese rreth sheshit. Ky gjerdan përfshin jo vetëm ndërtesa të reja por dhe ekzistuese, si për shembull Xhaminë e Et’hem Beut dhe Kullën e sahatit që ngrihet pas saj, të cilat e ankorojnë qytetin në shesh si në aspektin fenomenologjik, ashtu edhe simbolik. Gjerdani përfshin gjithashtu edhe boshllëqe, si ajo midis xhamisë dhe një ministrie në verilindje të sheshit (e cila nuk u ndërtua kurrë), apo ku ndërthuren rrugët e “Durrësit” dhe të “Kavajës”. Ky gjerdan e mbart dhe e ngulit qytetin në shesh, nëpërmjet një strukture rruazore të konceptuar për të qenë pjesë njëherazi e qytetit ekzistues dhe e vetë sheshit. Ky gjerdan u ruajt (me ndryshime të vogla) edhe në planet pasuese, ato të Frashërit dhe Köhler-it në vitin 1928, si edhe ato të Florestano Di Faustos në vitet 1930 dhe 1931 (Figura 9). Fatkeqësisht, stili historicist i ndërtesave të Di Faustos shpesh ka eklipsuar zgjidhjen topologjike mjaft të thjeshtë, por inteligjente të sheshit: atë të qendrës së qytetit si një bosh i formuar përmes një gjerdani fragmentesh të ndryshme nga qyteti. Nëse ka një përkthim arkitekturor besnik të konceptit të Anri Salës për Sheshin “Skënderbej” (siç paraqitet në të djathtë të Figurës 5), atëherë është ky plan dhe jo piramida e sheshtë e 51N4E. Edhe pse në këtë artikull nuk mund të mbetet veçse një sugjerim, meriton hulumtim të mëtejshëm afërsia mes qasjes urbane të Di Faustos dhe asaj të arkitektëve dhe teoricienëve modernë të hershëm, si Camillo Sitte dhe Gustavo Giovannoni, të cilët u përpoqën të integrojnë dhe balancojnë me kujdes qytetin modern me atë tradicional. Qasja e tyre ishte e ndryshme nga ajo e modernistëve të tjerë, si Le Corbusier dhe, në rastin e Tiranës, Gherardo Bosio-s, të cilët e bazuan qytetin modern në fshirje drastike dhe në një ndarje të panegociueshme mes të resë dhe të vjetrës.

Figura 8. Planet e Frashërit, Castellanit dhe Weiss-it për projektimin e Sheshit “Skënderbej”, 1926. Arkivi Teknik Qendror i Ndërtimit, siç është botuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

Figura 9. Florestano Di Fausto, dizajni i Sheshit “Skënderbej”, 1931. Arkivi Teknik Qendror i Ndërtimit, siç është botuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

            Deri në vitin 1939, ishin ndërtuar vetëm shtatë nga dhjetë ndërtesat e propozuara të gjerdanit: gjysma jugore e kompleksit të Ministrive dhe Bashkia, në pjesën veriore të sheshit (Figura 1a). Kjo përbën pa dyshim një nga momentet vendimtare, ose pikat kyçe [match points] në historinë e sheshit: Sheshi mund të merrte për mirë nëse do të përfundonte sipas planit të Di Faustos të vitit 1931, ose të mbetej aty ku ishte dhe të përballej me pasiguritë e së ardhmes — të cilat nuk vonuan të vinin.

            Në vitin 1939, Shqipëria u pushtua de jure nga Italia Fashiste. Ndërmjet vitit 1939 dhe 1943, Gherardo Bosio, Ivo Lambertini dhe Ferdinando Poggi hartuan dhe pjesërisht zbatuan Planin e Përgjithshëm Rregullues të Tiranës.[23] Ky plan ishte i pari i këtij lloji në Tiranë që e konceptonte të gjithë qytetin si një “organizëm”[24] estetik, politik dhe ekonomik—nga shkalla territoriale deri te ajo e ndërtesës, nga zonifikimi i funksioneve urbane dhe periferike, deri te gjerësia e rrugëve dhe distancat ndarëse të ndërtesave, tipologjitë dhe materialet ndërtimore.[25] Me fjalë të tjera, ky është një plan urban në kuptimin modern të fjalës, që synonte të kontrollonte shumë faktorë që përfshijnë zonifikimin dhe synimet e përgjithshme të organizimit urban. Ky plan bazohet në konceptin e bllokut urban, i cili realizohet në shkallë, madhësi dhe përmasa të ndryshme—nga një bllok ndërtimi me oborr të brendshëm, deri te një bllok lagjeje i rrethuar nga një zinxhir ndërtesash. Sheshi “Skënderbej” konceptohet gjithashtu si një bllok, i përbërë nga blloqe, ose si oborri i brendshëm i një blloku të madh (Figura 10). Ky koncept e njehson dhe ekuivalenton Sheshin “Skënderbej” me çdo pikë tjetër të Planit. Në planet e viteve 1926–1930, sheshi të sjell në mendje imazhin e një boshi të gdhendur nga masa solide e qytetit ekzistues dhe nga boshi i Tiranës që ende nuk ishte ndërtuar. Këto plane karaketrizoheshin nga një puqje boshesh dhe plotesh formalisht dhe funksionalisht të ndryshëm dhe joekuivalentë.  Ndërsa plani i viteve 1939–43 karakterizohet nga një ekuivalencë e njëtrajtshme ndër blloqe dhe nëpërmjet blloqeve. Nëse planet e viteve 1926–30 ndërmjetësonin mes fqinjësive ekzistuese të sheshit dhe ndërhyrjeve të reja, plani i 1939–43 e fshin Pazarin e Vjetër dhe të gjitha mëhallët përreth sheshit, duke i zëvendësuar ato me tipologji blloqesh dhe funksione të reja administrative (Figura 11). Ky plan ruajti ansamblin jugor të godinave të ministrive (që ishin ndërtuar tashmë në atë kohë), por riformatoi plotësisht pjesën veriore, duke fshirë edhe Bashkinë e Di Faustos, e cila do të ekzistonte përkohësisht, me “një kohë të marrë borxh”, të themi, derisa të shembej fizikisht në vitin 1976.      

Figura 10. Gherardo Bosio, projekti i Sheshit “Skënderbej” (Fragment nga Plani Rregullues i Tiranës), 1941. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, siç është publikuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

Figura 11. Gherardo Bosio, Piano Regolatore di Tirana (Plani Rregullues i Tiranës), 1941. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, siç është publikuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

            Plani Rregullues i viteve 1939–43 mbeti kryesisht i pazbatuar gjatë Kohës së Italisë, por, në retrospektivë, u kthye në modelin udhëzues për të gjitha transformimet e mëvonshme të Sheshit “Skënderbej”, pavarësisht nga ndryshimet në kontekstin politik dhe ideologjik. Nëse planet pararendëse karakterizoheshin nga një tension apo ndarje mes teknikes dhe politikes që zhvillohej në situata konkrete urbane, plani i viteve 1939–43 synonte t’i jepte ambicies kolonialiste të politikes fuqinë universale të teknikes, e cila merrte formën e një kodi abstrakt që rregullonte dhe qeveriste gjithë qytetin. Ky plan synonte të përpilonte një model [blueprint] që funksiononte ekzakt si “bulevardi pa qytet” i Gumës: njëkohësisht jashtë-historik dhe teleologjik, si pikë zero e një qyteti të së ardhmes dhe si zhvillim dhe përmbushje axiale e domosdoshme e historisë së tij.

            Ndërsa planet urbane të Kohës së Italisë synonin të mbështesnin politikat imperialiste dhe kolonialiste të Italisë Fashiste, jo të gjitha këto plane ishin njësoj përfaqësuese apo të reduktueshme në këto politika. Në studimin “Ndërtimi i Qyteteve të Perandorisë”, Besnik Pula argumenton se planet urbane të Italisë Fashiste në Shqipëri mishërojnë—ose më saktë janë të udhëhequra nga—nga një kolonializëm “paternalist-asimilues”, në vend të atij klasik ”racor”. Nëse ky i fundit përcaktohet nga ndarja ligjore, sociale dhe institucionale midis kolonizuesit dhe të kolonizuarit, sipas një hierarkie racore zyrtarisht të miratuar, kolonializmi paternalist-asimilues karakterizohet nga dominimi ushtarak dhe politik i një shteti kolonizues mbi një shoqëri të kolonizuar, me synimin për të riformuar kulturën vendase për ta përshtatur me imazhin e vet, domethënë me imazhin e perandorisë.[26] Megjithatë, duhet theksuar se jo të gjitha projektet gjatë Kohës së Italisë ishin qartësisht dhe pa dyshim “paternaliste-asimiluese”. Planet e viteve 1926–1930 mund të klasifikohen më shumë si të tilla, pasi, siç është treguar më sipër, ato përpiqeshin të angazhonin dhe të asimilonin pjesën historike të Tiranës brenda zgjerimit të ri të qytetit. Ndërsa plani i viteve 1939–43 anonte më shumë nga kolonializmit racor, pasi ai favorizonte, në fakt, segregimin e lagjeve, duke ndarë zonat e projektuara për italianët nga ato të popullsisë vendase, si dhe favorizonte ndarjen klasore.[27] Raporti përcaktonte se ku do të vendoseshin banesat e italianëve, ashtu si edhe ato të borgjezisë së lartë, klasës së mesme dhe punëtorëve. Raporti gjithashtu përshkruan se si parcelat për klasën punëtore do të shkëmbeheshin me parcela ekzistuese në qytet, të cilat kjo klasë nuk mund t’i përballonte. [28] Këto parcela të reja ekzistuese ishin pikërisht ato që plani i viteve 1939–43 synonte të vinte në dispozicion. Për shembull, në lidhje me zonën veri lindore të qytetit, rreth Medresesë, specifikohet një metodë shpronësimi që do të ndiqej edhe në pjesë të tjera të qytetit, dialekti anakronik i së cilës kontraston me ngjashmërinë e habitshme të asaj çka udhëzon me çka po ndodh sot në Tiranë:

Truelli në Jug të çirkonvalacjonit i pershimun ndermjet Medreses dhe syperfaqes së caktueme per Kasermen e Granatjervet, per nji thellsi kah Veriju me tre isoluem tue u nisë nga çirkonvalacjoni duhet të shpronzohet i organizuem ce seli rrugore, sherbime ujnash, prej fonjature e dritë. Llotat qi kan me risultue kan me qene te parcelueme konformisht me hartat n. 90 e 90’, edhe prandej kan per t’u dhanë per ndrrim nji pronarë me tjetrin proporzionisht me syperfaqen e me fleten e syperfaqes qi ndrrohet, edhe ato qytetarë pronarë të tokavet në qytet të cillët nga shkaku i pa mjaftueshmënisë e syperfaqes, per shrregullimin e parcelavet, ase per mungesë të gjendjes financjare per me ndertue nder zona në fjale me lidhje me vleftë të randë, nuk munden me ndertue.[29]

Në vetë nomenklaturën teknike të raportit, programohet, ose më saktë, ideohet dhe i paraprihet një eksodi të ardhshëm, me hir ose me pahir, gjysmë i detyruar dhe gjysmë i “vullnetshëm” i qytetarëve nga brenda qytetit. A nuk rilind dhe mishërohet ky skenar ëndrre të vjetër, i hedhur në letër me një shqipe të vjetër, në lobotomitë ç-gentrifikuese urbane të 20 viteve të fundit?

            Kjo nomenklaturë teknike, nga ana tjetër, justifikohej duke e kontrastuar me natyrën gjoja “jo-teknike” të qytetit ekzistues. Për shembull, raporti pretendon se në kohën kur po hartohej Plani Rregullues, Tirana ishte si një “dangë voji” (“njollë vaji”),[30] që do të thotë pa formë, pa strukturë, pa organizim. Raporti e përshkruan qytetin si ”oriental”[31], ”të çrregullt”, dhe ”irracional”[32], ndërsa Pazarin e Vjetër si të çorganizuar, jo higjienik, madje të rrezikshëm.[33] Vizatimet e planit marrin realisht masa kundër këtij konteksti “oriental”. Shpesh thuhet se Plani i Përgjithshëm Rregullues i Tiranës e respektonte pjesën historike të qytetit, por kjo është po aq larg së vërtetës, sa edhe pohimi se Tirana ishte një bulevard pa qytet.” Siç tregohet qartë, ”e zezë mbi të bardhë”, në Planimetrinë Gjenerale të vitit 1941, vizatuar në shkallën 1:2500 nga Bosio (Figura 11), plani ruan vetëm rrugët kryesore, ndërsa e fshin plotësisht pëlhurën urbane ekzistuese midis tyre, duke e zëvendësuar me tipologjinë e bllokut. Raporti gjithashtu justifikon këtë fshirje në përgjithësi, dhe riformatimin e Sheshit “Skënderbej” në veçanti, duke i paraqitur si të papërshtatshëm për të përballuar trafikun e ardhshëm të qytetit.[34] Madje shkon deri aty sa u kërkon qytetarëve të Tiranës të mos mbeten të lidhur me imazhin e vjetër të qytetit, dhe të sakrifikojnë këtë të fundit për një qytet modern, duke “premtuar” se “parcelat e pronës që janë të ndara në mënyrë të çrregullt dhe irracionale do të rishpërndahen dhe rikonfigurohen në planin e ri” domethënë jashtë qendrës…[35] Kështu, raporti përpiqet të ndërtojë një korrelacion të domosdoshëm midis ideologjikes dhe teknikes, midis stilit modern dhe përshtatshmërisë për trafik, ose midis së vjetrës “orientale” dhe pamundësisë që kjo e fundit të akomodonte trafikun. Megjithatë, planet e viteve 1926–1932 kishin treguar se trafiku mund të akomodohej më së miri brenda strukturës urbane ekzistuese, dhe se zgjidhjet për trafikun dhe struktura urbane mund të funksiononin si ndryshore të pavarura që përmirësonin njëra-tjetrën. Arsyeja e vërtetë pas këtyre makinacioneve tekniko-ideologjike ishte që qyteti të çlirohej nga qyteti ekzistues.

            Siç u tregua më herët, qyteti ekzistues nuk ishte vetëm ai që referohet si Tirana “historike”, “organike”, “orientale” apo “otomane”, por përfshinte gjithashtu struktura para-moderne dhe moderne që ishin ndërtuar pasi Tirana u shpall kryeqytet, shumë prej të cilave të projektuara nga arkitektë shqiptarë.[36] Kështu, plani i viteve 1939–43 fshin jo vetëm “dangën orientale të vajit”, por edhe vetë modernizmat që kishin nisur të shfaqeshin në Tiranë. Në këtë mënyrë, plani mbjell [plan(t)s] idenë e një modernizmi të vetëm e të padiskutueshëm, të importuar nga Italia, dhe Kohën e Italisë si bartësin e parë dhe të vetëm të modernizmit në Shqipëri. (Nuk mund të mos përmendet që kjo ide hodhi rrënjë të thella, dhe fatkeqësisht ende dominon sot, si në rrethet akademike ashtu edhe jashtë tyre.) Siç u tha edhe më parë, përveç xhamisë së Et’hem Beut dhe kullës së sahatit në qendër – shenja “orientale” të domosdoshme që plani i quan “piktoreske”[37], plani fshin Pazarin e Vjetër dhe gjithçka “orientale” përreth qendrës, pra vetë lëndën urbane që e sillte dhe e mbante qytetin brenda sheshit, përfshirë edhe struktura që ishin ndërtuar ose planifikuar nga arkitektë italianë (si Bashkia e Di Faustos). Veprime të tilla do të nxisnin një seri fshirjesh urbane në të ardhmen, në dhe rreth sheshit, të cilat e shkëputën qytetin nga sheshi, si formalisht ashtu edhe funksionalisht.

            Megjithatë, kishte edhe një moment tjetër potencialisht vendimtar [match point], që u harrua edhe në transformimet e mëvonshme pas Luftës: plani pak i njohur i vitit 1944 nga D. Casasola dhe Vasil Noçka, hartuar menjëherë pas kapitullimit të Italisë Fashiste. Ky plan kombinonte arkitekturën e Bosios me urbanizmin e Di Faustos: ndërsa e pajiste dhe e mbushte Pazarin e Vjetër me tipologjinë e bllokut, plani ruante strukturën urbane të Pazarit dhe e linte atë të “derdhej” në shesh. Është një konceptim ala Kevin Lynch përpara Kevin Lynch.

Figura 12. D. Casasola dhe V. Noçka, riprojektimi i Pazarit të Vjetër, 1944.
Arkivi Teknik Qendror i Ndërtimit, siç është botuar fillimisht në Tirana: Qyteti i munguar.

ZHBËRJA 

Regjimi komunist preferoi njëdimensionalitetin e planeve të Bosio-s, Lambertini-t dhe Poggi-t në vend të shumëllojshmërisë idiosinkratike të asaj të Casasola-s dhe Noçka-s. Për më shumë se katër dekada, nga viti 1944 deri në 1991, sheshi iu nënshtrua një sërë fshirjesh që planifikoheshin edhe nga dy plane të tjera rregulluese të përgjithshme të Tiranës, atij të viteve 1957–58 dhe atij të viteve 1985–89 (Figura 1b–e). Edhe pse të konceptuara në një kontekst ideologjik krejtësisht të ndryshëm nga ai i Planit Rregullues të Përgjithshëm të viteve 1939–43, dhe edhe nëse ky i fundit nuk u realizua plotësisht, planet e komunizmit u mbështetën thelbësisht te skenari i Planit të Bosios. Zgjerimi i ndërtesës së Bankës (që në këtë Planin e Bosio-s ndodhej në lindje të Sheshit “Skënderbej”) dhe bashkimi i saj me një godinë të madhe me oborr të brendshëm, që shfaqej për herë të parë në planin e Bosio-s, ngjizi Pallatin e Kulturës në fillim të viteve 1960, pikërisht mbi pjesën perëndimore të Pazarit të Vjetër. Në cepin verilindor të sheshit, ku ndodhej edhe katedralja ortodokse e qytetit, u ndërtua në fillim të viteve ‘70 Hotel Tirana (sot Tirana International) me pesëmbëdhjetë kate. Por këto nuk ishin ende goditje fatale. Edhe pse, në dallim me çka i rrethonte, këto dy objekte shfaqnin një shkallë më të madhe dhe një stil monumental, Pallati i Kulturës dhe Hoteli ishin ende të ankoruar në strukturën ekzistuese urbane dhe ndërmjetësonin relativisht mirë mes qytetit dhe sheshit (edhe pse ky argument mbetet i kontestueshëm edhe sot nga publiku dhe arkitektët). Por shembja e Bashkisë së Di Fausto-s dhe një pjese të madhe të qytetit ekzistues pas saj në vitin 1976, për të hapur hapësirë për Muzeun Historik Kombëtar – i cili kishte pamjen e ndërtesës së bashkisë propozuar më parë nga Bosio – do të rezultonte fatale për sheshin. Kjo prishje solli një shesh të gjerë pa konture përcaktuese në formë dhe të shkëputur nga qyteti. Kjo sepse çka u fshi për të ndërtuar Muzeun Historik i përkiste njëkohësisht qytetit dhe sheshit, dhe sepse vetë muzeu, së bashku me Pallatin e Kulturës dhe Hotelin, si në plan ashtu edhe në volum, nuk kishin asnjë lidhje me strukturën urbane përreth dhe as me sheshin. Megjithatë, këto ndërtesa mund të kishin bashkëvepruar ende me qytetin po të mos ishin shoqëruar formalisht me një sërë fshirjesh të tjera të njëkohshme të pakuptimta. Edhe nëse një mundësi e tillë të kuptohej vetëm pas faktit dhe të shfrytëzohej në transformimet urbane të mëvonshme, ajo do të ndihmonte në rivendosjen e lidhjes së qytetit me sheshin. Por, një “krizë” fshirjesh e kishte kapluar ndërkaq qendrën. Në fund të viteve ‘70 dhe atyre ‘80, Rruga “Luigj Gurakuqi” (dikur Rruga e Postës) në lindje të sheshit u zgjerua dhe ndërtesat përgjatë Rrugës së Barrikadave, dikur gjithë gjallëri, u shembën për të hapur vend për një park të gjerë pas Pallatit të Kulturës, i cili mbetet deri më sot një hapësirë e shkretë (por që së fundmi është kthyer në truallin e një kulle tjetër të projektuar nga firma daneze CEBRA), si dhe një seri ndërtesash banimi nëntëkatëshe që kishin asgjë të përbashkët me atë që ndodhej pas tyre, as në shkallë, as në formë. Si goditje përfundimtare, në skajin e kundërt të sheshit, midis Muzeut Historik dhe Bankës së Marpurgos, u shemb gjithashtu Kafeneja elegante Kursal, së bashku me truallin e saj historik trekëndësh. Këto fshirje e shkëputën dhunshëm sheshin nga qyteti.

            Nëse planet e Bosios, Lambertinit dhe Poggit të viteve 1939–43 paraprinin zhdukjet brenda dhe rreth Sheshit “Skënderbej” gjatë kohës së komunizmit, këto të fundit, nga ana tjetër, nxitën fshirje të tjera gjatë “rehabilitimit” të sheshit në vitet 2000. Për të ilustruar një lidhje të tillë, le të marrim si shembull dy imazhe: një maket të Sheshit “Skënderbej” të vitit 1974, projektuar nga Instituti i Projektimit 1[38] – maket ky që përfshin të gjitha zhdukjet e përshkruara në paragrafin e mësipërm (Figura 13), dhe pamjen ajrore të Sheshit “Skënderbej” sot, siç është ndërtuar që nga viti 2018, bazuar në projektin e 51N4E (shih Figurën 2). Pavarësisht konteksteve dhe stileve ideologjike të ndryshme, një sipërfaqe e zezë formalisht e pafundme plexiglasi, në maketin e vitit 1974 paraprin piramidën e bardhë të rrafshët të vitit 2008—e kufizuar në formë, por konceptualisht e pafundme në shpërhapjen e saj. Kullat relativisht të vogla “të pangrëna” të maketit të vitit 1974 paraprijnë kullat “obeze” të sotme. Edhe pse më të larta dhe më të kushtueshme, këto të fundit nuk janë aq të ndryshme nga ato të maketit të 1974-ës për sa i përket stakimit së tyre nga qyteti ekzistues (por madje edhe në rrafshin pamor stilistik). Për 51N4E, sheshi është një “zbrazëti në kaosin e qytetit”[39], siç ilustrohet në diagramet planimetrike të kubave të bardhë të shpërndarë në sfondin e kuqërremtë—ekuivalenti i “dangës së vojit” në planin e viteve 1939–43. Sapo qyteti paraqitet si kaotik, i rastësishëm dhe amorf, ai bëhet për tu fshirë. Zbrazëtia e sheshit paraprin zhvlerësimin—si në kuptimin formal, ashtu edhe atë financiar—dhe më pas fshirjen e “kaosit ekzistues të qytetit” apo të “dangës së vojit”.

Figura 13. Instituti i Projektimit Nr. 1, Modeli i Sheshit “Skënderbej”, 1974. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, siç u publikua fillimisht në Tirana: qyteti i munguar.

PËRFUNDIM: TË KALUARAT E ARDHSHME TË SHESHIT “SKËNDERBEJ”

Nuk kanë munguar momentet kyçe [match points] në këtë zinxhir parashikimesh. Ndër propozimet urbane të dy dekadave të fundit, ato të Architecture Studio dhe Mecanoo Architects në vitin 2004 ishin dy nga të paktat që kuptuan problemin e vërtetë të qendrës—shkëputjen e saj nga qyteti—dhe u përpoqën ta rehabilitonin atë, qoftë duke ndërlidhur qytetin ekzistues me struktura të reja të ulëta dhe të larta (në rastin e të parëve), qoftë duke mbushur, dendësuar dhe sjellë strukturën urbane ekzistuese me ndërtesa të ulëta në qendër (në rastin e të dytëve). Por lakmia për të shtrirë le mani sulla città[40]  kapërceu çdo përpjekje për moderim. Ajo që kishte mbetur nga sheshi i dikurshëm dhe çka ende premtonte një lidhje mes sheshit dhe qytetit, u shkatërrua nga vertikalizimet e reja në dhjetë vitet të fundit. Xhamia Et’hem Bej dhe Kulla elegante e Sahatit—dy nga të paktat shenja historike dhe fenomenologjike që kanë mbetur nga ish-Sheshi “Skënderbej”—janë shndërruar thjesht në dekorime të kullave imobiliare rreth tyre.

            Kjo lakmi ushqehet nga ajo që duket si e kundërta e saj: forma më primitive dhe më e qëndrueshme nga të gjitha—piramida. Roli i saj është të fshehë papërcaktueshmërinë e së tashmes duke mitizuar historinë si fat [destiny], drejt një të ardhmeje pa kujtesë, të zbardhur me “gurë lokalë” dhe mbuluar me “bimë vendase.” Piramida e bardhë dhe e rrafshët nuk ishte një zgjidhje e pashmangshme. Me “histori si fat” nënkuptoj iluzionin ideologjik se historia ka vetëm një drejtim apo rrjedhë: që gjërat “duhej” të kishin ndodhur vetëm në një mënyrë dhe jo një tjetër. Përballë kësaj ikonografie piramidale, ajo që ky artikull shpreson të ketë treguar është se nuk ka pasur kurrë një fat historik, por vetëm një mori zgjedhjesh të ndryshme. Rrjedha e fshirjeve dhe momenteve kyçe [match points] zbulon se në asnjë moment historik kyç nuk ka pasur pika pa kthim; se secila prej këtyre momenteve kyçe ka qenë një nga shumë rrugët e paraprirjeve të mundshme. Megjithatë, ndërsa kullat masive po përpijnë gjithnjë e më shumë ish-qendrën dhe sheshin, dhe ndërsa gjurmët urbane të asaj që dikur lidhte qytetin me sheshin janë zhdukur, probabiliteti i ekzistencës së këtyre pikavekyçe[match points] sot është bërë praktikisht zero: zhdukja është e plotë. Një ndërhyrje në Sheshin “Skënderbej” sot mund të merrte vetëm formën e një kornize të zbrazët, që kornizon vetë zhdukjen, dhe krijon përmbajtje përmes zbrazëtisë që ajo kornizon.

(c) 2026 Skënder Luarasi (për këtë botim). Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Ky artikull u botua për herë të parë, në periodikun shkencor Future Anterior në 2022, i cituar më poshtë:

Skënder Luarasi, “The Life and Death of Skanderbeg Square: A Chronicle of an Undoing Foretold, in a Hundred Years,” Future Anterior: Journal of Historic Preservation History, Theory, and Criticism [E ardhmja e përparme, Periodik shkencor i historisë, teorisê dhe kritikës së prezervimit historik], Volume 19, Number 1, Summer 2022, pp. 126-148 (Article), Published by University of Minnesota Press, DOI: https://doi.org/10.1353/fta.2022.a924447


[1] Shiko Pandemia e fasadave te sfazuara” botuar te Peizazhet në 8 Janar, 2025: https://peizazhe.com/2025/01/08/pandemia-a-fasadave-te-sfazuara/

[2] Fjalia i referohet kohës kur u shkrua dhe botua artikulli, pra më 2022, tre vjet pas vitit 2019

[3] Skender Luarasi, “A White Pyramid and a Center That Is Not a Center,” Log 47, Overcoming Carbon Form (New York: Anyone Corporation, Fall 2019), 76–84.

[4] Koço Miho, Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, prej fillimeve deri më 1944 (Tiranë: Shtëpia botuese “8 Nëntori”, 1987), 52–53.

[5] Miho, Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 52.

[6] Miho, Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, 88.

[7] Falënderoj njërin nga recensentët anonimë të këtij artikulli nga Future Anterior që më kujtoi dhe më dha këto referenca: https://www.dezeen.com/2019/02/13/mies-van-der-rohe-award-2019-finalists/; https://www.dezeen.com/2019/02/13/mies-van-der-rohe-award-2019-finalists/, aksesuar në 18 korrik, 2023.

[8] Nga përshkrimi tekstual i projektit i dhënë nga arkitektët, shih: “Skanderbeg Square / 51N4E,” ArchDaily, https://www.archdaily.com/911980/skanderbeg-square-51n4e, accessed July 15, 2023.

[9] “Skanderberg Square / 51N4E,” https://www.51n4e.com/projects/skanderbeg-square.

[10] Luarasi, “A White Pyramid,” 79.

[11] “Skanderberg Square / 51N4E.”

[12] “Skanderberg Square / 51N4E,”

[13] Leonardo Benevolo, The Origins of Modern Town Planning, përkthyer nga Judith Landry (Cambridge, MA: The MIT Press, 1967), 12.

[14] Benevolo, The Origins of Modern Town Planning, 31.

[15] Benevolo, The Origins of Modern Town Planning, 134– 36.

[16] Shih Miho, Trajta të profilit urbanistik të qytetit të Tiranës, veçanërisht 114– 64.

[17] Për një përmbledhje të plotë arkivore mbi arkitekturën italiane Oltremare para dhe gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, shih: Architettura italiana d’oltremare: 1870– 1940 (Venezia: Marsilio Editori, 1993), përmbledhur nga Guliano Gressleri.

[18] Raporti i Planit Rregullues të vitit 1943 deklaron: “Pas bashkimit të Kurorës së Shqipërisë me atë të Italisë, interesa dhe marrëdhënie të reja u bashkuan sërish në kryeqytet, me ardhjen e shumë italianëve me qëndrim të përhershëm ose të përkohshëm,” në Plani Rregullues i Tiranës, Relacion nga Arkitekti Projektues Lambertini, I. dhe Arkitekti Këshillues Poggi, F. (Tiranë, Kallnuer 1943), f. 17. Falenderoj Arkivin Qendror Teknik të Ndërtimit (AQTN) për sigurimin e këtij materiali dhe Sotir Dhamon për ndarjen me mua të versionit shqiptar të këtij raporti.

[19] Siç shkruhet në: Ismail Kadare, Nëntori i një Kryeqyteti  (Tirana: Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1975), 62.

[20] Në plan, ose nga lart, bulevardi lexohet si bishti i sëpatës, ndërsa stadiumi si teh i saj.

[21] Sotir Dhamo, Gjergj Thomai, and Besnik Aliaj, Tirana, Qyteti i mungar, (Tiranë: Polis Press, 2016), 18.

[22] Dhamo, Thomai, and Aliaj, Tirana, Qyteti i munguar, 30.

[23] Ky plan përbëhej nga dy faza. Faza e parë—”projektimi skematik”—u përfundua në vitin 1939 dhe u miratua në 1940. Ky plan u hartua nga Zyra Qendrore e Edilicjes dhe Urbanistikës së Shqipnis dhe u drejtua nga arkitekti Gherardo Bosio si Këshilltari i Parë dhe Drejtori i Zyrës së Urbanistikës (Ufficiale per L’edilizia e L’urbanistica Dell’Albania), i cili gjithashtu shkroi raportin që iu bashkëngjit këtij plani skematik. Faza e dytë përfshinte Studimin e Planit Rregullues Përfundimtar, i cili u miratua në vitin 1941 dhe, bazuar në këtë studim, Plani Rregullues Përfundimtar u përpilua nga Zyra Qendrore e Edilicjes dhe Urbanistikës në janar të vitit 1943. Pas vdekjes së Bosio-s në 1941, hartimin dhe përpilimin e këtij plani e drejtuan Ivo Lambertini dhe Ferdinando Poggi. Shih: Dhamo, Thomai dhe Aliaj, Tirana, qyteti i munguar, fq. 60–61. Nga ky moment e tutje, do t’i referohem këtij plani si Plani Rregullues i Përgjithshëm i viteve 1939–43.

[24] E huazoj termin “organizëm” nga Raporti i Planit Rregullues të vitit 1943 i Lambertinit dhe Poggit.

[25] Këto rregullore janë të përfshira në Raportin e Planit Rregullator të Tiranës, hartuar nga Zyra e Ndërtimit dhe Urbanistikës së Shqipërisë nën drejtimin e Bosios dhe Poggit, botuar në Tiranë nga Shtëpia Botuese Gutenberg në vitin 1940.

[26] Besnik Pula, “Building the Cities of Empire: Urban Planning in the Colonial Cities of Italy’s Fascist Empire,” Sociology and Empire, ed. George Steinmetz (Durham: Duke University Press, 2013), 375. Aksesuar nga Academia.edu, në 12 Mars, 2021.

[27] Shiko: Raporti i Planit Rregullues, 17– 19 dhe 27– 33.

[28] Shiko: Raporti i Planit Rregullues, 17– 19 dhe 27– 33.

[29] Raporti i Planit Rregullues, 31 (theksimi im)

[30] Raporti i Planit Rregullues, 2. Persa i perket “danges se vojit” shih edhe Dhamo, Thomai, dhe Aliaj, Tirana, Qyteti i mungar, 70.

[31] Raporti i Planit Rregullues, 4.

[32] Raporti i Planit Rregullues, 9.

[33] Raporti i Planit Rregullues, 4 – 5. Shih gjithashtu Dhamo, Thomai, and Aliaj, Tirana, Qyteti i munguar, 71.

[34] Raporti i Planit Rregullues, 15– 16.

[35] Raporti i Planit Rregullues, 9– 10.

[36] E shtjelloj këtë temë në librin tim Survival Through Architecture: A Survey and Analysis of the Architectural Oeuvre of Skënder Kristo Luarasi, 1908–1976 (TU Graz Verlag, 2023).

[37] Raporti i Planit Rregullues, 4.

[38] Instituti i Projektimit Nr. 1 ishte një institucion projektimi shtetëror, i ngarkuar me projektimin e banesave dhe ndërtesave shoqërore-kulturore.

[39] “Skanderbeg Square / 51N4E,” https://www.51n4e.com/projects/skanderbeg -square.

[40] I referohem këtu Le mani sulla città, me regjizor Francesco Rossi-n (1963).


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading